DOSSIER

“Si e ’festonim’ vitin e ri në burgun e Burrelit, me Ngjelën, Kurt Kolën, Sherif Merdanin dhe…”

11:00 - 06.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dashnor Kaloçi – Sot publikohet historia e panjohur se si “festohej” Viti i Ri dhe festat e tjera në Burgun e Burrelit dhe kampet e burgjet e tjera të regjimit komunist të Enver Hoxhës para viteve ’90-të, si Spaçi, Qafa e Barit, Ballshi, Zejmeni etj. Dëshmia e rrallë e Qani Beqo Sadikut me origjinë nga fshati Market i Sarandës, i cili kaloi 17 vjet burg dhe tre vite internim në periudhën e diktaturës, ku pjesën më të madhe të dënimit e vuajti në burgun famëkeq të Burrelit, në një qeli me emra dhe personazhe të njohur të rezistencës dhe disidencës antikomuniste, si: Kurt Kola, Nuredin Skrapari, Bardhosh Gjonzeneli, Spartak Ngjela, Spartak Bedri Spahiu, Sherif Merdani, Fatos Kërluku etj., me të cilët ai tregon se si e “festonin” natën e ndërrimit të viteve dhe “menunë e pasur” që ai regjim kishte paracaktuar për të dënuarit politik në raste festash, ku u jepej vetëm dy patate për Vitin e Ri vetëm atyre që ishin në Kaushin e Tiranës, (Reparti 313) dhe nga një copë hallvë me rastin e 16 tetorit, ditëlindjes së “shokut Enver”, vetëm për ata që ndodheshin atë ditë në spitalin e burgut!




Festa e Vitit të Ri që sapo lamë pas ashtu si në çdo familje shqiptare, është festuar edhe në të gjitha burgjet në vendin tonë, apo siç njihen ndryshe; Repartet e Vuajtjes së Dënimit të Veprave Penale. Theksuam “si në çdo familje shqiptare”, pasi të gjitha vendet e vuajtjes së dënimeve penale, kushtet e të dënuarve janë përmirësuar ndjeshëm pas viteve ‘90-të dhe duhet thënë se ato tashmë kanë arritur pothuajse në stadin e niveleve të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Kjo, pasi mjaft të dënuarve nuk ju mungojnë në dhomat e tyre asgjë nga ato që ata kanë pasur në shtëpitë e tyre, duke filluar nga fjetja, ushqimi, kushtet higjenike me banjat e dushet moderne me ujë të nxehtë në 24 orë, mjetet e informimit dhe argëtimit, si: tv, radio, libra, gazeta, revista, lojra të ndryshme etj., për të vazhduar me paisjet elektroshtëpiake etj. Gjë e cila duhet thënë se para viteve ’90-të, jo në kampet e burgjet për të cilat as bëhet fjalë, por ato “llukse” nuk i kishin as pjesa më e madhe e familjeve shqiptare. Ndërsa këto gjëra tashmë janë të njohura për të gjithë, ajo që nuk dihet shumë nga brezi i ri, për të mos thënë fare, është ajo se si ishte një ditë feste në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, çfarë ndodhte p.sh. në burgun e Burrelit në natën e ndërrimit të viteve, a u jepej të dënuarave ndonjë shtesë në racionin e tyre ushqimor, çfarë u lejohej t’u sillnin familjet, etj.

20200101_215223 20200101_215334 Burgu i Burrelit Burrel-qelia-1993 20200101_235610
<
>

Lidhur me këto jo më shumë si kuriozitet, se sa për të pasur një ide më të qartë se si ka funksionuar regjimi komunist i Enver Hoxhës me liritë e të drejtat themelore të njeriut dhe si i ka trajtuar ai personat e dënuar me heqje lirie, ne iu drejtuam për një intervistë. Z. Qani Beqo Sadiku, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës, i cili ka vuajtur 17 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës (dhe tre vite të tjera internim, para burgut), duke u liruar me të fundit të burgosur të ndërgjegjes në marsin e vitit 1991.
Sadiku, aq sa është i panjohur për publikun e gjerë, aq është edhe i njohur, madje shumë i njohur për shtresën e ish-të burgosurve dhe të dënuarve politikë, jo vetëm për qëndrimin e tij gjatë dy dekadave të vuajtjes së dënimeve në kampe dhe burgje, por edhe për shkak se për 13 vite, ai ka punuar pranë Institutit të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë në Tiranë. Dhe nisur nga ky fakt, është e vështirë që të gjesh ndonjë të dënuar që nuk e njeh Qaniun, apo e kundërta, që Qaniu të mos njoh ndonjë prej tyre!

