DOSSIER

Përmeti, qyteti hero dhe kongresi i themeleve të diktaturës

15:25 - 04.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ylli Polovina – Përmeti u shpall i tillë, “Qytet Hero”, në gjysmëshekullin realkomunist dhe patjetër Enver Hoxha e nxiti këtë emërtim special, sepse këtu në maj 1944 u mbajt një kongres, i cili ngriti për herë të parë qeverinë e Partisë Komuniste Shqiptare. Gjithsesi sistemi politik i para nëntëdhjetës i njihte edhe merita të tjera Përmetit. Në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” të vitit 1985 shkruhet dukshëm se në këtë qytet “zhvilluan veprimtari patriotike një varg figurash të shquara”. Sipas këtij Fjalori, Përmeti bashkë me rrethinat e tij, kishte 8 shkolla të mesme, 36 shkolla 8-vjeçare, 112 kopshte, 58 muze, 2 shtëpi-muze, 112 biblioteka, 14 shtëpi kulture, 58 vatra kulture, 2 kinema, degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, 3 spitale, 22 shtëpi lindjeje, 15 ambulanca, 19 klinika dentare, 9 farmaci, 1 laborator klinik dhe bakteriologjik. Po ashtu në zërin “Përmet” të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” të vitit 1985 thuhet se në këtë qytet “Janë zhvilluar beteja të rëndësishme kundër pushtuesve nazi-fashistë, të cilët e dogjën qytetin katër herë”.




Autorët e këtij Fjalori, profesorë dhe akademikë të shquar me në krye Aleks Budën, kanë fiksuar në letër edhe këtë detaj historik: ndërsa Shqipëria u çlirua në 29 nëntor 1944, qyteti i Përmetit këtë ngjarje të shënuar e gëzoi 14 muaj më parë: në 13 shtator 1943, pra me kapitullimin e Italisë. Përmeti është i veçantë, sepse vetëçlirohet më hershëm nga të tjerë: e pati shkëputur veten prej Perandorisë Osmane pesëmbëdhjetë muaj para aktit ngadhënjimtar të Vlorës: në më 14 gusht 1911. Këtë ditë në qytet u vendos një pushtet i përkohshëm lokal. Me këtë rast konsulli austrohungarez nga Janina njoftonte ministrin e Jashtëm të perandorisë në Vjenë se ishte informuar, që banorët e Përmetit, pasi kishin dëbuar kajmekamin, patën shpallur dhe autonominë. Të gjitha këto veçanti e bëjnë tundues rivështrimin historik, në 2018, të këtij qyteti, të dekoruar nga shteti komunist me titullin Hero dhe sigurisht, për arsye që mund të shpjegohen, por jo kuptohen, citimi i këtij titulli është lënë mënjanë, ndoshta me shpresë politike gjoja antikomuniste mos harrohet. Duke mos u pajtuar me të drejtë me titujt e Heroit për disa të dikurshëm udhëheqës së partisë moniste është përfshirë në këtë listë edhe Përmeti.

Por pse mund ta themi që ky qytet nuk është vetëm “qyteti i trëndafilave”, siç bukur i ka mbetur në histori, por edhe “qytet-hero”? Madje i thuhet Përmetit se është edhe “qyteti i sazeve” e çfarë të duash tjetër, por hero jo. Nuk e zënë në gojë këtë titull të fundit as rrjete internetikë, përfshi vetë bashkinë apo zëra të saj për turizmin. Theksimi që Përmeti është “Qytet-Hero”, shoqëruar edhe me infrastrukturë materiale dhe kulturore njohëse, do t’i joshte mjaft turistët e huaj, pse jo edhe vendasit. Sepse mes nesh ka përpjekje më intensive për ta quajtur Tepelenën si “Aushvici Shqiptar” dhe jo ta adresojmë të huajin për në këtë qytet për të parë gjurmët e Ali Pashë Tepelenës, një burrë shteti me emër mbresëlënës në të gjithë kontinentin.

