Homo Albanicus

Pse Shqipëria nxjerr gjithnjë e më shumë populistë si Berisha e Rama?!

21:50 - 06.12.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duhet sqaruar dhe sjellë për publikun ajo që cilësohet si term për populistin. Në mes të shumë përcaktimeve, më kryesorja është ajo që flet se: ai është një aktor politik që përpiqet të marrë mbështetje nga njerëzit e thjeshtë duke u shfaqur sikur e shqetësojnë hallet e tij dhe duke bërë premtime të vazhdueshme për zgjidhjen e tyre.




Dhe, në realitetin që jemi politikani që është në krye të Ekzekutivit ka gjithçka në dorë dhe përfaqëson gjithçka në vend. Veçanërisht me sistemet e reja politike, ku kryetari i partisë është gjithçka. Rasti që i referohemi nuk është vetëm i vendit tonë por i takon të gjithëve. Mjafton të shohësh shenjat sesi sillen të gjithë numrat pasardhës në partitë shqiptare dhe kupton vartësinë ndaj Njëshit. Ata, flasin, sillen, gjykojnë dhe madje në grimasa sillen si ai ose përpiqen të jenë si ai. Prej këtij pushteti, kryetari i partisë ka ndjesinë e një babai të partisë dhe automatikisht Babai të Kombit. Kryeministri Rama e shprehu hapur në ligjërimin e tij këtë realitet ashtu si paraardhësi i tij Sali Berisha, që për tetë vjet solli ndjesinë e njeriut që mund të ketë dhe duhet t’i lihet gjithçka në dorë.

Është e vërtetë se qytetarët që kanë votën për t’i zgjedhur, duhet të jenë më të përfaqësuar por në fakt ata zgjedhin listën e sjellë nga Njëshi dhe mbi të gjitha ata nuk kanë më asnjë mundësi me sistemet e reja për të vendosur për problematikat që shqetësojnë vendin. Askush nuk do t’ia dijë nëse ata kanë pakënaqësi me ligjet e ndërmarra nga Ligjvënësit, me politikën e diktuar nga organizatat ndërkombëtare, askush nuk pyet nga politikanët nëse ata duan ndryshime të strukturës kushtetuese në mënyrë që kjo të jetë e dobishme për ta, por ata nuk pyeten më edhe për mënyrën sesi mund ta kishin presidentin e tyre. Ata, madje, privohen dhe nga e drejta për referendume…

Kjo lë hapësirën e nevojshme për populistët, që duke shfrytëzuar emrin e tyre, të drejtojnë politika që më shumë synojnë pushtetin e Ekzekutivit. Në fakt, dukshëm që populizmi me kartën e tij të popullit dhe jo të ashtuquajturën elita duket se përshtat një politikë në dukje me demokratike, por në mënyrën sesi ka funksionuar tregoi se nuk ka më shumë sukses sesa partitë e tjera në të ashtuquajturin diskurs politik. Me kartën se kanë dhënë më shumë për demokracinë, kanë treguar se zvogëluan realisht të ashtuquajturin përgjegjshmëri për zgjedhësit e tyre, që votojnë ata që nuk njohin nën siglën e Njëshit. Kaq e fortë është e vetëndjera e tyre, saqë tashmë ti shpesh shikon distancën e pushtetit me njerëzit. Dhe, gjuha e kryeministrit disa herë e ka treguar realisht këtë me përçmimin e komuniteteve dhe anatemën jo të pakët ndaj shoqërisë civile. Në ditët e fundit kjo është rritur sidomos me ligjërimin e Ramës dhe sidomos stigmën e tij. Pa asnjë lloj përgjigje dhe Mea Culpa, tashmë kemi një tollovi të vërtetë e të vazhdueshme të përgjegjësisë të qeverisë, kurse Ekzekutivi pothuaj mbizotëron mbi Legjislativin. Në sesionin e të enjtes së 5 Dhjetorit, deputetët e Opozitës së Re, u nënvleftësuan për të mos thënë u tallën për ligjërimin e tyre. Literatura politike hedh idenë se dobësimi i kontrolleve kyçe të populistëve mbi autoritetin ekzekutiv ka qenë një pararendës i zakonshëm i përmbysjes autokratike- përfshirë këtu edhe demokracitë më të pasura. Veçse kjo nuk po ndodh tek ne, kurse e kundërta duket se po e kërcënon sot hapur demokracinë shqiptare nga populistët e Majtë.

Dhe, nuk mbaron këtu, rasti i Shqipërisë provon atë që thuhet për vazhdimësinë e populizmit: nëse populistët në pushtet arrijnë që të mos jenë të ndërgjegjshëm realisht për përgjegjësinë e tyre ndaj opinionit publik atëherë ky fenomen bëhet i gjithhershëm dhe trashëgohet.

Dhe, a nuk ndodhi kështu me trashëgiminë e ligjërimit të Sali Berishës?! Shqipëria e ka kthyer në endemik populizmin prej papërgjegjshmërisë së qeverive të saj, që ia trashëgojnë këtë tipar njëra-tjetrës.

Shqipëria duhet të shpëtojë fillimisht nga ata që kinse pretendojnë se po e forcojnë atë me populizimin e tyre fals, fakt që në fakt i nxjerr ata duke u përpjekur për ta zotëruar. Berisha dhe Rama na e dhanë këtë shembull.

Homo Albanicus

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.