OPINION

“17 nëntori” si fyerje për tironasit dhe si i pushkatuan komunistët, civilët kur hynë në qytet

16:05 - 17.11.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Armando MAHO




Pashe kalimthi kremtimet e asaj që komunistët e quajnë “çlirimi i Tiranës”. Data korrespondon me hyrjen e bandave komuniste, që morën në dorë kryeqytetin pas largimit pa shumë e rrokopujë të ushtrisë gjermane, së cilës “heroizmi” i bandave komuniste, me ç’duket, nga njëri vesh i hynte dhe nga tjetri i dilte.

Në planin global Shqipëria ishte, as më shumë e as më pak, një vrimë në mes të detit dhe Gjermania, që kishte nisur të merrte rrokullimën, e kishte mendjen gjetkë, në gjëra shumë më të rëndësishme sesa të merrej me një vend që ia la Italia peshqesh. Por krerëve jugosllavë, të ndjekur nga banditët komunistë shqiptarë, u duhej një luftë, qoftë dhe e stisur, për të justifikuar krimet që do të vinin më pas. Nga ana tjetër, komunistët shqiptarë, të trembur se mund t’u ikte shansi i fundit për të marrë pushtetin, e mbështetën me afsh idenë serbomadhe për zhdukjen e nacionalizmit, madje kishin detajuar një listë emrash, të cilët do të bëheshin kurbani i parë i komunistëve në Tiranë. E gjithë loja, më shumë se çlirimi i kryeqytetit, ishte të shtrohej tapeti për ardhjen e Enver Hoxhës.

E ç’kuptim do të kishte në rast se ata do të hynin në qytetin e braktisur? Gjërat ishin kalkuluar mirë. Luftën ata s’e kishin me ushtrinë gjermane, sepse çobanët dhe argatët tanë, pavarësisht injorancës së tyre, e dinin sa e kishin hapin. Ata e dinin fare mirë se mund të shiteshin si trima me popullsinë civile, të pambrojtur dhe të pangatërruar me luftën, por një ushtri të mirorganizuar dhe që kishte pushtuar gjysmën e botës as në sy nuk ishin në gjendje ta shikonin dhe jo më të luftonin me të.Banditët në fillim u organizuan në rrethinat e Tiranës dhe vëzhguan mirë lëvizjen e trupave gjermane.

Pasi ishte tërhequr më shumë se ¾ e divizionit gjerman që mbronte Tiranën, së bashku me pjesën tjetër të ushtrisë, pas urdhrave të krerëve të lartë të Vermahtit për të mbledhur trupat në Berlin, mësynë trimat me opinga. Shënjestra ishte e qartë: nën fushatën e terrorit që kishin ndjekur dhe në rrethe të tjera të vendit, gjëja e parë që bënë ishte bastisja dhe vrasja e nacionalistëve dhe njerëzve që kishin sadopak ndikim në popull. Vjedhja dhe plaçkitja ishin gjëra normale për kohën. Shumë familjeve tiranase u ishte dashur të linin qytetin jo për shkak të luftës, as nga frika e ushtrisë gjermane, por pikërisht nga frika e terrorit komunist. Vrasjet dhe përdhunimet që kishin bërë bandillët e Enver Hoxhës kishin marrë dhenë dhe në shtëpi kishin mbetur vetëm pleqtë, me mendimin se komunistët do t’i kursenin.

Në një bisedë që kam bërë me Dashamir Shehun më ka treguar se gjyshi i tij, një njeri fetar dhe me njëfarë ndikimi te njerëzit, u vra pikërisht nga bandat komuniste teksa merrnin Tiranën, madje i kishin vjedhur dhe ato pak para që i kishin gjetur në shtëpi. Familja kishte dalë në male dhe komunistët nuk ia kishin kursyer plumbin plakut, që kishte qëndruar për të ruajtur shtëpinë. “Më pas të afërmit e mi u detyruan ta varrosnin shpejt e shpejt dhe të thoshin se u vra nga bombardimet”, – më tregonte Dashamir Shehi. E njëjta gjë ndodhi dhe me pushkatimet te hoteli “Bristol” të shumë intelektualëve dhe nacionalistëve, të cilët u morën shtëpi më shtëpi më 16 nëntor dhe u pushkatuan të gjithë. Më tej historia dihet: vrasjet, plaçkitjet dhe në jo në pak raste dhe përdhunimet vazhduan, duke e shndërruar pushtimin komunist në një ankth të pafund.

Tiranasit në pjesën dërrmuese të tyre nuk i kanë dashur komunistët. Madje dhe ndonjë që i bashkohej qoftë dhe nga halli ideologjisë së kuqe, nuk fitonte ndonjë respekt të madh në sytë e pjesës tjetër të fisit, për të mos thënë se shihej shtrembër, aq sa thënia “s’ka mo keq se tironci komunist” e tiranasit të vjetër Sefer Daja (një tiranas i hershëm, të cilit komunistët i morën dhe atë pak pasuri që kishte dhe e punësuan si pastrues të WC-të publike te monumenti “Ushtari i panjohur”, ku sot vihen kurorat e çlirimit të Tiranës) u kthye në profeci për kohën. Por antipatia, madje mund të thuhet dhe urrejtja e tiranasve për komunistët, ishte edhe më e hershme se pas çlirimit. Dhe kjo për bëmat që përjetonte kryeqyteti nga ata që i thoshin vetes ilegalë.

Vjedhje të tregtarëve, vrasje pas shpine nga antetatorët e tipit Kajo Karafili, pa asnjë shkak e të tjera si këto. Por një tjetër arsye se pse Tirana i mbante larg ata ishte dhe se temat mbi imoralitetin e tyre në shtëpitë që u merrnin me qira tiranasve kishin marrë dhenë. “Shoqet” që mblidheshin në këto baza shërbenin më shumë si femra haremi për krerët e lartë të partisë. Në shumë raste të zotët e shtëpive zgjidhnin në mënyrë të njëanshme qiratë me ilegalët, duke i kërcënuar se për veprimet e tyre do t’i raportonin dhe në milici, por pa e ditur se më pas do të futeshin në listat e zeza të tradhtarëve dhe armiqve të luftës. Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse nga Tirana ka pasur pak ose aspak femra që do t’u bashkoheshin çetave komuniste.Festimi i 17 nëntorit për tiranasit është ofendim.

Atyre u kujton marrjen e pronës dhe katrahurën që solli pushtimi komunist. Mund të quhet “dita e largimit të gjermaneve nga Tirana”, por kurrsesi çlirimi i saj. Tiranasit e vjetër janë ata që e vuajtën më së shumti këtë paçavure që na i vënë një emër të madh, që simbolizon lirinë. Si pasojë e atyre që dje i vranë e i vodhën, sot ata duhet të enden nëpër dyert e gjykatave me vite të tëra për të njohur pronën e tyre. Përfaqësuesit e PS-së u mblodhën sërish duke vendosur kurora. dhe jo vetëm se me këtë veprim duan të kënaqin interesat e shumicës së votuesve të tyre, që janë ish-komunistët dhe pinjollët e tyre, por sepse në shumë raste ata e mendojnë si çlirim ose data simbol e lirisë. Kjo është e tepërt për këtë qytet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.