MILOSAO

Hapësirë me plasaritje të imta

12:50 - 07.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gjorgje Krajishnik – Letërsia shqiptare për ne, në hapësirën postjugosllave, mbetet ende një e panjohur e madhe. Raporti ndaj kësaj letërsie dhe i autorëve të saj ka qenë dhe mbetet i ngarkuar me bariera të llojllojshme politike, por edhe me mosinteresimin tonë absolut për të kuptuar kompleksitetin e jetës në këtë vend dhe orientimin kah kulturës së tij.
Qëndrimi i përgjithshëm i derisotmë ndaj kulturës shqiptare përbën një lloj marrie raciste, që vjen para së gjithash nga largësia gjuhësore, e reflektuar me dekada në letërsi, andaj tek ne kanë mbërritur pak materiale që të mund të zbulojnë atë çka pikërisht letërsia e një vendi në një farë mënyre të afërt për ne, me fenomene të këtilla, të jetë kaq larg nesh.




Avangardë letrare
Në të shkuarën lexuesit në gjuhën shtokaviane katëremërshe kanë pasur rastin të shohin letërsinë shqiptare para së gjithash përmes përkthimit të klasikut të kësaj letërsie, Ismail Kadare. Gjenerali i tij i ushtrisë së vdekur ka mbetur tek ne një nga krijimet më të njohura, që vjen nga kjo pjesë e botës.
Kompleksiteti i pozicionit politik të Kadaresë, jeta e tij parisiane dhe gjithçka që ajo ka sjellë me vete, e kanë bërë atë ndër të rrallët autorë, që kanë mundur të përcjellin diçka nga bota e mbyllur e regjimit të Hoxhës. Në kohët e reja kësaj mund t’u shtojmë edhe disa përkthime të autorëve kosovarë si Veton Surroi apo poeti Arben Idrizi, pa lënë jashtë përmendjes dramaturgët Doruntina Basha dhe Jeton Neziri, tekstet e të cilëve janë interpretuar në disa prodhime teatrore rajonale.
Ndonëse bëhet fjalë për krijime letrare, që në shumëçka i kapërcejnë kornizat lokale, ato gjithsesi nuk kanë ngjallur ndonjë interesim të gjerë në hapësirat tona.
Libri me tregime Shpinë burri i shkrimtarit Arian leka, botuar nga Partizanska knjiga, është përjashtimisht një krijim me vlerë dhe i rëndësishëm për të kuptuar atë çka sot letërsia shqiptare përfaqëson.
Arian Leka është autor që, në kontekstin europian, u bë i njohur pas hapjes së Shqipërisë dhe përfaqëson avangardën letrare, e cila ka për ushqim dominant shartimin e veprimit socrealist të kohës së Hoxhës. Ajo çka lë vrragë të qenësishme në kontekstin e të kuptuarit të këtij libri është fakti që kultura shqiptare në kohën e Enver Hoxhës ishte pothuaj tërësisht e izoluar.
Në aspektin letrar kjo gjente pasqyrim para së gjithash në kontrollin e rreptë të asaj që krijohej dhe botohej, çka prodhonte një kontekst specifik për zhvillimin e letërsisë e cila, në të çarat e sistemit, rendte e frikësuar drejt mundësive të ndonjë shprehjeje tjetër.
Leka, si shkrimtar, gjykuar nga mënyra e ndërtimit të tregimeve, e ka përdorur padyshim si ushqim të parë letërsinë socrealiste. Mirëpo si autor ai e shpërfill atë dhe dyshemenë e saj e ka shfrytëzuar për të zhvilluar stilin e rrëfimit i cili, jam i lirë ta them, sot përbën një nga markat më autentike autoriale në këtë pjesë të Evropës.
Ajo çka përmbledhtaz mund të merret si veçori bazë e tregimeve të Aria Lekës ndoshta gjendet në një fjali të tregimit të tij Terra Firma: “Gjithçka arriti kulmin. Fabula nuk zhvillohej dot më tej, ndaj duhej bërë gërshetë. Përdora teknika postmoderne-metafiksionin, pastisin, fiksionin dokumentar, shfrytëzova paranojën koletive dhe euforinë e masave, futa edhe diçka nga realizmi magjik dhe….”

Përgjatë gjithë librit Shpinë burri do të gjendet e alternuar formula e pikturimit të botës në prozë. Në këto tregime Leka sillet pandërprerë me regjistër të ndryshuar, eksperimenton me veprimin dhe gjuhën, duke i shpënë shpesh heronjtë e vet në situata krejtësisht absurde.
Të çudit, qoftë edhe në trajtën përkthimore, siguria me të cilën ky krijues zbërthen disa nga ngjarjet më traumatike të së shkuarës shqiptare dhe të sotmes, por edhe invencioni letrar që Leka servir në trajtimin e temave.
Shpinë burri na tregon padyshueshmërisht se Arian Leka është një autor ndërmjetësues, që e kapërcen dukshëm një kulturë të vetme, autor që me talentin dhe vrullin e vet hyn në aradhën e mjeshtrave të mëdhenj të kohës sonë.
Nëse do të flitnim për konturin tematik të këtij libri të Arian Lekës do të mund të përmendnim tri linja përmbajtimore që gërshetohen. Njëra syresh, e ngulitur thellë në Shqipërinë e postHoxhës, është pikërisht përplasja mes brezave, ndeshje që vjen pashmangshmërisht pas ndërrimit të një sistemi me një tjetër.
Kjo temë gjithsesi është deri diku familjare për lexuesit e hapësirës së Jugosllavisë së dikurshme, vetëm se Leka atë raport e ekzaminon mjeshtërisht në një sërë tregimesh. Autori merret para së gjithash me traumën e atyre që kanë përjetuar torturën e diktaturës së Hoxhës, por edhe të atyre që, të ndodhur nën trysni, lanë vendin. Sindromi i arratisë, i shpërnguljes dhe zbrazjes së Shqipërisë, në një numër tregimesh, shndërrohet në temë që sundon fatin e tyre.
Leka megjithatë nuk thurr tirada të angazhuara, nuk politizon. Ai gjurmon në këto hapësira më shumë dromca të së vërtetës dhe prej këtej tregimet e tij hyjnë në një hapësirë me plasaritje të imta, prej të cilave më pas del në honet e konvulsioneve universale njerëzore përballë mundimeve ekzistenciale.
Edhe pse përkthimi i një libri të vetëm nuk do të thotë zbulim i një letërsie të tërë, gjithsesi pa Shpinë burri do të kishim mbetur sot dhe këtu padiskutueshmërisht më të varfër me një zë të fuqishëm tregimtar.

