Intervista

Ekskluzive/ Dash Shehi: 140 deputetë jemi shumë, duhen reduktuar… Tregon a do kandidojë për Tiranën

12:55 - 03.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Dashamir Shehi mbart një eksperiencë të gjatë politike ndaj akuzon me bindje të plotë se qeveria aktuale është më hajdutja që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët. Por përmes “Gazeta Shqiptare”, kreu i LZHK-së shigjeton edhe ndërkombëtarët që kanë punuar për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Z.Shehi thotë se “nëse ka ndërkombëtarë që duan ta bëjnë zhele Shqipërinë, atëherë dikush duhet të paguajë”. Dashamir Shehi flet për debatin e ashpër politik, aksionin opozitar, reformën e re elektorale dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.




Ai apelon për zgjerimin e aleancës së djathtë me parti dhe individë që mbartin vlera ndërsa ka dhe një përgjigje nëse do të pranojë kandidimin e tij përballë Erion Veliaj në Tiranë. Z.Shehi beson se opozita e bashkuar ka të gjitha shanset që të fitojë jo vetëm kryeqytetin, por gjithë Shqipërinë përballë një mazhorance sipas tij që ka rrjepur xhepat e shqiptarëve.

Z.Shehi, a besoni se pushimet e verës do zbusin disi tonet mes mazhorancës dhe opozitës, apo do kemi rritje ‘temperaturash’ në Kuvend, i cili nis sot punimet?
Ne na është thënë se do shkojmë në luftë(qesh) politike kuptohet. Megjithatë një gjë duhet të dini që të gjitha partitë e opozitës janë në unison dhe të gatshëm për të sfiduar qeverinë, pavarësisht se edhe opozita ka hallet e vet, por jam i bindur se jemi alternativë qeverisëse. Ne si opozitë jemi në një rrugë ngjitjeje, pasi rruga opozitare është gjithë e më e vështirë, është “malore”. Por besoj se do të ketë dalje dhe dritë jeshile për opozitën. Besoj se po piqet momenti, shqiptarët po binden se në dorë të kujt qeverie kanë hyrë dhe po binden edhe ndërkombëtarët që shpesh herë “padashje” kanë mbështetur vetëm qeverinë. Kështu që besoj se ka ardhur koha që opozita të korrë rezultatet pozitive. Pra, rruga jonë është ‘malore’.

Çfarë hallesh ka opozita…?
Halli më i madh i opozitës dhe gjithë shqiptarëve është kjo qeveri që kemi sot. Është qeveria më hajdute që mund të kemi pasur ndonjëherë. Qeveria “Rama” u mbledh paratë fukarenjve dhe u jepen 10 zengjinëve. Do t’i kisha mbyllur të gjitha koncesionet. Këto koncesione e kanë futur Shqipërinë në borxhe për 10 vite. Kot jemi ankuar për Rrugën e Kombit, shikoni shifrat për rrugët që po ndërtohen, për stadiumin dhe Teatrin, ilaçet dhe spitalet. Nuk ka asnjë garë të hapur. Në sebep të atyre të mëparshme janë 100-fishuar vjedhjet. Bëjmë të gjithë si Shekspirë e Hamletë. S’ka asnjë budalla që nuk nënkupton që Rama ka 20 vjet që ia ka vënë syrin asaj cope tokë te Teatri. Shikoni shëmtinë e stadiumit, është një markatë që ka edhe një fushë futbolli. Kjo është vjedhje e pastër. Ky vend s’ka para për ujësjellës dhe rubinete, kërkon para nga ndërkombëtarët, por për pallate 200 milionë eurosh i kemi paratë. Por ne na intereson se si në vjeshtë do të reagojnë qytetarët e Tiranës. Frikë duhet të ketë Rama. Ai flinte poshtë urave të Parisit. Duhet t’u dalim për zot interesave të Shqipërisë.

…Qoftë edhe përmes zgjedhjeve të parakohshme?
Në një situatë të jashtëzakonshme, kërkohen zgjidhje të jashtëzakonshme. Vendin e ka shkatërruar ky kryeministër që vetëm vjedh për veten dhe njerëzit e tij ndërkohë që shqiptarët nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Por unë kam optimizmin se shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundëve me këtë qeveri grabitqare dhe do reagojnë në mënyrë pozitive. Nuk them se këtej nga krahu jonë është mrekulli, por krahu tjetër është i baltosur nga krimi dhe korrupsioni. Është emergjencë largimi i Edi Ramës nga qeveria. Mundësisht ai duhet shporrur që sot nga pushteti. Opozita e bashkuar do të dijë t’i japë atij përgjigjen që meriton.

