MILOSAO

Çetobashe Muja kundër Gjeto Basho Mujit

15:45 - 07.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Mehmet ELEZI – 1. Deri sot kurrkush s’e ka vënë në dyshim emrin e kryeheroit të epikës legjendare Gjeto Basho Muji. Herë-herë ka qarkulluar një legjendë me burim të paqartë, sipas të cilës emri Gjeto do të thotë I Gjetuni. Sepse Muji paskesh qenë “fëmijë i gjetur”.




Shihet se diçka nuk shkon në këtë legjendë. Emri Gjeto ngjan si nofkë. Ai i gjeturi, ai i rrugës. Nofka përmban më shumë se shpërfillje. Kjo nuk përputhet me mendësinë shqiptare. Shqiptarët nuk i përbuzin heronjtë dhe mitet e tyre. Muji, bashi (balli) i të gjeturve? I gjeturi që ka zënë bashin (ballin)? Pa kuptim.
Në përbalcat (dyluftimet) epike ka një lloj stereotipi. Para se me e gjuejtë shoqi-shoqin me topuz e mizdrak e para se me u pre me shpata sipas rregullash kalorsiake, trimat gjuhen idhshëm me fjalë. Rreken me e ligështue kundërshtarin moralisht. “P’a prej vorrit Gjergj ti kanke çue?/ Pse me m’qitë bre burrë n’ket fushë t’mejdanit!”, i turret me cinizëm Bajlozi Gjergj Elez Alisë, kur e sheh aq të molisur prej nëntë varrëve të pambyllura për nëntë vjet. Me të njëjtën skemë si te Gjergj Elez Alia poeti popullor mund të luante me antitezën midis një Muji “gjeto”, dhe një zotnie si Krajleviq Marku, për shembull. Por nuk ndodh. Asnjëri prej armiqve nuk i thotë je djalë i hupun, përkatësisht i gjetur nëpër ferra. Me pasë qenë i tillë, nuk do ta kursenin. Mungesën e ndonjë pike të errët te Muji mundohen me e mbushë me lavde për bëmat e veta.

2.
Në fshatra të Krasniqes e të Gashit në Malsi të Gjakovës (rrethi i Tropojës), kurrkush nuk thotë Gjeto Bashe Muji. Siç del nga botimet dhe ribotimet, që do t’i përmendim në vijim, ashtu si dhe nga njohjet e drejtpëdrejta të autorit të këtyre shenimeve, thonë Çetobashe Muja. Kështu del edhe në këngë si Çetobashe Muja e Krajleviqe Marki, regjistruar në Luzhë; Halili pret Balozin e merr Talime Devojkën, regjistruar në Shípshan; Halili i qet bejleg Mujit… Edhe te kënga Zymeri e Ganiqe Galani, mbledhur në Rrilë të Bregut të Matës (Lezhë), thuhet Çetobashe Muja.
Spikatin dy ndryshime:
-Gjeto bëhet Çeto;
-Muji bëhet Muja.
Një vështrim i shpejtë nuk dallon diçka thelbësore te këto ndryshime. Ç’mund të jetë tjetër Çetobashe, veçse shmangie, degëzim fonetik i Gjeto Bashe? Edhe kalimi nga Muji te Muja tingëllon kësisoj.
Trajta Gjeto del pastër në dy poema të cilat, bashkë me Gjergj Elez Alinë, vlerësohen artistikisht të përkryera: Martesa e Halilit dhe Ajkuna kjan Omerin; del dhe në të tjera. Ato janë mbledhur në Curraj të Epër, katund i thellë me besimtarë katolikë në Malsi të Gjakovës. Sipas një thënieje të Koliqit, Atë Bernardin Palaj, mbledhës i tyre, “pohonte se varjantet rapsodive ma të gjalla e të kulluete gjindeshin në Curraj t’Epër” 1. Në Hymje të botimit “Visaret e Kombit – kangë kreshnikësh dhe legjenda” – Atë Bernardin Palaj dhe Atë Donat Kurti shkruajnë se “Rapsodít ma të bukurat si për kah vesha poetike, si për kah lidhnia e argumentit këndohen ma fort në Curraj t’Epër, në Mërtur e në Dugagjin”. Pra kish arsye me mendue se Gjeto është trajtë e parë dhe Çeto – trajtë dytësore, degëzim fonetik i mëvonshëm.
