MILOSAO

Poezi nga Faslli Haliti

18:00 - 14.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ky cikël është botuar në vitin 1971 tek “Nëntori”, organi më i rëndësishëm i asaj kohe. Këto poezi ishin disa prej atyre që do e penalizonin autorin. Për të gjithë ata që dyshojnë, ishte e vështirë që të ikje edhe deri këtu me regjimin…




Nga FASLLI HALITI

DJALË “ I MIRË”

Ai qenka djalë i mirë
Unë qenkam djalë i keq.
Ti këte ma thua shpesh.

Pse shoku shef?
Pse – “po”
Pse : “mirë”
Pse : “ urdhëro!”
Të thotë ai ty shpesh
Kur ti ke dhe s’ke të drejtë?

Pse të ngrihet në këmbë
Kur ti e pyet këmbë përmbi këmbë,
Kurse unë të përgjigjem këmbë përmbi këmbë,
Kur ti më pyet këmbë përmbi këmbë?

Pse duart nga xhepat ai i heq
Kur ti me duar në xhepa e përshëndet,
Kurse unë të përshëndes me duar në xhepa
Kur ti me duar në xhepa më përshëndet?
Për këtë ai qenka djalë i mirë
Dhe unë qenkam djalë i keq?

SHËTITJE

Është verë.
Është natë.
Bije vesë,
Yjet varen si pjepra në qiell atje lart.
Unë shetis i vetmuar nëpër bulevard.

Ora 12
Tek dera e Komunitetit nderon një polic
Del me një libër në sqetull sekretari i partisë.

Ai më sheh.
Më thërret,
Më jep dorën,
Më fut krahun
Dhe zë pastaj më flet.

Bisedojmë bashkë
Dhe shetisim bashkë
Si dy shokë,
Si dy poetë,
Si dy të dashuruar,
Si dy të shqetësuar.

O POPULL

O popull …
(Sa e vogël të duket vetja kur i drejtohesh popullit,
Sa i zbetë të duket edhe zëri më i fortë).
O popull!
Ka njerëz me 4
me 8,
40, 200 sy
Por i kanë për vete
të 4,
të 8,
të 40, të 200
Dhe asnjë s’e kanë për ty.
Por edhe një gjysëm syri po më mbeti
Do ta qërroja netëve me siguri
Për ty o popull
O popull për ty!

DJALI I SEKRETARIT

Ju jeni burra.
Mos e fusni djalin e sekretarit
Klubeve, pastiçerive, kafeneve.
Mos ja hidhëroni buzët me kafe,
Mos i jepni cigare me filtër,
Mos ja zverdhni dhëmbët dhe gishtat,
Mos e mësoni me birrë,
Me verë,
Konjak
E raki,
Mos i flisni për vajza, për nuse, fejesë
Ai ende është i ri,
Pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.
Ju jeni pleq.
Mos dilni me të përkrahu pazarit përnatë,
Djali i sekretarit nuk është vaksinë,
Nuk është tel përçues i tensionit të lartë.

NJERIU ME KOBURE

Ai pret të fryjë era
Jo që të zhvishen pemët,,
Jo që të shkunden gjethet e verdha,
Por që t’i ngrihet cepi xhaketës,
T’i duket pas brezit koburja.

Ai pret të vijë pranvera
Jo që të bjellë e të korrë.
Por që të xhveshë xhaketën
T’i duket pas brezit
Koburja.

 

MARRËDHËNIE

nxënësve të mirë.

F
a
t
b V
a i
r s
d u a
h n r
i ë i

Kështu ne dilnim shëtitje,
Kështu diskutonim të tre,
Renditja ishte thjesht estetike,
Unë qëndroja midis jush
Si me i shkurtër
Dhe jo si mësues.

ÇIFLIGU

Reforma agrare i zhduku çifligjet,
I ngushtuam oborret kooperativistët.
Por mbeti në ndërgjegjet individuale, në shpirt,
Çifligu i miqësisë,
Çifligu i shoqërisë.

Kullosin manarët e zinj të përkrahjeve
Shëndoshen deshët rudak të favoreve
Kali i zi i hatëreve bredh
Dhe ik e ndale ti po deshe dot,
Të turfullon në fytyrë,
Të shkel me këmbë,
Të merr përpara me gjoks.

Çifliku miqësi,
Çifliku shoqëri
I përjetshëm të duket,
I pashpronësueshëm të duket ty?
Por ja ne shpikëm një tjetër reformë,
Reformën e kontrollit punëtor;
Shpronësimi filloi,
Shpronësimi vazhdon.

PËLHURA E ZEZË

Lida.
Ne e pamë festivalin tek Bashkimi
U mblodhëm shoqërisht
Midis nesh, punëtorë,
Nënpunës,
Mësues,
Mekanikë,
Midis nesh një kozmopolit.

Ti dole.

Na qeshën sytë, e buza na qeshi,
Zhurma u ndërpre në fabrikë,
Domethënë të dëgjonim ne, Lida.
Të dëgjonin edhe shokët e turnit të dytë.

Fillove,

Tezgjahët mbetën gojëhapur,
Sovajkat vallen e ndërprenë,
Kozmopoliti hapi gojen.
Sovajka e gjuhës së tij filloi të endë:
Kjo për rritëse pulash, po,

Kjo për mjelse është e mirë
Kurse Iva, Orjeta kanë lindur për muzikë,
Por unë të mbrojta ty Lida,
Shokët e mi të mbrojtën,
Ç’ishin në dhomë të mbrojtën të gjithë.

Ja grisëm pëlhurën e zezë
Që kozmopoliti endi midis nesh.

Por unë e di.
Shokët e dinë
Edhe ti Lida vetë e di
Orjeta këndon më mirë,
Iva këndon më mirë se ti.
Por unë këngën tënde e kam si vajzen time,
Vazja ime tashti po çohet në këmbë,
Ajo tashi ka filluar të eci nëpër bulevard,
Ecën,
Nxitohet, qesh,
I ngatërrohen këmbët
Dhe bie mbi asfalt.
Por unë e ngre,
E ngrenë dhe ata që shetisin në bulevard.
Kjo është një rënie madhështore, Lida,
Kjo është rënia e ngritjes sa më lart.

MIMOZA

Mimoza!
Mos e qëndis atë degë mimoze tek gjoksi,
Lere bluzën ashtu të pastër të bardhë,
Do shkosh pa një qëndismë ne fakultet në
mëngjes,
Por me një lëndinë shikime djemsh në gjoks
Do të kthehesh në drekë.
Mbi këtë lëndinë
Si zambak shikimi im.

Revista “Nëntori” 1971


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.