KULTURË

“Dritëhijet” e ish-Sigurimit, del revista e Muzeut të Përgjimeve

19:00 - 19.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – E zeza dhe e bardha të mpleksura me njëra-tjetrën. Mister dhe sekrete. Edhe brenda muzeut, tekstet e shkruara, panelet, diciturat dhe imazhet janë bardhezi. Sektorë me pamje, filmime, dokumente dhe fotografi, me dritëhije ku e zeza shërben si shenjim i misterit dhe i sekreteve që bart godina. Histori agjentësh, bashkëpunëtorësh, emra të fshehur e të zbuluar, viktima që kthehen në bashkëpunëtorë dhe bashkëpunëtorë që kthehen në viktima, përgjues e të përgjuar. Del për publikun numri i parë i revistës muzeologjike “Dritëhije”, një botim i Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”. Ajo u promovua të enjten dhe synimi i saj është të nxisë njohjen dhe studimin e periudhës së komunizmit shqiptar duke publikuar dhe shpërndarë fakte mbi regjimin diktatorial, mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, kontrollin e përndjekjen e qytetarëve si dhe probleme të muzeologjisë postkomuniste e të trashëgimisë kulturore. Drejtoresha Etleva Demollari tha para mediave se u zgjodh emri “Dritëhije” për shumë arsye. “‘Dritëhije’ na kujton pandashmërinë midis të zezës dhe të bardhës, qartësisë dhe errësirës, pozitives dhe negatives, njohurive dhe injorancës. Këto dy pole, dukshëm të papajtueshme janë në fakt të dënuara për të jetuar një dinamikë të përhershme të ndërlidhjes/opozitës, drita dhe hija. ‘Shtëpia me Gjethe’… Gjethe që e rrethojnë këtë shtëpi, mbulojnë dritën e diellit dhe krijojnë hije. Rreze drite që arrijnë të depërtojnë. Hije që zgjaten e përpiqen të mbulojnë sa munden”, tha ajo. Në këtë revistë që nisi dje rrugëtimin do të publikohen ngjarje, personazhe e figura historike kombëtare të veshura me dritëhije.
Vende, ngjarje e figura të fetishizuara e glorifikuara, të mohuara, të nxira, të anatemuara të cilat presin vlerësim të qetë e objektiv, mbështetur në dokumente e në logjikën e historisë, larg sajesave, thashethemeve e manipulimeve.




REVISTA
“Me anë të kësaj reviste kërkojmë shumë modestisht, falë kontributit të bashkëpunëtorëve tanë, studiues, historianë e dëshmitarë të kohës, muzeologë të hedhim dritë, dritë që buron nga kujtesa, nga dokumentimi i krimeve të diktaturës dhe totalitarizmit komunist, nga kujtimi i atyre që mundën të mbijetojnë e që davarit zezonën. Këtë mëshojmë të tregojmë me Dritëhije-n”, tha Demollari. Në botim gjenet një përpjekje për të treguar rolin e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në përkujtimin e dhunës gjatë regjimit komunist në kuadër të drejtësisë tranzicionale si muze, memorial dhe vend kujtese i një trashëgimie të vështirë dhe mënyrën se si mësohet mbi komunizmin në muze. “Rrëfimi në muze bëhet nga pikëpamje të ndryshme: Këndvështrimi i të dënuarve të regjimit komunist jepet përmes dëshmive gojore. Në dosjet dhe dokumentet e tjera arkivore të kohës jepet pikëpamja e Sigurimit mbi bashkëpunëtorët apo viktimat e terrorit komunist. Përmes tyre, në mënyrë të tërthortë mund të kuptohen dhe metodat që përdorte Sigurimi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve. Ndërsa nëpërmjet paneleve, diciturave, statistikave jepet pikëpamja e Muzeut. Muzeu duke shfrytëzuar të gjitha mjetet muzeografike dhe duke paraqitur këndvështrime të ndryshme jep një kontribut të vyer në diskursin aktual mbi të shkuarën, në njohjen e fakteve, në rivendosjen e dinjitetit të viktimave, në nxitjen e debateve të hapura midis padrejtësive të kaluara duke siguruar dhe një vend për reflektim”, – tha Demollari. Ajo falënderoi studiuesin Kastriot Dervishi, që ka qenë mbështetës sepse falë dokumenteve e dëshmive të siguruara prej tij, Muzeu ka mundur të realizojë ekspozita dhe aktivitete të ndryshme. Në këtë botim ai sjell një kontribut informues mbi veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit. Në të del në pah se si kalohej nga procesi agjenturor-operativ i fshehtë, përndjekja e fshehtë në procesin hetimor gjyqësor, ndjekja ligjore.

