MILOSAO

Tenison, libri i tij “Land of Eagles”, dhe një ministër shqiptar

15:00 - 29.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ndrek Gjini* – Në librin “Land of Eagles”, të botuar para pak vitesh në Angli, me autor Robin Hanbury-Tenison, përveç fjalëve të mira që fliten për Shqipërinë dhe mikpritjen shqiptare, shpaloset dhe shëmtia, fodullëku, dhe mosmikpritja e ministrit shqiptar të Kulturës të vitit 2007, dhe djalit të tij.
Ministri i Kulturës, në këtë libër, nuk përmendet me emër, ndaj dhe unë po e lë pa emër.
Autori i këtij libri, Robin Hanbury-Tenison, është një personalitet i vlerësuar nga revista ‘Time’ si eksploratori më i madh në botë i 20 viteve të fundit.
Në fillimvjeshtën e vitit 2007 ai vizitoi Shqipërinë. Së bashku me gruan e tij, hipur mbi kuaj, nëpër shtigje malesh, dhe jo rrugëve me asfalt, ata e përshkruan hapësirën shqiptare nga Veriu në Jug.




(Ky libër nuk besoj të jetë përkthyer ende në shqip. Ndofta dhe po. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është një thirrje për përkthimin e këtij libri, dhe as koment rreth këtij libri, i cili, sipas mendimit tim, është një libër i shkruar mirë, dhe përgjithësisht flet shumë mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, përveç të katër-pesë faqeve të tij ku flitet për një gjest të pakulturë të ministrit shqiptar të Kulturës).

Çfarë ka ndodhur realisht atë natë në bujtinën mes maleve?
Nga faqja 32 deri në faqen 37 të këtij libri, autori përshkruan rrugëtimin e tij dhe ekipit të tij, sesi hipur mbi kuaj ata kaluan nga Thethi në Valbonë. Ai përshkruan bukuritë magjepsëse të natyrës, aventurat e asaj rruge, shiun që i lag, lodhjen, urinë, rreziqet që paraqisnin ato shtigje të ngushta etj. Ai tregon sesi pak pa rënë nata, në afërsi të Valbonës, ata kishin humbur rrugën. Dhe më tej përshkruan skenën kur aty kalon një makinë policie e më pas disa fuoristrada. Ato ndalojnë, përshëndeten, madje dhe prezantohen midis tyre. Një nga pasagjerët që zbret nga fuoristrada prezantohet para tyre si ministri i Kulturës i qeverisë shqiptare. Bisedojnë për pak minuta. Dikush u tregon me dorë shtegun që të shpie te bujtina e vetme në atë zonë… dhe me pas ministri me eskortën e tij hipin në makinat e tyre dhe largohen. Tenison me gruan e tij dhe shoqëruesin bëjnë edhe nja dy orë rrugë hipur mbi kuaj, derisa mbërrijnë te kjo bujtinë, shkruhet në librin ‘Land of Eagles’. Kur mbërrijnë, janë krejt të lagur, të uritur, të lodhur e të stërmunduar nga rruga e gjatë, shkruan ai. Pikërisht tek ajo bujtinë kishte shkuar për të darkuar edhe ministri i Kulturës me djalin e tij, së bashku me disa të tjerë, tregon autori. Pronari i bujtinës ua hap derën dhe i mirëpret. Por e gjithë vëmendja është e përqendruar te ministri. Askush nuk do t’ia dijë se Tenison, gruaja e tij, dhe shoqëruesi janë të lagur, të uritur e të lodhur. Në dhomën e pritjes së kësaj bujtine as ministri dhe as i biri nuk denjojnë të ngrihen e t’u lëshojnë pak vend në divanet ku janë ulur. Robin tregon sesi atij, gruas së tij dhe shoqëruesit u shërbehet për të ngrënë nga ato pak ushqime tanimë të ftohta që kanë mbetur prej tavolinës ku kishte ngrënë ministri me grupin e tij. Ai tregon sesi ministri luan me pultin e televizorit duke ndryshuar kanalet me shpejtësi, pa ia ditur fare për mysafirët e huaj që ndodhen aty. Ai tregon sesi ai dhe i biri janë mosmikpritës deri në paturpësi dhe fodullë të pa fre. Autori i këtij libri përshkruan gjithçka në detaje, sesi ministri fillon t’i japë mend atij rreth nevojës së reklamimit të bregdetit shqiptar dhe jo zonave malore etj.

