KULTURË

Beppe Costa, poeti i revoltuar

16:30 - 23.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama – Beppe Costa është një poet që thotë se “unë linda në kohën e fashizmit dhe do të vdes mesa duket në kohën e fashizmit”. Të duket kontradiktore kjo për një italian të demokracisë së sotme, por fjala e tij është dëshpëruese në kohën e ekstremizmit të djathtë. Në fytyrën dhe trupin e tij duket se mbart gjithë dhimbjen e një populli që aspiron lirinë e vërtetë sociale, paqen sociale, ardhmërinë dhe fjalën e lirë. Është një pinjoll i Albert Kamysë, siç shihet dhe në librin e tij poetik “E kuqe, poezi dashurie e revolte”, është njeriu i revoltuar, poeti i revoltuar që edhe pse fizikisht, me pesë infarkte në zemër duhej që qëndronte në një vend pushimi diku, ai udhëton, madje vjen dhe shëtit nëpër Shqipëri, gëzohet për fytyrën njerëzore dhe rininë e këtij populli, udhëton me autobus gjer në Rahovec të Kosovës, ku poeti i shquar Fahredin B. Shehu ka organizuar Takimin e Pestë Internacional të poetëve ku janë poetë nga Amerika, Japonia, nga Irlanda, Slloveni, Shqipëria, Bosnja e poetë të Kosovës vetë. Në radhë të parë Beppe, ky sicilian që ka përjetuar Italinë moderne të pasluftës, me ngjyrat e zeza, të kuqe, rozë, të gjelbër etj., në themel të tij është një poet humanist. Gjithnjë kundër luftës, një poezi që ka përshkruar në vargjet e tij imazhet e një Pasolini dhe Fellini në të njëjtën kohë, të një Italie që e gjen dhe në poetët e tjerë të mëdhenj të pasluftës. Por Beppe është një zë më vete, origjinal, ku plekset lirizmi dhe tragjizmi, heshtja e thellë e homazhit të ustallarëve të botës dhe britma kundër dhunës, padrejtësisë. Beppe ka qenë dhe një botues i autorëve të shquar të romancierëve, filozofëve, dramaturgëve e poetëve të Europës. Shtëpia e tij botuese quhet “Pellicanolibri” (pelikanët lirikë të poezisë së tij, pelikanë ëndrrash e dëshirash). Një miqësi e ngushtë, siç më thotë ndërkohë që unë pi një verë të kuqe Rahoveci dhe ai një kafe, e lidhi me Fernando Arrabal, të cilin e shoqëroi në shumë qytete të Italisë, duke prezantuar veprën e tij të madhe në qytetet italiane nga veriu në jug. Dhe këtë e bënte me pak para, duke mbledhur fonde nga artistët e shquar, ku Monika Viti nuk nguronte të kontribuonte për një Arrabal apo për poetët e tjerë të mëdhenj. Ai ka botuar dhe Aberto Moravia, Gaston Bachelard, Manuel Vasquez Montalban, Naim Araidi, Dario Bellezza, Arnoldo Foà, Anna Maria Ortese, Gisele Halimi etj., vepra nga literatura realiste në atë magjike, feministë, “gay” etj., ku një simpati e veçantë ndjehet dhe për letrarët francezë e po ashtu “Vala e re” e kineastëve francezë me Godart, Troufau, Chabrol e Romer, aq të dashur për mua.




