KULTURË

Xhepa: Shfaqjet nuk meritonin ditirambe, kishte tri cilësi

11:35 - 02.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Reshat Arbana, Luiza Xhuvani, Altin Basha, Dino Mustafiç, Kristian Koroveshi, Shkëlzen Veseli etj., janë fituesit e mëdhenj në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove mbajtur në Tiranë në datat 23-30 shtator. Mes ‘arTurbinës’ dhe sallës së Universitetit të Arteve 14 shfaqjet u ndoqën për tetë ditë rresht dhe në fund u vlerësuan nga një juri e përbërë nga Ndriçim Xhepa, (kryetar jurie) dhe anëtar Josif Papagjoni, Shkumbin Istrefi, Luli Bitri dhe Qëndrim Rijani.




Të dielën, drejtori i Teatrit Kombëtar që është vendosur në ‘arTurbinë’, Hervin Çuli, i shprehu dëshirën ministres së Kulturës, e pranishme në sallë, që këtë festival ta kthejë të përvitshëm megjithëse në një jave është diskutuar se cilësia e prurjeve që mesatare e mediokre në të gjithë elementët. Megjithëse kritika mungon, edhe kur është trembet lehtë nga reagimi i artistëve që refuzojnë të pranojnë gjykimin për atë që bëjnë. Edhe ky festival, vetëm sa u përpoq të vërë një gur themeli mbi kritikën e munguar, por pa ia dalë të krijojë një farë tradite e madje as ta nxisë atë. Ndaj ndodhte, që shfaqjet që nuk kishin interpretim të vlerësoheshin për regjinë, e shfaqjet që s’kishin regjinë të vlerësoheshin për interpretimin, pa ia dalë të thuhej për secilën ato që evidentoheshin e ato që mungonin. Parë në këtë prizëm, festivali arriti t’i mbledhë të gjithë të shihnin njëri-tjetrin, por nuk arriti që njëri-tjetri t’i thoshin shoshoqit ku qëndronin mangësitë.

Ditën e diel kritiku Josif Papagjoni, në cilësinë e anëtarit të jurisë tha: “Është një problem i madh në të gjithë hapësirën tonë organizimi i mendimit kritik për shfaqjet. Mirë lavdërime pa fund, por duam edhe tre gjëra. Mua më duket se kjo është më shumë një deklaratë, se kur vjen mendimi për të thënë tri gjëra nis sherri”. Sipas tij, duhet të ftojmë ata që i paguajmë që rrinë në kafe edhe në hotele të flasim për të gjithë komponentët. “Sidomos të gjejmë një mënyrë të tillë që jo të lazdrojmë, por oponenca. Mirë do të ishte që të ishte një tavolinë debati, dua që të parashtroj në këtë diskutim edhe nevojën për diskutime estetike… Ka shumë probleme që mundet që t’i trajtojmë në një tavolinë tjetër. A vijmë? A kemi dëshirë që të dëgjojmë njëri-tjetrin? Unë shikoj se vëmendja ka ikur, indiferenca është totale. Njerëzit janë limontin dhe shpesh i mbulon meskiniteti, nuk kanë dëshirë për përpëlitje edhe përpjekje intelektuale. Nuk e di se si mundet që të diskutohet në bashkësi të tilla artistësh, që gjithmonë edhe më shumë po shkojnë drejt meskilitetit intelektual”, u shpreh Papagjoni. Ndërkaq, të hënën Xhepa u përgjigjet pyetjeve për festivalin e cilësinë, si kryetar i jurisë.

CILËSIA E TË 14-ave
Për kryetarin e jurisë, Ndriçim Xhepa, përgjigja për cilësinë është relative. “Normale është që të gjykojmë që nuk ka arsye që të jetë i shkëlqyeshëm, vezullues dhe të thurim ditirambe të paarsyeshme. Është festival që e para absolutisht shumë mirë që u bë, dhe që do të jetë më mirë të ketë vazhdimësi. Do të kishte edhe problemet e veta, sepse festivalet, siç e pohoi edhe organizatori, drejtori i Teatrit Kombëtar, që i ka munguar selektori dhe secili teatër ka sjellë gjënë më cilësore. Por për të hyrë dhe konkurruar brenda një kompeticioni, ajo më cilësorja mbetet e diskutueshme”. Ai i ndan shfaqjet në tri kategori. “Festivali ka edhe gjërat e mira të vetat. Ka edhe vepra mesatare dhe të dobëta për hir të së vërtetës. Në 14 premiera që u panë në këtë festival, unë mund të them 4 a 5 premiera që ishin me vlerë, me dinjitet, mund të kishte dy a tri premiera, që ishin mirë po themi, por ishin edhe 4 a pesë shfaqje që linin shumë për të dëshiruar”, thotë ai.

KONCEPTE, APO VËNIE NË SKENË
Kur e pyet për këtë, Xhepa, i ndan. “Unë them se kishte edhe koncepte regjisoriale, koncepte të qenësishme dhe të prekshme. Kemi veprën fituese të Shkupit, që nuk mund të them se nuk kishte koncept. Ai (Dino Mustafiç) është regjisor që ngacmon, që provokon, të tillë e ka fantazinë e tij në vëniet në skenë. Ai merr edhe vepra super të njohura, fillon ngacmon dhe e sjell në aktualitetin e sotëm. Diku-diku ka gjëra që me të vërtetë i sheh dhe të pëlqejnë në teatër”. Kishte më tej në festival, edhe gjëra që janë të diskutueshme.

