MILOSAO

Të shijosh letërsinë e vërtetë të Tokarçuk

18:00 - 07.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Shijen e parë ose njohjen e Tokarçuk e kisha marrë në aeroportet e ndryshme të Evropës, kur emrin e saj, përkthyer në gjuhë të ndryshme, e hasja shpesh në raftet e botimeve me reklamën që duhej marrë. Por çmimi “Man Book Prize”, një nga më të njohurit sot në Botë sa i përket cilësisë së vërtetë të artit, do të shkundte publikun që mendon se sot nuk ekziston letërsia, kur ia blatoi asaj një nga edicionet. Dhe IDK, një qëmtuese e botimeve të mira, nuk vonoi për ta na e sjellë në ditët e fundit nën përkthimin e Astrit Beqirit, përkthyesit më të njohur sot të polonishtes, librin me tregime: “Sonatë për shumë tamburë”. Olga Tokarçuk, një sfidë e kahershme e Beqirit për letërsinë polake zë vend tashmë mes autorëve të tjerë të njohur nga ky vend. Më shumë se çdo gjë tjetër nga Tokarçuk, lexuesi duhet të vlerësojë faktin se kap prirjen e sotme të letërsisë bashkëkohore. Po, nga ku më mirë se Polonia mund të vinte ky kumt. Në vendin e saj dhe të Sienkeviç, Rozeviç, Shimborskës, Czeslav Milosh e shumë të tjerëve po kaq të njohur, probabiliteti i daljes së autorëve është i kuptueshëm pasi masiviteti dhe emrat e krijimit dhe përcjelljes së letërsisë së mirë janë sistematike.




Tokarçuk tashmë e ka provuar veten të jetë një nga shkrimtaret dhe mendimtaret më të mëdha të Evropës sa i përket plazmimit në letërsi. Librat e saj të përcjellin kënaqësi jo vetëm për narrativat e tyre bindëse që ajo i përdor natyrshëm, por edhe për mesazhet e tyre të drejtpërdrejta morale dhe filozofike. Këtyre u shtohet edhe angazhimi i saj për të eksploruar temat e feminizmit, botën e brendshme të qenies së sotme të vetmuar, të gjitha ndjesi të cilat të grishin për të lexuar por edhe për t’u përfshirë. Tek e fundit, je dhe vetë një nga personazhet e saj. Jo shumë direkt, por edhe në këtë libër gjen mesazhet e sotme që shkojnë me sferën e klimës politike bashkëkohore për shkatërrimin mjedisor. Një dimension që realisht e bën një aktiviste të nderuar.

Por duket se ka një avantazh më të madh nga shumë kolegë të saj shkrimtarë në psikologji, ku nuk kuptohet realisht nëse e ka prej formimit të vet apo dhuntisë personale për të hulumtuar. Kështu, në librin e ardhur në shqip me titullin “Sonatë për shumë tamburë” realisht kupton në përcjelljen e kujdesshme të shumë tregimeve dhe novelave se deri-ku ka shkuar sot cilësia e letërsisë së vërtetë. Ajo i ndërthur natyrshëm situatat për të cilat ndërton narracionet e duhura ndërsa para se të fillojë çdo subjekt duket se i peshon në një filtër mirëfilli psikologjik. Ndoshta filozofia nuk është dega e saj e preferuar por çdo subjekt ka vërtetë sinteza filozofike, ku rrëfimi i saj i brendshëm duket i përkryer. Guximi i saj është i këndshëm për të sfiduar dhe madje duke përshkuar direkt hapësira ku përballet kultura dhe aftësia e perceptimit. Dhe ajo bën plane të kujdesshme dhe në kompozicion, pasi ka një sens mase, ku asnjë paragraf nuk mundet t’i shmanget platformës së saj: “në një numër kaq të madh planesh edhe ndryshimi më i vogël i perspektivës mund ta ndryshonte aq shumë këndin e shikimit, saqë të të jepte një kuptim krejt të ri të skenës”. Grazhdi dhe Çe Guevara të mbërthejnë dhe t’i kupton përmes paradoksit të kohëve kontraste e sotme, ku ajo nuk mbetet aspak e pavëmendshme qoftë edhe ndaj detajeve që duken më të largëta. E mbi të gjitha qendra mbetet Polonia, ky vend i mrekullueshëm që na vjen nga përshkrime tërthore.

