Intervista

Intervista/ Eksperti Ilir Çepani: Ligji special dobi publike, por me frena të forta juridike

11:28 - 25.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eksperti i fushës së ligjshmërisë dhe efikasitetit të agjencive ligjzbatuese, Ilir Çepani, analizon projektligjin special të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për goditjen e elementëve kriminalë që i kanë shpëtuar drejtësisë ose siç njihet ndryshe edhe projektligji kundër ‘kçk’-së.




Në intervistën e dhënë për “Gazeta Shqiptare” ai evidenton problematikën që ekziston sot në kontrollin dhe funksionimin e agjencive ligjzbatuese, ndërsa e konsideron nismën ligjore një domosdoshmëri për ti vënë fre rritjes se kriminalitetit në vend. Por Çepani vë theksin te nevoja për të patur garanci që kjo nismë të mos cenojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Z. Çepani, kryeministri ka paralajmëruar një nisëm për një ligj special që do të pritet ta publikojë shumë shpejt dhe që kërkon të luftojë ata të cilët i shpëtojnë drejtësisë, domethënë i shpëtojnë një procesi ligjor në gjykatat tona. Pse po ndërmerret kjo nisëm dhe cila është situata realisht e kriminalitetit në vend?
Jam plotësisht dakord me pyetjen tuaj dhe e konsideroj një hap shumë të rëndësishëm projektligjin e sipërm dhe një shqetësim të drejtë të qeverisë për të ndërmarrë një nisëm të tillë. Sigurisht kryeministri i vendit ngre alarmin për rritjen e kriminalitetit në vend, duke bërë të domosdoshëm nismën për një model të ri ligjor i ndryshëm nga ai i tanishëm me qëllim për të rritur fuqinë goditëse dhe efikasitetin e agjencive policore në vend. Ky projektligj është i domosdoshëm. Së pari ky ligj është një nevojë publike dhe së dyti rrit më shumë efikasitetin goditës të agjencive parandaluese të krimit. Pra, shtrohet pyetja si duhet të normohet juridikisht më shumë lidhshmëria e agjencive parandaluese, siç janë shërbimet policore dhe të sigurisë në vend me organin e prokurorisë shqiptare dhe masat ligjore plotësuese për të mundur krimin e ndëshkuar individët, grupet ose organizatat kriminale.

Shkurtimisht po i referohem disa drejtimeve kryesore të trendit të kriminalitetit në vend:
1. Vjedhjet e pronave private apo publike, evazioni fiskal, pastrimi i produktit të veprave penale, gjobvëniet e ndryshme, vrasje e pazbuluara të biznesmenëve, trafiqet ilicite për substancat narkotike, trafikimin e lëndëve radioaktive, armëve, prosituticionit etj.
2. Korrupsioni i zyrtarëve shtetëror me individë, grupe apo organizata kriminale vendas e të huaj duke i favorizuar e bashkëpunuar për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe për të krijuar terrene për veprimtari të ndryshme kriminale, etj.
3. Korrupsioni në agjencitë shtetërore të kadastrave, me zyrat noteriale e përmbarimore, me inspektoratet shtetërore të kontrollit, ku qartazi edhe pse ka hetime penale.
4. Korrupsioni i zyrtarëve lokalë në bashkitë, qarqet e prefekturat e vendit për të favorizuar individë, grupe ose organizata kriminale vendas e të huaj, me pronat publike, zyrat vendore kadastrale, tenderët, koncesionet lokale etj. Kushdo në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe në rrethe të tjera njohin emra, dinë fakte të shumta penale cilët persona po favorizohen për tu pasuruar e ricikluar paratë e pista ose fshehur produktet e veprave penale.
5. Shpërdorimet me koncesionet ose tenderët nga autoritetet e ndryshme shtetërore, si AKEP-i, ARRSH-ja, AMA, ERE, AMF-ja, po ashtu edhe nga organe të rëndësishme në sistemin e ekzekutivit si zyrat tatimore qendrore, ose vendore, AKBN-ja pranë ministrisë së Energjetikes në dhëniet e dyshimta të koncesioneve, të licencave për burimet minerale, për hidrocentralet e shumë e shumë të tjera. Pra, ka përplasje publike në media, hetime penale, gjykime dhe ankesa nga qytetarët për t’i dhënë fundit sistemit të korruptuar nga zyrtare të niveleve të ndryshme dhe kjo rrugë mbetet e vështirë.