Sadiku, cila është origjina e familjes suaj?
Unë jam me origjinë nga fshati Markat i Sarandës, ku dhe kam lindur në 14 dhjetor të vitit 1950.

Sa vite keni vuajtur në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës?
Unë kam bërë 16 vjet e disa muaj burg, pra jam arrestuar në korrikun e vitit 1975 dhe jam liruar nga mesi i muajit mars me të burgosurit e fundit. Pra, 17 vite burg, duke i mbetur “borxh”, Partisë që më dënoi, gati shtatë vjet e gjysmë burg. Por para burgut kam qenë edhe tre vjet i internuar në Borsh të Sarandës ku dhe jam arrestuar në korrikun e ’75-ës.

Përse ju kishin internuar dhe përse ju arrestuan?
Mua më internuan pasi më kishin akuzuar si një “qytetar i padenjë për normat e moralit socialist”, ndërsa akuza kur më arrestuan ishte për “agjitacion e propagandë, tentativë arratisje, minim të pushtetit popullor, sikur do vrisja ushtarët e kufirit”, etj.

Sa ju dënuan fillimisht dhe ku e keni vuajtur dënimin?
Fillimisht jam dënuar 10 vite burg, më pas jam ridënuar dy herë. Njëherë me 7 vite dhe herën e dytë në 1982-in, me 25 vite burg, të cilat i kam vuajtur në Spaç, Burrel dhe Shën Vasi të Sarandës ku na dërguan në fund të vitit 1990, me rastin e ardhjes në Shqipëri të Sekretarit amerikan të shtetit, James Baker. Pra, Partia, në Borsh të Sarandës më arrestoi dhe në Shën-Vasi po të Sarandës më liroi.

Nisur nga kjo atmosferë e festës së vitit të ri, a mund të na thoni shkurtimisht: si kalohej një natë e ndërrimit të viteve në Burgun e Burrelit, ku ju keni vuajtur një pjesë të madhe të dënimit, pra ku ndryshonte ajo natë nga të tjerat?
Nata e vitit të ri në burgun e Burrelit, por edhe në burgjet e tjera si Spaçi, Qaf-Bari, Ballshi, Zejmeni etj., nuk kishte asnjë ndryshim nga netët e tjera. Fare. Pra ishte një natë krejt e zakonshme, sa që shumëkush nga ne të dënuarit edhe mund ta harronte fare që ishte nata e vitit të ri.

Pse, komanda e burgut nuk ju jepte asnjë ushqim shtesë për atë natë si festë që ishte?
Absolutisht asnjë lloje shtese ushqimi. Edhe 31 dhjetori që nga mëngjesi e deri në darkë vonë, vazhdonte me të njëjtin ritual si ditët e tjera. Kjo vlente edhe për ushqimin, pra: supë në mëngjes, supë në drekë dhe tasi me çaj në darkë. Kaq, asgjë tjetër.

Po as në darkën e vitit të ri nuk shtohej asgjë në racionin ushqimor?!
Përveç tasit të atij që ne i thoshim çaj, (pasi vinte i ftohtë dhe vetëm emrin kishte, çaj), ku duhet të kishte 10 gram sheqer dhe një copë bukë nga ajo e drekës, ku pjesa më e madhe e të dënuarave e “asgjësonim” që në drekë, absolutisht asnjë gjë tjetër. Prandaj dhe ju thashë se ajo natë nuk ndryshonte fare nga netët e tjera.

Po nga ushqimet që mund t’u sillnin familjet, a u lejohej që të festonit vitin e ri me to?
Po me ushqimet që na dërgonin familjet ne edhe organizonim diçka, sa për ta kujtuar që ishte viti i ri.

