AKTUALITET

“Bashkitë nuk e marrin të plotë rentën, shkak burokracia e mosnjohja e ligjit”

17:12 - 04.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Procedurat burokratike, por edhe njohja e pakët e legjislacionit nga ana e njësive të qeverisjes vendore si dhe disa herë neglizhenca e drejtorive lokale të tatimeve kanë bërë që bashkitë të hasin vështirësi në vjeljen e pjesës që u takon nga renta minerare, duke humbur ndër vite shumë fonde të vlefshme për investime komunitare”. Në këtë përfundim arrin raporti mbi monitorimin e përdorimit të rentës minerare në dobi të komunitetit, i hartuar nga Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim (anëtare e Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, EITI), përmes një projekti të financuar nga Lëviz Albania. Monitorimi u realizua në Bashkitë e Bulqizës, Hasit, Patosit, Roskovecit, Urës Vajgurore dhe pati në fokus detyrimin e zbatimit te ligjit “Për Taksat Kombëtare” dhe udhëzimeve përkatëse, në bazë të të cilëve përcaktohet se 5% e rentës minerare, duhet të shkojë për bashkitë ku ushtrojnë aktivitetin kompanitë e industrisë nxjerrëse. Monitorimi u realizua përgjatë një periudhe 6-mujore, duke analizuar edhe të gjithë kuadrin ligjor që rregullon këtë fushë. “Gjithashtu, ne realizuam dhe një sondazh që kishte për qëllim matjen e perceptimit qytetar mbi njohuritë e banorëve të bashkive për rentën minerare, ndërsa më pas u bë monitorimi i bashkive përmes të dhënave zyrtare, takimeve dhe intervistave me krerët e bashkive dhe punonjësit e tatimeve në këto njësi të qeverisjes vendore”,-thotë Anila Hajnaj, drejtore ekzekutive e Qendrës, duke shtuar se gjatë monitorimit u zhvilluan dhe takime me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, të Tatimeve, Drejtorinë e Financave Vendore të Ministrisë së Financave etj.




RAPORTI
Pas përpunimit të të dhënave, raporti konstaton se për shkak të mosnjohjes të plotë të ligjit, bashkitë nuk kryejnë procedurat e plota për rakordimin e shifrave të rentës së mbledhur nga të gjitha institucionet qendrore apo rajonale të doganave apo tatimeve. Sipas legjislacionit në fuqi, ky është një proces i detyrueshëm në mënyrë që të lindë e drejta e përfitimit, ndërkohë që ka dhe nga zyrat përkatëse tatimore apo doganore që nuk kryejnë asnjë veprim nëse bashkitë nuk bëjnë rakordimin për shitjet e brendshme apo eksportet. “Gjithashtu, edhe Ministria e Financave nuk kryen asnjë transaksion financiar për të alokuar rentën përkatëse në buxhetet e bashkive sipas kontributit, nëse nuk konfirmohet informacioni nëpërmjet formularëve 8 nga bashkitë dhe 9 nga zyrat tatimore apo doganore”,-shtohet në raport. Nga ana tjetër, rezulton se ekziston një infrastrukturë e ngarkuar, e shpërndarë në shumë institucione kombëtare e vendore, e cila e ka bërë të vështirë mënyrën e përllogaritjes së rentës, mbledhjes dhe shpërndarjen e saj sipas ligjit. “Koha minimale e zgjatjes së procedurave është 4 muaj nga fillimi i rakordimeve deri në alokimin e rentës në buxhetin e bashkive. Ndërkohë që, të gjitha institucionet e përfshira në proces kanë zvarritje, duke neglizhuar në zbatimin e afateve të procedurave”,-thuhet ndër të tjera në dokument. Ndërkaq, një tjetër problematikë që haset ka të bëjë me shpenzimin e fondeve që arrijnë të alokohen, duke qenë se sipas legjislacionit në fuqi, ato duhet të shpenzohen për projekte që lidhen drejtpërdrejt me komunitetin. “Renta minerare, duke u alokuar brenda buxhetit të bashkive si pjesë e taksave vendore pa u veçuar dhe kushtëzuar, shkrihet dhe nuk mund të identifikohet se ku është investuar”,-thotë Hajnaj. “U nënvizua nga të gjithë, që sasia e rentës 5%, që duhet të rikthehet sipas ligjit nuk është aspak e mjaftueshme në raport me dëmet që pëson komuniteti nga shfrytëzimi i burimeve të tyre natyrore”,-shton ajo.

NDRYSHIME NË LIGJ
“Ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit është një nga problemet kryesore, me të cilin përballen aktorët gjatë procedurave të rakordimit për përftimin e rentës minerare”,- thuhet në raportin e monitorimit. Gjithashtu, sipas dokumentit, problem përbën dhe numri i madh i institucioneve të përfshira në këtë proces, padija e bashkive përkatëse për t’iu përshtatur kërkesave ligjore dhe reale të rakordimeve si dhe pamundësia e administratës tatimore dhe doganore, për t’iu përgjigjur në kohë detyrimeve ligjore dhe afateve të përcaktuara. “Këto probleme, dhe të tjera si këto, e bëjnë të nevojshëm rishikimin e kuadrit ligjor dhe gjetjen e instrumenteve efektivë për ta lehtësuar procesin nga barra e madhe burokratike”,- shprehet Hajnaj. Në një plan afatshkurtër raporti rekomandon që brenda sistemit të transfertës së rentës (95% për shtetin dhe 5% për bashkinë), alokimi të bëhet që në momentin fillestar kur bëhen transaksionet financiare të kompanive gjatë shitjeve të brendshme tek tatimet apo eksporteve tek doganat. “Kjo do të sillte një ulje të ndjeshme të procedurave burokratike”,-shpjegon Hajnaj. Ndërkohë që, rekomandohet “gjetja e instrumenteve efektivë për ta lehtësuar procesin nga barra e madhe burokratike si dhe rishikimi i rritjes së rentës nga 5%, në minimalisht 25%”. Ndërkaq, në drejtim të transparencës dhe informimit publik, kërkohet që të gjitha bashkitë të publikojnë në shifra dhe informojnë qytetarët e tyre për rentën e mbledhur dhe projektet e investuara me të. Gjithashtu, “bashkitë duhet të përcaktojnë projektet prioritare që do të investohen me rentën e mbledhur, në bashkëpunim me komunitetin dhe shoqërinë civile”. Ndërkohë që, të gjithë institucionet përkatëse si: të gjitha bashkitë ku shfrytëzohen burimet natyrore, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë apo Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore duhet të publikojnë informacion të hollësishëm për rentën minerare, qëllimin dhe shpërndarjen e saj në faqet e tyre online.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.