MILOSAO

Shqipëria dhe Giacomo Casanova

08:49 - 15.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luçia Nadin – Giacomo Casanova nga Venediku (Venecia), konsiderohet si një nga ato emra në histori, që mbeti i njohur në të gjithë botën por edhe i cituar, kryesisht për imazhin që ai vetë dëshironte të përçonte te brezat pasardhës. Kultura e tij ishte e shumanshme, pasi ishte studiues, përkthyes, historian, poet, madje konsiderohet edhe si një agjent sekret, filozof, matematikan, alkimist, udhëtar në shtetet kryesore, bashkëbisedues i personaliteteve kryesore kulturore të kohës së tij, mik i burrave të shtetit, qofshin princër apo mbretër… Kushdo që merret me shekullin XVIII në Evropë e has në mënyrë të pashmangshme emrin e tij, por edhe ata që nuk motivohen nga qëllimi specifik kulturor, emrin e Casanova do e kenë hasur të shpërndarë në mijëra dokumente, në mijëra histori ku konsiderohet si figurë pasqyre, në një kuptim si Don Giovanni i Mozart, një lloj figure emblematike e joshës i madh i kohës, ashtu si edhe një libertin i madh. Dhe ky karakterizim i fundit lidhet me suksesin e autobiografisë së tij, “Historia e jetës time”, shkruar në gjuhën më të përhapur dhe të folur të kohës, atë frënge.
Në Venecia, Casanova, ka lënë shpesh edhe të vendosura gabimisht vende, kuptohet e ngatërruar disi edhe prej shumë venedikasve që ilustrojnë së kaluarën (pasi pikërisht legjendat mbizotërojnë mbi jetën realen), të disa atraksioneve të qytetit që mbeten funksionale për joshjen turistike, ku ka jetuar personazhi.




Duhet thënë see autobiografia e Casanova, si dhe shumë vepra të tjera të shkruara prej tij, nuk janë thjesht një kronikë e aventurave të dashurisë, por është një burim interesant dhe i vlefshëm i lajmeve, përshkrime të vendeve ku shkoi, referenca për zakonet dhe kulturën e kohës, të shënimeve të një njeriu të kulturuar dhe të një udhëtari të vëmendshëm…
A është e përcaktuar edhe Shqipëria në raportet e saj? Do ta shohim më poshtë.

Venecia e shekullit të tetëmbëdhjetë, shtëpia e vetë Casanova-s, kishte humbur tashmë statusin e të ashtëquajturit Stato da Mar, pasi nga Shqipëria kishte mbetur një pjesë e vogël përballë Korfuzit, zona e Butrintit, veçse arsyet e tregtisë vazhduan të mbanin një dialog të gjallë dhe të përditshëm midis dy palëve; subjektet shqiptare të Perandorisë Osmane kishin prani të përhershme në Venecia, duke u bërë kryesorë në Fontego (Fondaco, Magazzino) e Turqve, dhe kjo shpjegon pse dhjetëra e dhjetëra galera e përshkonin Adriatikun nga Shkodra, nga Durrësi, nga Vlora në Butrint (Korfuz) deri në Venecia dhe anasjelltas, të ngarkuara me dyll, duhan, dru, lëkurë kafshësh, mëndafshi dhe leshi etj. Nga Shqipëria e dikurshme venedikase vazhdoi të ruhej kujtesa gati mitike. E nëse në Bucintoro, statuja e të madhit Skënderbeu i kishte lënë vend një statuete zote të Marsit më energjik, heroi shqiptar vazhdoi të mbetej gjallë në kujtesë pasi luhej në skenat teatrale veneciane përmes përfaqësimeve të “Commedia dell’arte”, që asokohe kishte marrë përsipër përmasat e gjigantit, të afta për Luanin e zbutur.
Dhe Republika nuk e harroi kontributin ushtarak që kishte pasur me shekuj nga “të afërmit” e Adriatikut të bregut tjetër, skllevërit e shqiptarët, dhe Carlo Goldoni, dramaturgu i shkëlqyeshëm i shekullit të tetëmbëdhjetë, i kushtoi një pjesë shumë të suksesshme temës: La Dalmatina,ku siç kujtojnë kronikat e kohës, vetëm ushtarët skllevër të pranishëm në Venecia vraponin në çdo shfaqje për ta parë.
Dhe ja ku jemi me kujtimet e Casanovas tonë, që tashmë si dëshmitar okular, atëherë as njëzet vjeç (ai ka lindur në 1725), ka mundësinë të shohë në ishullin Sant’Andrea, në grykën e portit të Venecias, një pamje njerëzore të paharrueshme: takimin e ushtarëve shqiptarë, me familjet e tyre të gjitha me kostume shumëngjyrësh, të cilat ishin sjellë në atë vend për t’u dekoruar për meritat e tyre ushtarake.
“Kalaja e Shën Andreas, ku Republika zakonisht mbante një garnizon prej njëqind djemsh skllevërish invalidë, po mikpriste në atë kohë dy mijë shqiptarë të quajtur “cimarioti”-himariotë. Ministri i Luftës, i cili në Venecia thirrej Savio prej cilësive të së shkruarit, i kishte përcjellë ata nga Levanti me rastin e një promovimi. Donin t’u bënin të njohur zyrtarëve mundësinë për të pohuar meritat e tyre dhe t’i shihnin publikisht të shpërblyer. Ata të gjithë ishin vendas të asaj pjese të Epirit, që quhet Shqipëri dhe që i përket Republikës dhe njëzet e pesë vjet më parë ata ishin dalluar gjatë luftës së fundit të luftuar nga Venecia kundër turqve. Për mua ishte një pamje e re dhe befasuese të shihja atë grup të vogël oficerësh, të gjithë të moshuar dhe me shëndet të mirë, me fytyrat e tyre të mbuluara me plagë dhe gjoksin e tyre të zbuluar. Më i vjetri, dhe gjithashtu më i tmerrshmi, ishte nënkoloneli, i cili ta themi fjalë për fjalë i mungonte një e katërta e kokës, pasi kishte humbur një vesh, një sy dhe nofullën e tij. Megjithatë ai foli me një ton të gëzuar, hëngri me një oreks të mirë dhe kishte karakter rinor. Kishte me vete tërë familjen, e cila ishte e përbërë nga dy vajza, të cilat të veshura me kostum kombëtar dukeshin edhe më të këndshme, dhe nga shtatë meshkuj, të gjithë bashkë që i rrinin përkrah. Ky njeri që ishte gati gjashtë këmbë i gjatë dhe me prezencë, e kish fytyrën e tij të shkatërruar nga shumë plagë të frikshme. Pavarësisht kësaj, unë menjëherë më pëlqeu dhe do të dëshiroja të flisja me të nëse ai do kishte ngrënë më pak hudhër. Përkundrazi, ai u tregua shumë i dashur, si të gjithë bashkatdhetarët e tij, dhe paçka se mbante erë të padurueshme. Ndër të tjera, ai gjithnjë kishte në xhep të paktën njëzet karafilë, ashtu si ne mbajmë konfetti në xhepa … Nënkoloneli nuk dinte të shkruante, por nuk u turpërua, sepse, përveç priftit dhe një kirurgu, askush në regjiment nuk ishte i aftë ta bënte këtë punë. Të gjithë, oficerë dhe ushtarë, kishin çantat e tyre të mbushura dhe të paktën gjysma ishin të martuar: në fakt, në fortesë kishte gjithashtu pesë ose gjashtëqind gra dhe një numër të madh të fëmijëve dhe spektakli që këta njerëz me ngjyra ofruan, mua po më interesonte më shumë….

