AKTUALITET

Meta fton Ramën dhe Bashën: OSBE, gati të ndërmjetësojë krizën

18:00 - 13.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Presidenti Ilir Meta, i kërkon socialistit Edi Rama dhe demokratit Lulzim Basha që të heqin dorë nga lufta për pushtet dhe të mendojnë për zgjedhjet e 13 tetorit. Ilir Meta u kujton dy liderëve kryesorë të politikës në vend se ka ende kohë për t’i kthyer shpresën evropiane qytetarëve shqiptarëve. Madje, kreu i shtetit sjell në vëmendje deklaratën e bërë në 27 qershor të vitit të shkuar pas konkluzioneve të Këshillit të BE, i cili paralajmëronte politikën shqiptare se koha kalon shpejt dhe zgjedhjet vendore do të ishin një provim i vështirë për vendimin e negociatave. “Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqendrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet. Por ende kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t’i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019”, shprehet z.Meta. Nëse aktorët politikë nuk dëshirojnë që në rolin e negociatorit të jetë presidenti, atëherë Meta fton Ramën e Bashën që të shfrytëzojnë urgjent gatishmërinë e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e krizës.




Kjo ndihmë e ndërkombëtarëve, sipas presidentit, do të mundësonte jo vetëm mbajtjen e zgjedhjeve vendore në 13 tetor, por do të çonte edhe në arritjen e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore, në mënyrë që vendit t’i mundësohet në 18 tetor çelja e negociatave për në familjen europiane. Nëse kryeministri nuk dëshiron që presidenti të luajë rolin e negociatorit, Meta i ofron dyshes Rama-Basha ndërkombëtarët si palë për të ndërmjetësuar dialogun politik. “Duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore sa më parë”, theksoi presidenti i vendit. Të gjitha alternativat sipas kreut të shtetit janë në tryezën politike, por nëse mazhoranca dhe opozita kërkojnë alibi, atëherë sipas tij rrezikohet që vendi të izolohet nga familja evropiane. Duke sjellë në vëmendje ftesën e bërë në adresë të palëve në 27 qershor, kreu i shtetit thotë se askush nuk duhet të lodhet me justifikime e alibi. “27 qershor 2018. Ashtu siç kaloi një ditë, do kalojë dhe një vit.

Konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri. Ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian, ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE. Kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues, pasi edhe vetë Bashkimi Europian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim”, shprehet z.Meta.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.