MILOSAO

Jeta e vërtetë e shqiptarit “të zakonshëm”

22:17 - 07.07.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Dhimitër Anagnosti është një njeri i kulturës, arti i të cilit ka ndikuar dhe emancipuar breza të tërë shqiptarësh. Në fakt po të mbeteshim këtu për të do të flitej në kohën e shkuar, një dimension që ky krijues i nderuar ia ka vendosur punës së tij duke evokuar shumë e shumë realitete. Duke u larguar me kujdes dhe aq sa ka mundur po dhe me sa i është lejuar nga ideologjizmi i detyruar, ai ka dhënë nga punët më të mira të artit shqiptar, që mund të kundrohen dhe të respektohen në çdo lloj sistemi ekonomiko-shoqëror. Por, z.Anagnosti ka pasur edhe një dimension tjetër në krijimtarinë e vet dhe ky lidhej me aftësinë e tij të vëzhgimit, element që e ka ndihur jashtëzakonisht për të shënuar. Dhe, fryt i kësaj janë ato që më pas autori kur i ka hedhur në letër për të realizuar, krijimi letrar ka mbrujtur jo thjesht ngjarje, por përgjithësime mendimesh. Në shumë prej tyre ti shikon dashurinë e madhe të këtij artisti për shqiptarin e thjeshtë dhe hyjnizimi që i bën atij. Si një artist i mirë ka ditur mrekullisht të kuptojë aftësinë për të treguar dritë-hijen e sinqertë atë që i mungon një pjese të madhe të autorëve tanë, që mundohen me shumë përpjekje të tregojnë kohën.




Anagnosti e njeh shumë mirë kohën dhe dimensionin e hapësirës, por mbi të gjitha ka sensin e masës në shkrim, një sens që duket e ka mbrujtur nga një formim cilësor, por edhe nga profesionalizmi i lartë. Në rolin e narratorit ai e ka të lehtë të përshkruajë çdo gjë që e rrethon, por edhe të kapë atë që sytë e njerëzve të tjerë e kapin me vështirësi. Dhe, mbi të gjitha, ky autor di të abstragojë këndshëm. Ka pak njerëz që jetojnë me filozofinë, kurse në përgjithësi shqiptari nuk është një qenie mirëfilli filozofike, ndaj duket se Anagnosti ka një kujdes të madh t’i japë një lloj kumti filozofik çdo gjëje. Por, kujdes këtu. Ai është i vetëdijshëm, që një pjesë e subjekteve të skicave dhe krijimeve nuk mund ta çojnë kurrherë aty, ndaj ai përdor një humor të pastër, që shpesh rezulton i jashtëzakonshëm…Kjo i jep frymë krijimit por edhe e mban pezull lexuesin. Në një nga historitë tregon sesi në mes shumë shqetësimeve në një fluturim mbi oqean haset me një stjuart, që mban flokët gati pingul me portretin e vet. E kureshton fakti se djali, që i duket tejet simpatik të jetë aksidentuar diku. Teksa largohet nga avioni i bën përshtypje se djali është rreshtuar me stjuardesat duke bërë falënderimin rutinor. “Aksident?!-i thashë me një ton keqardhje.-Jo!-tha duke më shkelur syrin çapkën.-Më zbavit kureshtja e njerëzve”. Në një tjetër tregon historinë e dy të moshuarve të dikurshëm të fshatit të tij të lindjes dhe zakonet që kanë sjellë nga kurbeti. Mbyllja e historisë të bën të qeshësh realisht për mënyrën e zgjidhjes por edhe mësimin e thjeshtë të jetës, të cilin ai e ndan normal. Të gjitha historitë e tij janë të vërteta dhe autori e ka sfidën e vërtetë për të gjetur ngado të bukurën qoftë edhe tek gjëja më e zakonshme, aty ku të tjerët kalojnë indiferentë dhe fare të pavetëdijtur.


E veçanta tjetër është se po ta lexosh me kujdes ti has shumë elementë të përbashkët ose detaje, që të gjithë këtë mozaik të madh krijimesh e bën një masë e cila ka fjetur për shumë kohë në kokën e tij derisa është zbrazur, brenda kanoneve të drejta të krijimit…
Te “Ulliri, pema e dhimbjes” leksiku në disa momente ka ruajtur karakteristika të ndryshme dhe qëllimi ka qenë i mirëditur. Autori ka dashur që gjithçka ta bëjë sa më autentike. Interesante është edhe fakti se të gjithë këtë hapësirë që ka vepra e tij e paraqitur përmes gjinive të ndryshme ka shumë lidhje dhe me botën që e rrethon, duke i dhënë bashkëkohësi dhe vend personazheve të veta. Në një vend tregon historinë e jashtëzakonshme së të atit dhe si arriti të ishte gati një lucky-boy i një kampioni të madh amerikan të kohës, mënyrën sesi erdhi në vend, por edhe shumë detaje që bëjnë lidhjen skica me skicë. Ka një qasje shumë interesante në epigramat, që i paraqet si etyde ku paraqet më së miri shpirtin e tij në një dimension shumë lirik.
Është mirë që qasje të tilla vinë për shqiptarët sepse në një farë mënyre ato na sjellin edhe një lloj përfytyrimi të punës së autorit por edhe gjërave që ai vetë mbart…
Personaliteti i artit, Dhimitër Anagnosti, e tregoi veten dhe me këtë botim se çdo angazhimi, që i dedikohet di ta përcjellë cilësisht dhe me parametrat e duhur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.