MILOSAO

Kush e spiunoi Ismail Bej Vlorën te Misioni Ndërkombëtar?

10:49 - 21.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ndrek Gjini – Nevoja për një Ismail Bej Vlore real- Ka mbetur vetëm pak javë nga dita e 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Mendoj se ky vit përbën momentin më të përshtatshëm për t’iu servirur më në fund shqiptarëve portretin real të Ismail Bej Vlorës. Ai duhet t’u paraqitet atyre në përmasat e tij reale dhe jashtë glorifikimeve dhe mitizimit. Kjo pasi për shumë dekada, figura e këtij diplomati karriere dhe burri shteti u mitizua ekstremisht. U arrit deri atje sa iu ndërrua madje edhe mbiemri.
Duke shpalosur para shqiptarëve një Ismail Bej Vlorë, real, njerëzor, me meritat, zotësitë, gabimet dhe frikërat e tij, ne, realisht nuk ia zbehim aspak madhështinë, por e bëjmë figurën e tij më të besueshme për shqiptarët e vitit 2019, të cilët për hir të së vërtetës nuk mund të pranojnë me shabllone të mitizuara heronjsh.




Në këtë kontekst, them se shqiptarët e vitit 2019, duhet të dinë me ekzaktësi dhe jashtë ndikimeve politike apo fetare, motivet reale që e shtynë Ismail Bej Vlorën drejt vendimit për ta shpallur Shqipërinë të ‘mosvarme’. Cilat ishin opsionet e tjera në lojë gjatë atyre muajve kur lufta Ballkanike sapo kishte nisur, dhe pse opsioni i tij qe më largpamësi, dhe më i dobishmi për vendin në atë moment? Shqiptarët e 2019-ës duhet të mësojnë të vërtetat e paretushuara rreth nxitimit të tij, dhe të Austro-Hungarezëve të cilët qëndronin pas tij, për të shpallur pavarësinë me aq ngut, megjithëse qeveria që ai do drejtonte nuk kishte nën kontroll as një të katërtën e territoreve të banuara nga shqiptarët. Shqiptarët në këtë 107-vjetor duhet të mësojnë të vërtetën rreth mënyrës se si Ismail Bej Vlora u zgjodh në postin e kryeministrit të parë shqiptar, si dhe motivet e dorëheqjes së tij.

Izet Pasha, Esat Pasha dhe Ismail Bej Vlora
Mendoj se tani pas 107-vjetësh të vërtetat duhen thënë ashtu siç janë, nën dritën e fakteve dhe dokumenteve, dhe jo të vazhdohet me gjuhen e glorifikimeve nacional-socialistë, si për shembull me ‘plaku i urtë’, ‘udhëheqësi largpamës, e mjekërbardhë’, e të tjera folklorizma si këto.
Më konkretisht: Le të ndalemi për shembull tek momenti i dorëheqjes së Ismail Bej Vlorës nga posti i kryeministrit. Çfarë dinë shqiptarët rreth këtij akti? A e dinë vallë ata se kush ia kërkoi këtë dorëheqje Ismail Bej Vlorës dhe pse? Çfarë pazaresh të fshehta kishte bërë ai me Esat Pashë Toptanin për të sjellë si princ në Shqipëri, Ministrin e Luftës së Perandorisë Osmane, Izet Pasha? Cilat ishin akuzat që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i kishte bërë Ismail Bej Vlorës, lidhur me keqpërdorimin e fondeve të grumbulluara nga doganat e këtij qyteti etj.?
Të vërtetat e këtyre pyetjeve që parashtrova nuk ia zbehin aspak madhështinë kësaj figure. Ato veç e bëjnë këtë figurë me realiste, më të besueshme, më njerëzore. Dimensione këto që fatkeqësisht i mungojnë jo vetëm këtij lideri historik, por krejt historiografisë shqiptare. Për të ilustruar idenë time rreth domosdoshmërisë së ç’mitizimit të heronjve tanë, dëshiroj të rendis këtu shkurtimisht kushtet në të cilat Ismail Bej Vlora qe i detyruar të japë dorëheqjen.

Shqipëria në një kaos total
Në Tetor-Nëntor 1912 Shqipëria ishte në një kaos total. Forcat greke dhe serbo-malazeze po kryenin masakra në Veri dhe në Jug të Shqipërisë. Godina e rrëzuar e shtetit Osman kishte krijuar tek fqinjët tanë ortodoks premisat për dhunë, vrasje e spastrime etnike. Për t’i bërë ballë kësaj situate u projektua aleanca turko-bullgaro-shqiptare. Me 13 Gusht 1913, kongresi xhonturk vendosi që të dërgonte në Shqipëri si Princ të vendit, ministrin Osman të Luftës, Izet Pashën, që ishte me origjinë shqiptare. Ky vendim iu njoftua edhe Ismail Bej Vlorës dhe Esat Pashë Toptanit. Sipas informacioneve që posedonin kolonelët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, (Misioni Hollandez), që operonin në Shqipëri në atë kohë, Ismail Bej dhe Esat Pasha ishin marrë vesh me njëri-tjetrin, dhe kishin rënë dakord që Izet Pasha të vinte në Shqipëri dhe të ishte Princi i ardhshëm i Shqiptarëve.
Për realizimin e këtij plani u dërgua paraprakisht në Shqipëri Beqir Gebrenë Aga. Ai do të diskutonte me Ismail Bej Vlorën, Esat Pashë Toptanin dhe liderët e tjerë shqiptarë rreth forcave ushtarake dhe armatimeve që do të nevojiteshin për të shpartalluar invazionin panortodoks në Ballkan, dhe për të krijuar një shtet të unifikuar shqiptar. Por ishte Syrja Bej Vlora, (kushëriri i parë i Ismail Bej Vlores), ai që e dekonspiroi këtë plan, duke spiunuar kundër Ismailit dhe Esatit, tek Komisioni Ndërkombëtar i Kontrolli, dhe tek konsulli serb në Vlorë, Gavrilloviç.

Çfarë ndodhi mË 6 Janar 1914
Pas këtij spiunimi, me 6 Janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, nisi kontrollin mbi disa anije austriake, (që ishin mbështetëse të planit për sjelljen e Izet Pashës në Shqipëri). Oficerët hollandezë të këtij Komisioni zbuluan gjatë këtij kontrolli në këto anije mjaft armatime dhe ushtarë. Ata arritën të arrestojnë rreth 200 ushtarë shqiptarë të cilët qëndronin të fshehur në këto anije. Plani për sjelljen e Izet Pashës si Princ në Shqipëri i shqetësoi autoritetet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ndaj dhe ata arrestuan shume të dyshuar si pjesëmarrës në këtë plan, si dhe morën në pyetje shumë udhëheqës e militantë shqiptarë, si Çerçiz Topullin, Ismail Bej Vlorën, Esat Pashen e shume të tjerë.

Vendimi i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit
Koloneli Hollandez Der Veer, i cili e drejtoi këtë operacion e dënoi me vdekje Beqir Gebrenenë, i cili në atë kohë konsiderohej si heroi shqiptar kundër shovinizmit grek. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e akuzoi Ismail Bej Vlorën dhe Esat Pashën si komplotues. Ky Komision e akuzoi Ismail Bej Vlorën edhe për keqpërdorimin e fondeve të grumbulluara nga doganat e këtij qyteti dhe i kërkoi atij të japë dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Qeverisë së Vlorës si dhe largimin nga Shqipëria para datës 25 Janar 1914.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.