Casanova menjëherë u bë një mik i ngushtë i shqiptarit që i dha atij dymbëdhjetë shishe dhe dy kile duhan të hollë “Gingè”.
Ne nuk po hyjmë në vijim të tregimit, pasi është më pak interesant për qëllimet tona, kjo sepse është i lidhur me një marrëdhënie dashurie aventureske me një grua të re të atij grupi. Rrëfimi ynë merr në konsideratë atë spektakël të ushtarëve të vjetër të himariotëve: një galeri e fytyrave të mbuluara nga plagët, gjokset e zhveshura, të kryesuar – kështu të thuash – nga koloneli që ishte edhe pa gjysmë kokë; e megjithatë të gjithë janë krenarë për plagët e tyre, të lumtur për nderimet që kishin marrë.

Gjithmonë jemi mësuar të mendojmë për Stradiotët, si luftëtarë të guximshëm, shumë shpejt të futur në luftën e tyre me kuaj pothuajse mitikë, madje edhe Stradiotë fisnikë, të tillë siç është një Mercua Bua, për shembull, i plotë që tashmë fle poshtë një guri varri prestigjoz. Këtu, ky pasazh nga Casanova na çon përsëri në përshkrime të tjera, ku shfaqen si imazhe për lexuesin trupa të copëtuar dhe të shpërfytyruar në luftime gjaku, në mbijetesa të mrekullueshme, në gjymtime dhe infeksione, në beteja të egra trup me trup. Eshtë gjithashtu befasuese ajo atmosferë gëzimi në të cilën shëmtinë e fytyrave të deformuara ai e shndrron në një rast krenarie, pothuajse demonstrimi, dëshire për nderime dhe çmim shpërblimi të vlerës dhe besnikërisë ndaj Republikës.

Kujtojmë, nëse ky lloj imazhi është legjitim, se ai përbën një skenë që mund të futej normal në një karnaval venecian të kohës (mitike, shumë e gjatë, karnavalet e shekullit tetëmbëdhjetë venecian); ku tragjedia e luftimeve u shndërrua në një festë të madhe në gëzimin e mbijetesës, të të qenit protagonist për t’u nderuar dhe shpërblyer.