Po me çfarë ushqimesh “organizoheshit” për vitin e ri nga ato që ju sillnin familjet?
Vetëm me kadaif që na i dërgonin familjet me pako, pra me postë, apo kur na vinin për të na takuar aty në burg dhe kjo nuk ndodhte shpesh, se familjet tona vuanin edhe për shkakun tonë, jo vetëm nga ana politike, por edhe ekonomikisht.

Si ua sillnin kadaifin, se ai duhet pjekur, …?
Zakonisht na e sillnin të pjekur dhe të mbështjellë në letër ashtu siç shitej në dyqanet e tregtisë ku e blinin familjet tona dhe ne hidhnim vetë sherbetin që ishte ujë me sheqer. Por kishte raste kur familjet tona na e sillnin edhe të sherbetosur dhe kjo ndodhte kur ato na vinin vetë në takim, se kur na e dërgonin pako me postë, sherbetin ua hidhnim vetë.

A kontrollohej ushqimi që ju vinte, pra në rastin konkret?
Jo vetëm që kontrollohej, por me imtësinë më të madhe. Më kujtohet që kur na e kontrollonte kapterri, ai fuste duart duke e bërë fije fije dhe pastaj duart që i bëheshin me sherbet, i fshinte te kurrizi me lesh i qenit që e mbante aty afër dhe pastaj, po me ato duar, kontrollonte kadaifin e familjes tjetër, pasi për vit të ri vetëm kadaif na sillnin.

Atë kadaif që ju sillnin familjet tuaja, e konsumonit menjëherë natën e vitit të ri?
Kjo varej nga i dënuari, kishte që e “asgjësonin” që atë natë, por gjithnjë duke e ndarë me shokët e qelisë, pra bashkëvuajtësit.

Ju me kë ishit në qeli në burgun e Burrelit, kishit ndonjë nga emrat që tashmë janë të njohur….?
Pothuaj të gjithë janë emra të njohur. Unë kam qenë shumë kohë në Burrel në një qeli me Spartak Spahiun, Nuredin Skraparin, Bardhosh Gjonzenelin, Spartak Ngjelën, Kurt Kolën, Sherif Merdanin, Fatos Kërlukun, etj.

Dhe e ndanit me njëri tjetrin …?
Po, dhe ata e ndanin, pra çdo njeri nga ne e ndante me të gjithë shokët e qelisë kadaifin dhe kjo fillonte dy tre ditë para vitit të ri dhe vazhdonte dy tre ditë më pas. Pra ditën e parë ne konsumonim kadaifin tim apo dhe të një tjetri dhe ditën e dytë, dy kadaifë të tjerë, e kështu me radhë. Dhe me mbarimin e, mbyllej dhe “festa” e vitit të ri. Kaq ishte e gjitha.

Po për festa të tjera, nuk ju jepte komanda e burgut asnjë lloj ushqimi shtesë. Pra si: 28 dhe 29 nëntori, 10 korriku, 1 Maji, etj.?
Absolutisht asnjë lloj ushqimi. Përjashtim bëhej në rastin kur ndodheshim në Kaushin e Tiranës, pra në Repartin 313, siç quhej asokohe Burgu i Tiranës që ndodhet edhe sot aty afër Arkivit Qendror të Shtetit dhe vetëm aty na jepnin një shtesë të vogël.

Që ishte….?
Është për të qeshur dhe nuk do e besoni kjo që po ju them, por shyqyr zotit janë gjallë ende shumë bashkëvuajtës dhe, gjithashtu, kapterë dhe oficerë burgu që e dinë këtë gjë. Për vitin e ri aty në kaush, përveç tasit të çajit dhe asaj cope buke që e ruanim nga dreka, na jepnin “bonus” siç i thonë sot, edhe dy kokrra patate të ziera, ku qëllonte që nuk ishin të krimbura apo të kalbura. Kaq ishte e gjitha. Asnjë gjë tjetër nuk na jepte komanda për asnjë lloj feste.
Hallva u jepej vetëm të dënuarve që ishin të shtruar në spitalin e burgut dhe kjo jepej vetëm njëherë në vit, me rastin e 16 tetorit, ditëlindjes së “shokut Enver”. Pra, po të qëlloje që në 16 tetor të ishte i shtruar në spitalin e burgut, përfitoje një racion hallvë.
Nisur nga fakti se po flasim për ish-të dënuar politikë, a pranonin ata të hanin hallvën për ditëlindjen e “shokut Enver”?!
Për hir të së vërtetës kishte shumë që e hanin, ça do bënin të varfrit, stomaku nuk pyet…?! Por ka pasur edhe të tjerë që e kanë refuzuar atë.