…Edhe me mosbindje civile?
Opozita do të përdorë çdo mjet demokrat brenda dhe jashtë parlamentit për largimin një orë e më përpara të Kryeministrit Edi Rama dhe shpurës së tij që po e rrjepin Shqipërinë dhe shqiptarët. Aksioni nis që sot në parlament dhe do të vazhdojë intensivisht derisa Edi Rama të mos jetë më në krye të qeverisë dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt sepse shqiptarët do të reagojnë pasi u ka ardhur në majë të hundës qeverisja e këlyshëve të komunistëve. Janë 2 deri 3 miliardë lekë të shpërdoruara nga kjo qeveri. Boll më. Shqiptarët nuk do e durojnë rrënimin e tyre për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës.

A është e gatshme opozita të vijë në pushtet nëse do të rrëzoni Edi Ramën, a ka kapacitetet e duhura opozita që të qeverisë së shpejti shqiptarët?
Kur kishte rilindja kapacitete për të qeverisur me hajdutë, me bijtë e ish- byrositëve që nuk kishin lexuar asgjë përveç librave të Stalinit, apo me homoseksualë, si nuk paska opozita kapacitete. E djathta është gati të vijë në pushtet, sepse kapacitete të shumta që garantojë qeverisje të drejtë për qytetarët shqiptarë.

Cila është rruga më e lehtë që e çon opozitën drejt pushtetit?
Opozita duhet të zgjerohet. Aleanca duhet të shtohet dhe nuk kam parasysh këtu vetëm subjektet politike, por edhe individë që mund të mos jenë dakord me partitë, por janë vlerë dhe i duhen të djathtës shqiptare.

Kë keni parasysh kur flisni për individë…?
Nuk është çështja të flasim me emra, por duhen afruar të gjithë ata që janë kundër kësaj qeverisje.

Përfshi edhe Bamir Topin dhe partinë e tij?
Sigurisht. Ne po bashkëpunojmë me një parti që ka qenë pjesë e bashkëqeverisjes së Ramës dhe jo më me parti të spektrit të djathtë. Opozitës i duhen të gjitha ata që janë kundër Edi Ramës dhe shpurës së tij.

Gjithsesi beteja politike nis sot në Kuvend. Mazhoranca akuzon opozitën për vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi teksa i kërkon votat për magjistratët e rinj. A duhet t’i bashkojë PD votat me PS-në në këtë rast, duke marrë parasysh edhe apelin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e ngërçit?
Për mendimin tim, jo. Opozita bën aq sa mundet. Nëse ka edhe ndërkombëtarë që duan ta bëjnë zhele këtë Shqipëri, atëherë dikush duhet të paguajë. Nuk është faji i opozitës për ngërçin sot në drejtësi, por duke munguar një drejtësi e pavarur, e përcaktuar në mënyrë definitive me institucionet e veta, pushteti i vetëm absolut në Shqipëri mbetet pushteti i PS-së dhe i Edi Ramës. Duke i përcaktuar gjyqtarët dhe prokurorët në mënyrë të drejtpërdrejtë, sigurisht do të ndihen në shumë vështirësi të kryejnë drejtësi. Këta pushtetarët socialistë nuk tremben fare për korrupsionin që ka sot qeveria e tyre, kur qindra milionë euro nga ata konsiderohen të parëndësishme. Sot vetëm iniciatorët janë mbi 150 milionë euro abuzime, të mos harrojmë pastaj për kokainën, kanabisin, për policët që arratisen. Asnjëherë shteti shqiptar nuk ka qenë në gjunjë para Krimit, siç ndodh sot. Ndaj PS-ja bën zhurmë që të fshehë pengesat që i vë ajo drejtësisë.

