AKTUALITET

Rrugëtim në viset e shqipes… Nga Lëpusha dhe Vermoshi në Plavë e Guci

13:55 - 03.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rezarta Delisula – Ata jetojnë mes majave të larta, në skajin më verior të Shqipërisë. Janë shtatlartë e faqekuq, për shkak të ajrit mbushur me oksigjen. Nuk janë të ashpër si klima e këtyre trojeve, por njerëz të butë e mikpritës. Nëse do t’i shpëtosh të nxehtit apo të rrëshqasësh në borë, të ushqehesh mirë e të ecësh maleve, ky është vendi perfekt. Jemi stacionuar në Lëpushë e do të shkojmë në Vermosh dhe Plavë e Guci për të parë se çfarë ndodh në viset ku flitet shqip… Rruga është tërësisht e asfaltuar dhe nga Tirana duhen 4 orë për të mbërritur në zemër të Alpeve, sigurisht bashkë me një pushim në mes.




Lëpusha
Është një vend fantastik vendosur mes maleve të lartë të Shenikut e Bjeshkëve të Namuna ku përmes lëndinës kalon Sheu i Lëpushës, përroi që i jep dhe dritë banorëve në rast se ndërpritet energjia, mungesa e së cilës është vërtet shqetësim serioz për vendasit. Na duket vapë edhe kur mbërrijmë në Lëpushë, por nëse futesh nën hijen e pyjeve të duhet bluzë me mëngë të gjata ndërsa në darkë xhup i trashë. Fshati ka 4 lagje me rreth 60 familje që jetojnë aty pasi një pjesë e tyre kanë emigruar. Ne jemi mysafirë te Zef Nilaj ose Zeka, siç e thërrasin. Ai ka një bujtinë të pastër me tri dhoma sipër e dy poshtë, por që duhet të prenotosh disa ditë para, sepse nuk gjen vend.

“Këtë vit kemi pasur shumë turistë të huaj, të cilët vijnë në çdo periudhë, ndërsa turistë shqiptarë ka pasur më shumë gjatë muajit gusht. Janë nga Austria, Gjermania, Franca, Holanda, nga e gjithë Europa, për ta përmbledhur shkurt”, -thotë Zeka. Ai punon dhe në doganën shqiptare në Vermosh prej 25 vitesh e kur e pyesim për lëvizjet në këtë pikë që lidhet me Malin e Zi na thotë: “Kemi pasur shumë deri në 600-800 vetë në ditë”. Ushqimi në bujtinë është i përfshirë dhe Vjollca zonja e shtëpisë bashkë me Bajernën dhe Lolën, gatuajnë bukët e ngrohta, byrekët, mishin e rritur në mal e turshitë e mazën… Vjollca ruan si sytë e ballit në një valixhe të madhe rrobën e dasmës së saj, të cilën e kanë veshur edhe gra të tjera në fshat. Ia ka trashëguar e ëma, Hana dhe, është një xhubletë që ka 12 pjesë: kapicën që vendoset në kokë, rubën, postavën, grykoren, dy përshtjellakë, xhubletën, jastëkun e xhubletës, dy këmisha dhe çorapet… të gjitha të punuara me dorë. Është një veshje fantastike edhe pse kur e vesh do shumë punë. Këtë xhubletë mund ta veshin dhe turistët që duan të kenë një kujtim të vërtetë nga Alpet shqiptare. Lëpusha, në fakt, është vend plot gjallëri. Grupe të tëra turistësh shkëmbehen në rrugën e vetme të fshatit. Disa marrin djem nga Lëpusha apo siç më pëlqen t’i thërras, udhërrëfyesit e maleve, për të shkuar në Theth apo Valbonë. Kjo është hera e dytë që shkoj në Lëpushë dhe do të kthehem sërish.