Tenison konkurron në Festivalin e Kanës me filmin e tij për Shqipërinë
Eksploruesi britanik Robin Hanbury-Tenison në faqet e këtij libri i ka përshkruar me thjeshtësi, sinqeritet dhe vërtetësi të admirueshme përshtypjet e kësaj aventure shqiptare. “Vendi i Shqiponjave, me kuaj përmes vendit të harruar të Europës” është një libër i cili është promovuar para disa kohësh në Royal Geographic Society në Londër, e cila është një nga qendrat më prestigjioze të eksplorimeve, që financon eksplorime në vende të ndryshme të botës.
Në faqet e këtij libri shpaloset bukur Shqipëria me kulturën e historinë e saj të pasur, shpalosen doket dhe zakonet shqiptare.
“Shqiptarët janë një popull mikpritës. Shqipëria është një vend që për vite me radhë është veshur me misteriozitet përballë publikut të huaj. Unë dua t‘u tregoj njerëzve realisht se cila është Shqipëria dhe pse duhet ta duan ata…”, thoshte Robin Hanbury-Tenison në shtator të 2007-ës, kohë kur nga Thethi nisi aventurën e tij.
Në çdo faqe të këtij libri ndihet dashamirësia dhe mikpritja e popullsisë rurale, të cilët hapën për Tenisonin dhe ekipin e tij dyert e shtëpive, u ofruan atyre bukë të ngrohtë, djathë të bardhë të kriposur, dhallë dhe raki. Kështu që sjellja fodulle e ministrit tretet dhe harrohet tek lexon më se 200 faqet e tjera të këtij libri të shkruar me aq dashuri për Shqipërinë e shqiptarët.

Në rrugëtimin e tyre në viset shqiptare, Theth, Valbonë, Lurë, Martanesh, Voskopojë, apo dhe Shkodër, Librazhd, Korçë, Gjirokastër, Tepelenë e deri në skajet jugore, Robin Hanbury-Tenison dhe gruaja e tij u shoqëruan nga regjisori amerikan Mickey Grant, i cili gjatë gjithë kohës fiksoi në kamera aventurën e tyre. Me materialin e përzgjedhur ata realizuan filmin dokumentar “Vendi i Shqiponjave”, me të cilin konkurruan para disa vitesh edhe në seksionin e dokumentarëve në Festivalin e Kanës.
Nuk e kam parë këtë film. Ndaj dhe nuk e di nëse në të është përfshirë sjellja e ministrit të Kulturës. Gjithsesi, edhe nëse është përfshirë, mendoj se tërë ai shtegtim i gjatë i tyre dhe gjithë ajo mikpritje e ngrohtë që ata prekin dhe ndiejnë në çdo hap në Shqipëri, e bëjnë këtë ministër tejet të vockël në vogëlsinë, fodullëkun dhe mosmikpritjen e tij.
Libri i Tenison-it u shtohet zërave që promovojnë sot Shqipërinë turistike, një vend i njohur më së pari përmes shënimeve të udhëtareve të shekujve të shkuar, por njëkohësisht i panjohur e i pashkelur për shkak të izolimit 50-vjeçar.

Një letër falënderimi dhe ndjesë për autorin e këtij libri
Autori i këtij libri e kishte krijuar përfytyrimin e tij për Shqipërinë para se të vinte në këtë vend. Këtë gjë e dëshmojnë citimet që u bën në libër mëse 20 autorëve të tjerë që kanë kaluar nëpër Shqipëri dhe që kanë shkruar rreth Shqipërisë. Shënimet e udhëtarëve si Edith Durham, Lord Bajron, Martin Leak e kanë intriguar së tepërmi autorin dhe këtë e shpreh në mënyre mjaft të sinqertë në faqet e librit.
Nuk e di se ku është, dhe se çfarë po bën aktualisht ‘ministri shqiptar i Kulturës, i vitit 2007’ (ai që Tenison përshkruan në libër), por gjithsesi këshilla ime është që këtë libër ta lexojë së paku këshilltari për kulturën i Kryeministrit të Shqipërisë dhe t’i sugjerojë Kryeministrit t’i shkruajë Robin Hanbury-Tenison një letër falënderimi për botimin e këtij libri, si dhe t’i kërkojë atij ndjesë për sjelljen e padenjë të ‘ministrit të Kulturës, të vitit 2007’.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.