Rreth e rrotull

Universitetet, mbi dy mijë të huaj studiojnë në Shqipëri

17:15 - 05.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Kejsi Lama – Umiti është 21 vjeç dhe ka dy vite që jeton në Tiranë. Ka lënë vendlindjen e tij, Turqinë, për të ndjekur studimet e larta në Shqipëri. Arsyeja është e thjeshtë: Këtu studimet janë më të lira. Po, edhe për një përvojë nga ato që duan të rinjtë! Këtu studion ekonomi në një universitet jopublik. Por, edhe kjo zgjedhje ka një kosto më të lirë se në vendin e tij. Si Umiti, në Shqipëri kanë ardhur edhe rreth dy mijë studentë të huaj. Shifra prej 2053 studentësh të huaj jepet nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit. Por, në këtë shifër shumicën e përbëjnë studentët nga trojet shqipfolëse.




Statistikat
Sipas statistikave që vijnë nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në vitin 2017-2018 në Shqipëri nisën studimet e larta 630 studentë nga Kosova, 253 nga Mali i Zi, 165 nga Presheva, 96 nga Bujanovci, 482 nga Italia, 123 nga Turqia, 123 nga Greqia, 5 nga Bullgaria si dhe 61 studentë nga vende të tjera jashtë Europës. Studentët e ardhur nga Italia, Turqia si dhe vende të tjera i vazhdojnë studimet universitare në universitete jopublike në Shqipëri, ku mësimdhënia është në gjuhën angleze ose italiane.

Studentet e huaj
Si Umiti është edhe Tuka, vajza 20-vjeçare nga Jordania, e cila ka një vit që qëndron në Tiranë. Ka ardhur për të studiuar inxhinieri elektronike. Synimi i vajzës duket se ka detyruar edhe familjen e saj ta shoqërojë në vendin ku ajo po studion. Pavarësisht se një pjesë e të rinjve shqiptarë synojnë universitetet e Europës për të studiuar, kjo nuk i ndalon të rinjtë nga vendet e tjera të vijnë për të studiuar në Shqipëri. “Po, programi mësimor ishte shumë më i përshtatshëm nga çfarë unë mendoja dhe duke qenë se në universitetin tim ka studentë të tjerë që vijnë pothuajse nga të gjitha vendet e Europës, m’u duk si një fillim i mbarë”, thotë Tuka, që sapo ka përfunduar vitin e parë të universitetit. Vajza nga Jordania vlerëson profesorët që lektorojnë në universitet. “Janë shumë të kualifikuar dhe kompetent, por si në çdo universitet tjetër në botë, ka gjëra që mund të ishin më mirë”, shprehet ajo. Tregon se ka miq në vendin tonë, por sipas saj marrëdhënia mes tyre është pak e komplikuar. “Kam shokë këtu, por duke qenë se ata nuk flasin mirë anglisht dhe unë nuk flas mirë shqip, pavarësisht se po bëj kurse për të mësuar gjuhën, marrëdhënia jonë është disi e komplikuar. Gjithsesi, këtu kam njohur njerëz shumë të mirë dhe është kënaqësi të rri me ta”,-shprehet ajo. Sipas Tukës, studentët shqiptarë përpiqen të arrijnë maksimumin për degën që studiojnë. Asaj i pëlqen që studentët këtu në përgjithësi punojnë në profesionet e tyre, gjë që në Jordani është shumë e vështirë, pasi mundësitë janë të pakta. Ajo që Tuka pëlqen në vendin tonë është sipërfaqja e gjelbër, e cila është goxha më e madhe krahasuar me vendin e saj të lindjes. Për sa i përket jetesës në Shqipëri, ajo mendon se vendi ynë ka shumë potencial dhe është një vend në zhvillim, por që për të patur zhvillimin e dëshiruar, duhet t’i hedhim sytë nga arsimi. Ndryshe nga Tuka dhe Umiti, të cilët zgjodhën Shqipërinë si vend më të përballueshëm ekonomikisht, Fjolla, një shqiptare e Maqedonisë, e shikon Shqipërinë si mundësi më të mirë se Maqedonia.

Ajo studion për gazetari në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. “Zgjodha të studioj në Shqipëri, sepse krahasuar me vendin tim, gazetaria këtu është shumë më para dhe më e zhvilluar, dhe arsyeja tjetër është që u detyrova që ta vazhdoja fakultetin në gjuhën maqedonase”. Fjolla, duke krahasuar universitetin këtu me atë të Maqedonisë, tregon se në Maqedoni studentët kishin më shumë mundësi praktike, ndërsa këtu jo. “Në vendin tim arsimi nuk është shumë i zhvilluar si në vendet europiane dhe s’mund të flas shumë, sepse unë nuk kam studiuar atje, por nga ajo që kam parë, në Maqedoni fakultetet u japin shumë përparësi dhe mundësi studentëve të tyre. Për nga ana e praktikës ato mundohen që studentët e tyre t’i dërgojnë jashtë në Europë për disa muaj ose kanë organizata, të cilat marrin një grup studentësh nëpër seminare në mbarë Europën, gjë të cilën nuk e kam dëgjuar unë të ekzistonte në fakultetin tonë. Dhe, një herë mbaj mend që doja 3 muaj vere të ikja për praktikë në Gjermani, nuk munda, sepse kjo gjë bëhej vetëm për studentët e universiteteve private”.

Për sa i përket jetesës këtu, ajo tregon se vetëm në fillim është ndier pak si e huaj, ndërsa më vonë filloi të ambientohej.
“Kur krijova shoqërinë time, u ndjeva sikur kisha një jetë në Shqipëri”. Duke krahasuar studentët shqiptarë me ata maqedonas, ajo tregon se janë shumë të afrueshëm dhe mikpritës, por ka disa gjëra që i kanë bërë përshtypje në vendin tonë. “Ajo që kam vënë re te moshatarët e mi në Shqipëri, krahasuar me ato nga vendi im, është se meshkujt krijonin një grup ku do ishin vetëm meshkuj, dhe femrat një grup ku do ishin vetëm femrat. Nuk kishte përzierje të dy gjinive, pak e çuditshme”. Lidhur me profesorët që i japin mësim, Fjolla shprehet se ata janë shumë të mirë dhe gjithë kohës janë përpjekur për të kuptuar studentët. “Ata janë munduar që ne ta kuptojmë atë që na e kanë shpjeguar dhe gjithmonë na kanë lënë hapësirë që të japim mendimet tona dhe normal të pyesim për çdo gjë të paqartë”, thotë Fjolla.
Po ashtu, sipas Fjollës të gjithë profesorët e saj i orientojnë studentët e tyre në tregun e punës nëpërmjet postimeve në “Facebook” ose nëpërmjet komunikimit direkt në klasë. Për sa i përket jetesës dhe ushtrimit të profesionit të saj në Shqipëri, ajo akoma nuk e ka vendosur. “Një pjesë e imja më thotë po, një pjesë jo”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.