KULTURË

Magjia e një festivali pasionesh dhe një mësim për ne

10:12 - 30.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Det, mal, sporte uji, sporte ajri, ‘jeep safari’. Muzikë dhe kinema nën hijen e ullinjve, ushqim fshatçe dhe një pastërti, që u ngjan ëndrrave në vendin tonë. Ai është festivali i pasioneve. Nëse ne kemi besuar se të rinjtë në vendin tonë nuk kanë pasione, nëse kemi besuar se hobi ynë më i madh është kafeneja, ky festival na tregon krejt të kundërtën: se i duam sportet dhe se i ushtrojmë ato. Na ka treguar se të rinjtë kanë një jetë përtej kafeneve dhe se kjo jetë është kaq afër natyrës. Nga Piluri më 2017-ën, në Borshin e këtij viti, “South Outdoor Festival” ia ka dalë të pushtojë jugun duke sfiduar çdo aktivitet argëtimi të mbajtur në vend. Arsyet pse SOF është mbreti i festivaleve është jo vetëm përmbajtja e tij por edhe organizimi. Nga datat 26-29 prill festivali ka përfshirë më shumë qindra turistë vendës dhe huaj, që kanë ndjekur sportet dhe aktivitetet e tij.




Të 40 aktivitetet krijuan mundësi të shumta për këdo, duke joshur grupe të ndryshme të rinjsh që kanë pasione të ndryshme. Por, në të katërta ditët fusha e madhe e Borshit ku qe vendosur festivali i ngjante një “fushe tenisi”. Pse? Sepse pas çdo vakti, një grup ‘milingonash’ mblidhte mbeturinat e lëna tavolinave ose nëpër bar duke rikrijuar gjelbërimin e fshatit. Nga mbrëmjet e zhurmshme kur kërcehej me “Elita 5”, muzika latine, Venera Lumani e Lind Islami, apo “All in band” në mëngjeset e hershme ku dielli depërtonte mes pemishtes, mes fijeve të barit nuk kishte më deri as bishta cigaresh të hedhura shkujdesur një natë më parë. Në të katërta ditët parkimi pranë fushës së SOF nuk la vend për kaos për të gjithë turistët që kishin udhëtuar nga Tirana a rrethet, jo vetëm sepse së pari ishte menduar për parking, por sepse në parking kishte sinjalistikë qarkullimi dhe një grup të rinjsh që koordinonin makinat në hyrje dhe në dalje. Me gjithë pijet që konsumoheshin, mes muzikës deri në orët të vona, nuk pati as incidente. Sepse një kompani ‘security’ ishte gjithë kohës në monitorim për të shmangur situatat e mundshme.

Fotot: Armand Habazaj

Dhe në fund disa makina policie qëndronin në rrugë për të siguruar rend. Ka shuma arsye pse ky festival është një mësim për ne dhe të gjitha përmblidhen në një frazë: dashuria për jetën. Të jetosh bukur, të jetosh me sporte, të jetosh shëndetshëm, të ushqehesh shëndetshëm, të mendosh për të gjitha grupmoshat, të mendosh deri edhe tek ambulanca. Dhe të mendosh se këto nuk janë përmbajtja e festivalit, por janë detajet që bëjnë diferencën në një vend ku festat lënë pas kaos, plehra dhe postera të grisur. 32 aktivitete të ndryshme të shpërndara përgjatë gjithë Bashkisë Himarë, bënë që shumë prej pjesëmarrësve të shtunën të zhyteshin në ujërat e Porto Palermoms dhe të dielën të ngjiteshin për në Nivicë përmes një rruge të pashtruar që ‘lidh’ Borshin me kanionet e Nivicës dhe malet e Tepelenës. Natyra a paprekur, rendja drejt lumit të çonte përmes një natyre pothuaj të pashkelur ku gjeje fshatin “e braktisur” mbi kanion. Fshati tashmë është rimodeluar duke rindërtuar në qendër të tij godinat e rëna, por duke ruajtur autenticitetin e tij me gurët e bardhë e zonës, shtëpitë një a dykatëshe. Nivica duket se po rigjallërohet teksa kanionet janë bërë sport i ndjekur në vendin tonë dhe shtëpitë e braktisura janë kthyer në bujtina për turistët që udhëtojnë edhe 3 orë nga Borshi për të provuar ushqimet vendase, djathin e deles, byrekun me lakër të egër mes barit të njomë  të pranverës. Fshati me historinë mitike ku gjendet dhe tempulli pagan i lisave, duket se rimerr jetë: qendra e tij i ngjan një kalaje modeste, ndërsa diku në fshat gjen edhe tyrbet, një kala e hershme, gjurmët e një qyteze antike  dhe grupe arkeologësh që po gërmojnë për të rigjetur lidhjet me të shkuarën.