Zbrazja e vendit
Tema e zbrazjes së vendit pas diktaturës mbetet në këtë kontekst interesimi më i fuqishëm artikuluar nga Leka. Tregimi Gjilpërat në kokë, për shembull, na rrëfen qartësisht përmasat e katastrofës së një shoqërie të mbytur në vite me dhunë. “Na kishte ardhur radha që edhe ne të ishim nga pak hebrenj. Gjithkujt, herët apo vonë, ka për t’u ardhur radha. Do të ndodhë… Në të vërtetë nuk ka pasur asgjë të shenjtë, por as edhe biblike në eksodin e shqiptarëve në fund të shekullit XX.”
Ngjashëm Arian Leka do të trajtojë problemin e largimit edhe në tregimin Lulet në ballkonin e tjetrit, ku heroi përshkon si fantazmë ambientet e zbrazura të të njohurve, që kishin ikur brenda natës, ndërsa në tregimin Pema, në një dialog mjeshtëror dhe përmes dëshmive të dhunimit të të miturit do të çohet në kulm përplasja komplekse e brezave dhe manifestimi i racizmit ndaj atyre që mbeteshin rrugëve të Evropës.
Temë e dytë e rëndësishme e librit Shpinë burri mbetet tematika e familjes. Kuadri social-politik i përshkruar do të reflektonte edhe në raportet brenda familjes.
Në këto tregime Leka arrin pikën më të lartë. Problemi i përplasjes në një familje tradicionale, bazuar në jetën fisnore dhe me norma të ngurta, me mbërritjen e kohëve të reja, flladit perëndimor, detyrimisht do të sillte ndryshime në strukturën e shoqërisë shqiptare, çka Leka e jep me sugjestion dhe saktësi prej mjeshtri.
Në tregimin Zogjtë e pikturave, skena ku babai, kryefamiljari, shfaqet cullak para trashëgimtarëve, përbën një kulm rrëfimtar, i cili shtresëzon thellë një siklet që ndryshoi me themel marrëdhëniet brenda familjes.
Kemi përnjëmend të bejmë me një metaforë të mrekullueshme të frikës familjare që mban larg njerëz, që duhej të ishin më të afërtit. Arian Leka në këtë tregim, sikundër edhe në tregimin e arrirë Brisku (i cili të kujton disi tonin e rrëfimit të Çamil Sijariç) tregon shembjen e familjes tradicionale dhe dhimbjeve që e pasojnë. Nga ana tjetër, çështja e dasmës dhe dashurisë, robërimit prej tyre në ato kushte sociale që ekzistonin, në tregimin me titullin e vëllimit Shpinë burri, i ofron lexuesit kujtesë elegante për atmosferën dhe detajet.
Përfundimisht, linja e tretë tematike që haset në tregimet e Arian Lekës ka të bëjë me eksperimentet letrare postmoderne. Ka plot shembuj në këtë vëllim, ku Leka orvatet të shpërthejë kornizat e tregimit klasik, duke hyrë në eskapada tekstore, të cilat janë tekanjoze dhe presin në besë logjikën e tregimit.
Gjithsesi ajo që shihet nga një manovër e tillë është që ky shkrimtar me një gjuhë të tillë mëton të gjejë hapësirë për ironi efektive, qoftë të pozicionit të vetë shkrimtarit, qoftë edhe të veprimit të dezintegrimit të tregimit.
Më mirë se kudo gjetkë kjo demonstrohet në tregimet Sekreti i jetëgjatësisë dhe Ftesa. Ndërsa veprimi postmodern në tregimin Krijim i Njeriut të Ri shfrytëzohet me synimin për të shpënë në absurditet çmendurinë nacionaliste të etnoinxhinjerimit dhe mitomanisë.
Arian Leka është autori që na ndriçon madhërisht kontekstin e letërsisë shqiptare. Ndonëse përkthimi i një libri të vetëm nuk do të thotë zbulim i gjithë letërsisë, gjithsesi, e nënvijëzoj, pa librin Shpinë burri do të kishim mbetur sot e gjithë ditën padyshueshmërisht më të varfër me një zë të fuqishëm tregimtar, i cili, në një formë a në një tjetër, me siguri na përket të gjithëve ne.

Përktheu nga origjinali
Astrit Beqiraj


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.