Përse është kjo gjendje dhe çfarë duhet bërë me sistemin e sotëm të parandalimit të krimit nga agjencitë ligjzbatuese dhe së bashku me prokurorinë për goditjen e individëve të rrezikshëm e grupeve kriminale?
Theksojmë, se dy shtyllat kryesore të kësaj lufte të përmendura më sipër, ndodhen në ditët e këqija dhe me efikasitet të ulët e problematik. Kjo dëshmon qartë se ligjshmëria aktuale është e dobët dhe nuk garanton si duhet bashkëpunimin e koordinimin me njëra – tjetrën. Domosdoshmërisht duhet një pakt i ri juridik për të ndërmarrë reforma të shpejta dhe të qarta në agjencitë e institucionet e sipërme të drejtësisë, sidomos në Kodin e Procedurës Penale duke iu referuar praktikave e modeleve të vendeve demokratike. Për ta ilustruar me shembuj, konkretisht në SHBA, Angli e Kanada ka një praktikë pozitive për funksionimin e ujdive/ marrëveshjeve plotësuese në Kodin e Procedurës Penale midis agjencive të parandalimit të krimit dhe organit të prokurorisë. Kjo cilësohet “Ujdi për shtyrjen e afateve hetimore” (defferred prosecution agreement), e cila ka të bëjë me afatet e ndjekjes penale, me mënyrat e trajtimit të kallëzimeve, provave, bashkëpunimit si dhe koordinimit të aktiviteteve për të arritur rezultatet pozitive të goditjes e ndëshkimit të krimit. Po ashtu edhe në Francë, kjo praktikë ligjore e tillë cilësohet ‘Konventa juridike për interes publik’, e kështu me radhë edhe në vende të tjera evropiane. Pra, le të shpresojmë që projektligji special do të mundësoje këto ndryshime. Pra, mbetet e hapur nëse projektligji special/”Rama” do ta arrijë apo jo këtë objektiv dhe sidomos kur nuk kemi në dorë draftin përfundimtar për ta gjykuar.