Busti i Isuf Kamer Çelaj

Ndue Voku banor i Vermoshit

Zef Nilaj pronari i bujtinës në Lëpushë duke folur për GSh

Vermoshi
Është skaji më verior i Shqipërisë e lumi që ka marrë shumë territor na shoqëron përgjatë gjithë luginës. Kulla e Prek Calit është një ndër vendet më të vizituara në Vermosh. Në fakt, ajo kullë guri sa një trekatësh ka mbetur vetëm një grusht kubesh të gurtë. Që kur atë e sekuestruan më 1945, vit i pushkatimit të Prek Calit si antikomunist i përbetuar bashkë me trembëdhjetë burra të tjerë, ndër to edhe Dom Ndre Zadeja, Pashka, gruaja e tij u detyrua të largohej dhe kulla u la të rrënohej. Gjithsesi historia e malësorit i tërheq turistët vendas e të huaj, të cilët të ai grumbull i gurtë gjejnë një copëz të tmerrit komunist. Sot në Vermosh janë rreth 100-150 shtëpi të banuara e ashtu si në Lëpushë vendasit kanë emigruar më së shumti në SHBA. “Duam vetëm një urë, urë që të lidhi Velipojën (fshat në Vermosh) me Vermoshin. Edhe me dritat nuk jemi mirë”,- na thotë Ndue Voku. Banorët e zonës e mbajnë veten me turizëm e bujqësi. Drithërat, patatja, fasulet, lakrat dhe pemët frutore janë burimi i tyre.

Në Kroin e Ali PashëS

Shtëpitë e shqiptarëve në Vuthaj

Guci, Plavë e Vuthaj
Pika kufitare është fare pranë Vermoshit dhe Gucia është vetëm 14 kilometra larg. Vetëm 500 metra para Postës janë të shtruara me çakull ndërsa pjesa tjetër është asfalt. Oficerët e shërbimit mbajnë një bllok ku shënohen emrat tanë pasi sistemi nuk punon. “Do kemi së shpejti një pikë të re kufitare të përbashkët me Malin e Zi”- na thonë policët në detyrë. Është dita e Kurban Bajramit e asgjë në viset shqipfolëse nuk pipëtin. Dyqanet janë të mbyllura e në rrugë shihen vetëm njerëz që shkojnë bëjnë vizitat sipas traditës. Mes Gucisë dhe Plavës shohim disa vajza bukuroshe, të veshura mirë që po kërcejnë në oborr dhe mendojmë se kanë dasmë. Ato na ftojnë të hyjmë brenda. Jemi në shtëpinë e Balidemajve. Nuk ka dasmë, thjesht festojnë Bajramin. Ato janë 7 motra dhe një vëlla e të gjithë flasin një shqipe perfekte. Në fakt, nga fisi i tyre ka qenë edhe mësuesi i nderuar që i mësoi brezave të tërë shqip, Jusuf Sylë Balidemaj dhe Mehmet Ramë Balidemaj. Një nga motrat merr me shpejtësi nga frigoriferi lëngje frutash e ujë ndërsa një tjetër bakllavanë me peta të tëhollura vetë e gjalpë erëmirë. Më e madhja është tek 30-tat dhe jeton në Amerikë.

“Po të vini andej mos ngurroni me më marrë”, – na thotë ajo ndërsa e pason tjetra; Shtëpinë e gjeni kollaj në New York, në ballkon mban flamurin shqiptar… Duke takuar ato vajza mikpritëse menduam se të gjithë flisnin shqip, por si na shpjeguan më vonë, një pjesë e madhe e shqiptarëve të Plavës e Gucisë ishin asimiluar ndër vite. Gucia apo Gusinje, siç shkruhet në gjuhën malazeze është e vogël dhe popullohet më shumë nga shqiptarë e boshnjakë. Emri i saj daton që në shekullin e 14 në defterin osman ku përmendet si stacion në rrugën, Kotor-Shkodër-Podgoricë-Pejë. Nga Gucia në Plavë janë vetëm 11 kilometra rrugë. Shtëpitë e renditura bukur mbi liqenin e Plavës dhe Alpet përreth e bëjnë edhe më fantastike pamjen. Të vetmit që hasim rrugës janë joshqiptarë ose ata që dalin nga xhamia. Kurban Bajrami ka mbledhur familjet bashkë e, si vakt dreke që është, kalimtarët numërohen e gishta. “E ruajmë gjuhën, por një pjesë janë asimiluar. Ne jena shqiptarë e fëmijët i çojmë në shkollë shqipe”,-na thotë Bajrami, i cili ka emrin festës më të madhe myslimane. Në Plavë ka edhe gjimnaz shqip ndërsa shkollën e lartë, të rinjtë e kryejnë më së shumti në Prishtinë e më pak në Tiranë.

