KULTURË

XHEMAL FARKA/ Gazetari që zhduku komunizmi, e motra mbulohej me burkë dhe e kërkonte natën

12:50 - 13.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Ka qenë në Bari një vilë “Azona a La Rossa” ku shumë shqiptarë takoheshin me njëri-tjetrin. Në takimet e tyre, shpesh kishte edhe të huaj të lidhur më Shqipërinë. 25 prej atyre shqiptarëve pas kthimit në atdhe u përballën me akuzën si agjentë të huaj, tradhtarë të atdheut dhe agjentë që donin të rrëzonin pushtetin popullor. Nga shteti i kohës njihen me emrin “grupi i spiunëve të Vilës S.B.S- Bari”. Një prej tyre, ishte një riosh i qeshur nga Tirana.




Në gazetën “Arbënia” të viteve 1930 gjendet me pseudonimin Sula i Fajës, Xh.F, Xhefar, ndërsa për miqtë ishte gazetari satirik social demokrat Xhemal Farka.
Lindur më 1913 në Tiranë në një familje qytetare. Pas Institutit “Harry Fultz” në Tiranë, kishte mbaruar Universitetit Amerikan të Beirutit me bursë të dhënë nga Sotir Kolea për të studiuar koloninë shqiptare të atjeshme, kishte qenë gazetar në Radio Bari dhe kishte punuar për Zërin e Amerikës në Jeruzalem.

Xhemal Farka shkruante për problemet sociale që kalonte shoqëria shqiptare, si “Fëmijët e natës”, që lypnin rrugëve; në dialekt tiranas me pseudonim, mbështeste emancipimin e femrës shqiptare dhe kryente hulumtime folklorike në trevën e Tiranës. Pas studimeve qe rikthyer në atdhe me idealizmin për të ndërtuar vendin por ai përballet me dy herë me regjimin, të parën se ndihmoi Lef Nosin e të dytën si agjent e tradhëtar.
Në AIDSSH, mes shumë dokumentesh të zbehta e të palexueshme ka dy procesverbale për të. Nga ai i datës 15 shtator 1945 del se e ka takuar për herë të parë Lef Nosin më 1938 në një festë në Elbasan ku gjendej dhe znj.Haslluk. Në këtë rast Xhemal Farka kishte shkuar në festë si përkthyes i profesorit amerikan Filip Mosli, që ishte i ftuar. Siç duket i pyetur se kush e solli nga Elbasani në Tiranë Lef Nosin (kur i fshihej qeverisë komuniste), Farka përgjigjet që nuk e di. “Para tre a katër ditësh se të arrestohesha, jam pjekur përtej Pallatit të Zogut në një të panjohur, i cili më foli në emër e më tha se jam miku i Vasil Nosit deh dua të shkoj në Tiranë. Qe veshur me malokshme si ustallarët e Gollobordës. Bashkë me të kemi ardhur deir tek ura karshi fermës së Neki Radoviksës dhe të dy muarrmë rrugë të ndryshme”. Në letër shënohet të ketë thënë se pat dyshime që qe Lef Nosi, por nuk mori guximin ta pyeste që ta denonconte. Duke qenë se në procesverbal nuk jepen pyetjet që i janë bërë gazetarit nga hetuesit mbeten të dyshimta edhe frazat që në fund është shtrënguar të firmosë.
Në një procesverbal të datës 17 shtator 1945, ai tregon që ka pasur mik prej kohës së Bejrutit, Vasil Nosin dhe se prej tij dinte që Lefi ishte në kërkim. Në tri faqe procesverbal ai nuk pranon ta ketë strehuar Lef Nosin, por pranon se i është kërkuar ta kalojë Lef Nosin nga “mullini deri te postblloku. Te ferma e mora Lefin për ta përcjellë dhe ta fusnja brenda postbllokut në Tiranë… Arritëm ndërmjet Legatës Amerikane dhe fermës ku u paraqite Vasili me Markun në një karrocë. Nuk e di ku shkuan…”
Duke qenë në dijeni të faktit që dëshmitë merreshin nën tortura, nuk është e vështirë të kuptohet, pse dëshmia e Farkës ka ndryshuar dy ditë më vonë.
Musine Kokalari në ditarin e saj shënon se “një nga të burgosurit, të cilin e pashë përmes dritares sime të vogël në oborrin e burgut, më tha se ata po merrnin në pyetje Xhemal Farkën për mua. E kuptova. Ai nuk tha asgjë për mua dhe unë nuk thashë asgjë për të”.
Nd.Prokurori Ushtarak i Garnizonit, kolonel Faik Minarolli nga ana tjetër shkruan se “u vërtetua që të akuzuarit kanë (kryer) krimin e poshtër të tradhëtisë s’Atdheut tue bërë pronë atë dhe veten e tyre të agjenturave t’huaja”.
Nga 25 të akuzuar, Xhemal Farka, është një prej prej 5 vetëve që dënohet me vdekje. Pos ndihmës që i ka dhënë Lef Nosit, ai renditet nga prokuroia e kohës mes grupit të “Azona Vila Rosa”.
Xhemal Farka u pushkatua më 1948 si agjent anglez, akuza që s’i provuan dot kurrë.
“Sh.gjyqtar! të akuzuarit nuk i kam akuzuarë se kanë jetuarë në vilën Azona e La Rossa…I kam akuzuarë se të gjithë atje e kuptuan se kishin të bënin me Shërbimin Sekret të Ballkanit me agjentë Fultz-in…bashkëpunuanë me ta e pranuan të bëhen agjentë të tyre”- thotë pretenca e prokurorit për Xhemal Farkën e 25 të tjerë.
Në një bisedë për ekspozitën “E shkuara e pakryer” për të zhdukurit në diktaturë, Zenita Farka, mbesa e tij ka treguar se i ati Hasani, shkonte shpesh ta takonte në burg diku te “Selvia”, t’i çonte ushqime e ndërresa. “Një ditë shkurti të vitit 1947, xhandari ia hodhi ushqimet. I tha ‘ik se e ke te Bregu i Lumit’. Atëherë babai e kuptoi që e kanë pushkatuar. Bashkë me hallë Eminenë dilnin netëve ta kërkonin. Ajo mbulohej me një çarçaf si me burkë që të mos e njihnin. Iknin natën e gërmonin me thonj për ta gjetur”. Mbesa kujton se sa herë shkonte me të atin në Durrës te hallë Emineja hidhte sytë nga Bregu i Lumit. Nuk e gjetën kurrë Xhemalin, gazetarin që kur u kthye në atdhe e priste Omer Nishani me nderime, sepse kishte mbështetur luftën kur punonte në radio.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.