“Kemi Altin Bashën tek shfaqja e teatrit ‘Migjeni’, që me një vepër modeste të shkruar kaq e kaq dhjetëvjeçarë përpara siç është ‘Gomari i Babatasit’ e merr bashkëpunon me Stefan Çapalikun, hyjnë e mbushin dhe e plotësojnë dhe e sjellin më afër duke provokuar e ngacmuar”, thotë ai. Shton se mund të vazhdojmë me Teatrin e Prizrenit, me Kushtrim Bekteshin, që edhe ai kishte një vepër të tijën, por edhe regjisurë që la përshtypje të mira. “Kemi Teatrin e Prishtinës me ‘Kaligulën’, e cila qe një regji që e shihja për herë të parë me një vend të veçantë. Do të fusja në këtë kuadër edhe veprën e teatrit të ‘Metropolit’, ku regjisorja Armela Demaj solli një vepër të punuar me shumë finesë e me shumë pasion”, tha Xhepa.

Për aktorin e njohur, njëherësh kryetar jurie, trupat e rretheve, pavarësisht se rrethe të cilësisë së parë, siç janë Shkodra, Korça, Fieri, Elbasani, Durrësi, Vlora, natyrisht kanë një lloj përpjekjeje e një lloj dëshire që shkon deri në një farë mase, sepse edhe investimet në njerëz, personel, aktorë është i limituar dhe ndaj mundësitë për të prodhuar spektakle të një niveli siç prodhojnë kryeqendrat, në këtë rast, Shkupi, Prishtina dhe Tirana siç po flasim, janë më të vogla. “Natyrisht, edhe kjo reflektohet edhe në cilësinë e shfaqjeve, për hir të së vërtetës. Me keqardhje, e kam të vështirë ta pohoj, trupa jonë e teatrit, pjesë e së cilës jam, në këtë rast nuk mendoj se ne mund të ishim në të njëjtin nivel me trupën e Prishtinës në këtë rast dhe të Shkupit, duke marrë vetëm tri kryeqendrat”, tha Xhepa.

PJESË SHQIPTARE E TË HUAJA
Duke qenë se pati luhatje mes pjesëve shqiptare dhe atyre të huaja, Xhepa thotë se veprave të nivelit të parë botëror që vihen në të gjithë botën, duhet t’u japim përparësi tjetër. “Ndoshta edicioni tjetër që do bëhet më pastaj të jetë vetëm me dramaturgji të huaj dhe edicioni që vjen pas tij them se duhet të jetë vetëm me dramaturgji shqiptare. Mendoj se kjo do t’u japë përparësi dramaturgëve që do të kenë arsye të shkruajnë dhe regjisorët do të kenë arsye të gjejnë një vepër të mirë kombëtare, sepse do të vënë në teatër”, thotë Xhepa para mediave. Sipas tij, aty do të ketë një ballafaqim të mirë mbi dramaturgjinë, mbi regjisurën shqiptare dhe mbi aktrimin shqiptar për vepra me karaktere shqiptare. Them se mund të jetë më e logjikshme e më e arsyeshme në këtë formë.

AKTORË APO INTERPRETUES
Për Xhepën është normale që të ketë ulje-ngritje cilësie. “Është normale të jetë kjo, se nëse do ishin të gjitha rolet e mira, të cilësisë ekselente atëherë edhe juritë do ta kishin shumë herë më të vështirë. Ka role të para, ka role të dyta, ka joprotagonistë e role të treta e plotësues. Edhe në këtë festival kishte role të mira, e krijime karakteresh që u pasqyruan me shumë dëshirë të mirë, me sinqeritet dhe me gjykim të ndershëm kolegësh. Të gjitha ato personazhe që u futën në ato kuadratin e vogël të nominimit them se janë karaktere të arritura, role të mira”. Ai veçon disa, “për shembull, në karakterin e rolit të dytë jo protagonist pa frikë mund të shtoje 6-7 aktorë. Ishin tre a katër aktorë të Prishtinës, pos atij që e fitoi, po ashtu 2-3 aktorë të Shkodrës, po kishte aktorë të mirë Prizreni, por edhe tre aktorë Shkupi me ‘Vdekjen e Dantonit”.

NIVELI I TEATRIT
Kjo për të është një çështje ku duhet të ndalemi gjatë. “Kjo kërkon zbërthim. Teatri ka probleme pa diskutim, por kjo nuk do të thotë që këto aktivitete të mos kryhen. Për mendimin tim, teatri do të fillojë të tregojë avanca të dukshme në qoftë se ne do të mendojmë shumë seriozisht, po tepër seriozisht për regjisurën. Fatkeqësisht ne vërtetë kemi shkollë regjisure, në Akademinë tonë të Arteve, po atje duhet të ketë një tjetër proces që të paktën ata studentë që hyjnë në shkollën e regjisurës, brenda një kursi mund të evidentohen dy a tre elementë që në harkun e tri viteve nxjerrin kokën mbi ujë, në sensin e fantazisë e vlerës që reflektojnë dhe më pas për mendimin tim, ata individë duhet patjetër të shkojnë në një shkollë në fakultete me përvoja të tilla jashtë dhe Evropa ka shumë të tilla dhe jam i bindur që do të vijnë me tjetër bagazh, me tjetër strukturë profesionale, të cilën do ta reflektojnë në trupat përkatëse dhe as vetë ne nuk do ta kuptojmë se si gradualisht, niveli i spektakleve dhe për inerci dhe niveli i festivaleve mbarëkombëtare do jetë me tjetër vlerë”, thotë Xhepa.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.