Pse opozita e refuzon ndryshimin e ligjit?
Ne gjykojmë se ligji për magjistratët është ligji i “shelgut” siç më pëlqen ta thërras apo etiketoj unë. Ishte ligji i “plepit” ai, ndërsa ky është ligji i “shelgut”. E dyta, domethënë nuk ka gënjeshtër më të madhe që kjo qeveri e servir në këtë mënyrë ligjin për të mashtruar shqiptarët. Kjo është e papranueshme. Pra, që të bëj një shpjegim të thjeshtë magjistratët në rastin më të mirë mbarojnë pas tre vjetësh. Ndërkohë që nga ana tjetër, që të bëhen të gjithë magjistratët, në mënyrë që të zëvendësohen ata që janë hequr, duhet minimalisht 6 deri në 7 vjet. Kështu që e gjitha kjo është një teatër i kotë, i luajtur nga mazhoranca. Magjistratët nuk zgjidhin as punën e Gjykatës Kushtetuese, as punën e Gjykatës së Lartë. Pasi minimalisht një magjistrat, sipas ligjit që kemi ne, i bie pas nja 10 apo 15 vjetëve, sepse magjistrat është ai që sapo ka mbaruar shkollën. Domethënë sikur çështja e magjistratëve shërben për të zgjidhur problematikën imediate që ka sistemi i drejtësisë, që janë Gjykata Kushtetues, Gjykata e Lartë, plotësimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por që, për fat të keq, magjistratët nuk hyjnë fare në këtë mes. Magjistratët janë studentët që do të bëhen gjykatës dhe prokurorë për të ardhmen, teksa më i afërti do të bëhet pas 4 vjetëve, ndërsa më i largëti do të bëhet pas 7 ose 8 vjetëve, për sa kohë që do të vijojë vetingu. Kështu që të tallesh me shqiptarët dhe t’iu thuash se çështja e magjistraturës zgjidh çështjen e krizës në të cilën ndodhet sot sistemi i drejtësisë, është t’i konsiderosh fare, madje fare “budallenj”. Dhe ky është një turp i madh. Nga ana tjetër, më lejoni të shtoj se magjistratët në rastin më të mirë do të shërbenin vetëm nëse do të përzgjidheshin normalisht dhe kishte një marrëveshje, si të thuash për të ripërtërijë sistemin në një kohë afatgjatë. Por jo për sot. Magjistratura është një shkollë që zgjat 3 vjet në rastin më të mirë. D.m.th do të mbarojnë 15 të parët pas 3 vjetësh, ndërsa ata që do të zëvendësojnë 300 gjyqtarët dhe prokurorët do duhen edhe shumë vite.

Të ndalemi pak te reforma zgjedhore. Flitet arritjen e një dakordësie PD-PS për çështjen e reformës së re elektorale. A besoni se po bëhen pazare në kurriz të partive të vogla?
Uroj mos të jetë siç thoni ju. Kryetari Basha e mohoi të ketë dakordësi me PS-në dhe unë besoj z.Basha në këtë rast. Ne kemi pasur një premtim solemn, politik nga zoti Basha, që këto janë zgjedhjet e fundit që bëj unë si kryetar i PD-së. Zgjedhjet e ardhshme, deputetët do t’i zgjedhin qytetarët, votuesit. Deri tani dy partitë e mëdha që kanë edhe drejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk kanë bërë asgjë dhe shpresojmë që debati të rihapet në vjeshtë. Mirëpo, duhet të dini edhe një gjë që si PD, ashtu edhe PS ndryshimet nuk i bëjnë për ne por mendojnë për veten e tyre. Pra, di të them se Partia Demokratike vetëm humbje do të ketë nëse mendon vetëm për vete, ashtu si Partia Socialiste. Megjithatë, shpresoj se kërkesat tona do të merren parasysh. Nga ana tjetër, mendoj se kjo nuk është punë parti të mëdha, apo parti të vogla por duhet t’i shërbejmë qytetarëve shqiptarë. Si përfundim ne do ta mbështesim reformën zgjedhore, duke shpresuar se do të bëhet një sistem i gjithë pranuar për të gjithë.

Në të kundërt…?
Ndryshe ne do të rishikojmë pozicionet tona. Partia që unë drejtoj, madje ne si aleatë i mbështesim ndryshimet për reformën zgjedhore. Unë jam autori që kam gati 10 vjet që luftoj për reformën zgjedhore. Kështu që nëse nuk bëhen ndryshimet për reformën zgjedhore, kjo reformë është e kotë dhe e pa vlerë. Pasi reformë quhet vetëm kur ndryshohet sistemi. Në të njëjtën kohë unë mbështes fuqishëm edhe votimin elektronik. Por mos harrojmë që këtu tek ne po bëhet politikë me sistemin zgjedhor. Megjithatë, ju siguroj që ne e kemi kusht ndryshimin e sistemit zgjedhore, sepse është domosdoshmëri për ne si aleatë. Pavarësisht se për efekt të vjedhjeve, të abuzimeve që janë bërë ndër vite në kutitë e votimit, mënyra e të votuarit dhe të numëruarit është bërë një çështje e madhe dhe, në fakt, ka marrë një peshë politike, por në fakt nuk është një çështje politike, kjo është një çështje teknike. Një sistem A mund të votohet elektonikisht, mund të votohet në mënyrë tradicionale, të numërohet me komisionerë ose mund të numërohet në mënyrë elektronike.