Shqipëria me këtë akt bëri një lloj sfilate në Venecia, në fortesën e Shën Andreas, si një tokë burrash të guximshëm dhe jashtëzakonisht të fortë: e ndaj tek populli venedikas u shfaq, në këtë oborr, si një vend përrallor i luftëtarëve të jashtëzakonshëm dhe besnikë.
I riu Casanova regjistron atë përvojë në prag të udhëtimit të tij të parë në Kostandinopojë, pas një lirimi me kusht, të Pietro Vendramin: ku si një fazë e planifikuar dhe e detyrueshme e këtij udhëtimi, si në rrugën e ikjes ashtu dhe në rrugën e kthimit, ishte Korfuzi.
Me interes, në kërkim të shënimeve të mundshme mbi tokën shqiptare, vazhdon leximi i Historisë së jetës së tij: në fakt leximi nuk rezervon kënaqësi të mëdha, sepse udhëtimet për në Levant preknin vetëm bregdetin dhe nuk përfshinin ndalesa brenda; por jo, diçka që lexuesi i vëmendshëm gjen, akoma i lidhur me zonën e Korfuzit, ka të bëjë me rastin e një aventure tjetër udhëtimi nga Casanova (ishte viti 1744).
… Të nesërmen, zoti F. iu lut zotit D.R. të më lërë të shkoj tri ditë në Butrint për të zëvendësuar ndihmësin e tij të sëmurë rëndë.
Butrinti, qyteti më i afërt i kontinentit në ishull, është shtatë milje larg Korfuzit. Nuk është një kështjellë, por tashmë thjesht një fshat i Epirit, por Shqipëria e sotme i përket venedikasve. Të vetëdijshëm për të vërtetën politike se “një e drejtë e lënë pas dore është e drejtë e humbur”, venecianët dërgojnë katër gale, ku çdo vit e ngarkojnë me të dënuar që presin dru dhe e ngarkojnë atë në anije duke e transportuar pastaj në Korfuz. Galerat do shoqëroheshin gjithnjë nga një detashment rojesh që kishin për detyrë të monitoronin të dënuarit, të cilët përndryshe mund të dezertonin lehtësisht dhe të shkonin të bëheshin turq …. Për dy ditë të plota të dënuarit kishin përfunduar tashmë prerjen e drurit dhe e imbarkuan atë. Kështu që ditën e tretë pata mundësinë të kthehem në Korfuz.

Në kontrast me skenën shumëngjyrëshe të Kalasë së Shën Andreas, përshkrimi i Butrintit të zhgënjen me heshtjen e rëndë të një vendi që përbëhet vetëm prej shkurreve: Venetët ende e posedojnë atë, ai vend që kishte qenë dikur e një kohë vend strategjik në përleshje me Fuqinë Osmane. Por, nënvizon Casanova, për politikën veneciane tani ishte vetëm çështja e ruajtjes dhe mos neglizhimit të një të drejte, kështu që këtu Butrinti përbën thjesht një rezervë të thjeshtë druri, një lëndë e parë, por gjithnjë e çmuar për Republikën.
Dhe përveç kësaj, duke e humbur vlerën e saj si një post ushtarak strategjik, me një kala shumë të rëndësishme, çfarë mund të ketë qenë Butrinti në shekullin e tetëmbëdhjetë për Venezian? Në fakt, Butrinti, i rrahur nga malarja endemike, tani ishte vetëm një tokë ku shfrytëzohej druri, përkundrazi ishte zona e peshkimit për të siguruar të ardhura të mëdha në Dhomën e Korfuzit; fermat e tij të peshkut furnizuan gjithashtu mensat veneciane me shishe të mrekulluesh nga ato të njëjtat që koloneli i vjetër i kishte dhënë Giacomo të ri në Fortesën e Shën Andreas.

Do të duheshin, në fakt, dy shekuj më shumë për gërmimet e Luigi M. Ugolini, i cili do ta gjejë përfundimisht jo shumë gjëra të ndryshme nga shënimet e shkurtra të Casanova: ai do të thotë se vendi është i pushtuar nga një pyll i ndërlikuar dhe i padepërtueshëm, një zonë e shkretuar e banuar nga derrat e egër, çakallët dhe viperët. Ishte një zonë më së shumti për udhëtime gjuetie, siç e kishte njohur Ali Pasha nga Tepelena.
Heshtja e madhe e Butrintit nuk e tërhiqte të riun Casanova, e cila me sa duket dinte pak për historinë e vendeve dhe as nuk dinte udhëtimet e shekullit të 15-të të Ciriaco d’Ancona me gjetjet e tij të para të mbetjeve arkeologjike në zonë. Sharmi romantik i Butrintit të egër, ai që do të vijë nga Bajroni më vonë, ishte akoma larg, tek Casanova jonë kishte vetëm një dëshirë të madhe për jetë dhe aventurë.
Ai ishte me nxitim për t’u rikthyer në Korfuz, në mes të argëtimeve të mundshme të takimeve dhe sfidave dashurore për lojën, dhe kësaj të fundit kishte pasur një shkollë të mirë në Venecia, ku kazinoja e parë e historisë moderne rezultonte e hapur qysh në vitin 1638.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.