AKTUALITET

Barnat online, Diana Toma: Përbëjnë rrezikshmëri për shëndetin e pacientëve

13:00 - 25.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Farmacitë e rrjetit të hapur, që janë kryesisht në pronësi të farmacistit, gjenden të kërcënuara nga rreziku i falimentimit dhe më pas gllabërimit nga rrjetet farmaceutike, në të shumtën e rasteve, në pronësi nga importuesit-shpërndarësit farmaceutik. Kjo është një ndër problematikat e ngritura nga kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma gjatë intervistës të dhënë për ‘Gazeta Shqiptare’. Më tej ajo shton se shitja e barnave apo suplementeve online përbën rrezikshmëri për pacientët, jo vetëm për mënyrën se si është ruajtur apo transportuar ky bar, por mbi të gjitha tek origjinaliteti i tij. Sipas Tomës FSDKSH shtrembëron situatën pranë Drejtorive Tatimore, ku vlerën të cilën tashmë ua kishin rrëmbyer farmacive e raportojnë pranë Drejtorisë Tatimore si evazion fiskal, si fshehje e xhiros së farmacisë në një kohë kur kjo e fundit çdo veprim e ka kryer konform legjislacionit tatimor.




Sa të rrezikuara janë farmacistë autonome nga depot farmaceutike, të cilat hapin farmacitë e tyre? A mund të ngelin pa barna farmacitë autonome dhe a mendoni se mund të krijohet monopol nga këto depo farmaceutike?
Problemi që ju ngrini në pyetjen tuaj origjinën nga buron e ka thjesht dhe vetëm nga ligji. Përmend këtu ligjin e barnave dhe të shërbimit farmaceutik, ligjin e licencave, ligji i Qendrës Kombëtare të Biznesit si dhe shkelja e ligjit të konfliktit të interesit apo ligji për mbrojtjen e konkurrencës. Fenomeni që po vuan sot rrjeti i hapur farmaceutik është paralajmëruar nga profesionistët e sistemit farmaceutik rreth 10 vjet më parë, por ashtu sikundër jemi mësuar tashmë, që mendimi i profesionistëve dhe sugjerimet e tyre të mos gjejnë vend dhe të pasqyrohen në ligje, nuk bëri përjashtim as në këtë rast. Aktualisht, sot farmacitë e rrjetit të hapur, të cilat janë kryesisht në pronësi të farmacistit, gjenden të kërcënuara nga rreziku i falimentimit dhe më pas gllabërimit të tyre nga rrjetet farmaceutike, të cilat në të shumtën e rasteve, janë në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga importuesit-shpërndarësit farmaceutikë. Dua të sjell në kujtesë që deri para 10 -15 vjetësh ligji shprehej mjaft qartë dhe përcaktonte se asnjë importues dhe shpërndarës nuk kishte të drejtën e hapjes së farmacive të rrjetit të hapur. Sot, jo vetëm që jemi në mungesë të këtij përcaktimi, por jemi dhe në mungesë të vendosjes së një numri limit lidhur me farmacitë që mund të ketë në pronësi një individ apo një grup investitorësh, qofshin këta dhe farmacistë. Për kushtet e vendit tone, ku fus dhe shtrirjen territorial të tij, ky fenomen, pra i hapjes së rrjeteve farmaceutike, po çon në një formë të monopolizimit total të shërbimit farmaceutik në rrjetin e hapur.

Shpeshherë konstatojmë se disa farmaci reklamojnë uljen e çmimeve. A bie në kundërshtim ky publicitet me legjislacionin farmaceutik dhe cilat janë masat që merr UFSH ndaj këtyre subjekteve?
Lidhur me zbatimin e tregtimit të barit kundrejt çmimit që pasqyrohet në pullën e sigurisë së tij, ligji i barnave dhe i shërbimit farmaceutik shprehet mjaft qartë. Po ashtu, mjaft qartë ky përcaktim shprehet dhe në Kodit Etik Deontologjik të farmacistit. Ndaj, si rezultat çdo tregtim i barit me një çmim tjetër, qoftë më të lart apo më të ulët, që gjendet i pasqyruar në pullë, përbën shkelje. Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë kur ka konstatuar raste të tilla, ka ndërhyrë drejtpërdrejt duke komunikuar me farmacistin drejtues teknik apo të punësuar, të subjektit ku është vërejtur shkelja, pasi kaq është e drejta që i jep ligji. Nga evidentimet e rasteve, na rezulton se këto lloj ofertash janë bërë dhe bëhen në farmaci të cilat nuk janë në pronësi të farmacistit, e për pasojë tek farmacisti, i cili është i punësuar, qoftë në pozicionin e drejtuesit teknik, qoftë në pozicionin e farmacistit të thjeshtë, ka shkaktuar jo në pak raste konflikte, pasi kush nuk është farmacist dhe hap farmaci e shikon këtë të fundit thjesht dhe vetëm si njësi tregtare dhe nuk i intereson fare mënyra se si ofrohet shërbimi farmaceutik, duke çuar me kërkesat e tij deri në cenim të këtij të fundit.

