Kosova

Rama e fton në takimin rajonal/ Thaçi e refuzon: Ja pse nuk marr pjesë

13:39 - 18.12.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka konfirmuar se nuk do të jetë prezent në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Lajmin për këtë refuzim e ka bërë vetë Thaçi përmes një mesazhi të publikuar në Facebook




Mesazhi i Thacit

Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, mikun tim Edi Rama, e falënderoj për ftesën për pjesëmarrje në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Si President dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, edhe një herë shpreh mirënjohjen më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Shqipërisë.

Mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm. Mirëpo, për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë.

Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në fund, dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë. HTH


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.