KULTURË

Organizohet Konferenca e III Mbarëkombëtare e Arkivistikës në Shkup

20:27 - 18.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, së bashku me Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut organizuan në Shkup Konferencën e III Mbarëkombëtare të Arkivistikës, pas konferencave pararendëse të zhvilluara dy vitet e fundit në Tiranë e Prishtinë. Kjo konferencë është një tentativë për të thyer kufijtë shtetërorë në fushën e arkivistikës dhe për të bashkuar të gjithë ata që ruajnë memorien kolektive kombëtare shqiptare, pavarësisht shtetit ku punojnë. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, dr. Ardit Bido vlerësoi se kjo konferencë mundëson rritjen e kohezionit kombëtar në fushën e arkivistikës dhe se Shkupi ishte mikpritësi i natyrshëm i radhës pas Tiranës dhe Prishtinës. Ai tha se arkivat janë tregues të civilizimit të një vendi dhe se vendet më të përparuara u kanë kushtuar shumë vëmendje arkivave.




“Ne sot jemi arkivat e së nesërmes dhe gjyshërit tanë dje janë arkivat e të sotshmes. Nëse ne respektojmë veten tonë, duhet të respektojmë veten edhe përtej momentit që do të jemi gjallë. Sikurse paraardhësit tanë, duhet të respektojmë kujtimet e tyre, duhet të respektojmë atë se çfarë kanë bërë ata në jetë dhe kontributin që kanë dhënë”, u shpreh dr. Bido.

Kjo konferencë, sipas drejtorit të ITSHK-së, Skënder Asani, do të ndihmojë në begatimin e arkivit të institucionit që ai drejton, për të hulumtuar historinë, duke u bazuar në dokumente. Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave në Kosovë, Ramë Manaj, tha se misioni i arkivave shqiptare është që të rrëfejnë historinë e përbashkët kombëtare. “Një popull, një histori. Një histori e cila, natyrisht në periudha të ndryshme ka pasur edhe dallimet e veta dhe veçoritë e veta dhe që natyrisht ka një shtrirje në të gjithë gjeografinë shqiptare. Një histori e gjatë dhe e bujshme, e cila për t’u pasqyruar drejt dhe në plotni, unë jam i mendimit se do të duhet të futet në arkiva, jo për t’u mbyllur, por që nga aty të eksplorohet me profesionalizëm dhe saktësi shkencore”, u shpreh Manaj. Në konferencë u paraqitën 26 kumtesa në lidhje me të drejtat e njeriut, informatizimin e arkivave, mendimin arkivor shqiptar, komunikimin dhe ruajtjen e dokumentacionit, pasurimin dhe bashkëpunimin mes arkivave. Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë bashkë arkivistët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe të tjerë arkivistë që punojnë apo studiojnë në fushën e arkivistikës. Konferenca u zhvillua në Shkup të Maqedonisë së Veriut e ku tashmë është kthyer edhe në traditë, pas dy konferencave mbarëkombëtare të zhvilluara në Tiranë dhe Prishtinë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.