Kronikë

Varri i ri dhe pa emër që ngriti dyshime… Hetime nëse 34-vjeçari u torturua para vdekjes

11:05 - 15.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Klodiana Haxhiaj – Kejsi (Elion) Hysa, i zhdukur që prej 10 ditësh është gjetur dje i groposur pranë varrezave të fshatit Shelqet të Komunës Nikël të Fushë-Krujës, ndërsa ishte qëlluar me një plumb në kokë. 34-vjeçari nga fshati Gjorm i Kurbinit, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Edmond Theodhorit në Sarandë më 10 korrik të vitit 2015, u denoncua i zhdukur që prej 5 korrikut nga familjarët e tij, të cilët dyshonin se e kishin vrarë.




Kanë qenë banorë të fshatit Shelqet, të cilët janë habitur nga një varr i ri dhe pa emër sipër. Në një kohë kur të gjithë pyesnin se kush kishte ndërruar jetë, pikërisht në këtë varr ishte varrosur i riu nga Kurbini. Pas marrjes në pyetje të banorëve, policia ka mundur të zbulojë trupin e 34-vjeçarit të zhdukur.

Mësohet se pranë trupit të viktimës janë gjetur një pushkë dhe një pistoletë. Pasi u zhvarros, trupi i pajetë i të riut u dërgua në morg, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të vërtetuar faktin nëse ai ishte torturuar para vdekjes, ndërsa armët janë dërguar në laborator për ekzaminimin e gjurmëve.

Po ashtu, ka dyshime se autorët e kanë groposur gjatë natës pranë varrezave të riun, për t’iu shmangur edhe syrit të njerëzve. Ndërkaq, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bënë me dije se pas hetimeve të kryera është bërë i mundur identifikimi i autorëve të krimit. Sipas bluve, në pranga ka përfunduar Hysni Rama, pronar i një mobilierie, i cili kishte lënë takim me viktimën ditën që ky është zhdukur, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi A.T..

Po të njëjtat burime pohuan se vrasja e Hysës nuk ka lidhje me ngjarjen e vitit 2015 në Sarandë. Dyshohet se ekzekutimi i tij është kryer për shkak të borxheve që njëri nga autorët i kishte viktimës. Banorë të zonës kanë pohuar në polici se viktima njihej ndryshe si “Tik Fajdexhiu”, pasi jepte para me përqindje. Aktualisht policia po heton rreth dy pistave, asaj të një borxhi të pashlyer, apo edhe përfshirjen në ndonjë bandë të narko-trafikut.

VRASJA
Sipas hetuesve të çështjes, Kejsi (Elion) Hysa kishte marrë një dyqan me qira në Nikël dhe në datën 5 korrik kishte lënë një takim me telefon me një person nga kjo zonë që kishte një mobilieri, konkretisht me shtetasin Hysni Rama. Por pas ditës së takimit, ai u zhduk pa gjurmë dhe familja nuk kishte më asnjë informacion për të. Personi në fjalë pohoi se kishte lënë takim, por 34-vjeçari nuk kishte shkuar dhe nuk ishin takuar. Pasi policia e Kurbinit ndaloi pronarin e mobilierisë dhe i vuri në përgjim telefonin, krijoi dyshime të arsyeshme se ai bashkë me një tjetër person, konkretisht shtetasin me inicialet A.T., e kishin vrarë dhe më pas e kishin varrosur 34-vjeçarin në varrezat e fshatit të tyre.

Pas hetimit me metoda shkencore dhe përgjimeve të telefonatave, policia shkoi në fshatin Shelqet dhe pyeti banorët nëse kishin parë njerëz në varreza, ndërsa ata shprehën dyshimet e tyre për varrin e ri. Me urdhër të prokurorit të Krujës, policia vendosi të hapte varrin e ri, ndërsa u zbulua kështu edhe vendndodhja e të riut që ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët.

HETIMET
Pista kryesore ku po heton policia për zbardhjen e plotë të ngjarjes është ajo e vrasjes për shkak të borxheve. Burime pranë grupit hetimor thanë se Kejsi Hysa i kishte dhënë 8 mijë euro para me fajde, autorit të dytë të dyshuar A.T., i cili është në kërkim. Mësohet se disa ditë përpara vrasjes, Hysa ngulmonte që t’i ktheheshin paratë. Ndërsa, A.T. i ka thënë që nuk ndodhej në Nikël, por kishte shkuar tek e motra në Fier. Hysa ka shkuar në Fier me makinën e tij dhe atje është takuar me A.T., nga ku më pas kanë nisur drejt Niklës. Sapo kanë mbërritur në Nikël, 34-vjeçari dhe A.T. kanë marrë në makinë autorin tjetër të vrasjes, Hysni Ramajn. Ata më pas i janë drejtuar vendit të vrasjes, ku dhe kanë ekzekutuar Kejsi Hysën.

Si e vranë vëllezërit Hysa pronarin e lavazhit në Sarandë, Edmond Theodhorin

Në orët e para të mëngjesit së 10 korrikut të vitit 2015, në qytetin e Sarandës u vra me armë Edmond Thodhori. Sipas policisë, ngjarja ka marrë shkas pas një sherri të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së 8 korrikut. Blutë pohuan se Gani dhe Keivi Hysa (Alias Ahmet Hysa), përkatësisht xhaxha e nip, të cilët prej disa ditësh ndodheshin për pushime në Sarandë, për shkaqe banale janë konfliktuar në rrugë me shtetasit Edmond Thodhori dhe Andon Salla, të dy banues në qytetin bregdetar. Pasi konflikti është shuar me ndihmën e personave të tjerë në vendngjarje, shtetasi Kevi Hysa ka telefonuar për atë çfarë kishte ndodhur vëllain e tij, Elion Hysa (alias Ervis ose Kejsi Hysa), i cili ndërkohë ndodhej në fshatin e tij, në Gjorm, Laç. Menjëherë Elioni ka vendosur t’i shkojë në ndihmë xhaxhait dhe vëllait të tij. Për t’ju ofruar ndihmën e tij, Elioni ka marrë me vete shokët (bashkëfshatarët e tij): Ledi Hysa (alias Armir Hysa), Ylli Reçi dhe Ajman Zyba. Këta katër persona kanë udhëtuar drejt Sarandës me automjetin tip “Audi”, me targe “AA 060 KH”, drejtuar nga shtetasi nen hetim Ledi Hysa.

Pasi kanë mbërritur në Sarandë, ata janë takuar me Ganiun e Keivin. Më pas ata kanë vendosur të përballeshin me Theodhorin, të cilin arritën ta gjenin në orët e para të mëngjesit së 10 korrikut. Pasi kanë ndarë rolet duke u vendosur në pozicione të ndryshme, është realizuar edhe vrasja e tij. Gjykata ka çmuar se Gani Hysa duhet të gjykohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe u dënua me gjykim të shkurtuar me 2 vjet e 8 muaj burg. Ledi Hysa, Ylli Reci dhe Ajman Zyba u dënuan për “moskallëzim krimi”, secili nga 13 muaj burgim. Ndërkohë, vazhdon gjykimi për “vrasje me paramendim” për Keivi dhe Elion Hysën. Keivi Hysa është arrestuar në shkurt të 2018-ës në Itali. Ndërsa, Elioni, i cili ishte në kërkim u vra dhe u gropos pak ditë më parë. ar.su.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.