AKTUALITET

1 muaj në Shqipëri me pushime, jam e dorëzuar mendërisht

10:44 - 02.09.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Tea Maneku




“Ky popull nuk ka asgjë për të humbur”

Sot u bë 1 muaj që kur jam kthyer në Shqipëri për të kaluar pushimet e verës. Ndihem e ezauruar dhe dorëzuar mendërisht. Kontakti i vazhdueshëm me familjarë edhe miq që ndodhen në situata jetësore absurde, të vuajtura, panevojshmërisht të komplikuara dhe mendërisht patologjike. Bashkëbisedimi me këdo është i vështirë, ankthioz edhe agresiv në formën me të zakonshme. Edhe pse portalet mediatike shqiptare i kam evituar nga rrjetet e mia online, psikozat dhe perversitetet sociale janë aty përditë, format e të cilës manifestohen duke filluar që nga momenti i parë që dal nga shtëpia për të marrë busin edhe të shkoj në praktikë. Për çdo dokument fillestar që më duhet hasem me institucione përtace, të korruptuara, arrogante, kriminele edhe poshtëruese.

Ka qenë e pamundur të bëj biseda që shkojnë përtej problemeve. Kjo është gjendja më e rënduar psiko-socio-ekonomike që kam përjetuar deri më tani nga Shqipëria. Ajo për të cilen më vjen keq më tepër është se brezat e rinj janë konformuar me korrupsionin edhe format me antisociale të interaksionit shoqëror. Askush nuk e ve në pikëpyetje sjelljen e vet edhe të reflektojë për opsione të tjera. Modeli estetik dominant që është i pranishëm me bollik në hapësirat e qytetit janë të rinj e të reja të mbiveshur, luks pa shije, në pamje të parë shtresë e mesme e lartë? Por fatkeqësisht ky nuk është realiteti faktik i Shqipërisë por thjeshtë një simptomë me qëllim mbulimin e një gjendjeje që në brendësi është e krimbur, e vuajtur dhe në mungesë kritike të drejtësisë sociale.

Modeli i autoritetit që është i gatshëm për identifikim janë një grup burrash të korruptuar, pa vizion, pa sens komuniteti edhe largpamësie, pa kulturën minimale të demokracisë, me komplekse të thella inferioriteti të manifestuara si tipare antisociale. Injoranca, individualizmi, patriarkalitet, marrëdhënie ndërfamiljare me tipare Kanunore janë realitet edhe përditshmëri e gjithësecilit tashmë. Në të tilla kushte identifikimi me pushtetin është bërë mekanizëm mbijetese por padiskutim i pajustifikueshëm.

Hapësirat e sigurta sociale në të cilat ke mundësi zhvillimi janë aq të pakta edhe aq të ndërlidhura me forma kapitaliste përfitimi sa janë dekurajuese edhe të papërfillshme për të gjeneruar ndryshim substancial.

Rezultati në një gjendje të tillë? Dëshirë edhe sakrifica marramendëse për t’u larguar. Braktisje e gjithçkaje për t’ia nisur nga zero-ja në vende me ligje që e bëjnë thuajse të pamundur integrimin edhe rehabilitimin e individëve që nuk janë pjesë e EU. Në të tilla kushte ky popull nuk ka më asgjë për të humbur, është në pikën që edhe nga dinjiteti i jetës është zhveshur. Paradoksalisht këto janë pikërisht momentet historike në të cilat mobilizimi i revoltës është i domosdoshëm për krijimin e avashtë të një fryme të re politike që duhet të këtë parim dhe kusht denoncimin e padrejtësive sociale. Unë kam shpresë…

1 Shtator 2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.