Për t’u ndalur tek kjo çështje, çfarë shkon keq aktualisht tek organet ligjzbatuese?
Po i shpjegoj shkurtimisht çfarë nuk shkon:
Mungesa e ligjshmërisë dhe efikasitetit të agjencive sekrete. Legjislacioni është i dobët dhe me mungesë të standardeve demokratike për mbikëqyrjen nga aktorët kolegjial kombëtarë si parlamenti, ekzekutivi, gjyqësori e shoqëria civile. Publiku nuk ka shumë informacion si funksionon kontrolli hierarkik vertikal i brendshëm nga ekzekutivi, pra nga Kryeministri si personi juridik dhe përgjegjësi kryesor për mbarëvajtjen e agjencive sekrete. Theksoj se ende nuk kemi një ligj specifik nga organi ligjvënës për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë. Aktualisht vazhdon e njëjta gjendje dhe nuk dihen shkaqet përse. Kjo ka shkaktuar konfuzion dhe mungesë kontrolli duke i lënë këto agjenci, sidomos SHISH-in larg reformave dhe të mbyllur para publikut e kontrollit demokratik për llogaridhënie, transparencë publike, etj. Pra, nuk po vështrohet ende si funksionon mbikëqyrja apo kontrolli i këtyre agjencive në vendet e rëndësishme siç janë Britania, SHBA, Italia, Gjermania, e tjera përmes komiteteve parlamentare të posaçme dhe Autoriteteve Administrative të Pavarura (jo parlamentare) për mbikëqyrjen ex ante (para), gjatë operacionit (ongoing operation) dhe ex post (pas) operacioneve, kontrolli i fondeve sekrete, etj. Lind pyetja përse nuk shikohet në këtë drejtim çfarë modeli kanë në mbikëqyrjen e shërbimeve sekrete Italia, Anglia, Gjermania, etj??? Pra shtrohet dilema, ose politikanët përgjegjës nuk i kuptojnë këto reforma, ose nuk i duan, ose nuk i lejon dikush. Ky proces reformash ende po mbetet enigmë. Nuk dua të jem i gabuar dhe do të dëshiroja që projektligji i ri/Rama i përmendur më sipër, duhet ti hapi rrugë reformave të sipërme dhe sidomos krijimit të FBI-së shqiptare bazuar plotësisht në modelin amerikan. Pra, në pamundësi nga afër, përmes kësaj interviste do t’i rekomandoja kryeministrit krijimin sa më të shpejtë të FBI-së shqiptare dhe reforma për një rreshtim më ndryshe të agjencive sekrete, paralelisht me organizimin e funksionimin e SPAK-ut. Për ta kuptuar më thjeshtë publiku shqiptar, FBI-ja amerikane varet nga Sekretari i Departamentit për Drejtësinë dhe është organi federal për sigurinë e brendshme të SHBA-së. Pra, shtylla e parë e FBI-së është organi i kundërspiunazhit amerikan. Në këtë rast, Sekretari Amerikan i Drejtësisë lëshon të gjithë aktet nënligjore si urdhra, urdhëresa, udhëzime etj. që garantojnë drejtimin, kontrollin dhe koordinimin e kësaj agjencie informative brenda e jashtë vendit. Shtylla e dytë e FBI-së amerikane është pjesa e hetimit penal. Pra, si organ hetimor Sekretari amerikan i drejtësisë është njëkohësisht edhe Prokuror i Përgjithshëm i SHBA dhe atributi i tillë është i deleguar zyrave të prokurorisë amerikane pranë çdo njësie administrative ku vepron zyra e FBI-së. Ndërkohë, një faktorë i rëndësishëm që ka ndikuar është mungesa, kaosi ose mos funksionimi i tranzicionit problematik të reformës në organet e drejtësisë dhe bllokimi i këtij sistemi me pasoja për sigurinë juridike e stabilitetin e vendit. Bashkëpunimi e koordinimi i dy shtyllave kryesore që luftojnë krimin, nga njëra anë agjencitë informative e të sigurisë dhe nga ana tjetër prokuroria. Ky aspekt është i dobët dhe ende nuk funksionon ligjshmëria e duhur ose aktet nënligjore të përbashkëta që garantojnë kontroll të fortë gjatë bashkëpunimit e koordinimit midis këtyre dy shtyllave dhe patjetër diçka duhet të bëhet në këtë drejtim. Ndërkohë, theksoj që ky projektligj nuk duhet të konsiderohet një ligj vetëm për policinë, por duhet të krijojë një çati të përbashkët me shërbimet e tjera policore në vend. Gjithashtu projektligji duhet të krijojë një standard tjetër te reformimit të agjencive ligjzbatuese për të qenë sa më shpejt kompatibël me strukturat e SPAK-ut. Kjo e fundit nuk mund të ekzistojë pa funksionimin e agjencive sekrete në vend të reformuara e të standardizuara me nivelin e agjencive te vendeve demokratike.

Çfarë roli do të kenë Byroja Kombëtare i Hetimit ose më gjerë SPAK-u?
Byroja Kombëtare Hetimit është një strukture e posaçme e SPAK-ut me juridiksion të përcaktuar qartë dhe funksionon si organ kushtetues. Ndërsa sistemi i policisë gjyqësore pranë agjencive ligjzbatuese shqiptare, ose më gjerë ai i shërbimeve të inteligjencës janë struktura në varësi të pushtetit ekzekutiv dhe merren me sigurinë kombëtare e publike të vendit. Bashkëpunimi e koordinimi i aktiviteteve operacionale për grumbullimin e provave gjatë hetimit penal ndihmon të dy strukturat e sipërme të bashkëpunojnë e koordinojnë në sfidat e tyre për të fituar betejën kundër krimit.