A ka një trend në rritje tregtimi i barnave online. A duhet ti blejnë konsumatorët? Sa të rrezikshme mund të jenë këto barna?
Referuar ligjit vendi ku duhet të kryhet tregtimi i barit, qoftë ai OTC, qoftë bar që përshkruhet me recetë, është farmacia. Çdo mundësim ndryshe është në shkelje të ligjit. Nga ana tjetër ofrimi pacientit apo qytetarit barna apo suplemente në formë online unë e vlerësoj me rrezikshmëri, jo vetëm për mënyrën se si është ruajtur apo transportuar ky bar, por në radhë të parë rrezikun e shoh te origjinaliteti i tij. Aktualisht, është ngritur me të madhe nga OBSH rreziku nga barnat e falsifikuara dhe forma online është një formë mjaft komode për të shpërndarë barna të tilla.

A janë zgjidhur problemet që farmacistët kanë patur me FSDKSH-në?
Marrëdhënia farmaci-fond fatkeqësisht është një marrëdhënie, e cila agravohet nga dita në ditë dhe në momentet kur ti mendon se nga përpjekjet e bëra ke zgjidhur një problematikë, pa humbur kohë hapet një problematikë tjetër. E keqja është se ky institucion nga padija apo nga dashakeqësia, në mënyrë artificiale, farmacistëve iu ka hapur probleme dhe me institucione të tjera, si p.sh. me Drejtorinë e Tatimeve. Dua të përmend dy problemet që së fundmi farmacitë kanë me këtë institucion. Farmacitë që kanë kontratë, gjatë aktivitetit të tyre, barnat i japin me receta të rimbursueshme dhe të parimbursueshme. Lëvizjet e barit me rimbursim pasqyrohen në programin të cilin FSDKSH ka instaluar në subjektet farmaceutike. Lëvizja e barit me recetë të zakonshme nuk ka qenë detyrim të pasqyrohet në këtë program, si rezultat nga ballafaqimi i inventarit kontabël dhe inventarit fizik kemi një mosrakordim dhe ky mosrakordim ka çuar në penalizim të subjekteve farmaceutike nga ana e Fondit duke i detyruar farmacitë të paguajnë si dëm të shkaktuar fondit vlerën e diferencës midis këtyre dy inventarëve, në një kohë që kjo vlerë nuk i është marrë shtetit nga ana e farmacisë, si vlerë rimbursimi, pasi i takon vlerës që farmacia ka shitur me receta pa rimbursim, pra me pagesë kesh’ kundrejt kuponit tatimor. Ky si problem është shtruar fillimisht për diskutim dhe më pas është kërkuar të gjendet zgjidhje nga përfaqësuesit e Urdhrit të Farmacistëve. Kjo situatë ishte mjaftë e qartë për përfaqësuesit e Fondit duke e pranuar që realiteti ishte ashtu siç përfaqësuesit e UFSH e shtronin, morën përsipër zgjidhjen e situatës dhe realiteti cili ishte?… Në subjekte farmaceutike u dërguan vendimet nga ana e FSDKSH-së që detyronin farmacitë ti paguanin Fondit të gjithë vlerën e pretenduar prej këtij të fundit. Pra, vjedhje e hapur institucionale, futje e dorës së institucionit në xhepin e farmacisë. Kjo është vetëm gjysma e problemit, gjysma tjetër qëndron tek shtrembërimi i situatës nga ana e Fondit pranë Drejtorive Tatimore, ku vlerën të cilën tashmë ua kishin rrëmbyer farmacive e raportojnë pranë Drejtorisë Tatimore si evazion fiskal, si fshehje e xhiros së farmacisë në një kohë kur kjo e fundit çdo veprim e ka kryer konform legjislacionit tatimor. Tashmë të tilla situata nga marrëdhënia Fond-farmaci, nuk na surprizojnë dhe për sa kohë, ky institucion do të vazhdojë ta ketë monopol skemën e rimbursimit të barnave, po kuptojmë që farmaci nga ky institucion duhet të presë veç çudira.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.