MATERIALET
Drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorian Koçi, i cili në revistë boton një material mbi tranzicionin kulturor në Shqipërinë e kapërcyellit të viteve ’90. Sipas tij, në mes të viteve ’80, me vdekjen e diktatorit Hoxha, ashtu si Hrushovi në mes të viteve ’50 me vdekjen e Stalinit, fillon liberalizimi i kontrollit total të Partisë së Punës duke inkurajuar fillimisht lirinë kulturore. Por, ndryshe nga Hrushovi që refuzonte vazhdimësinë totalitare të Stalinit, Ramiz Alia ishte i detyruar nga sfondi politiko-ekonomik i vendit dhe i Europës Lindore.
Në 1987 – Koncerti i Albanos dhe Rominës në Shqipëri- 2 këngëtarë të njohur italianë, të cilët kënduan e performuan rryma muzikore për të cilat kishte njerëz që ishin dënuar me burg theu tabutë e shijeve estetike të imponuara me forcë. Përmendet edhe botimi i romanit të Kadaresë “Koncert në fund të dimrit 1987” apo “Nata e Ustikës” 1989 ,që janë shembuj të fillimit të liberalizimit. Megjithatë Koçi vëren se ka sot mungesë të një etike të re kulturore. Boshllëku që ka lënë modeli i etikës marksiste ka krijuar kushtet për një etikë utilitariste, pragmatiste. Sfida më e madhe e kulturës shqiptare mbetet nxitja e hierarkisë së vlerave kulturore. Studiuesi i marrëdhënieve shqiptaro-gjermane Dr. Marenglen Kasmi ndalet te “Stasi dhe përvoja gjermane për hapjen e dosjeve”. Shënon se debati për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit përbën ndoshta një nga çështjet që ka ngacmuar dhe intriguar më tepër publikun shqiptar në këto 28 vitet e fundit. Sipas tij, në vendet e tjera të ish-Bllokut Lindor, dosjet e shërbimeve sekrete janë hapur. Modeli më i përsosur për hapjen dhe aplikimin e këtij procesi është ai i ndjekur në Republikën Federale Gjermane, ku me ligj është rregulluar regjistrimi, hapja, administrimi dhe përdorimi i dokumenteve të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit dhe organizatave para- dhe pasardhëse të saj në ish-Republikës Demokratike Gjermane. “STASI nuk ishte një shërbim i fshehtë i zakonshëm, por një polici sekrete me institucione paraburgimi, aparate hetimi, burgje, si edhe prokurorë e gjykatës të posaçëm. Detyra kryesore e STASI-t ishte sigurimi dhe ruajtja e pushtetit të Partisë në pushtet”. Ai veçoi se në mëngjesin e 4 dhjetorit të vitit 1989, dega e STASI-t në Erfurt u pushtua nga qytetarët, pasi u bë e njohur se po përgatitej zhdukja e dosjeve të STASI-t. Po në këtë ditë, banorët e Lajpcigut dhe Rostokut pushtuan zyrat e STASI-t. Për të ruajtur dosjet qytetarët krijuan Rojen Civile dhe Komitetet e Qytetarëve. Revolucioni paqësor gjerman mori përmasa më të mëdha dhe më 15 janar 1990 u pushtua nga qytetarët edhe qendra e STASI-t në Berlin. Kësisoj u sigurua së pari ndalimi i asgjësimit të dosjeve nga punonjësit e Sigurimit. Ajo që kërkonin demonstruesit ishte ballafaqimi i të interesuarve me këto dosje. Së pari më 2 janar 1992 u mundësua që qytetarët të kishin mundësi të shikonin dosjet e tyre. “Përvoja gjermane merret në shumë shoqëri me një të kaluar moniste si modeli i ballafaqimit të një shoqërie demokratike me të kaluarën diktatoriale të vendit. Hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në vendin tonë përben një sfidë jo vetëm në pikëpamje politike e juridike, por edhe profesionale. Për këtë arsye, njohja me përvojat e tjera, e sidomos atë gjermane, është një domosdoshmëri për kryerjen në mënyrë sa më transparente të këtij procesi”, vëren Kasmi.