Me Beppe-n është kënaqësi të bisedosh, është si një i moçëm që gjithë urtësinë e botës duket se e ka në fjalën e thjeshtë që thotë modestisht. Por kur ngjitet në skenë apo kur del para nesh të lexojë një poezi, ai është një tjetër Beppe, ai të rrëmben me vrullin e tij, ku gjithë qenia e tij dridhet dhe sikur zëri i del jo nga goja, por nga thellësia e shpirtit. Dhe ai na harron, thotë vjershën e tij si të përballojë furitë e kohës apo si të përkëdhelë fëmijët e botës. Ishte fati që bashkë me poeten Olimbi Velaj, unë e shoqërova atë në disa vende të ndryshme të Rahovecit, së pari në Teqenë Halveti, rrëzë xhamisë së madhe të qytetit, në atë oborr shtëpie katër shekullore, ku baballarët e vjetër kishin gjetur një stelë romake me vilet e rrushit, pasi që në antikitet, ky vend prodhonte një rrush të mrekullueshëm. Ata e kishin gjetur nën tokë dhe e kishin vendosur në hyrje të teqesë, e krah saj dhe një amforë gjigande vere, ku padyshim legjionarët e Cezarit që ndiqnin Pompeun në atë kohë, drejt Farsales, e kanë shijuar atë verë, siç shijohet dhe sot, pasi kantinat e Rahovecit prodhojnë 50 milionë litra verë në vit: të bardhë, të kuqe, “rosé”… Por Beppe nuk e pi verën, pasi do ta ruajë zemrën për poezinë e tij. Pikërisht në oborr shohim vendin ku para masakrës së madhe në Rahovec, në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël, ku u vranë vetëm brenda një dite mbi 300 njerëz të pafajshëm, ishte vrarë së pari Babai i Teqesë. Por siç thonë, Baballarët e Teqesë nuk vdesin, edhe pse vriten. Pastaj ne shkojmë drejt Krushës së Madhe e të Vogël, pasi historitë e masakrave e plagosin zemrën e tij. Do të vish me ne dhe në Krushë? – i them. – Sigurisht! – thotë ai me atë kureshtjen e përhershme për të njohur Kosovën dhe tragjedinë e shqiptarëve aty. Varrezat e të vrarëve të Rahovecit janë tronditëse për të, pasi për një familje, siç ishte familja Hoti ishin mbi 15 varre të bardhë, po kështu me dhjetëra familja Ramadani etj.. Ka varre ku datat e shkruara pranë emrave janë pleq 85-vjeçarë apo fëmijë mbi dhjetëvjeçarë. Këta ishin kundërshtarët e paqtë kundër ushtrisë serbe, ishin lulëkuqet e brishta të fushës së Kosovës. Dhe Beppe mbyll sytë! Pëshpërit me vete! Kushedi ç’mallkim nxjerr! Beppes i dhemb zemra. Dhe ne vazhdojmë, në një perëndim të bukur me një dritë të praruar ari, ndalojmë në shtëpinë e Ukshin Hotit, me gjurmët e luftës, me çatinë e djegur, me bustin e tij në oborr, me pemën e mollës mbjellë nga ai dhe brenda thjeshtësia e atij njeriu, fotografitë e një biri të madh të Kosovës. Beppe shikon fotografitë dhe pastaj ulet të shkruajë një homazh për këtë tribun të lirisë. Beppe shkruan italisht dhe duhet ta lë atë homazh dhe në shqip. Beppe ecën ngadalë sikur ka mbi shpinë shtëpinë e Ukshin Hotit, sikur ka mbi shpinë një dashuri që i shpon atë trup delikat duke ndaluar në zemrën e tij që ende pulson. Pastaj, përballë xhamisë së Prizrenit, ai ulet të rrufisë kafenë e zakonshme të tij dhe të meditojë, gjithnjë duke vazhduar vargjet e tij. Udhën e përpjetë të kalasë nuk e merr dot, ah këto këmbë dëshpërohet ai, pasi do të pikëtakojë atje legjendat shqiptare dhe fytyrat njerëzore, të shkruajë për lumturinë. Dhe kështu, i ulur, ai dëgjon pas pak lutjen paqësore të fetarit dhe shikon sheshin aq të gjallë me ato vajza të bukura dhe shumë moderne çka bie në kontrast me xhaminë. Por kjo e gëzon dhe ai i harron të gjitha dhimbjet. E pastaj në kthim, poezi… lexojmë secili poezi në mënyrën e tij: amerikani, ky pinjoll i George Whittman në mënyrë hijerëndë dhe shumë poetike, japonezi Tendo Taijin është një spektakël më vete pasi të duket sikur je para një pjese teatrale Kabuki, ku aktori klith dhe bie në intonacione të ulta ku dëgjohet dhe frymëmarrja e tij; Anne Tanam nga Irlanda ka dialogun me prindërit e saj dhe fotografitë e kujtesës, të gjithë lexojnë nga bota e tyre e fshehur, tashmë e dukshme për të gjithë. Në sajë të Fahredinit, është një dialog poezish, kulturash, natyrash të popujve, të ndryshëm, temperamentesh… Peter Andrej nga Sllovenia i ka këngët në kitarën e tij, poet dhe kompozitor, çka na kujton Cohen apo Dylen, duke lëvduar se “përmes zërit të murit/ dëshira signer /flluska e kujtesën magma e fjalëve”; poeti nga Danimarka Poul Lyndggard Damgaard është një mugëtirë e bukur e kështjellave hijerënda të Danimarkës, Ali Al Ameri na tregon për “pyllin që zbret një ylber/ prej degëve lart…/, izraeljania Miriam Neiger-Fleischmann mbi “dërbimin”… “unë jam një poete e dëbuar në fushat e ngjyrës”… Ramiz Huremagic për “format e vdekjes, që mban format e fëmijërisë sime”; Olimbi Velaj për “kohën e kambanave sepse “vjen koha e kambanave me të vdekurit që psherëtijnë nën kostumet e zeza dhe lulet e thata…”; Jack Mçannn nga Dublin qe shkruan “Mos e vrisni dashurinë/ edhe pse ajo e han thelbin tuaj”, apo Martinovski aq gazmor që nuk e ndan kavallin e tij edhe kur shkruan poezi, pasi siç thotë ai “kur ti ke ikur, unë shndërrohem papritmas në një lule dielli pa diell…”.
Beppe, njeriu i revoltuar. Kamy (Camus) e dinte se si ai kishte poetë, shkrimtarë dhe artistë të shumtë të botës që ishin të revoltuar, pasi ata kërkonin ta bënin botën më humane, më bujare, më solidare, më të bukur, më të drejtë, më progresiste, më të paqtë. Këtë kërkon Beppe ende sa pa ikur nga kjo botë.
Kthehemi drejt Rahovecit jo larg rrjedhjes së Drinit dhe unë lexoj vargjet e një prej poezive të tij: “Edhe tani që hëna…”

Edhe tani që hëna
ç’vlerë ka nëse keni qenë atje
ajo ishte zhdukur tashmë.
Edhe tani që hëna është këtu, ju ku jeni
Dhe unë pyes veten nëse yjet po luajnë me ju
si dhe ju edhe unë pyes ende veten nëse në tokë
ku me vullnet keni shkuar është e njëjta hënë dhe i njëjti det
Edhe tani që hëna kthehet
nëse ndoshta kthehet, ajo do të kthehet ndryshe
ju nuk do të jeni më me mua,
hëna që s’ka dritë dhe yje në universet e shkuara,
unë shpesh kam menduar për ju
Por nuk gjej asnjë tjetër, më kot kërkoj
para se hëna të kthehet, derisa ju nuk jeni këtu.
Ju nuk jeni më dhe unë pyes veten nëse hëna bën dredhi e luan me gënjeshtra,
apo ka bashkëfajtorë ose tiranë dashurie,
hëna që nuk është atje.
Ndërkohë që unë këtu, jam ulur para pragut
ju shikoni një tjetër qiell, një tjetër det
e hëna s’është këtu
Ndërsa atje tej ekziston!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.