Astrit Beqiri, përkthyesi i një sërë autorësh të një vështirësie jo të vogël, ka djersitur jo pak. Kjo për kadencën e gjuhës, thyerjen, por më shumë mesazhet e pjesëve që shpesh përgjithësohen për ta bërë letërsinë e saj ashtu si është: një të tillë botërore. Ndoshta është përballja e tij më e vështirë që rezulton sërish e suksesshme
Tokarçuk është e dhënë shumë për sfidën që ngjall gjinia e saj, ndaj në vepër personazhet femra dhe bota e tyre mbulojnë një hapësirë bajagi të madhe. Një pjesë e shqetësimit kryesor të Tokarçuk shkon edhe për domosdoshmërinë e përdorimit të gjuhës me kujdes, por edhe aty dilema e saj i bashkëngjitet mënyrës në të cilën “mendimi shoqëror i njerëzve është i brishtë” dhe se “përvoja ime shumë e thartë dhe e hidhur është se ne jemi aq të dobët ndaj një të tillë manipulimi”. Ko që lidhet me botën e sotme dhe mesazhet e saj. Në fakt, është shkrimi i vet, që duke u mbështetur në pasqyrimin e saj të aftësisë së njerëzve të prekur, ofron një lloj presioni të fortë dhe të palëkundur ndaj manipulimeve të tilla.
Dhe, shpërthimi saj, bash ajo që e bën kaq të veçantë, nuk rresht. Në një nga pjesët, do të na thotë se: “Dirigjojnë historinë, tërheqin fijet, na i bëjnë trutë dhallë, na urdhërojnë të shohim atë që dëshirojnë-dhe ne e shohim. Na imponojnë fraza të gatshme-dhe ne i përsërisim. Na detyrojmë të besojmë diçka që nuk ekziston de të mohojmë atë që duket sheshit…”. Në disa lexime mund të kundrosh edhe një tis cinizmi që e çan ftohtësinë natyrore të vendit të saj, por që duket i nget shumë dhe vendet e tjera veriore të kontinentit. Anglia më së shumti.

Është e këndshme, kur ajo kap sensin e sotëm që është prezantuar sot përmes një autori të jashtëzakonshëm, bashkëvendasi të saj. Sociologu i famshëm Bauman i sapopërkthyer në shqip e quan “Moderniteti i lëngët”. “Ajo që është shkëputur nuk mund të ngjitet përsëri. Braktisni të gjitha shpresat e tërësisë, së ardhmes dhe të së kaluarës, ju që hyni në botën e modernitetit të lëngët”. Duket se ky autor e ka shkundur dhe më vonë latuar mendimin e Tokarçuk por edhe ka ndikuar si pakkush tek ajo, të paktën për një sistem të menduari: “Një sistem të të menduarit që nuk do të ishte zyrtar në një farë mënyre, një sistem alternativ i mirëkuptimit”. Bash në atë ndryshueshmëri të vendit të saj, lëvizjes së vazhdueshme të kufijve, na përshfaq idetë e veta politiko-filozofike: “Kjo mitologji e lëvizjes së kufijve është shumë e fortë në familjen time – a mund ta imagjinoni, gjyshja ime lindi pranë Lvovit, e cila tani është Lviv në Ukrainë, dhe, duke jetuar në të njëjtin vend, shtetësia e saj ndryshoi tre herë? Ajo ishte Austro-Hungareze, Sovjetike dhe Polake”. Bauman na përcjell në një rrafsh tjetër, atë që Tokarçuk e derdh në letërsi për identitetin, por këtë herë duke përshkruar perceptimin e një letrari të madh si Milan Kundera. Në një ese të kohëve më parë Milan Kundera shkruan për dualitetin e identitetit, kurse autorja shton: “Një francez, një rus ose një anglez nuk është mësuar të bëj pyetje për mbijetesën e kombi i tij Himnet e tij flasin vetëm për madhështi dhe përjetësi. Sidoqoftë, himni polak fillon me vargun, “Polonia ende nuk është shuar …” . Po vërtet kjo gjendje ka përcjell një letërsi ndryshe. Neve na mbetet të përsërisim: Pse Polonia pjell gjithnjë letrarë si ajo? Në fakt, kjo ndjeshmëri përcjell mundësi të reja për letërsinë, duke lindur forma origjinale të Realizmit Magjik dhe Surrealizmit apo formave të ndryshme të Modernizmit, që shkojnë deri tek Tokarçuk vetë.
Një gjë interesante do të ishte nëse ndonjëherë do të arrihet të pyetet Tokarçuk për atë që mendon sesi mund të vijë vepra e saj në përkthimin shqip! A e vret përkthimi shqiptar? Për mendimin tonë, Beqiraj jo vetëm ka ruajtur kadencën e saj, por të befason me leksikun dhe sidomos me detyrat e zgjidhura të përkthimit, që e afrojnë stilin e saj. Në fakt, është luks për Tokarçuk të njoh ato dhjetëra gjuhë në të cilat përkthehet, porse për një gjë mund të jetë e qetë: Autorja polake vjen këndshëm në shqip, sepse siç thotë në një intervistë të saj: “Unë do të thosha që jam një person që mendon. Të mendosh për mua do të thotë të bësh pyetje të drejta, pyetje paradoksale, të marrësh kuriozitetin e jetës së përditshme”. Dhe një njeri që mendon duhet të besojë te përvoja. Por, kjo përvojë e Tokarçuk nuk është e një njeriu në mesin e moshës, por një njeri që mbart në vetvete një trashëgimi të tërë.
(Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.