AKTUALITET

Basha: Forca e qytetarëve në demokraci është vota. Asnjë hap pas

22:00 - 27.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Opozita e bashkuar ndryshon datën e protestës kombëta-re, duke e spostuar me dy ditë. Protesta nuk do të zhvillohet në 31 maj sikurse ishte njoftuar për shkak se është Nata e Kadrit, natë e bekuar për besimtarët myslimanë, por në 2 qershor, në orën 19:00 para Kryeministrisë. Edhe në protestat e mëparshme, kreu i opozitës, Lulzim Basha në momentin që përkonte me thyerjen e agjërimit, në respekt të besimtarëve myslimanë ka ndërprerë fjalimin politik, duke i ftuar protestuesit të luteshin për një minutë në respekt të vullnetit hyjnor. “Nisur nga fakti që data 31 maj është Natë Kadri, në respekt të besimtarëve myslimanë dhe nisur nga fakti që data 1 qershor është dita e fëmijëve, protesta kombëtare do të mbahet në datë 2 qershor 2019, ora 19.00, përpara Kryeministrisë”, – njoftoi PD-ja. Dy ditë më parë edhe kryeministri Rama vendosi ta shtyjë për në 1 qershor hapjen e fushatës elektorale, për të shmangur përplasjen me protestën e radhës së opozitës, që ishte parashikuar të mbahej në 31 maj. Ndërkohë, mazhoranca pritet të çelë zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit një ditë para protestës, në 1 qershor. “Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë”, është shprehur z.Rama.




Mesazhi
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, nuk i kthye dje përgjigje letrës së gjashtë të kryeministrit Edi Rama për dialog, por ftoi sërish shqiptarët në protestën e radhës së opozitës, e cila mbahet në 2 qershor, në orën 19:00. Slogan është thirrja “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. “Shqipëria, si Europa, 2 qershor”, shkruan Basha sipër spotit për protestën e opozitës. Po dje kreu i PD-së, Lulzim Basha, reagoi pas fitores së PPE në zgjedhjet për Parlamentin Europian, ku duke uruar presidentin Joseph Daul dhe PPE, z.Basha përmend se forca e qytetarëve në demokraci është vota, ndërsa thekson se, “beteja e shqiptarëve për votën e lirë është betejë jetike për vlerat europiane, për demokracinë perëndimore dhe për Shqipërinë si e gjithë Europa”. “Qytetarët europianë, me pjesëmarrjen më masive të 20 viteve të fundit në zgjedhjet për Parlamentin Europian konfirmuan vendosmërinë për të mbrojtur dhe çuar përpara vlerat europiane. Jam i lumtur që familja jonë politike EPP – European People’s Party është konfirmuar forca e parë në parlamentin dhe qeverisjen europiane. Urimet më të përzemërta për presidentin Joseph Daul dhe PPE dhe në veçanti për fushatën e jashtëzakonshme të kandidatit tonë për president të Komisionit Europian, Manfred Weber. Forca e qytetarëve në demokraci është vota, prandaj beteja e shqiptarëve për votën e lirë është betejë jetike për vlerat europiane, për demokracinë perëndimore dhe për Shqipërinë si gjithë Europa”, shprehet lideri i opozitës, Lulzim Basha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.