Më poshtë këtij shkrimi, në mbështetje të pikëpamjes personale të autorit se para trëndafilave dhe “sazeve” Përmeti është mirëfilli një “Qytet-Hero”, do të thërresim në ndihmë pesë libra të botuara kohët e fundit nga një historian me vendlindje këtë territor të Shqipërisë, edhe pse, duhet thënë, as ai nuk i ka dhënë reliev temës së mësipërme. Veç e ka lënë të nënkuptohet, me një punë kolosale kërkuese, tërë këtë madhështi.

Deri tani nuk ka asnjë qytet të Shqipërisë të përshkruar me frazë dhe dokumentacion të ngjeshur si ky pesëvëllimësh i Nuri Dragojit për Përmetin.

2488 FAQE

Albanologjia, fusha e saj e historisë, gjatë dy viteve të fundit ka përjetuar disa kulme mjaft të veçanta dhe po aq të larta. Më së pari ishte libri 1454 faqesh, tashmë në dy botime, i Pëllumb Xhufit “Arbërit e Jonit”. Kulmimi tjetër ka për titull ”Fjalori Etimologjik” i Kolec Topallit, një supervëllim thellësisht shkencor me 1983 faqe. Duke respektuar edhe botime të tjera dhe pa i zënë vendin kurrkujt, do të rreshtonim mes këtij vargmali veprash të shquara studimore edhe masivin e historianit Dragoj. Në këtë punë është treguar një “dragua” i vërtetë. Janë që të pestë me projektorë në vetëm ndriçimin në çdo skaj të një objektivi: Përmetin. Konkretisht janë librat “Arsimi në Përmet 1912-1944”, “Përmeti dhe Pavarësia”, “Përmeti midis dy luftërave botërore”, “Përmeti dhe Lufta e Dytë Botërore” në dy vëllime.

Përbëjnë gjithsej 2488 faqe. Numrin e faqeve tek të tre autorët e cituar nuk e ravijëzuam si tregues kryesor të përmasës së punës kërkimore, edhe pse kjo mbetet një dimension real vlerësimi, por për të gjetur rastin e theksuar se jo rrallë cilësia shkencore shkon bashkë me sasinë e fletëve. “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë”, thotë një fjalë e urtë popullore. Pse të mos e vlejë kjo thënie edhe për librat?

Por duke qenë se në këtë shkrim do të qëndrojmë mbi pesë vëllimet e Nuri Dragojit për vetëm një qytet, Përmetin, do të përpiqemi t’i argumentojmë lexuesit përse është një ngjarje diturore, madje edhe shoqërore e politike ky botim i thekshëm në pesë vëllime, pra pothuaj sa një bibliotekëz. Pas leximit të këtyre 2488 faqeve Përmeti të shfaqet përpara si një qyteti sfinsk, çfarë do të thotë fuqi të errëta pushtuese e çojnë drejt vdekjes dhe ai sërish, pas shkulmit të plumbave që i bien mbi gjoks, ngjallet, rilind. Rikrijohet.

Nuk është vend i shenjtë fetar, një lloj qyteti i ngjashëm si Meka për myslimanët apo Roma për të krishterët katolikë. Por pa dyshim është një vend i shenjtë i atdhetarizmit shqiptar. Kaq pranë Vlorës dhe nuk është aspak më minore se ajo, thjesht nuk vetëpromovohet, siç mjeshtërisht e kanë dhunti, vlonjatët e lebërit tradicionalë.

Hapësira territoriale të cilit Nuri Dragoj i kushtoi pesë librat e tij, ka më pak kilometra katrorë se qarqe apo qytete të tjera, por i ka vise të mpiksura me qëndresë patriotike të shumëfishtë. Pak e saktë. “Treva e Përmetit, sipas historianit Dragoj, shtrihet në një sipërfaqe prej 91. 260 hektarë ose 91.26 km2”. Strategjikisht në hartën kombëtare të trojeve të shtetit tonë, por edhe ato etnike, ajo “Kufizohet nga Veriu e Verilindja me Skraparin, në Lindje me Kolonjën e Vakëfe, në Perëndim me Tepelenën, në Jug me Pogonin dhe në Juglindje me Leskovikun”.