Kthimi prej Nivicës nëpër Kuç e Çorraj të fsheh mes maleve derisa rinisë të shfaqet deti. Dhe Borshi është sërish aty me detin e fushën e ku dritat janë ndezur për një tjetër darkë të paharrueshme. Kënde të vogla kanë krijuar në fushë atmosferën e fshatit, diku janë prodhimet e zonës në panair, matanë drita të varura nëpër pemë, diku më tej vezët e Pashkëve dhe lepuri i madh për fëmijë e të rritur. Bari i thatë me dengje shërben si ulëse pranë tapeteve me motive  popullore, ndërsa në skenë sheh  grupin isopolifonik të Pilurit që mbledh rreth vetes të rinj e të moshuar; dikush për të dëgjuar e dikush për t’u fotografuar. Të këndosh rreth zjarrit, në një mbrëmje pranvere, të bësh joga në det, kur dielli sa ka nisur të lindë, e më vonë të shijosh “windsurfing, Sailing, Individual Sup, Sup Yoga, Sup Race, Jet Pack, Fly Board, Jali Adventure Point (Kayak, Stand Up Paddle). Të lyesh vezët e Pashkëve në grup, pasi je kthyer nga hiking, Climbing, Kayak, Paragliding a Scuba Diving. T’i afrohesh ‘mensës’ në natyrë, ku gjen mjaltë të zonës, qumësht e djathë të zonës, byrekë me peta të bëra në shtëpi apo agrume. Çfarë mund të ketë një festival më shumë se sa muzikë të mirë, filma të mirë, ushqim të mirë, organizim të mirë dhe një fshat si Borshi që mbledh për tri net e katër ditë qindra veta për të nisur sezonin turistik me një shembull të jashtëzakonshëm: të jetosh, të shijosh dhe të mbash pastër? Ky festival është festa e gjithçkaje që mund të shijohet në natyrë, sport, kulturë, traditë, muzikë dhe kulinari. Vendi i festivalit 400 metra nga bregu në të majtë të rrugës së shtruar që të çon në det.

“South Outdoor” është një nismë e GIZ, përmes programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale”, financuar nga qeveria gjermane. Tashmë në të tretin edicion, ai u përcolli 4 ditë të mbushura me aktivitete sportive e kulturore, muzikë, traditë, natyrë dhe kuzhinë tipike shqiptare. I njohur për potencialet agro-turistike, historinë, kalanë mbi kodër dhe ullishtat, sivjet aktivitetet kryesore u mbajtën mes malit dhe detit, duke lënë shumë ngjarje edhe për Jalën e Porto-Palermon. Organizatorët kishin rezervuar shumë adrenalinë për pjesëmarrësit me disa aktivitete: Trekking, hiking, mountain bike, scuba diving, ‘jeep safari’, kayak, stand up paddle, paragliding, ‘Hot Air Ballon’, ‘Trike Flying’, ‘Gara Stand Up Paddling’, ‘Sailing’, ‘Paddleboard Yoga’ si dhe ‘Individual Stand Up Paddling’.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.