Ndërkaq prejardhja e emrit Gjeto mbetet e paqartë. Duke mos e ftilluar dot, ndonjë mendje e varfër do të ketë shpikur përrallën pa fantazi të “fëmijës së gjetur”.
Qe tetëdhjetë vjet gjithçka ka mbetur e ngrirë në këtë pikë.
Dhe mund të mbetej përgjithmonë, sikur të mos ndërmjetësonte gjuha. Më saktë, një shqyrtim fonetik i emrave.

3.
Heshtazi Çeto(bash) është pranuar si trajtë dytësore. Ç’prejardhje ka?
Tridhjetë agët e Jutbinës janë të organizuar në çetë. Çeta kreh krahinën mos ka shkelur kund “shkau”, armiku sllav. Del edhe për gjueti. Në herë Muja i bërtet Halilit se është mbushur muaji dhe “na ndër çetë nuk kemi dalë”. Folja me çetue është familjare në mjedisin e kreshnikëve. “-Kah po nisna sot për me çetue?/ -Kah të na prijë e djathta e Zotit!” (Muji e Behuri).
Prijës i çetës është Muja. Ai është kryepari. Bashi i çetës ose çetobashi. Herë-herë nëpër disa këngë për Mujën thuhet bylykbash, çka në thelb dëshmon të njëjtën gjë.
Fjala bash në kuptimin e ballit, kreut, ndeshet gjithandej në Epos. Paji Harambash – bashi i haramit ose i haramëve – një shka që del natën në bjeshkë dhe rreh “të lumet e natës”, orët, të cilat nuk dëshirojnë me e kthye në gur, por ankohen te Muji 2. Gjuri Harambash. Çobanbashi (bashi i çobanëve).
Jo rrallë Çetobash shqiptohet Çetopash. Një mbivendosje e pashë mbi bash. Ndërhyrje e etimologjisë popullore, të dy fjalët kanë tingëllim të përafërt dhe cilësitë e Mujit si prijës e luftëtar sjellin ndërmend një pashë të madh. Veç kësaj, bashkëtingëllorja e zëshme b te bash e kish vështirë me mbijetue si e tillë, e paraprirë nga të pazëshmet ç dhe t te fjala çetë. Ndodhi përngjashmimi (asimilimi).
Pra Çetobash zbërthehet. Sipas këtij përimtimi, në kundërshtim me çka është pranuar deri sot, trajta e parë duhet të jetë Çetobash dhe jo Gjeto Basho.

4.
Te Gjeto Basho fjala Basho është bash, si te Çetobash. Po Gjeto?
Ndër veçoritë e të folmes së Nikaj-Mërturit, ku bëjnë pjesë edhe Currajt e Epër, si dhe të Dukagjinit (malsia e Shkodrës), është shqiptimi i bashkëtingëlloreve ç, xh si tinguj shtegorë, diçka e përafërt me q, gj. Fjalë si çetë dhe gjetë (folja me gjetë) për një vesh të pamësuar shqiptohen njësoj ose pothuaj njësoj. Me ngjyresa (nuanca) të ndryshme, kjo dukuri është mjaft e përhapur edhe brenda në Shkodër dhe në Kosovë. Në një prej letrave që Ndre Mjeda shkëmbente me Gustav Majerin (Meyer) për çështje të gjuhës shqipe, i kujtonte këtij të fundit me ba kujdes se shkodranishtja i ngatërron bashkëtingëlloret ç dhe q.