Bunker mes bunkerësh. Vend rezistencë kombëtare nëpërmjet pushkës, por edhe kulturës e punës. Sipas një evidence të prefekturës Gjirokastër, në 31 tetor 1922 rezultonte se Përmeti kishte 342 zeje. Nga këto, 123 ishin dyqane, në të cilët qenë punësuar 192 vetë, 16 kundraxhi, ku punonin 47 persona, 21 rrobaqepësi me 38 të punësuar, si dhe 34 vetë, që punonin në 22 opingari. Po ashtu, funksiononin 3 furra buke me 6 punëtorë, tre mejhane me tre të punësuar, 16 karriera gurore me 34 vetë, 38 mullinj, që punonin me ujë, ku ishin të punësuar 43 vetë dhe 42 avlimende, ku vetëpunësoheshin gratë e familjes. Tregues të tjerë artizanalë, të vitit 1922, për rrethin e Përmetit, kemi: 2 kallajxhinj, 1 sahatçi, 18 kasapë, 2 lëkurë regjës dhe 8 berberhane, por njëkohësisht edhe 2 banda muzikore.

Halidi, babai i vëllezërve Frashëri

Në fund të shekullit XIX, në Frashër ishte hapur edhe një shkollë për vajza, por meqenëse në Shqipëri, shkruan Dragoj, nuk kishte mësuese, kishin sjellë “një arvanitase me emrin Vasilika, nga Atika*, e cila u martua me mjekun Nikolla Ninka”. Vijon autori se në 17-19 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit i cili drejtohej nga Mithat Frashëri, pinjoll i derës së madhe të frashërllinjve. Dhjetë përqind e delegatëve ishin përmetarë. Nga 32 delegatë, me të drejtë vote, tre qenë sërish nga 18 delegatë pa të drejtë vote, dy ishin nga ajo trevë.

Jemi mësuar të vendosim në radhë si të shquar të familjes Frashëri tre vëllezërit Abdyl, Sami dhe Naim, por në të vërtetë ekziston edhe një i katërt, më i hershëm: babai i tyre Halid. Ky organizoi kundër pushtimit osman një kryengritje të rreptë. Ishte qershor 1854. Kjo kryengritje e Halid bej Frashërit “nisi në Dangëlli dhe përfshiu menjëherë krahinën e Dëshnicës dhe atë të Shqerisë”. Thekson Nuri Dragoj: “Ndërsa në verën e vitit 1856, në këtë qytet kemi nënshkrimin e një akti të madh, që u quajt “Besëlidhja e Përmetit”.

Duke e mbajtur këtë ritëm të lartë kryengritës, madje duke e ngritur më tej, Abdyl Frashëri në 1877 u vu në krye të Komitetit Kombëtar Shqiptar, themeluar pranverën e atij viti në Janinë. Në veprimtarinë diplomatike të Abdylit historian Dragoj spikat shumë rrallë të pohuarën nëpër librat shkollorë e universitarë: në 17 korrik të këtij moti ai u takua me deputetin grek Mavromatis. I kërkoi atij ta mbështeste për formimin e principatës shqiptare më vete, me në krye një princ shqiptar dhe caktimin e kufijve jugorë të Shqipërisë, që duhej të shtriheshin deri në Prevezë. “Por bisedimet dështuan, shkruan Nuri Dragoj, ndonëse Abdyl Frashëri u takua përsëri me një tjetër deputet grek, Stefanos Skuludhis”. Kjo ndodhi më 15 dhjetor 1877 në Stamboll. Ndërkohë duhet thënë se i biri i Abdyl Frashërit, Mit’hati, në projektin dhe ngritjen e Ballit Kombëtar si parti nacionaliste në fund të vitit 1942, model ka pasur aksionin e të atit. Ky u përpoq që në Janinë, trevë e cila atëherë nga rilindësit cilësohej me shumicë arbre, të ngrinte “një të ashtuquajtur “parti nacionaliste shqiptare”.

