Homo Albanicus

“Frika” nga dëshmorët dhe mësimi nga “Nazistët”

18:42 - 08.11.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për një pjesë të madhe të njerëzve, sidomos brezi i ri, paraqitja e posterave të Dëshmorëve në Bulevardin me të njëjtin emër në kryeqytet nuk do të thotë asgjë. Një pjesë teksa kalojnë atypari i shikojnë me kërshëri të pakët, një pjesë më e madhe as nuk e ngrenë kokën, kurse një pjesë që do të duket trendi, arrin edhe i anatemon. Në fakt, bashkëmoshatarët e të rinjve të sotëm, thjesht i kundrojnë nga posterat e varur me fytyra të tretura në përjetësi, e tashmë të fiksuar përmes imazheve grafike. Shumë syresh të vrarë në luftë direkte, të varur, të djegur, ekzekutuar në Mat’hausen etj., të pushkatuar. Jo më kot, ata, mbajnë titullin e lartë të “Heroit të Popullit”. Na kanë bërë krenarë. Qesharake duket përballja e sotme në kushte e terren që nuk i takon atyre. Paçka se çfarë bënë vëllezërit-nën-armë të tyre dhe mënyra sesi e administruan në Socializëm pushtetin që ndërtuan vetë, ata, të pagojët nuk mund të fajësohen për rrugën e zgjedhur por edhe përballjen.




Ndërkaq detyra e sotme e atyre që mëtojnë se vlerësojnë rrugën evropiane të Shqipërisë është e thjeshtë: t’i respektojë heronjtë për sakrificën, kurse brezave t’u tregohet e vërteta për Luftën, rëndësinë e fitores ndaj fashistëve dhe për t’i kundërshtuar me të gjithë zërin ata që duan të shkatërrojnë imazhin e martirëve që mposhtën bishën e zezë.

E turpshme është mënyra sesi përpiqen shumë syresh që Luftën ta kanalizojnë në një përpjekje banale, kurse në rastin më të mirë për ta në Luftë Civile. Një pjesë e dokumentacionit, që tashmë është në dispozicion të gjerë e tregon qartë peshën e Luftës antifashiste , por edhe dritë-hijet e saj. Është i drejtë fakti që historia jonë ka nevojë të shkruhet me një metodikë të re dhe për këtë sërish heronjtë, që na shikojnë nga sipër, nuk dëmtohen. Ashtu si ka ardhur koha, që Shqipëria të vendosë pikat mbi “i”, sa i përket martirëve të saj të L2B dhe njerëzve që kontribuuan realisht. Mbase është vonë, por për një gjë duhet të bindemi: përpjekja për gjigandomani dhe kinse përfshirje në anti-fashizëm na ka dëmtuar shumë, ashtu si po e dëmton njësoj kauzën e të persekutuarve mëtimi për numrat e fryrë, që përbën një të tillë krejt jashtë logjikës së rrethanave.

Por të kthehemi pas, kur tetëdhjetë vjet më parë, filloi Lufta e Dytë Botërore: Gjermania e tërhoqi historinë e Evropës në një drejtim që do të ndryshonte dhe vetë fatin e saj. “Rajhu i Tretë”, pushtoi Poloninë (Çuditërisht nuk merret në konsideratë që Shqipëria u pushtua në muajin Prill të po atij viti), duke e tërhequr në mënyrë efektive tërë botën në luftë. Gjashtë vjet në katër kontinente do të mjaftonin që të armatoseshin rreth 110 milion njerëz për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit dhe deri në fund mbi 60 milion njerëz të kishin vdekur. Mes tyre plot gjashtë milion hebrenj evropianë. Gjermania u mposht, u rrudh (humbën toka), u shkatërruan (iu vranë 9 milionë njerëz) dhe mbi të gjitha u turpërua, sidomos me Holokaustin, një krim të rëndë që nuk falet paçka se edhe në Shqipëri sot ka zëra të mekur që e mohojnë.