Studiuesi Andrea Llukani boton në numrin e parë studimin “Ndihmesa e Theofan Popës për muzeologjinë shqiptare”. Shënon se Theofan Popa, teolog me një kontribut të çmuar në mbledhjen e mbishkrimeve dhe objekteve liturgjike kishtare, kundërshtoi prishjen e shumë kishave dhe bashkë me Gani Strazimirin, Aleksandër Meksin dhe Pirro Thomon shpëtuan rreth 120 kisha dhe manastire, duke u dhënë statusin e monumenteve të kulturës. Ai u demaskua publikisht dhe i biri iu arrestua për veprimtari armiqësore. Në fund është një material nga Tomor Aliko me temë “Pasqyrimi i burgjeve dhe kampeve të internimit gjatë regjimit komunist”. Trajton gjyqin e parë special më 1945, rrëfen si u eliminua truri i kombit shqiptar me vendime të gjyqeve speciale dhe ato ushtarake, varjet në litar, ekzekutimet, burgosjet. Tomor Aliko është njëri nga të mbijetuarit e regjimit komunist. Ai ka qenë njeri nga të rinjtë antikomunistë, i cili provoi torturat dhe tmerret në burgjet dhe qelitë e diktaturës për shkak të bindjeve të tij antikomuniste. “Me botimin e kësaj reviste kemi bërë një hap modest në ndriçimin e disa aspekteve të periudhës së regjimit komunist dhe të mënyrës së pasqyrimit të tij në muze. Botimet të tjera do të pasojnë e shpresojmë që do të kontribuojnë sadopak në davaritjen e hijeve që rëndojnë mbi këtë periudhë e mbi gjithë shoqërinë tonë”, tha Demollari.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Shtepia me gjethe,a e dini se e kujt ka qene?Prane saj,eshte edhe nje ndertese tjeter tre kateshe,ku kane qene disa ndermarje te tregtise se jashtme,si Albimporti,Makinaimporti,Exportalb,dhe Agroexporti.Te dyja keto ndertesa (vila te bukura),kane qene te doktor Gusho-s-vellait te poetit tone te madh Lasgush Poradecit ( Llazar Gusho).Doktori,i beri ato ndertesa,njeren per spital,ku do te punonte vete,dhe tjetren do e perdorrte si banese,per vehten.Ja morren dhe u perdoren per qellime shteterore,pa i dhene asnje kompensim,megjithese u ishte premtuar se do i jepej nje qera mujore,e cila nuk ju dha kurre.Doktori vdiq shpejt,por e shoqja,s’pushoje se bredhuri,nga nje zyre -tek tjetra,e percjedhur,bile dhe me perbuzje.Nga kjo sjedhje,jasht kultures dhe edukates se saj,pesoi tronditje mendore.Vinte ,e gjora,shpesh,sidomos ne ndertesen ku ishte tregtia e jashteme,se tek shtepia me gjethe,nuk e lejonin te hynte.Kedo qe takonte,ne ate ndertese,i kerkonte,qirane dhe kur shikonte qe nuk e prisnin mire,u thoshte :Mire,te pakten qirane fillojeni qe tani,nuk jua kerrkoj, qirane e kohes se kaluar.Koha kalonte e ajo vinte gjithmone e me rralle,me e dobesuar e natyrisht edhe me e plakur,deri sa nga mezi i viteve tetedhjete,nuk u duk me.

    Përgjigju ↓