Kronikë

Verë e qetë? Gazetarja nxjerr shifrat: Marrëzi! 21 të vrarë në 92 ditët e fundit

11:04 - 02.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ditët e fundit, situata e rendit dhe sigurisë në vend, veçanërisht gjatë sezonit veror, është rikthyer në vëmendjen e mediave dhe opinionit publik.




Sulmi me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala dhe ekzekutimi i biznesmenit në Shkodër Arjan Ferracaku, janë vetëm dy nga ngjarjet e fundit kriminale.

E ndonëse për qeverinë dhe Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, situata këtë verë ka qenë më e mirë se ajo e një viti më parë, shifrat duket të jenë alarmante.

Është gazetarja e News24, Dorjana Bezat që në një status në Facebook tregon se vetëm në 92 ditë deri më tani të sezonit veror, numërohen në total plot 21 viktima të vrarë nga ngjarje kriminale, ku pjesa më e madhe e tyre janë ende pa asnjë autor të arrestuar.

Duke numëruar emrat e të gjithë viktimave të vrara në vetëm 3 muaj, gazetarja Bezat e quan këtë një marrëzi fundi i së cilës nuk dihet se kur do të jetë.

Pasi me një vrasje në 4 ditë, edhe kjo verë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ishte e përgjakur.

“1 qershor 2018- 1 shtator 2018
3 muaj verë, vapë, vrasje, gjak! 
21 persona kanë humbur jetën në këto 3 muaj të sezonit tonë “të qetë e të sigurt” turistik. Refuzoj të bëj krahasime të tipit “ishim mirë kur thoshim se ishim keq” apo të mos ndodhte kjo ngjarje apo ajo, rezultati do ishte ndryshe. Ato le t’i bëjnë politikanët. Ia kanë marrë dorën!
Di të them që: Vasil Dervishaj, Demiri, Azemi,Peria, Afërdita, Besimi, Vasilika dhe Sara e Ledion Hysa në Vlorë; Flamur e Zeqinete Sela në Peshkopi; Xhuljeta Çuni e Xhafer Mata në Tiranë; Kujtim Donaj në Milot; Kejsi Hysa në Fushëkrujë; Mehdi Kavaja, Borhan Bërccana, Silvi Ndoci, Fatbardh Liçi, Prenush Fushaj dhe Arjan Ferracaku në Shkodër nuk janë më. Janë vrarë!
Janë vrarë në rrugë, në pazar, në shtëpi, në shëtitore etj., etj. Disa nga këto vrasje kanë lënë pas një dhimbje, një konflikt të hapur ose një autor në liri.
Për mua 21 viktima në 92 ditë janë shumë. Në këtë verë mesatarisht një herë në 4 ditë në Shqipëri qytetarët kanë dëgjuar për një krim. Po ua kursej shifrat e plagosjeve dhe të vrasjeve të mbetura në tentativë, apo aksidenteve me vdekje. Do ishte e tepërt!
Nuk e di deri kur do të vazhdojë kjo marrëzi…
Vera u përgjak e me gjasa për fat të keq dhe vjeshta do t’i përngjajë…” shkruan gazetarja Dorjana Bezat


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.