Afër mendsh, lahutari i parë anas ka shqiptuar Gjetobash, duke pasur ndër mend Çetobash, titull e funksion i Mujës. Të tjerë më pas e kanë shqiptuar siç e kanë dëgjuar, Gjetobash. Kështu është përkapur dhe është përcjellë nga një këngëtar te tjetri. Dhe prej aty, te hulumtuesit. Duke qenë shkodran, më saktë, prej Shllaku, megjithëse njohës “me themel” i shqipes dhe “me talent të madh”, siç e vlerëson Fishta, as vetë Palaj nuk i shpëton dot keqshqiptimit të bashkëtingëlloreve të përmendura më sipër. Në Hymjen që zumë në gojë është kjo fjali: “Muji… që del me kërkuem çetave lopët, mbas nji rapsodije tjetër del për kaproj…”. Vihet re menjëherë se në vend se me thanë qetave – qeta ka kuptimin shkrep ose vend me bar mes shkrepave, ku rrinë zanat e kullosin dhitë, fjalë e burimit indoeuropian të shqipes – ai shkruan pasaktësisht çetave. Gjithnjë duke e pasur fjalën për qetat. Sepse edhe vetë i ngatërron bashkëtingëlloret ç/q dhe xh/gj.
Edhe një dëshmi tjetër. Te këngë si Agajt ndahen nga Muji e Halili, në krejt tekstin nuk thuhet Gjeto, por Qeto (Bashe Muja). Dhe për fjalën çetë përdoret qetë. Pra edhe gjetë edhe qetë shqiptohen me q. Një tregues se Gjeto, si dhe Qeto, janë keqshqiptime të Çeto në të folme ku mungon bashkëtingëllorja e pastër ç 3.
Nuk ndodh kështu në fshatrat e Krasniqes e të Gashit në veri të Qafës së Kolçit; atje bashkëtingëlloret ç, q, xh, gj shqiptohen saktë, pa i hyrë në hise shoqja-shoqes. Po të kish qenë trajta e parë Gjetobash, edhe në këto katunde, për shkak të saktësisë në shqiptim të folësve, do të ishte ruajtur Gjetobash. Ç’arsye pati me u ba Çetobash, në pastë qenë ndryshe?
Koliqi përmend një botim më të hershëm të rapsodisë “Chéto Bashè Muji” nga Gasper Jakova Merturi, i cili e ka përshirë në veprën e tij Gramatica della lingua Albanese (Frascati, 1904). Siç bie në sy, autori e shkruan Chéto. Vepra është botuar para Kongresit të Manastirit, kur shqipja ende s’kishte një abece (alfabet) të përbashkët, çka e le hapur shtegun që ky emër të lexohet në më shumë se një trajta. Nuk dimë si do ta ketë shqiptuar autori, por leximi më i arsyeshëm i Chéto në shqip mund të ishte Çeto ose, më pak mundësi, Qeto.
Pa zhbiruar më në hollësi, shihet qartazi: autorët që kanë botuar Eposin, qoftë edhe këngë të veçanta të tij, s’kanë qëndrim të njësuar në shkrimin e emrit dhe mbiemrit të Mujës.

5.
Në botimet pas Luftës së Dytë, emri Muj, i shquar, del në tri trajta: Muji, Muja, Mujo.
Te Fuqia e Mujit (1966) 4, në kundërshtim me trajtën Muji në titull, në vargjet 3, 6, 17, 18 thuhet Muja dhe papritmas në vargun 22 bëhet Mujo (“Mujon e kanë pvetë”). Në vargjet 61, 62 del përkatësisht Mujo dhe Muji (“Mujos me ia dhanë”, “Tamlin Muji e ka pi”). Edhe më tej vijon me luhatje.
Të njëjtat luhatje gjinden edhe në botimin e parë të Visareve të Kombit. Madje në hyrjen e shkurtë vetëm pesë rreshta Argument (në botimet pas vitit 1944 Argument nuk është përfshirë), në rreshtin e parë është trajta Muji, ndërsa në të katërtin del Muja (“Muja miqsohet me Zâna”). Edhe te Ajkuna kjan Omerin, pas vargut 5 me i (“Ça ka ba, zot, Gjeto Basho Muji”), vjen vargu 9 me a (“Djalin n’dhé Muja e ka shti…”). Në botimin e vitit 1966 është ruajtur ky drejtshkrim.
