OPINION

Bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë në arsim

07:00 - 26.09.19 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe pse mungojnë të dhëna të sakta për përmasat dhe rezultatet e bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë në sektorin e arsimit, ekziston bindja e fortë se kapacitetet, hapësirat dhe mundësitë për këtë qëllim ekzistojnë dhe mund të shfrytëzohen më mirë. Për këtë, “Fondacionet e Shoqërisë së Hapur”, në Shqipëri dhe në Kosovë, po mbështetin zbatimin e projektit “Përmirësimi i bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë në sektorin e arsimit” që po zbatohet nga dy organizata, me qendra në Tiranë dhe në Prishtinë. Në fazën e parë, u analizuan marrëveshjet ekzistuese për bashkëpunim ndërshtetëror dhe ato ndërmjet institucioneve publike të Arsimit të Lartë (AL) në Shqipëri dhe në Kosovë. Njëherazi, janë identifikuar disa çështje dhe / ose procese me potencial që prodhojnë produkte të reja bashkëpunimi / përafrimi, për të cilët lexohet vullnet politik, ekziston kapaciteti institucional fillestar dhe nuk ka opozitë / rezistencë të fortë nga aktorët që preken nga vendimmarrjet. Në vijim, lexuesi mund të njihet me disa të dhëna kryesore, përftuar nga hulumtimet tona në këtë fazë të zbatimit të projektit.
Rrethanat historike kanë ndikuar që sistemet arsimore në Shqipëri dhe në Kosovë të zhvillohen ndaras njëri-tjetrit, ndërkohë që bashkëpunimi në sektorin e arsimit ka qenë i kohëpaskohshëm dhe i ndikuar fort nga faktorët politikë. Lidhjet e para në arsim u vendosën në vitin 1941, kur qindra mësues nga Shqipëria shkuan në Kosovë për të organizuar procesin mësimor në shkollat shqipe të sapo hapura. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pati një ndërprerje të gjatë të komunikimit që vazhdoi deri në vitin 1968. Në këtë vit, fillon bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës që rezultoi me shkëmbime të shumta të stafit akademik dhe kërkimor, nga të dy anët e kufirit, deri në vitin 1981. Më pas, pasoi një dekadë e ndërprerjes së plotë të komunikimit Kosovë-Shqipëri, sepse autoritetet e atëhershme jugosllave e vlerësuan bashkëpunimin si faktor që ndikonte në krijimin e ndjenjave nacionaliste dhe irredentiste tek shqiptarët në ish-Jugosllavi.
Në vitin 1992, fillon një fazë e re bashkëpunimi. Shqipëria zgjodhi rrugën euro-atlantike të zhvillimit, ndërsa Kosova krijoi sistemin paralel të arsimit, për t’i mbijetuar dhunës serbe. Përkundër shtypjes së egër shtetërore që ushtrohej në Kosovë në periudhën 1992-1999, u publikuan tekste shkollore të përbashkëta, u punua në harmonizimin e programeve mësimore, si dhe u rivendos bashkëpunimi akademik në sektorin e Arsimit të Lartë (AL). Prej qershorit të vitit 1999, kur trupat e NATO hynë në Kosovë dhe përfundoi lufta me Serbinë, bashkëpunimi mes institucioneve arsimore nga Kosova dhe Shqipëria zhvillohet në mënyrë normale, pa formalizëm të tepruar, por edhe pa pritshmëri të larta.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nisur nga vitin 2010, janë nënshkruar gjashtë 6 marrëveshje bashkëpunimi ndërshtetërore dhe shumë marrëveshje mes institucioneve të AL.
(1) “Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës”, nënshkruar më 8 mars 2010. Bashkëpunimi për AL dhe kërkimin shkencor është formalizuar me disa marrëveshje të nënshkruara nga institucionet e AL, si marrëveshje kornizë dhe të përgjithshme që promovojnë të njëjtat qëllime. Bazuar në të dhënat e grumbulluara përmes intervistave me zyrtarë të ministrive dhe përfaqësues të IAL-ve publike, në Shqipëri dhe në Kosovë, mund të kuptohet që nuk ka bashkëpunim të ngushtë dhe thelbësor mes institucioneve të AL.
(2) “Marrëveshja e bashkëpunimit për unifikimin e kurrikulës së sistemit arsimor parauniversitar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, nënshkruar më 3 qershor 2014. Dy vendet tona kanë unifikuar strukturat e sistemeve arsimore dhe kornizat kurrikulare të Arsimit parauniversitar (APU). Po ashtu, janë hartuar kurrikulat bërthamë për arsimin bazë dhe të mesën të lartë në Shqipëri që kanë afërsisht të njëjtat rezultate të nxëni me ato të Kosovës. Të dy vendet kanë hartuar dokumentin e standardeve të teksteve shkollore për APU, me kritere të përbashkëta për vlerësimin dhe certifikimin e teksteve shkollore. Në kuadër të unifikimit të kurrikulës, janë organizuar takime dhe tryeza pune mes dy palëve ku janë dizenjuar produkte cilësore kurrikulare etj. Përmirësimit mund t’i shërbenin gjithashtu krijimi i grupeve të përbashkëta për hartimin e kurrikulave të përmirësuara, si dhe grupet që vlerësojnë zbatimin e dokumenteve kurrikulare (specialistë nga RSH vlerësojnë zbatimin e dokumenteve kurrikulare në RK dhe anasjelltas) etj.




