EKONOMI

Përjashtohet nga tatimi 15 për qind dhurimi i pronës

12:00 - 14.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Kalimi i të drejtës së pronës nga prindërit te fëmijët përmes dhurimit do të çlirohet nga taksa 15 %. Gjithashtu nuk do të tatohet më as dhurimi i tokës bujqësore, e cila përdoret për qëllime ndërtimi, pra si truall. Vendimi hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe është miratuar dje në Komisionin e Ekonomisë pas propozimit të deputetes Evis Kushi.




Vendimi
Pronarët që duan të dhurojnë banesën tek fëmijët e tyre apo bashkëshortët tek njëri-tjetri, vitin e ardhshëm nuk do të paguajnë tatimfitimin, i cili aktualisht aplikohet në masën 15 për qind, siç aplikohet në rastin e shit-blerjes në kushte normale të pronave. Amendamenti është bërë nga deputetja socialiste Evis Kushi, dhe është miratuar në Komisionin e Ekonomisë, ndërsa përjashtohen objektet që përdoren për qëllime biznesi.

Komisioni
Komisioni i ekonomisë ka miratuar dje edhe heqjen e TVSH-së për lëndët e para të importit që do të përdoren për projektin e rindërtimit, lehtësi e cila do të aplikohet vetëm për ata subjekte që do të jenë pjesë e këtij programi. Ndërsa, u miratua ulja e TVSH-së ne 6 për qind për autobusët elektrikë për vitin 2021, ndërkohë që ishte parashikuar në 10 për qind. Ndërkohë organizatat jo-qeveritare, pas miratimit të ligjit mund të përfitojnë ribursimin e TVSH për grantet që marrin nga donatorët e huaj. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar në Fletoren Zyrtare udhëzimin për rimbursimin e TVSH-së për OJF që kanë lidhur një kontratë të financuar me fonde të donatorit. Pavarësisht statusit të saj në kontratë, OJF-ja gëzon të drejtën e rimbursimit të TVSH-së së paguar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve në kuadër të kësaj kontrate, sipas procedurës së përcaktuar në këtë udhëzim. Për çdo kontratë granti mund të këtë vetëm një numër identifikimi për efekt rimbursimi, por disa OJF aplikante për t’u pajisur me certifikatë për rimbursim TVSH-je në varësi të statusit të tyre në kontratë. Nëse aplikanti është një OJF, palë në kontratë me statusin lider/koordinator, certifikata e saj për rimbursim është e vlefshme edhe për TVSH-në e paguar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri në kuadër të kësaj kontrate nga OJF-të e tjera vendase, palë në kontratë me statusin bashkëpërfituese apo nënpërfituese të grantit. Në rast se OJF-ja, palë në kontratë me statusin lider/koordinator është organizatë e huaj që ushtron veprimtarinë jashtë territorit të Shqipërisë apo që ushtron një a disa veprimtari të caktuara në territorin shqiptar, e paregjistruar sipas të drejtës shqiptare me një degë a OJF të re, të drejtën e aplikimit e gëzon OJF-ja/të vendase, palë në kontratë me statusin bashkëpërfituese, për pjesën e TVSH-së së paguar prej saj/tyre dhe prej nënpërfituesve të grantit (OJF-të vendase, nëse ka) në blerjen e mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri në kuadër të kësaj kontrate. Edhe në rastin kur lideri/koordinatori nuk e gëzon statusin e OJF-së sipas kuptimit të ligjit për organizatat jofitimprurëse, të drejtën e aplikimit e gëzon OJF-ja/të vendase palë në kontratë me statusin bashkëpërfituese, për pjesën e TVSH-së së paguar prej saj/tyre dhe prej nënpërfituesve të grantit (OJF-të vendase, nëse ka) në blerjen e mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri në kuadër të kësaj kontrate.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.