Në trevat e Eposit emri Mûj, Muj(ë), me u të gjatë, në brezat e moshuar ndeshet edhe sot; del edhe si mbiemër. Në trajtë të shquar merr a, Muja, dhe jo i, Muji. Si mbiemër po ashtu është me a, Muja, familja Muja, asnjëherë me i, asnjëherë familja Muji. Kështu ndodh me tërë emrat njërrokësh me zanore të gjatë, e cila grafikisht shprehet duke shtuar ë në fund 5. Emri Muç(ë) shquhet Muça dhe jo Muçi (krahaso shprehjen “si Muça mbas daisë”), njëlloj si Mus(ë) që shquhet Musa dhe jo Musi. Dem(ë), Met(ë), Nik(ë), Ram(ë), Ded(ë), Vat(ë) trajtën e shquar e kanë përkatësisht Dema, Meta, Nika, Rama, Deda, Vata (dhe jo Demi, Meti, Niku, Rami, Dedi, Vati).
Njësoj ndodh në këto treva edhe me disa emra me prejardhje të huaj, të cilët mbarojnë me i dhe theksin e kanë në rrokjen e fundit, si Ali, Veli, Bedri. Ali shquhet Alia dhe jo Aliu. Për pasojë Gjergj Elez Alia dhe jo Gjergj Elez Aliu.
Të ndërlidhura, këto të dhëna prijnë kah Muja si trajtë e parë.

6.
A mund të jenë përdorur tri trajta, Muja, Muji, Mujo, për një emër të përveçëm, në të njëjtën këngë, në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend, prej të njëjtëve rapsodë?
Duket pak e besueshme. Sidomos në mjedis të maleve, në fshatra që sillen e mbështillen rreth vetes të pandikuara, pa rrjedhje e pa dyndje të popullsisë, me marrëdhënie të kursyera me pjesët e tjera të vendit.
Mbledhësit e redaktuesit e këtyre këngëve, Atë Bernardin Palaj dhe Atë Donat Kurti, mbeten dijetarë dhe hulumtues të klasit të parë. Cilësia dhe profesionalizmi i punës së tyre është cak i lakmueshëm për cilindo. Atëherë ku mund të lypet përgjegjësia?
Mund të jenë shtrembërime që lidhen me mënyrën vetiake të shqiptimit të këngëtarit. Dhe me mënyrën si e ka përkapur këtë shqiptim veshi i mbledhësit, në mungesë të mjeteve të përshtatshme teknike për regjistrim.
Mund të jenë gabime shtypi, të pashmangshme në një vend me pak shtypshkronja dhe përvojë relativisht të pakët botimesh, si Shqipëria e asaj kohe.
Nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë ndërhyrjeje të mëvonshme prej duarsh të tjera.
Me gjasë kanë ndodhur të tria.
Në botimin e Visareve të Kombit, në një shenim në hyrje të poemës Martesa e Halilit, marrim vesh se ajo është përmbledhje sipas “shqyptimit të tre rapsodëve në Curraj”. Pra tri motërzime janë shkrirë në një. Kjo do të thotë se mbledhësit kanë vënë dorë. Edhe Koliqi flet për ndërhyrje të Atë Bernardin Palajt në disa tekste të këngëve të kreshnikëve. Sipas tij, Martesa e Gjeto Bashe Mujit, Orët e Mujit, Mujit tu Mreti, Martesa e Halilit “u përpunuen prej Palajt”.
Ku kishte prekur Palaj, që njihej si “Frati i Kangëve”, si dijetari që “ua zbuloi Shqiptarvet bukuritë e mrekullueshme të ciklit të rapsodive të Gjeto Basho Mujit”?
Koliqi thotë se Atë Bernardini zgjidhte motërzimin më të bukur të një kënge dhe e plotësonte me vargje të zgjedhura prej degëzimeve të tjera, gjithnjë “tue ndejë në frymë e në ligjërim të lahutarve”. Kësisoj, “tue shti në punë varjantet e motërzimet e shumta, pesë a gjashtë prej atyne rapsodive i preku me dorë të lëmuet mjeshtri edhe, pa cenue njomsinë virgjin origjinale, ua dhetëfishoi shkelqimin poetik”. Palaj vetëm “qëndiste indin populluer me fije të ngjyrta marrë prej popullit”.
Në Hymjen që u përmend më lart autorët (mbase vetëm Palaj?) saktësojnë: “Në kje se shifet ndoi ndrrim a ndër emna a ndër të shprehuna në krahasim me rapsodi të botueme deri tash, këta rrjedh prejse i kemi plotsuem me shka ma të bukur kemi gjetë ndër motërzime me argument të njinjishëm. Kështu… kemi mrrijtë si bleta me mbledhë andej e kndej nektarin poetik të kangtarit të malevet”.
