OPINION

Mos shko or trim!

07:40 - 11.06.19 Andi Bejtja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale nga presidenti, në kushtet e bojkotit të opozitës dhe mungesës prej më shumë se një viti të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se një pjesë e militantëve fanatikë të Partisë Socialiste nuk kanë për t’u bindur kurrë juridikisht, duhet të jetë një festë për qytetarët normalë të këtij vendi, sepse në fund të fundit është një apel për normalitet dhe dialog.




Ky vendim është i barabartë me 1000 letra me titullin “kur do flasim”, në rastin konkret “kur do flisni”. Edhe pse ky vendim në vetvete e zhvendosi aksin e përgjegjësisë më shumë te mazhoranca se tek opozita, në qoftë se je dashnor i dialogut, nuk ka fare rëndësi në cilin pozicion ndodhet ky aks përgjegjësie:

Përgjegjësia bëhet zero kur ti ke vullnetin për t’u ulur dhe për të vënë bërrylat mbi tavolinë. Pra, në qoftë se ky vendim shikohet pa komplekse dhe pa paranoja, mund të jetë dobiprurës jo vetëm për njërën apo tjetrën palë të përfshirë në konflikt, por për të gjithë.

A, në qoftë se je dashnor ‘fake’ i dialogut, kjo është çështje tjetër.

Fatkeqësisht nuk u pa kështu nga kryeministri, njerëzit e të cilit edhe pse indirekt e akuzojnë presidentin për një veprim të ndërmarrë në emocion e sipër, u treguan vetë më emocionale se kurrë, duke reaguar më shumë si militantë partie se sa si shtetarë.

Të jem i sinqertë, pavarësisht se cili mund të ishte reagimi final, nuk e prisja që kryeministri të reagonte gjatë një takimi elektoral ‘live’, vetëm disa sekonda pasi presidenti kishte bërë publik vendimin: mund të kishte pritur dhe shpjegimin e sotëm, ta përtypte disi më mirë këtë vendim e pastaj të fliste.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur zëra në media dhe jashtë saj që janë shprehur se presidenti e ndërmori këtë akt unik për të shpëtuar opozitën, e cila po shkonte drejt dhunës. E rrjedhimisht, edhe zëra të tjerë që presidenti e bëri këtë akt si një apel të fundit për të mos shkuar drejt kaosit dhe destabilitetit.

Po ndërkohë, nuk kanë munguar dhe ato zëra, që e kanë parë këtë akt dhe si një përpjekjeje, le të themi edhe pse në thonjëza, për ta shpëtuar dhe vetë Ramën nga aventura e zgjedhjeve monopartiake, tunelit të së cilës nuk i dihet kurrë fundi qoftë për njërin, qoftë për tjetrin.

Ndaj jam i bindur se Ramës, qoftë si individ, qoftë si kryetar partie, qoftë si kryeministër, pas i këtij vendimi, nuk i hyjnë në punë as këshillat juridike, as ato politike, sepse edhe bërja nul e vendimit të presidentit apo qoftë dhe retorika e shkarkimit të tij në parlament, apo krijimi për një javë a dy i Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm do e bëjnë akoma e më shumë qesharak, por do e fusë në një rreth vicioz atë personalisht, po fatkeqësisht edhe Shqipërinë, nga i cili ai së pari vetë nuk do të dalë dot edhe sikur të rri me dorën shtrirë nga mëngjesi deri në darkë.

Sepse tashmë aksi i përgjegjësisë më shumë se çdo herë ndodhet mbi të. Dhe ia vlen ta përsërisim ai shpëton nga kjo përgjegjësi e madhe publike e morale, qoftë dhe sikur për sy e faqe të hiqet si dashnor i dialogut dhe të ulet në tavolinën e dialogut, qoftë dhe për disa minuta.

Edi Rama mund të dalë nga ky qerthull vicioz pa dëgjuar asnjë këshillë, vetëm thjesht të arrijë të përqendrohet disa minuta për të parë një skeç të vjetër të estradës së Tiranës “Trimi”.

Me pak fjalë, në këtë skeç, për ata që iu kujtohet si dhe ata që nuk iu kujtohet, tre pleq punësuan një djalë që e quante veten trim të bënte punët, të shkonte të vinte nga qyteti në fshat. Ia plotësuan të gjitha, i dhanë shumëfish, madje edhe paradhënie. Por, trimi nuk u ngop asnjëherë dhe kur pa një derë misterioze, që pleqtë e dinin se po të hyje, ngelje brenda e nuk dilje, edhe pse pleqtë në korr i bënin thirrje “mos shko or trim”, “mos shko or trim”, prej tahmasë, trimi e kaloi atë derë dhe ngeli brenda e nuk doli më.

Kolegu im Andi Bushati dhe disa të tjerë, për shkak të një teorie tjetër në lidhje me këtë çështje, duke qenë të bindur (ndoshta jo edhe pa të drejtë) se që dielli të shndrisë tamam një ditë, duhet që zullumi të shkojë deri në fund, jam i bindur që po lutet “Aman shko or trim…”.

Por, unë këtë herë do t’i bashkohem Presidentit të Republikës, që ka që të premten që po i thotë Ramës me letrat mbi tavolinë dhe jo me revole poshtë brezit, në mënyrë të përsëritur “Mos shko or trim”.

“Syri.net”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.