Sipas mendimit tuaj, kush janë efektet konkrete që duhet të sjellë ky projektligj ?
Projektligji fuqizon interesin publik me organe të forta të ndëshkimit të krimit. Rrit më shumë kontrollin dhe bazën ligjore të kompetencave policore për sa i përket procedurave speciale ose siç cilësohen në vendet demokratike teknikat për mbledhjen e informacionit. Këto masa konsiderohen të karakterit parandaluese, si për shembull autorizimet procedurale për mbikëqyrje të personave të skeduar ose nën hetim, ato që lidhen me hetimin e konfiskimin pasuror, ose sekuestrimet, procedurat e përgjimeve, përdorimi i pajisjeve të vendndodhjes të personave të dyshuar ose nën hetim, vëzhgimi, veprimet hetimore si kontrollet, ndalimet, përdorimi i bankës së të dhënave personale nga agjencitë e tjera shtetërore ose operatorët telefonikë, etj. Në shumicën e rasteve këto kompetenca nuk shmangin rolin e prokurorisë e gjykatës në dhënien e autorizimeve përkatëse. Megjithatë, agjencitë ligjzbatuese duhet të kenë akses ligjor më shumë, sidomos në identifikimin e nr.telefonike, pra jo për procesin e përgjimit, kontrollet apo masat e sigurisë, të cilat duhet të mbeten sipas Kodit të Procedurës Penale në kompetencë sipas rastit të prokurorit ose gjykatës. Projektligji shpresojmë se do të mundësojë një bashkëpunim e koordinim më ndryshe gjatë hetimit penal midis agjencive ligjzbatuese me ato të prokurorisë shqiptare. Pra, më lartë shpjegova nevojën për ujdinë ose paktin juridik si mjet ligjor plotësues në Kodin e Procedurës Penale. Ky projektligj krijon detyrimisht një shtrat të ri të bashkëpunimit midis agjencive ligjzbatuese me strukturën e SPAK-ut. Gjithashtu, hapet rruga e reformave në shërbimet sekrete shqiptare, në drejtimet siç shpjeguam më lartë. Rriten parametrat ligjore të kontrollit kundër abuzimeve nga agjencitë sekrete ose gjatë hetimit penal, si garanci e frena juridike për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Projektligji duhet t’i vendosë të gjitha agjencitë nën një çati të vetme dhe nuk duhet ti japë asnjë agjencie monopolin e vetëm në luftën kundër kriminalitetit. Projektligji nuk duhet të përkthehet si një sulm kundër biznesit apo kundër personave të njohur e pozitiv të biznesit privat, por do të disiplinojë më shumë procedurat për mbrojtjen e tyre nga shteti dhe ndërkohë do të garantojë publikun për barazi përpara ligjit që çdo person i tillë do të përgjigjet kur shkel ligjin e përfshihet në veprimtari kriminale të natyrës së rëndë.

Shtohen kompetencat e agjencive ligj zbatuese nga ky projektligj, përfshi edhe Policinë e Shtetit?
Jo, unë shoh se këto agjenci, përfshi edhe Policinë e Shtetit, i kanë kompetencat e plota sot për të vepruar. Në këtë draft janë disa gjëra që duhet të zgjidhen për shqetësimet aktuale që ka policia e agjencitë e ndryshme ligj zbatuese, pra ato që kanë të bëjnë me mungesën e bashkëpunimit e koordinimit, si dhe të shpejtësisë në veprimet për marrjen e autorizimeve përkatëse nga prokuroria lidhur me masat parandaluese, si dhe nga gjykata gjatë hetimit penal. Pra, duhet një shpejtësi tjetër në veprimet e sipërme dhe mendoj që ky ligj do ti zgjidhë. Po ashtu, kontrolli që lidhet me dosjet penale, bashkëpunimin e koordinimin e operacioneve për kërkimin e grumbullimin e provave midis agjencive ligj zbatuese e prokurorisë.