Diçka më konkrete nga ky laborator zbulohet në një shenim në hyrje të poemës së Gjergj Elez Alisë, në të njëjtin botim. Rapsodët “kur marrin lahuten në dorë, e kanë nji publik t’interesantshëm, n’at kohë fantazija e gjallë e tyne i endë rapsodít fort ma bukur se kur diktojnë. Un s’pash tjetër rrugë për me shpëtue legendën me gjith poezi, veç me shkrue nji herë kangën e mandej me i dhanë lahutën e unë me ba qortimet”.
Deri ku ka shkuar ndërrimi “ndër emna a ndër të shprehuna”, a ka pasur ndërhyrje në shkrimin e emrave të përveçëm? Në qoftë se po, për ç’arsye?
Nuk është vetëm emri i Mujës që del në disa degëzime.
Te Ajkuna kjan Omerin (1955), vargu 78 është “Mor Omeri i nanës-o!”. Njëmbëdhjetë vjet më vonë (1966), në të njëjtin varg Ajkuna papritmas i ndryshon emrin të birit: “mor Homeri i nanës-ooo!”. Jo pa u befasuar vërejmë se edhe te Visaret e Kombit ky varg është si në botimin e 1966-s: “mor Homeri i nânës-ooo!”. Aty djali i Mujës quhet një herë Omer (në titull), herën tjetër Homer (në brendësi). Homer del edhe në shenimin e hyrjes te Martesa e Halilit: “…bashkë me martesën e Mujit e me dekën e djalit të tij Homerit…”.
Çfarë ka ndodhur?
Dihet se Palaj, Kurti e të tjerë te Kangët e Kreshnikëve shihnin një palcë të moçme ilire. Kjo palcë e moçme mishërohet edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, në rite, doke, këngë e valle të hershme. Te “Eskili, ky humbës i madh” Kadareja thotë se disa nene të Kanunit, rite si gjama e të tjera çojnë te kohë të vjetra para Krishtit, takohen me Eskilin e me Homerin.
A mundet që një dijetar dhe krijues si Palaj, i vetëdijshëm për këtë, të mos e ketë përballuar ngasjen me u dhanë disa emrave të përveçëm trajtë fonetike të lashtë? Për shembull Omerin me e shndërrue në Homer, për shkak të afërsisdhe rapsodi, pa een me Eskilin dhanethka ma të fonetike dhe rrënjëve të moçme? Në qoftë kështu, pse ka ndodhur vetëm në pak raste? A thua vepra u dha për botim pa mbërri me i dhanë dorën e fundit, pa një redaktim përfundimtar?
Ndonjë tjetërsim emrash mund të jetë përftesë e dukurive fonetike. Në botimin e parë të Visareve të Kombit, në këngën e Gjergj Elez Alisë emri i heroit është Gjergj Alez Alija. Me një vështrim të shpejtë mund të thuhet se emri Elez është ndikuar prej emrit Ali që vjen pas dhe rapsodi, pa e kuptuar, e ka shndërruar në Alez. Mbledhësit thjesht i kanë qëndruar besnikë origjinalit, siç e kanë dëgjuar.

7.
Luhatjet që nuk përligjen në drejtshkrimin e emrit të Mujës dhe disa trajta të tjera gjuhësore lënë hapur edhe mundësinë e ndërhyrjes së një dore të jashtme joprofesionale. Pse kudo në titujt e këngëve është vetëm trajta me i, Muji, ndërsa në tekste kjo trajtë është e kufizuar? Te Çetobashe Muji e Krajleviqe Marki (1955), për shembull, trajta Muji e titullit sfidohet 22 herë prej trajtës Muja në vargje. A thue redaktuesi ka vënë dorë vetëm ose kryesisht nëpër tituj, duke e pasur të pamundshme ndërhyrjen në brendësi, për shkak të vëllimit të madh të lëndës?
