Kronikë

Përmbarimi shkon të sekuestrojë banesën, gjen kallashnikovë, snajper dhe marijuanë

16:20 - 29.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Klodiana Haxhiaj-Në një apartament të pabanuar në afërsi të Shkëmbit të Kavajës janë gjetur dhe sekuestruar drogë dhe armë, ndërsa është shpallur në kërkim pronari, i cili është emigrant në Amerikë. Kanë qenë përfaqësues të Përmbarimit në Durrës, të cilët teksa kanë shkuar për të bërë sekuestrimin e banesës, pasi ishte vendosur si kolateral në bankë për një kredi, janë befasuar nga ajo çfarë kanë gjetur brenda. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bënë me dije se ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 15:00. Sapo kanë hyrë brenda në banesë, punonjësit e Përmbarimit dhe policia kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një snajper, një automatik, një pistoletë, 4 sileciatorë, krehra me fishekë, një sasi e vogël lëndë narkotike e dyshuar marijuanë, fenelina, mjete dhe veshje policie si dhe kapuça.




Shërbimi i Përmbarimit ka shkuar në apartamentin e mësipërm për të bërë të mundur ekzekutimin e një vendimi për dorëzimin e apartamentit bankës. Mësohet se apartamenti posedohej aktualisht nga shtetasi Xh.Lushka nga Tirana, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për ndalimin e tij. Nga verifikimet paraprake rezulton se pronari është emigrant në SHBA. Pritet që policia të kontaktojë me pronarin dhe të hidhet dritë se të kujt janë armët, të cilat janë dërguar tek laboratori i kriminalistikës.

Ndërkaq, burime nga policia e qytetit bregdetar thanë për “Gazeta Shqiptare” se shtëpia e pabanuar dyshohet se ishte kthyer në bazën e një grupi kriminal.

Gjithashtu, ka dyshime se armët mund të jenë përdorur në disa vrasje të bujshme dhe rrëmbim personash që kanë ndodhur në këtë zonë dhe në zona të tjera të qarkut të Durrësit dhe që ende rezultojnë të jenë pa autorë. Konkretisht në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut (ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2016), i cili u mor forcërisht nga tre persona të veshur me uniformë policie; në rrëmbimin dhe zhdukjen pa gjurmë të Enver Stafukës në Fushë-Krujë; në atentatin e dyfishtë në Sukth ku u vra ish-shefi i krimit ekonomik, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti dhe atentatin të dyfishtë të ndodhur në pranë Torrës në Durrës, ku u ekzekutuan të rinjtë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj.

Dyshohet që kjo bandë të jetë autore e disa grabitjeve të bankave dhe dyqaneve të këmbimit valuator, ku autorët kanë përdorur si kamuflazh unifornma policie. Mësohet se grupi hetimor ka mbledhur dhe po analizon gjurmët e gishtave tek armët e sekuestruara, por edhe në ambientet e tjera të banesës për t’i analizuar në laboratorin shkencor me qëllim identifikimin e autorëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.