Motrat Balidemaj

Krojet e Ali Pashës (Gucisë)
Në rrugën ngjitur me xhaminë kryesore të Gucisë, shkohet për në Vuthaj, zonë totalisht e banuar nga shqiptarë ndërsa majtas saj janë krojet e Ali Pashës. Kullën e gurit të Gjonbalajve ku ka lindur dhe vetë, Hala e ka kthyer në restorant ku gatuan ushqime karakteristike vendase. Era e mirë e buranisë me maze (gatuar me bishtaja) na shpon hundët. Hala është grua e ditur dhe teksa na sjell një tas me boronica e akullore mbi to, ulet të na tregojë pak për vendin e saj, Vuthajn. “Ka shumë gjëra që mund të shihen këtu. Janë krojet e Vuthajt ose të Ali Pashës dhe thuhet se ai ka pirë në to ndaj i ka mbetur ky emër; është liqeni i Hridit më i larti në Europë, 1970 metra mbi nivelin e detit, liqeni i Plavës në të cilin rritet një peshk i rrallë, ujëvara e Vuthajt 11 metra e thellë, Syri i kaltër 29 metra, kemi shumë shpella atë të Kryqajve ku janë gravurat ilire 3200 vjeçare, dhe borë 3 mijë vjeçare në maja… kemi ushqime fantastike pastaj”, – thotë Hala. Ajo na shpjegon se në Vuthaj jetojnë 370 banorë që flasin shqip e ky është ndër vendet që nuk kanë pranuar të përzihen me të huajt. Kur e pyesim se si kanë mundur të ruajnë gjuhën ajo shprehet me nderim e krenari për një brez të tërë nxënësish të viteve ‘45. “Kur u mbyllën kufijtë gjuha shqipe u hoq nga shkollat dhe nxënësit e atyre viteve i braktisën klasat malazeze e shkonin mes maleve në Shqipëri. Ky reagim e detyroi regjimin të rihapte shkollën shqipe dhe ne u jemi mirënjohës atyre brezave”,-vijon Hala. E vetmja gjë që i mungon vuthjanes së ditur është përfshirja në mbledhje e takime mes shqiptarësh të Shqipërisë për të shkëmbyer eksperiencat, kulinarinë, zakonet…

Nga Jakup Ferri te Isuf Kamer Çelaj
Për të shkuar në Ujëvarën e Vuthajt duhet të kalojmë në fshat ku flamuri shqiptar është thuajse në çdo ballkon. Familjet më të mëdha në zonë janë Gjonbalaj, Ulaj, Ahmetaj, Vuçetaj, Çelaj, Brucaj… Në anë të djathtë busti i Isuf Kamer Çelajt luftëtarit të paepur, po me flamur shqiptar që i valëvitet në anë, na krijon idenë se jemi brenda kufijve. Kjo trevë ka pasur trima e një prej tyre me emër të madh është Jakup Ferri. Ai ishte martuar me kushërirën e Ali Pashë Gucisë, njeriut me të cilin luftoi krah për krah, e me të kishin tetë fëmijë (pesë djem Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini dhe tri vajza: Kusha, Bardhokja dhe Zadeja). Jakup Ferri kishte filluar veprimtarinë e tij patriotike e luftarake kudër malazezëve e turqve në vitet e pesëdhjetë të shekullit XIX, që pasuan pas reformave të Tanzimatit, kishte marrë pjesë në shumë beteja, ndërsa në vitet e shtatëdhjetë ai ishte bërë njëri nga trimat më të shquar të Malësisë së Plavës e Gucisë dhe kishte marrë pjesë në kuvende burrash. Kulla e Ferrajve ishte bërë qendër e kuvendeve ku vinin burra jo vetëm nga Plava e Gucia, por edhe nga Kosova e trojet tjera shqiptare. Ai luftoi deri në fund të jetës kundra Traktatit të Shën Stefanit ku shumë troje shqiptare u morën nga Serbia e Mali i Zi dhe ishte firmëtar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në betejën e fundit në breg të Limit, më 4 janar 1880, ai u plagos rëndë dhe më 11 janar vdiq në Plavë nga plagët e marra në betejë. Me pamjen e rrallë të ujëvarës së Vuthajt mbyllim udhëtimin tonë në trojet shqiptare, udhëtim që s’duhet humbur nga askush.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.