SHËNDET

Migena Kika: Traumat abuzive të kokës te fëmijët dhe dëmtimet në tru

18:00 - 16.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Migena Bedeni Kika – Termi shaken baby syndrome (SBS, sindroma e bebes së shkundur) është një formë abuzimi fizik me fëmijën dhe përbën shkakun e dytë të vdekjeve në fëmijët nën moshën 1 vjeç, pas sindromës së vdekjes së papritur tek fëmijët. Kapja e fëmijës nga supet dhe tundja e shkundja e tij bën që koka të ndërmarrë lëvizje rrotulluese. Efektet e këtij abuzimi janë më të rënda tek fëmijët, sepse koka është më e madhe dhe muskujt e qafës janë më të dobët. Kjo lloj tronditje që pëson truri gjatë shkundjes së bebit shkakton dëmtim të rëndë të tij, por mund të kemi edhe dëmtim të shtyllës kurrizore. Në raste të rënda efektet kombinohen me encefalopati ishemike hipoksike. Ndërkohë që thjesht tundja është e mjaftueshme për të shkaktuar dëmtim, në shumë raste kemi kombinim të tundjes me traumën ose vetëm efektin e traumës dhe termi “sindroma tundje-efekt- traumë, shaking-impact syndrome” është përdorur nga disa autorë.




Studimet
Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon termin traume abuzive e kokës ( abusive head trauma, AHT) që i përmbledh të dy efektet si tundjen e kokës, ashtu dhe ndikimin e traumës. Prandaj termi sindroma e bebes së shkundur shihet si pjesë përbërëse e AHT. Sindroma e bebes së shkundur nuk ndodh pas dëmtimeve insinjifikante apo manipulimeve të përditshme me beben. Duhet një forcë e madhe për të prodhuar dëmtim të trurit. Mund të vijë pas një episodi të vetëm ose pas abuzimeve të përsëritura.

Simptomat
Bebet me sindromën e bebes së shkundur zakonisht çohen në urgjencë me shenja klinike jospecifike si hipotonia, të vjella, janë si të hutuar, të irrituar dhe letargjikë dhe këto shenja mund të ngatërrohen me çrregullime të tjera. Një pjesë e madhe janë apneike dhe komatoze ose paraqiten në gjendje të vdekur që në lindje. Të mbijetuarit mund të kenë dëmtime trunore permanente. Diagnoza është e vështirë të bëhet vetëm nëse bëhet një ekzaminim fundoskopik dhe një survejim i hollësishëm. Sindroma e bebes së shkundur karakterizohet nga një triadë që përfshin encefalopatise, hematomat subdurale dhe hemorragjinë retinale. Hematomat subdurale janë të lokalizuara në fisurën interhemisferike ose mbi konveksitete dhe mund të ndryshojnë në varësi të moshës. Ato janë zakonisht të vogla fillimisht, por mund të zmadhohen më vonë ose të bëhen të dukshme hematoma të tjera ,kur truri atrofizohet në fëmijët që mbijetojnë.

Dëmtimet
Hemorragjitë retinale shpesh të mëdha dhe konfluente janë një komponent i rëndësishëm i sindromës së bebes së shkundur dhe kanë korelacion me gravitetin e dëmtimeve në tru. Mendohet që shkaktohen nga tundja e trupit vitreoz që tërheq retinën dhe çan vazat e saj delikate. Dokumentimi i hemorragjisë retinale me ekzaminim fundoskopik është një vlerësim klinik i rëndësishëm i sindromës së bebes së shkundur. Hemorragjitë retinale janë të pazakonta në dëmtimet aksidentale të trurit dhe shihen, por me frekuencë jo të lartë në pacientë me çrregullime hemorragjike, angiopati, sepsis, dhe në situata të tjera jotraumatike. Hematomat subdurale dhe hemorragjitë retinale janë tregues të sindromës së bebes së shkundur. Encefalopatia dhe vdekja vjen si rezultat i EHI- pathologjia kyçe në sindromën e bebes së shkundur, si dhe nga rritja e presionit intrakranial. Lëvizja nga njëra anë në tjetrën e kokës gjatë tundjes shkakton një stres të fortë në junksionin kraniocervikal dhe në pjesën e poshtme të trungut të trurit.

Në rastet ekstreme palca e kurrizit mund të ndahet nga trungu i trurit. Nëse ushtrohen forca të mëdha mund të dëmtohet funksioni i qendrave vitale në trungun e trurit duke shkaktuar apne centrale. Edema cerebrale që shoqëron EHI rrit presionin intrakranial dhe rëndon situatën e EHI. Dëmtimet e çarjet vaskulare nga tundja shkaktojnë hemorragji parenkimale mikroskopike ose më të mëdha. Infarktet e përhapura në mënyrë të çrregullt janë të zakonshme. Këto lezione i shtohen deficiteve neurologjike dhe rrisin më tej presionin intrakranial. Hematomat subdurale e rëndojnë më tej situatën, gjithashtu. DAD mund të prekë junksionin korteks-substancë e bardhë, korpus kallosum, kapsulën e brendshme ose trungun e trurit dhe kontribuon në encefalopati. Fëmijët me sindromën e bebes së shkundur kanë zakonisht dhe fraktura në brinjë, kafkë dhe fraktura të tjera, dëmtime në lëkurë dhe inde të buta, dëmtime të brendshme dhe shenja të tjera të traumës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.