Kosova

The Guardian: A mund të çoj drejt një konflikti Kosovë – Serbi shkëmbimi i territorit?

10:02 - 23.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Kjo mund të jetë një marrëveshje për të sjellë zgjidhje të qëndrueshme, prosperitet dhe integrim evropian në Ballkan – ose mund të zhyt rajonin në një konflikt të përtërirë”.




Kështu shkruan “The Guardian”, në një artikull kushtuar mundësisë për shkëmbim të territorve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke bërë përgatitje për vizitën e tij në Kosovë muajin e ardhshëm, në kohën kur po qarkullon ideja në rritje se Beogradi dhe Prishtina po konsiderojnë arritjen e një marrëveshjeje për të ndarë territorin e kontestuar dhe për të krijuar një shkëmbim toke përgjatë vijave etnike.

Vuçiq dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi kanë vendosur për vazhdimin e bisedimeve të ndërmjetësuara në Bruksel në përpjekje të arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të hapin rrugën drejt anëtarësimit në BE në kohë afatgjate. Por ka shqetësime rreth ndarjes eventuale të Kosovës, e cila sipas kritikëve do të hapte “Kutinë e Pandorës” në Ballkan gjë që mund të çojë drejt problemeve të ndarjes në vija etnike në Bosnjë dhe në Maqedoni.

Edhe në Shqipëri, që kufizohet me Kosovën, një ndarje shikohet nga shumë me tronditje dhe kryeministri Edi Rama është akuzuar për heshtje të pazakontë.

Vuçiq do të shfrytëzojë vizitën e tij më 9 shtator në Kosovë “për t’i treguar qëndrimet politike të shtetit serb ndaj Kosovës”. Më herët gjatë këtij muaji ai u shpreh për korrigjimin e kufijve përgjatë vijave etnike, e cila nënkupton integrimin e veriut të dominuar nga pakica serbe në Serbi. Thaçi është akuzuar për mbrojtje të basteve të tij duke përdorur gjuhën e paqartë.

“Marrëveshja do të ishte finale dhe historike, pasi do t’i jepte fund mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë njëherë e përgjithmonë”, tha Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës.

“Të dy palët, duke përfshirë bashkësinë ndërkombëtare, po mendojnë shumë, madje jashtë kornizave, me kujdes dhe në mënyrë kreative, duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Objektivat e Kosovës janë të qarta: nuk ka ndarje sipas vijave etnike, por po për rregullimin paqësor të kufirit dhe njohjen reciproke”.

Raportet tregojnë se Lugina e Preshevës, një zonë strategjike e rëndësishme për Serbinë, e cila ishte skena e një kryengritjeje etnike shqiptare në vitet 1999-2001, mund t’i dorëzohet Kosovës në këmbim. Shumica dërrmuese e kosovarëve janë shqiptarë etnikë.

Kosova luftoi një luftë të përgjakshme për pavarësi nga Serbia në vitet 1998-99 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi vazhdon ta konsiderojë atë si një provincë rebele. Rusia ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin vendin.

Pavarësisht kundërshtimit të kancelares gjermane Angela Merkel kundër ndryshimit të kufijve, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, është takuar me këshilltarin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, në korrik për të diskutuar lidhur me ndarjen.

“Ata po diskutojnë dhe opsione të ndryshme janë në tryezë”, tha një burim i qeverisë serbe. “Pozicioni amerikan po ndryshon tërësisht kundër ndarjes në gatishmërinë për të diskutuar këtë opsion. Franca është gjithashtu mjaft pozitive. Gjermania nuk është”, shton ky burim.

Një burim i Qeverisë së Kosovës konfirmoi se “disa në bashkësinë ndërkombëtare janë gjithnjë e më të hapur ndaj idesë për ndarje”.

Të dyja palët konsiderojnë se arritja e marrëveshjes finale mbetet një sfidë serioze, por asnjëra prej tyre nuk ka propozime konkrete dhe se Beogradi është duke i mbajtur sekret taktikat e negociatave.

“Ne kemi shumë probleme në vend. Askush nuk është gati të mendojë vetëm për zgjidhjen, që nga Kisha Ortodokse Serbe e deri te opozita”, thotë një burim serb.

Kritikët paralajmërojnë se korrigjimi i kufijve në vija etnike do të ishte një precedent i rrezikshëm për pjesët tjera të Ballkanit, pas luftërave të përgjakshme etnike që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

“Plani i keq i ndarjes etnike-territoriale në Kosovë do të na kthejë në tmerrin e viteve 1990”, tha ati Sava Janjiq nga manastiri ortodoks serb në Deçan, Kosovë. Sipas tij, ideja e territoreve etnikisht të pastra do të bëhej një model që do të krijojë efekte të njëpasnjëshme në të gjithë Evropën dhe do t’i forcojë ideologjitë radikale, andaj komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë një qëndrim të fortë.

Por Çollaku insiston se një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët nuk do të destabilizojë rajonin dhe nuk do të ketë efekt domino.

Çdo marrëveshje rreth territoreve po shikohet nga afër në Bosnjë e Hercegovinë, ku serbët lokalë të Republika Serbe vazhdimisht kërcënojnë me ndarje dhe në Maqedoni, ku rreth një e katërta e popullsisë janë shqiptarë etnikë, të përqendruar në perëndim dhe në veri të vendit.

“Ndarja e Kosovës mund të hapë ‘Kutinë e Pandorës’ në Ballkan në kërkim të zgjidhjeve mbi parime etnike”, thotë një ish-ministër i Jashtëm i Bosnjë dhe Hercegovinës.  “Është formulë e përsosur për një fatkeqësi të re në Ballkanin Perëndimor. Shteti i brishtë i Bosnjë dhe Hercegovinës mund të zhduket para syve tanë, duke përhapur një spirale të re të nacionalizmit. Ajo mund të inkurajojë ekstremistët shqiptarë që të kërkojnë të njëjtën zgjidhje në Maqedoni”.

Me gjithë perspektivën e largët të anëtarësimit në BE për shumicën e vendeve të rajonit, Nikola Dimitrov, ministri i jashtëm maqedonas tha: “Vizioni i vetëm i qëndrueshëm për një Ballkan të qëndrueshëm është ai ku kufijtë nuk kanë rëndësi – një rajon i vendeve mike që janë anëtarë të BE-së”. Çdo ndarje do të ishte gjithashtu e papëlqyeshme në Kosovë, ku pushteti i Thaçit po pakësohet. Presidenti ishte kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë kohës së luftës, por është gjithnjë e më pak i popullarizuar dhe po përballet me një kërcënim të mundshëm nga një gjykatë e sapokrijuar për krime të supozuara nga anëtarët e UÇK-së, duke përfshirë drejtuesit e elitës aktuale politike.

“Forca lëvizëse për dialogun e ri duket të jetë qëllimi i Vuçiqit për t’u afruar me BE-në e më thellë brenda Kosovës dhe dëshira e Thaçit për të mbajtur veten larg nga Gjykata e Specializuar dhe për të zgjatur fuqinë e tij”, tha Albin Kurti, udhëheqësi i Vetëvendosjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.