Bismarku

Shkruan Dragoj: “Udhëtimi diplomatik për në Europë, Gjermani, Angli, Austri e Francë, ishte bërë nga vetë Abdyl Frashëri, ndonëse nuk ka dokumente të sakta se kur është zhvilluar takimi i tij me kancelarin gjerman Bismark. Ai ka qenë në një delegacion bashkë me Mehmet Ali Vrionin. Takimet e zhvilluara dhe shkrimet e ndryshme në gazeta të huaja kanë bërë jehonë. Këto vizita janë përcjellë edhe në gojën e popullit. Në trevat e Përmetit por edhe më gjerë, këndohej shpesh kënga, kushtuar takimit të tij me Bismarkun: “Djalë nga je ti? / Unë jam nga Shqipëria, Abdyl Frashëri!/ Ju lutem shikoni mirë, Ju për Shqipëri/ Mos e bëni copa copa, sikur s’ka njeri/ S’jemi grekër, as bullgar, as nga Mali i Zi/ Jemi vetëm shqipëtarë dhe duam liri/ të rritur në ato male, me libra në gji”.

Helenizim dhe italianizim i dështuar

Në vjeshtë të motit 1916 pas trupave arrogante greke dhe sidomos mësymjes së shkollave të saj pushtuese, helenizim që nga vendasit u prit me rezistencë dhe deri denoncim ndërkombëtar, në Përmet hynë italianët. Përveç ushtarëve dhe topave, edhe këta, atje ku shkelën, sollën me vete edhe një armatë tjetër më efektive për kolonizim: 200 mësues të kombësisë së tyre. Kjo ishte një shifër më e lartë se e tërë mësuesve që një mot më vonë kishte e tërë Shqipëria: 128. Spikat Nuri Dragoj: “Në atë periudhë, në Përmet, ishin 5 mësues italianë, 3 grekë dhe 8 shqiptarë, në një kohë që qarku i Gjirokastrës, kishte 101 mësues italianë dhe 61 mësues shqiptarë. Në maj të vitit 1919, në Përmet do të vinin dhe tre mësuese të reja italiane, që u caktuan në shkollën e vajzave”.

Ndërkohë “Në fund të vitit 1917, në ndihmë të shkollave shqipe në Përmet, do të qarkullonte një tekst gjuhe, me titullin: “Fillime të gramatikës shqipe për shkollat përmetare”. Ai ishte shkruar nga Ilias Jahja Përmeti, në Boston, Mass SHBA. Në parathënien e tij, autori shkruante se për shkrimin e librit, ishte shtyrë nga nevoja e madhe për një gramatikë të gjuhës shqipe në shkolla”. Libri i përmetarit të emigruar në SHBA qe 142 faqe, të cilat për nga ndikimi patriotik që luanin, ishin sa një milion të tilla. Përveç se trojeve mbrojtja më e domosdoshme e shqiptarizmit ishte gjuha dhe dija. Kështu pas greqizimit do të mundej nga përmetarët edhe italianizimi.

Djegia e fundit e qytetit

Në Luftën e Dytë Botërore në Përmet batalionet fashiste zbarkuan 4 ditë më vonë nga orët kur në prill 1939 këta shkelën Durrësin dhe portet e tjera. Në nënprefekturën e Përmetit, bashkë me disa qindra xhandarë, u caktua divizioni ushtarak “Julia”. Përveç komandës ushtarake nisi veprimtari të ethshme edhe majori Marçelo Matioli, kryespiun i SIM-it për rajonin. Ky shumë shpejt do të dublohej nga një superspiun tjetër, F. Gallone. Ishte një përpjekje speciale për ta zotëruar në mënyrë të nëndheshme qytetin e pabindur. Pas një viti e gjysmë nga pushtimi, tridhjetë e pesë kilometra larg kufirit me Greqinë, Përmeti u gjet në fushëbetejë të italianëve që kryen agresionin ndaj popullit grek. Përleshja dhe gjakosja e madhe e ushtarakëve, por edhe e popullsisë civile të qytetit dhe fshatrave, u krye në çdo metër katror. Intensitet luftimesh mbi tokë dhe në ajër si rrallë territor tjetër jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, ku këtë ferr zjarri dhe hekuri do ta pësonte pas disa muajsh nga gjermanët vetëm Beogradi.