Kryeredaktori i DW, Alexander Kudascheff, do të shkruante pak vite më parë se Gjermania  nxori tre mësime të mëdha, që ishin të lidhura me logjikën racionale të kombit dhe që mezi i kuptoi vetëm pas dy Luftërave të Mëdha Botërore. Dhe, kjo ndodhi kur filluan të ngriheshin ekonomikisht, në mënyrë që të kishin përparësi më vonë politikisht. Ajo nxori nga Lufta e Dytë Botërore mësimin e saj të parë bazë: Vendosi para së gjithash të ishte një Gjermani Evropiane. Ajo donte të ishte në partneritet me demokracitë, kërkonte aleatë në Evropë dhe përtej Atlantikut me SH.B.A.-të. Politikisht nuk mund të mbijetonte vetëm. Kurse mësimi i dytë ishte edhe më direkt: Jo më luftë, jo më këtë lloj ferri në tokë. Dhe, me radhë erdhi partneriteti special me NATO-n, që nuk pëlqehej aq shumë nga njerëzit e thjeshtë. Kuptohej. Vazhdimi, Gjermania do kërkohej gjithnjë e më shumë në çdo ndërmarrje ushtarake të Aleancës, por qeveritë vendase duhej të angazhohej shumë që ndërhyrjes gjermane t’i jepnin një lloj justifikimi me tis ndihmës: Jemi thjesht për aktivitet paqeruajtës. Sot, Gjermania është një gjigant ekonomik dhe në rrugën për t’u bërë një aktor politik botëror, gjithashtu – një rol që na step frikëson. Gjermania do të preferonte të ishte një lloj Zvicre, citojmë jo fjalë për fjalë gazetarin e njohur. Megjithatë kohë të tilla kanë kaluar. Ajo që presin aleatët e saj nga Gjermania është udhëheqja politike dhe kontributet e saj por edhe një pamje më modeste. Dhe kjo ka të bëjë me një mësim të tretë të shkëlqyeshëm, referoi ai: Gjermania e ka harruar sjelljen autokratike, ai nuk  është më një tipar i qenësishëm gjerman.

Shembulli gjerman mund të ketë një lloj ndikimi nëse bazohet në tre elementë, pra që vendi ynë t’i kushtohet ekonomisë dhe të punojë me të gjithë forcën për integrimin evropian dhe kjo t’i japë një frymë politikës sonë të së ardhmes. Kuptohet që, ne në asnjë regjim, nuk kemi qenë luftënxitës, kurse me gjermanët paçka atributit të tyre të shpallur në Luftën e Dytë në Shqipëri kemi luftuar. Kushti i dytë bie, por zëvendëson dëshirën tonë për kaos. JO më kaos!

Dhe, e treta, mund dhe duhet të jemi modestë dhe të mos pretendojmë se jemi qendra e Ballkanit dhe të arrijmë e përfshihemi më kokulur në misionin kryesor: Ne jemi pjesë e Evropës dhe duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm se kjo është rruga jonë.

Në kohën kur ishin gjallë, këta heronj, që sot janë përshfaqur si imazhe grafike, Wehrmaht bëri një audit për Shqipërinë dhe të gjitha konstatimet qëndrojnë edhe sot, duke treguar se kohët ndryshojnë, por thelbi i zhvillimit të një vendi mbetet i njëjtë. Gjermania ka ndryshuar rrënjësisht, njësoj dhe Shqipëria, por në ndryshim, Gjermania e ka bërë me kohët, ne e kemi bërë me veten. Këtë nuk mund të kuptojnë shumë nga njerëzit që kujtojnë se fajet për prapambetjen tonë i kanë ata. Të pagojët, që në këto ditë vjeshte, i lag shiu. Ndoshta po të ishin gjallë shumë prej tyre do të ishin më kritikë dhe ndoshta shumë më të persekutuar se shumë prej kinseve që bërtasin se i bënë rezistencë regjimit komunist apo pinjollëve që mundohen t’i mbrojnë më kot. (Homo Albanicus)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.