EKONOMI

Skema e re/ Si do të kalojnë pronat nga shteti te privatët

12:00 - 17.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Hyn në fuqi skema e re për kalimin e pronave shtetërore në duart e privatëve. Investitorët ose zhvilluesit privatë do të kenë të drejtë të marrin deri në 20 për qind të pronës që do zhvillojnë nga shteti. Ky është në thelb vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 807, datë 11.12.2019 që përcakton se pronari/pronarët e një prone private, si dhe çdo subjekt zhvillues, i cili ka marrë të drejtën për të zhvilluar një pronë të tillë, gëzojnë të drejtën që të kërkojnë kalimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private.




Kalimi i pronësisë
Për transferimin e të drejtës së pronësisë nga shteti të investitori kërkohet që sipërfaqja e pronës shtetërore është në pronësi të shtetit dhe nuk është transferuar në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në bazë të ligjit 8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësinë e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar dhe sipërfaqja e pronës shtetërore është në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe ato kanë dhënë pëlqimin për kalimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private, sipas procedurave që parashikohen në këtë vendim. Në vendim përcaktohet se sipërfaqja e pronës shtetërore është në kufi me pronën private që do të zhvillohet nga subjekti kërkues; ç) për zonën ku ndodhet sipërfaqja e pronës shtetërore që kërkohet të tjetërsohet ekziston një plan i përgjithshëm vendor për zhvillimin e territorit (sipas kuptimit të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin e territorit”), i miratuar nga organet përkatëse për planifikimin e territorit dhe sipërfaqja e përgjithshme e pronës shtetërore, që kërkohet të kalohet nga pronë shtetërore në pronë private, nuk duhet të jetë më e madhe se 20% e sipërfaqes totale të pronës private që do të zhvillohet, sipas rastit, nga pronari i tyre apo subjekti zhvillues. Ndërkohë që sipërfaqja e pronës shtetërore nuk kryen më asnjë funksion publik apo ka humbur funksionet për të cilat është përdorur. Struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike, në ministrinë përgjegjëse për financat, është përgjegjëse për pritjen e kërkesave, shqyr-timin dhe vlerësimin e tyre, si dhe i propozon ministrit përgjegjës për financat për kalimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private, duke ndjekur të gjitha procedurat e përcaktuara në këtë vendim.

Afatet
Pas miratimit të vendimit nga Këshilli i Ministrave, për kalimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private, njoftohet kërkuesi që, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit, të nënshkruajë me strukturën përgjegjëse për tjetërsimin e pronave shtetërore në ministrinë përgjegjëse për financat, kontratën për kalimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private. 9. Në kontratë do të përcaktohet çmimi i sipërfaqes së pronës shtetërore që do të kalohet te kërkuesi, i cili do të jetë në përputhje me çmimin e përcaktuar në hartën e vlerës së pronës përkatëse, të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kontrata përcakton, gjithashtu, kushtin për momentin e kalimit të pronësisë së pronës shtetërore, që në çdo rast do të lidhet me realizimin e projektit, në funksion të të cilit është kërkuar kalimi i pronës shtetërorë në pronë private. Kontrata, pas nënshkrimit të saj, regjistrohet në zyrën përkatëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me shënimin përkatës. Nëse miratimi i lejes për zhvillimin e projektit, në funksion të të cilit është kërkuar kalimi i pronës shtetërorë në pronë private, nuk bëhet brenda 5 viteve nga nënshkrimi i kontratës, atëherë kontrata zgjidhet dhe palët i kthejnë njëra-tjetrës çdo gjë që i kanë dhënë si pasojë e kësaj kontrate. Çmimi i përfituar nga kalimi i sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private, sipas këtij vendimi, kalon 100 për qind në buxhetin e shtetit. Qeveria ngarkon ministrinë përgjegjëse për financat, njësitë e vetëqeverisjes vendore, Agjencia e Trajtimit të Pronave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Zhvillimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Dokumentet

n Kërkuesi paraqet kërkesën e tij pranë ministrisë përgjegjëse për financat, të shoqëruar me dokumentet, si më poshtë vijon:
a) dokumentacionin e lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që vërteton pronësinë e shtetit mbi sipërfaqen që kërkohet të kalohet nga pronë shtetërore në pronë private, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi;
b) dokumentacionin e lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që vërteton pronësinë e kërkuesit mbi pronën private që ndodhet në kufi apo që përfshin sipërfaqen e pronës shtetërore që kërkohet të kalohet nga pronë shtetërore në pronë private, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi;
c) genplanin dhe planvendosjen e sipërfaqes së kërkuar për t’u kaluar nga pronë shtetërore në pronë private, të përgatitur nga ekspertë të licencuar;
ç) dokumentacionin që vërteton se zona ku ndodhet sipërfaqja e pronës shtetërore, që kërkohet të kalohet nga pronë shtetërore në pronë private, përfshihet në një dokument për planifikimin e territorit për njësinë përkatëse të vetëqeverisjes vendore.
Në rastin kur kërkues është subjekti zhvillues, krahas dokumentacionit duhet të paraqesë edhe kontratën e zhvillimit të lidhur me pronarët e pronës private. Dokumentacioni i paraqitur duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar prej tij.
Shqyrtimi dhe vlerësimi i kërkesave të paraqitura bëhet duke ndjekur këto procedura:
a) për verifikimin e kërkesave të paraqitura, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike, në ministrinë përgjegjëse për financat, kërkon bashkëpunimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës apo organeve shtetërore që kanë lëshuar dokumentet për konfirmimin e vërtetësisë së tyre dhe këto institucione kanë detyrimin që të kthejnë përgjigje zyrtare brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës. Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes;
b) për verifikimin e plotësimit të kushteve të përcaktuara në shkronjat “ç”, dhe “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat i kërkon njësive të vetëqeverisjes vendore, nëse ekzistojnë dokumente për planifikimin e territorit të miratuara, që prekin sipërfaqen e pronës shtetërore, objekt i kërkesës, si dhe nëse sipërfaqja e kësaj prone shtetërore kryen ose jo ndonjë funksion Ndërsa për verifikimin e shkronjës “e”, të pikës 1, të këtij vendimi kërkohet konfirmim nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit;
c) verifikimi i kushteve të tjera mund të bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga një komision, i cili ka në përbërje përfaqësues nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike, në ministrinë përgjegjëse të financat, nga prefektura e qarkut përkatës (punonjësi i zyrës së urbanistikës) dhe nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Çdo verifikim i tillë duhet t’i raportohet ministrit përgjegjës për financat, brenda 7 ditësh nga verifikimi i shoqëruar me relacionin teknik;
ç) komisioni i ngritur sipas shkronjës “c”, të kësaj pike, pas verifikimit të dokumentacionit dhe të sipërfaqes së pronës shtetërore që do të kalohet nga pronë shtetërore në pronë private, mban procesverbal, për çdo rast, dhe nënshkruan genplanin që i përket sipërfaqes së pronës shtetërore të kërkuar
Pas kryerjes së verifikimeve, me propozim të ministrit përgjegjës për financat, Këshilli i Ministrave miraton kalimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private, së bashku me projektkontratën që do të lidhet për këtë qëllim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.