MILOSAO

VIA PRACCHIUSO, 73

17:00 - 14.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Gentur LLeshi – Udine. Një qytet i shtrirë e i gjatë. Udine Nord dhe Udine
Sud. Unë dhe Erion Llapi, ju e dini që Erioni, çiklisti i ri, është nga Berati. Më do shumë. Edhe unë e dua. Të dy ia mbathëm në Udine. Se ne nuk jemi ushtarë. Rrimë, hamë e pimë në kazermë, por nuk bëjmë jetën e saj.
Nga stacioni i trenit gjer në sheshin qendror ecëm në këmbë. Aty ndalëm. Morëm diçka për të ngrënë me ato pak lireta që na kishin dhënë.
Erioni rrinte i menduar. Është i gjatë sa Ariani, edhe i hollë ashtu. I mbahet pak goja dhe nuk flet dot rrjedhshëm. Bile nganjëherë nuk ka dëshirë të flasë fare.
«Do provojmë të gjejmë një punë», – tha Erioni.
«Do provojmë të gjejmë edhe punë, por më përpara të gjejmë njerëz», – i thashë.
Lexoj anash murit: «Via Pracchiuso». Ja, hyjmë në këtë rrugë. Më thoshte një zë që të trokisja vetëm në një derë. Prova e parë dhe e fundit. Vetëm për një provë. Të tjerat janë të dëmshme, janë kot.
«Ndahemi?»




«Jo. Bashkë.»
E fiksova në mendje numrin 74. Viti i lindjes sime. Meqë jemi dy vetë, atëherë minus një. Mbetet numri 73. Besoj, numër fati. Për çudinë time ai numër i përkiste një pastiçerie. Adriano d’Este. Pas banakut ishte një burrë i pashëm, i përveshur në punë, i shëndoshë, i qeshur. Po, po, i qeshur. Më ngjau me tim et. Se edhe shëndeti yt, babi, që ka rrezik të më ngjitet mua, i tillë është. Ke për ta njohur një ditë zotin Adriano dhe do të më japësh të drejtë.
«Mirëdita!»
«Mirëdita! Ah, nuk qenkeni italianë?»
«Jo. Jemi shqiptarë. Rrimë në Paluzza.»
«Me se mund t ju shërbej?»
I tregova shkurt që kisha vendosur të trokisja në numrin 73 të kësaj rruge. Por… kjo qëlloi pastiçeri. Ja. Vetëm kaq.
«Po kjo është edhe shtëpi djem. Sipër. Eja ngjitemi.»
«Jo. Mjafton kaq.»
«Mirë, atëherë, ju jeni miqtë e mi. Do të jemi miq jo llafe!»
U ndamë. Në dorën time u fut si pa dashje një 100 mijë liretëshe. M’u përvëlua dora.
«Zotëri, ne nuk erdhëm për to. Urdhëroni. Ju faleminderit shumë.»
«Edhe unë nuk ua dhashë për mëshirë. Merrini!»
«Jo, nuk i marrim. Se nuk mund të vijmë më herë tjetër tek ju.»
Adriano d’Este u mendua pak, psherëtiu dhe më përqafoi fort. «Nuk kam djalë. Kam vetëm një vajzë, Simonetta quhet. Mosha jote. Jetoj me gruan, Wally-n dhe me vjehrrën. Shtëpia është e bollshme. Ja dhe bileta ime.»
Heshti sërish i turbulluar. Kishte diçka që nuk po shkonte mirë, sido që nuk e kuptoja dhe aq qartë. I tregova për ju, për ty babi, për mamin, për vëllanë tim student në Tiranë. I tregova edhe për Almën, të fejuarën e vëllait, edhe ajo studente për matematikë në Tiranë. Iu bë qejfi. Qeshi pak dhe sërish më përqafoi. «Je kaq i vogël. O Zot. Dhe ke ikur larg!» Psherëtiu dhe ndërkaq lotët i zbritën në faqe. Nuk e di ç’iu kujtua. Po, Adriano d’Este qe njeri i mirë. Futa biletën në portofol. Se unë tani mbaj portofol. E kam zgjedhur një me emblemën e Milanit. Se ne edhe në Berat e kemi pëlqyer dhe kemi qenë tifozë të Milanit.
Ikëm. Rrugica na ndiqte me sy. Njerëzit dhe makinat na hapnin udhë. Ajri i freskët na përkëdhelte.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.