AKTUALITET

Rama insiston për dialog me Bashën: Të ulemi në tryezë pa kushte

21:00 - 27.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama e ka ftuar sërish dje kreun e opozitës Lulzim Basha që të ulet në tryezën e dialogut për të diskutuar zgjidhje për të dalë nga situata aktuale politike dhe për të mundësuar futjen e partive opozitare në zgjedhje. Ai dje i ka dërguar letrën e gjatë radhazi kryetarit të PD-së, duke i bërë të ditur se koha për dialog po mbaron. “Zoti kryetar, letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 qershorit. S’ka mbetur nga ana ime ndonjë gjë e rëndësishme pa shkruar në këto letra”, – shkruan Rama në letrën e vet ndërsa i bën të ditur në të njëjtën kohë se bashkë me kohën po shterojnë dhe fjalët që ai ka për të shkruar. Ai i kujton Bashës së dy vjet më parë opozita bëri sipas tij fiks të njëjtën gjë si sot dhe fiks për të njëjtat arsye: Paniku nga zgjedhjet dhe frika nga drejtësia. “Sivjet Ju i jeni rikthyer po atij avazi, por nga një nivel i ri papërgjegjshmërie, me mandate të djegura, bojkot zgjedhjesh dhe kërcënime për të ndaluar forcërisht popullin të zgjedhë në 30 qershor.




Përsëri frika nga zgjedhjet dhe paniku nga drejtësia, Ju kanë qorruar e shurdhuar dhe shtyrë në rrugën e një lufte imagjinare çlirimtare nga tirania!”, – bënte të ditur më tej Rama në letrën e tij. Por kryeministri shprehet se Shqipëria s’është në duart e asnjë tiranie, po në duart e një shumice të zgjedhur demokratikisht, për të qeverisur deri në vitin 2021. Më tej ai thekson se mbështetja e protestave po vijon të bjerë, ndërsa bën të ditur se opozita po gënjen veten për masivitetin e tyre. “Kjo gënjeshtër mund t’Ju mbajë me gajret edhe për ca kohë, Juve e lidershipin politik të grupimit Tuaj. Por besomëni që zgjimi nga ëndrra me sy hapur e largimit të qeverisë pa zgjedhje apo e moslejimit të zgjedhjeve, do të jetë shumë i dhimbshëm për atë grupim e për Ju si udhëheqësi i saj, nëse do të vijoni shurdhërisht në rrugën pa dalje, ku po marshoni verbërisht”, – shprehet Rama. Ndaj kreu i qeverisë nënvizon se opozita duhet të heqë dorë nga çdo shpresë për të larguar qeverinë dhe atë vetë me protesta, ndërsa i jep si mundësi që të futet në zgjedhje pikërisht uljen në tryezën e dialogut. “Unë Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim Dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkërisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po!”, – theksonte Rama në letrën e vet të gjashtë. Ai shprehet i sigurt se data e zgjedhjeve nuk do të shtyhet dhe se qeveria do të zbatojë deri në fund kontratën me qytetarët. “Jini i sigurt, zoti Lulzim, se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Kjo shumicë qeverisë do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësinë e saj edhe për të paktën dy vjet të tjera, kur i mbaron mandati i saj legjitim”, – deklaronte Rama në letrën e vet ndërsa i bënte të ditur Bashës se me këtë sjellje po pengon hapjen e negociatave. Në fund Rama paralajmëron edhe një ndërhyrje në ligjet e reformës në drejtësi, por duke vënë si kusht nëse për ti do të jetë dakord faktori ndërkombëtar dhe nëse palët japin konsensusin. “Vetingu dhe Reforma në Drejtësi do të vijojnë pa asnjë lëkundje, asnjë ndalesë dhe asnjë rishikim, për sa kohë koha nuk do të sjellë nevojën për ndërhyrje të mundshme në korpusin ligjor të drejtësisë dhe vetëm me konsensusin e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, – shkruante Rama.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.