Cila është formula juaj e preferuar? Çfarë sistemi elektoral kërkoni?
Unë për vete do të zgjidhja një sistem, i cili është mazhoritar, i kombinuar me proporcional. Do të reduktoja numrin e deputetëve, jemi shumë tashmë, 140. I rikthejmë të drejtën shqiptarëve për të votuar jo vetëm partinë, por edhe individin. Gjë që ia kemi mohuar fare. Unë do të vija një sistem mazhoritar i korrektuar me proporcional në raporte dy me një që praktikisht, korrektimi shkon pothuajse deri në fundit. Është e domosdoshme të ndryshohet sistemi, që mund të bëjë përzgjedhje përtej flamurit politik, ose të bëhen lista të hapura, ose një pjesë e zonave të bëhen maxhoritarë, sepse deri më sot shqiptarët votojnë listën që u ofron kryetari. Ky do ishte revolucion i madh, do kthente demokracinë dhe do krijonte piramidën e vlerave, një elitë politike, sepse vota e popullit do tregonte sa vlen ky. Ndërsa sot elitën e partive e bëjnë kryetarët e partive dhe fatkeqësisht janë bërë një grup servilësh që produktivitetin e tyre e tregon kjo politikë. Duhet edhe depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Kam njëzet vjet që e mbështes këtë ide. Sot me këtë trysni që ka politika, që është futur në xhepat e shqiptarëve, e vetmja mënyrë është që të votojmë elektronikisht, më pas edhe me depolitizim dhe komisione partiake, të rrinë si vëzhgues nga jashtë.

A kanë nisur ende bisedimet brenda opozitës për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale?
Jo, ende nuk ka bisedime, por besoj nga fundi i javës do të ketë një takim të PD-së me aleatët dhe të shohim se çfarë do të diskutohet.

Është përmendur edhe emri juaj si një ndër kandidatët e fortë të opozitës që mund të jetë përballë Erjon Veliajt në Tiranë. Nëse ju kërkohet, do të kandidoni?
Si unë ka 100 të tjerë. Por unë kam hyrë si dikushi në politikë dhe qëndroj si dikushi në politikë. Opozita ka shumë kapacitete. Sa i takon kandidimit tim me kësmet, pasi është një çështje që ne si opozitë do ta zgjidhim në momentin e duhuri. Sepse për momentin kemi tema më të mëdha, sidomos sa i takon raportit me qeverinë qendrore, kemi nevojë për ligj zgjedhor, kemi nevojë për kushte të reja për të hyrë në zgjedhje. Pra, tema se kush është kandidati i opozitës për Tiranën, është dytësore, është e negociueshme dhe rinegociueshme. Kemi kohë deri atëherë. Por nëse opozita është solide dhe e bashkuar të jeni të bindur se do të fitojë jo vetëm Tiranën, por mbarë Shqipërinë.


Shfaq Komentet (3)

Leave a Reply to Kasemi Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ti themi gjerat sic jane.Shehi eshte nje Politikan,nje Shtetar e nje Qytetar i Kompletuar.Ne politike ka ndertuar nje profil te Pamvaur(aq sa mund te jete ne Albani) dhe ka force intelektuale ne argument.Ka nje eksperience qeveritare ku me e rendesishmja eshte se nuk eshte “shenjuar” per Korrupsion(Vjedhje).E theksoj kete te fundit se ne Albani semundja kryesore e krieministrit,ministrave,kriek..ve eshte Hajdutlliku.(turp por e vertete).Nuk degjon argumenta teknicienesh e prefesionistash por vetem “U vodh rruga,u vodh Ura,u vodh Garda,u vodh theatro,u vodh deti” etj Ordinere..Pike e forte:eshte perfaqsues i denje i Tironsve qe jane rreth 200 mije.Propoganda shteruse e “gabelit” qe mbjell shkurre ne beton dhe nderto kulla hajdute duke mos bere asgje ne permirsimin e jetes se qytetit;Ujesjells- kanalizime,pastrim, transport e qarkullim ja ben me te lehte fitoren ne Tirane.Ka nje pike te dobet.Albania te Plak para kohe (ashtu si katunaret ne kohe te merhumit).Ne bote do ishte i preferuar.Zgjidhja.Kryetari, nenkryetaret, drejtoret, prefesionistet e ardhshem,pra Skuadra, te bejne fushate me ide e projekte konkrete e jo me pyje Orbitare si vengeroshi Veliaj.Pra te zotet e punes te jene profesionistet, Kjo eshte Skuadra.Kryetari (Dashi,….etj) te jene si ne gjithe boten e lume Garanti i qytetareve,Keshtu fitohet ENERGJIA dhe iken Veliaj.Kaq

    Përgjigju ↓
    1. Z Dashamir, nuk te kuptoj edhe “jam i korrekt” edhe nuk jam “i sakte”.Nuk e di pa u mbeshtet nga Nena Parti, domethene te pavarur,sa vota do merrte Edvini piktor dhe Veliaj “kacatorr” Ha ha ha

      Përgjigju ↓