Edhe trajta Mujo nuk rri aq natyrshëm në Këngët Kreshnikëve. Në krah të djathtë të Drinit, ku shtrihen hapësirat e Eposit, emrat e përveçëm përgjithësisht nuk mbarojnë me o 6. Në këngët e botuara o-ja në fund del jo vetëm te emri Muj. Del edhe te Bashe. Në vargjet 4, 81, 142, 149, 301 të këngës Muji dhe Zanat (1955) shkruhet Gjeto Bashe Muji. Pas njëmbëdhjetë vjetësh (1966), në të njëjtat vargje, e – ja bëhet o, Gjeto Basho Muji 7.
Ndryshimi duke shtuar o në fund shpesh ka qenë prirje “zyrtare” pas luftës. Njerëz të viseve veriore, të cilët në familje e në rrethin e tyre njihen si Jah(ë), Muj(ë), Çel(ë), Rexh(ë) – në të shquarën Jaha, Muja, Çela, Rexha – nëpër kumtime publike, jo rrallë edhe në dokumentet e njëjtësimit, janë shndërruar në Jaho, Mujo, Çelo, Rexho, siç shqiptohen në jug të vendit. A thua kemi të bëjmë me rrekje pa mend të dikujt “me e afrue” gjuhën e Eposit të moçëm me atë që do të pagëzohej “gjuhë letrare”, “gjuhë e njësuar”?
Dyshimi për një “virus” të tillë përforcohet duke parë lëkundje të tjera te emrat e përveçëm. Sërish te Ajkuna kjan Omerin (1955) në vargjet 7, 20, 21, 29, 40 emërvendi Lugjet e Verdha 8 shkruhet me shkronjë të madhe, ashtu siç është shkruar në botimin e parë të Visareve. Pas njëmbëdhjetë vjetësh (1966) në të njëjtat vargje mbiemri (e) verdha del me shkronjë të vogël. Por Lugjet e Verdha është emër i përveçëm, njësoj si Mali i Gjerë në Gjirokastër, Syri i Kaltër në Sarandë ose Rrethi i Bardhë në Tropojë. Quhen Lugjet e Verdha edhe në kulm të dimrit, kur nuk janë më të verdha (të gjelbra), por bëhen krejt të bardha prej borës. Siç quhet Syri i Kaltër edhe në ndodhtë me u turbullue keq. “Virusi” këtë s’e ka kuptuar dhe ka ndryshuar drejtshkrimin e origjinalit, duke e shkruar mbiemrin me v të vogël.
Shenjat janë se ky “virus” ka prekur edhe emra të përgjithshëm. Gjykuar nga titujt, mund të mendohet se këngët Agajt ndahen nga Muji e Halili dhe Agajt ndahen nga Muji (1966), janë mbledhur diku në jug të Shqipërisë. Sepse gegnisht nuk thuhet agajt, thuhet agët. Dhe në tekstin e këtyre këngëve në asnjë rast, përveçse nëpër tituj, shumësi i emrit agë nuk del agajt. Gjithkund del agët.
Edhe trajta Muji e titullit në dy këngët e mësipërme përgënjeshtrohet në tekste prej trajtës Muja përkatësisht 16 dhe 15 herë.

8.
Shihet se shpalimi gjuhësor ia rinjeh të drejtat Çetobashe Mujës.
Dhe e thërret prapë në dyluftim.
Kësaj here jo me shpatë, por me mjete gjuhësore. Jo kundër shkaut, por kundër Gjeto Basho Mujit. Hiqmu sysh, ti nuk je i njëmendti, i thotë Çetobashe Muja. Ti je dytësi, kipci, sozia ime. I njëmendti jam unë.
Gjuha është “gjë e gjallë” dhe “shumë e hollë”, thotë Konica. “Po i shtrembërove pakëz një nyje a një dell, trupi i tërë i tronditet…”. Tronditet trupi i gjuhës. Edhe i lëndës që kumton ajo. Tronditet e tjetërsohet.
Ndodh që një gabim teknik ligjëron e përgjithëson një trajtë të gabuar. Çabej mendon, për shembull, se pjesëza ndofta, që ndeshet bukur shpesh në vend të ndoshta, është përgjithësuar nga leximi i gabuar i një grafie te Frang Bardhi (ò është lexuar si f). U deshën treqind vjet me e kuptue. Dhe për kaq gjë u desh një burrë i madh si Çabej.