(3) “Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet MAS dhe MAShT për bashkërendimin institucional për përparimin dhe zhvillimin profesional (ZhP) të mësuesve në arsimin parauniversitar”, nënshkruar më 23 mars 2015. Dy vendet kanë krijuar grupin e përbashkët për ZhP të mësuesve në APU. Grupi ka realizuar takime në Shqipëri dhe Kosovë për shkëmbimin e informacioneve në këtë fushë. Njëherazi, janë shkëmbyer skemat e trajnimeve përkatëse dhe materialet gjegjëse. Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZhA) në Shqipëri ka hartuar paketën e plotë të moduleve të trajnimit për kurrikulën e re me kompetenca dhe e ka diskutuar atë me kolegët nga Kosova. Po ashtu, IZHA ka bashkëpunuar me ministrinë e arsimit në Kosovë (MASHT), veçanërisht, për dokumentet e kurrikulës se re, për vlerësimin e nxënësit, procesin e hartimit dhe të përzgjedhjes së teksteve të reja, sipas koncepteve metodologjike të kurrikulës së re. Megjithatë, dy vendet nuk kanë arritur ende të përmbushin zotimet për krijimin e skemave / moduleve të përbashkëta të trajnimit, për çka ka ndikuar edhe mungesa e një buxheti të planifikuar etj.

(4) “Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet MAS të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe MAShT të Republikës së Kosovës për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë”, nënshkruar më 23 mars 2015. Në kuadër të Marrëveshjes, janë ngritur 4 grupe pune të përbashkëta. Për unifikimin e teksteve mësimore është ngritur komisioni i përbashkët për përzgjedhjen dhe miratimin e teksteve të përbashkëta. Shteti shqiptar ka furnizuar me tekste falas diasporën, në bazë të kërkesave të paraqitura përmes ministrisë për punët e jashtme. Nga buxheti i ministrisë shqiptare të arsimit përdoren mesatarisht 3-5 milionë lekë të reja në vit për tekstet shkollore që dërgohen për shkollat e mësimit plotësues në diasporë. Në anën tjetër, ministria kosovare e arsimit ka përgatitur 3 tekste shkollore dhe 19 fletore pune për mësimin e gjuhës shqipe. Tekstet janë përgatitur nga 5 autorë nga Kosova dhe 5 autorë nga diaspora që janë publikuar në Web faqen e ministrisë. Gjatë viteve 2010-2013, janë trajnuar mbi 200 mësues për punën me tekstet shkollore me mbështetjen e Fakultetit të Edukimit të Cyrihut etj.

(5) “Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet MAS të Republikës së Shqipërisë dhe MAShT të Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor”, nënshkruar më 23 mars 2015. Në fushën e hartimit të politikave arsimore vërehet se marrëveshjet ndërshtetërore nuk reflektohen në planet e punës së ministrive dhe të institucioneve të ngarkuara për zbatim dhe në strategjitë afatgjata të sektorit të arsimit dhe shkencës. Në synimet strategjike nuk ka të parashikuara një objektiv dhe veprimtari të veçanta për bashkëpunimin, sikundër ka të tilla për tërheqjen e studiuesve nga diaspora. Mes njësive akademike të institucioneve të AL, në kuadër të njohjeve personale, janë zhvilluar shkëmbime në nivel të konferencave të përbashkëta. Nga shumica e institucioneve publike të AL në Kosovë pranohet se, rastet më të shpeshta të bashkëpunimit në angazhimin e profesorëve me kohë të pjesshme nga Shqipëria, janë në fushën e bujqësisë dhe shumica e aktiviteteve dhe shkëmbimeve kanë në fokus procesin mësimor, jo kërkimin shkencor. Në fushën e kërkimit shkencor, të dy vendet kanë shpallur për herë të parë thirrjen për projekte të dyanshme Shqipëri-Kosovë, e hapur në afatin 15 maj-15 gusht 2019, me të cilën planifikohet të mbështeten 10 projekte etj.

(6) “Protokolli i bashkëpunimit shkencor-teknologjik ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit së Republikës së Shqipërisë”, nënshkruar më 7 maj 2019. Me qenë se protokolli sapo ka filluar të zbatohet, ende nuk kemi të dhëna.
Në nëntor të vitit 2016, Kosova ka aprovuar ligjin për profesionet e rregulluara, duke ndjekur thuajse plotësisht modelin e legjislacionit të Shqipërisë në përcaktimin e kushteve dhe kritereve për ushtrimin e profesionit që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit publik. Në këtë drejtim, për të konkretizuar bashkëpunimin ndërmjet strukturave përkatëse në nivel ministrie për ofrimin e asistencës teknike për Kosovën, Shqipëria ka ngritur një grup pune për zhvillimin e kësaj përvoje ligjore në të dy vendet. Ndërkohë, pritet të zyrtarizohet grupi i punës në Kosovë.

Përmirësimi i bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë në sektorin e arsimit, sipas nesh, vlen të konsiderojë që shoqëritë e të dy vendeve tona po evoluojnë dhe po përgatiten për të sfiduar devijimet që i kanë pështjelluar jo pak në kohët që lamë pas. Që ky proces të ndihmohet, duhen riorganizuar mjaft elemente të sistemeve tona, duke ripërcaktuar qartë qëllimet arsimore, përparësitë e reja dhe strategjitë gjegjëse. Kjo kërkon nga të gjithë ne që, më së pari, të zhvillojmë një vizion imponues për arsimin kombëtar, ta komunikojnë atë me pasion dhe të mundësojmë që të përmbushet në të gjitha nivelet e sistemeve tona arsimore. Sepse arsimi është një nga kapacitetet kyçe me të cilin qytetarët e të dy vendeve mund të ndryshojnë dhe gëzojnë jetët e tyre.

Tiranë, më 25/09/2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.