Media pranë qeverisë kanë hedhur idenë se ligji krijon një strukturë të ngjashme me Faudën izraelite…
Jo, jo. S’ka lidhje fare me Faudan serial filmik, e cila nuk lidhet aspak me strukturat e shërbimeve sekrete izraelite. Komuniteti i Inteligjencës në këtë vend ka tre agjenci kryesore: Mosad (Agjencia për Kërcënimet e Jashtme), Shabak (Agjencia Policore e Brendshme) dhe Aman (Agjencia Inteligjencës Ushtarake). Nuk e kam të qartë në çfarë kuptimi përdoret Fauda izraelite. Sigurisht eksperienca izraelite njihet në botë edhe për veprime të caktuara, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar etj, por eksperienca izraelite nuk duhet të shërbejë për këtë projektligj në rastin e Shqipërisë. Objektivat tona duhet të jenë të mbështetura në modelet demokratike evropiane dhe ato që kanë të bëjnë me SHBA e Britaninë e Madhe e tjera.

Përtej emrit, e kam tek ajo që a krijohet me këtë projektligj një strukturë e veçantë, e cila do eliminojë elementë të cilët i shpëtojnë drejtësisë dhe për të cilët është e pamundur në mënyrë ligjore të vendoset…?
Jo, strukturat aktuale policore kanë në vetvete njësitë e posaçme adekuate të kërkimit, identifikimit apo kapjes të elementëve kriminale që mund të fshihen për t’i shpëtuar drejtësisë. Kjo është një kompetencë ligjore e vetë organeve policore në vend dhe mendoj se nuk ka nevojë për mbivendosje ligjesh. Theksoj se Policia e Shtetit ka jo vetëm njësi të tilla, por edhe infrastrukturën teknologjike për identifikimin e vendndodhjeve e kapjen e kriminelëve ose personave në kërkim nga drejtësia shqiptare apo e huaj. Ky projektligj mendoj se do të zgjerojë më tej bazën ligjore efikase për bashkëpunimin e koordinimin midis agjencive, të masave e mjeteve ligjore më të plota që lidhen me parandalimin e krimit dhe në krahun tjetër vendosjen e parametrave të kontrollit ose frenave juridike gjatë operacioneve policore për të shmangur abuzimet me ligjin.

Pra, ju mendoni që duhet ketë një strukturë e posaçme kontrolli mbi dosjet penale?
Patjetër! E përsëris që një strukture e tillë administrative e përbashkët dhe e posaçme e përfaqësuar nga titullarët e këtyre agjencive, bashkë me drejtuesin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe me drejtuesin e SPAK-ut, është domosdoshmëri të kontrollojnë punën e prokurorit me dosjen hetimore, si dhe njësinë operative të agjencisë përkatëse gjatë hetimit penal konkret. Këtu nuk bëhet fjalë që kontrolli ka për qëllim procedimin disiplinor apo mbivendosjen me kompetencat e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë apo të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky kontroll mund të vërë në lëvizje organet e sipërme. Besoj që janë mundësitë që ky projektligj t’i japë fund njëherë e mirë historive që prokurori apo gjyqtari është i paprekshëm, apo agjencitë sekrete nuk mund të kontrollohen dot.

Marrim një rast, një person i cili ka qenë në proces gjyqësor, i ka shpëtuar drejtësisë tashmë për atë që ka ndodhur, pra përmes rrugëve të korrupsionit me funksionarë të drejtësisë. Ky ligj çfarë bën në këtë rast, shton afatet për ta rihapur ose rishqyrtuar çështjen?
Shpjegimin po e ilustroj me një shembull konkret: Mediat këto ditë kanë njoftuar rastin e Elbasanit për lirimin e njërit nga personat e arrestuar. Mendoj, pavarësisht këtij rasti ligji aktual edhe ky projektligj nuk i mbyll shtigjet për rihapjen ose rishikimin e vendimeve gjyqësore për shkak të rrethanave të ndryshme që mund të zbulohen më pas. Rishikimi apo rihapja hetimeve edhe pse kanë bazën ligjore të përcaktuar, kanë gjithnjë trajta të pakufishme interpretimi, që për shkak të faktorëve të ndryshëm si interesi publik e rrezikshmëria e personit, e tjera të lejojnë të rihapen dosjet ose të rishikohen me proces të rregullt gjyqësor vendimet e mëparshme. Theksoj që projektligjin e z. Rama e konsideroj një hap të rëndësishëm dhe një dobi publike, por ndërkohë një ligj me frena juridikë si garanci mbrojtjen e qytetareve shqiptare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.