Shënime
Ernest Koliqi, Vepra 5, Shtëpia Botuese FAIK KONICA, Prishtinë, 2003. Edhe citimet e tjera të Koliqit janë marrë prej të njëjtit burim.
2 Pavarësisht nga bindja e autorit të këtij shkrimi për trajtën më të saktë, këtu ai shkruan herë Muji e herë Muja, në përputhje me lëndën, tekstin e botuar, të cilit i referohet.
3 Ndryshe nga Çetobashe, trajtat Gjeto Bashe dhe Qeto Bashe janë shkruar ndaras. Nuk duket se ky rast fsheh ndonjë domethënie të veçantë. Me gjasë ashtu janë dëgjuar ose kuptuar në fillim dhe ashtu janë zbardhur nëpër letra, duke u përcjellë pa ndryshime.
4 – 1966, është fjala për botimin e Institutit të Folklorit, Epika Legjendare, vëllimi i parë, Tiranë, 1966;
– 1955, është fjala për botimin e Institutit të Shkencave, Këngë Popullore Legjendare, Tiranë, 1955.
5 Nuk ndodh kështu me emrat njërrokësh që shqiptohen me zanore të shkurtë si Mic, Gjon, Pal, Bec. Trajtën e shquar ata e bëjnë gjithnjë me i, Mici, Gjoni, Pali, Beci.
6 Në vargje si “Aman Mujo, djalin ç’ma ke ba?” (Ajkuna kjan Omerin) ose “Zana jemi Mujo, tuj shetitë/… / Ti çfarë ndere, Mujo, po na lyp?” (Fuqia e Mujit), o-ja në fund nuk është nyje shquese. Eshtë pasthirrmë. Vënia e pasthirrmës në fund të emrit pavarësisht nga gjinia e tij, kur i drejtohesh një të afërmi ose të njohuri, është dukuri e zakonshme në të folmet anase. Trajta Mujó është rasë thirrore, e barabartë me o Muj. Njësoj si mikó për o mik, burró për o burrë, motró për oj motër, djaló për o djalë, nanó për oj nanë. O – ja në fund është zanore e theksuar, e gjatë.
7 Tjetërsoj është rasti te Gjeto / Çeto. Zanorja o te Çetobashe / Gjeto Bashe shtohet për lehtësi shqiptimi, kur në të folmen verilindore dhe përgjithësisht në dialektin gegë mungon zanorja ë, e cila gjithsesi është e dobët (prandaj ka qenë quajtur e pa zâ). Edhe zanorja e në fund të Bashe bën lidhjen me mbiemrin (ndonjëherë e bën a-ja). Halili, vëllai i Mujit, nuk është Sokol Halili, por Sokole Halili. Budalin Tali është Budaline Tali. Edhe Krajleviq Marku është Krajleviqe Marki (Marku). Të tre me e të shtuar gjegjësisht pas Sokol, Budalin, Krajleviq. Bashkëluftëtari i Skenderbeut Kont Urani nuk është Uran Konti, por Urana (Vrana) Konti. Ndërmjet emrit e titullit është shtuar një a. Kjo dukuri është veçanërisht e përhapur te emrat e shkurtë të malsorëve. Mark Gjoni bëhet Marka Gjoni, Mal Zogi bëhet Mala Zogi, Can Begi bëhet Cana Begi.
8 Në të djathtë të Drinit, dhe jo vetëm aty, mbiemri i (e) verdhë ka kuptimin i (e) gjelbër, i (e) blertë, njësoj si në gjuhët latine (vjen prej latinishtes viridis). Prej aty foljet me (u) verdhue, mbiemri i verdhuem në kuptimin me gjelbërue, me u gjelbërue, i gjelbëruar. Për të përcjellë kuptimin që bart fjala i (e) verdhë në standardin e sotëm të gjuhës shqipe, përdoret mbiemri i (e) luls (me u të gjatë, që në grafi pasqyrohet duke vënë ë në fund) dhe foljet përkatëse me (u) lulsue, në kuptimin me (u) zverdhë (shih M. Elezi, Fjalor i Gjuhës Shqipe, Shtëpia Botuese Gjergj Fishta, Tiranë, 2006).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.