Nuri Dragoj shkruan se “Pas sulmit ndaj Pezës më 3 qershor 1943, në planet ushtarake të trupave italiane ishte vendosur zona e Mallakastrës dhe Tepelenës, në të cilat rezistenca antiitaliane ishte më e fuqishme. Ky plan shqetësoi komandën partizane, e cila vendosi të intensifikonte sulmet ndaj garnizoneve italiane në disa pika strategjike, për ta çorientuar atë dhe shmangur goditjen ndaj forcave shqiptare në zonat e mësipërme. U mendua se goditja më efektive do të ishte sulmi ndaj garnizoneve ushtarake të Përmetit”. U zgjodh Përmeti, thotë historiani, sepse ai kishte statusin e një “nyje lidhëse për tre qarqet e jugut: Korçë, Berat e Gjirokastër”. Qe momenti, lëvizja çlirimtare partizane kishte vendosur të mblidhej në Labinot, më 4 korrik 1943, për të formuar Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇL. Në përgjigje një autokolonë ushtarake italiane, në orët e para të pasdites së 5 korrikut, hyri në Këlcyrë dhe i vuri zjarrin qytetit, ndërsa në mëngjesin e datës 6, marshimi i italianëve vijoi në drejtim të Përmetit, duke mos lënë këtu godinë pa djegur e shkatërruar. U shkrumbua krejt tregu i përbërë nga 77 dyqane, si dhe 125 shtëpi të lagjes Varosh, duke përfshirë dhe 10 zyra shtetërore: u dogjën Nënprefektura, Gjyqi i Paqit, Zyra e Financës, Bashkia, Komuna Qendër, Zyra e Veterinarisë, Zyra e Bujqësisë, ajo e Punëve Botore, Drejtoria Post-Telegrafe, zyra e Fashit, etj. Bashkia e Përmetit, në një raport të saj, dërguar Zyrës Politike në MPB, pohonte se ishin djegur 177 tregtore, shumica e të cilave ndërtime moderne. Rezultonte të ishin kthyer në hi krejt regjistrat e Kadastrës, Hipotekës, të Noterisë, Gjendjes Civile, dokumente të Bashkisë, ato komunale si dhe librat e kontabilitetit.

Në këtë katrahurë u mbajt Kongresi i Përmetit, të cilin TVSH në një emision njohës për Përmetin të transmetuar këto ditë, në 21 shtator 2018, e quante ngjarje që kishte hedhur themelet e shtetit shqiptar. Një marrëzi e vërtetë historike kjo, sepse ai kongres pati hedhur vetëm një themel: atë të shtetit diktatorial stalinist, antipluralist. Kongresi i Përmetit ishte ngjarja ku për herë të parë u planifikuan arrestimet dhe izolimi i kundërshtarëve politikë, aty do të hidhej ideja edhe për ngritjen e një kampi për të dyshimtët. Koçi Xoxe shkoi deri aty sa të deklaronte, që Mithat Frashëri nuk kishte qenë kurrë për një Shqipëri indipendente, por vetëm për autonomi.

Shkruan Nuri Dragoj se për shkak të besimit të madh te Titua, që ishte kultivuar nga të dërguarit e tij, zgjidhjen e çështjes së Kosovës krerët e Frontit e shihnin në kuadër të një federate ballkanike. Kjo shihet jo vetëm në telegramin që i dërgohej mareshalit Tito, por edhe fjalën e mbylljes së kongresit nga Enver Hoxha. Përmeti është “Qytet Hero” jo për kongresin e fundmajit 1944, por për tërë historinë e tij, e cila është aq e dendur me shpirt rezistence kombëtare sa që edhe pesë vëllimet e shkëlqyera të Nuri Dragojt duken pak.

KONGRESI

Në këtë katrahurë u mbajt Kongresi i Përmetit, të cilin TVSH në një emision njohës për Përmetin, të transmetuar këto ditë, në 21 shtator 2018, e quante ngjarje që kishte hedhur themelet e shtetit shqiptar. Një marrëzi e vërtetë historike kjo, sepse ai kongres pati hedhur vetëm një themel: atë të shtetit diktatorial stalinist, antipluralist.

ARRESTIMET

Kongresi i Përmetit ishte ngjarja ku për herë të parë u planifikuan arrestimet dhe izolimi i kundërshtarëve politikë, aty do të hidhej ideja edhe për ngritjen e një kampi për të dyshimtët. Koçi Xoxe shkoi deri aty sa të deklaronte, që Mithat Frashëri nuk kishte qenë kurrë për një Shqipëri indipendente, por vetëm për autonomi.

Tiranë, më 22 shtator 2018

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.