Po ju vetë…?
Unë kam pasur rastin shpesh të jem i shtruar në Spitalin e Burgut dhe e kam refuzuar kategorikisht hallvën, pra asnjëherë nuk e kam pranuar dhe këtë ua thosha hapur.

Nuk kishit frikë se mund t’ju ridënonin, pasi bëhej fjalë për ditëlindjen e “shokut Enver”?!
Po ça do të më dënonin më mua, unë isha dënuar dhe ridënuar me 25 vjet dhe më shumë se kaq nuk kishte ligj që të më dënonin. Por nuk ishte vetëm kjo që më bënte t’ua thosha hapur atë që mendoja dhe ndjeja, pasi unë kam folur që në vitet e para të dënimit dhe për këto gjëra jam ridënuar deri në 25 vjet.
Po në atë kohë, janë dhënë disa amnisti, si ajo e vitit 1982 dhe më pas e ’86-ës. Nuk përfituat asnjë vit ulje dënimi?
Nga amnistia e 1982-it nuk përfitova asnjë ditë ulje dënimi, pasi ajo amnisti specifikonte që të dënuarit me 25 vjet burg dhe përsëritësit nuk përfitonin ulje dënimi dhe unë sapo isha ridënuar me 25 vjet. Kështu që nga ajo amnisti isha i përjashtuar jo vetëm unë, por pothuaj të gjithë të dënuarit që vuanin dënimin në Burgun e Burrelit, pasi nga ajo amnisti aty përfituan vetëm tre veta.

Po nga amnistia e ’86-ës?
Në amnistinë e ’86-ës, përfitova një ulje të vogël por para kësaj a mund t’ju tregoj një ngjarje që ka lidhje me këtë aministi kur erdhën nga Tirana dhe komanda e burgut të Burrelit për të na e komunikuar aty në qelitë ku ne vuanim dënimim.

Patjetër….me shumë kënaqësi!
Pasi na u dha ajo amnisti, erdhën nga Tirana dhe komanda e burgut për të na e komunikuar uljen që na kishte bërë Partia dhe pasi na lexohej për çdo të dënuar se sa ulje përfitonim dhe sa na mbetej, na kërkohej të thoshim ndonjë fjalë, pra të falënderonim Partinë. Në kohën që erdhën në qelinë tonë dhe po ju komunikohej ulja sa kishin përfituar Adem Allçi e Dhori Gërnjoti, që ishin arrestuar dhe vuanin dënimin në burgje që nga viti 1963 apo ’64 në mos gaboj, gjë e cila shkaktoi disa debate pasi Dhori që kishte punuar në disa punë prapavije, çuditërisht kishte përfituar ulje më shumë se Ademi që pjesën më të madhe e kishte kaluar nëpër qeli i dënuar për mosbindje, moszbatim rregulloresh, etj. Ndërsa po diskutohej e debatohej ky problem, po më vinte radha mua dhe unë pyeta mikun tim, Bardhosh Gjonzenelin nga Vlora, (i biri i antikomunistit të flaktë, prof. Bego Gjonzeneli, i diplomuar në Romë për Filozof dhe Histori), se ça do t’u thoja kur të më komunikohej se sa kohë kisha përfituar ulje dënimi, dhe ai më tha: ‘Thuaj: ua kam falur Partisë, nuk i dua”.

Ua tha me shaka këtë gjë Bardhoshi apo….?!
Bardhoshi ma tha me gjysmë shakaje por unë ua thashë tamam atyre në prezencë të gati 30 të dënuarave që ishim aty.

Çfarë ju the?
Sapo ata më komunikuan uljen e dënimit që përfitoja e cila ishte nja tre vjet e tre muaj e disa ditë, dhe më kërkuan që të flisja, unë iu përgjigja: “Ua kam falur Partisë dhe shoqes Nexhmije këto që më keni falur, t’i marrin ato, se mua nuk më duhen”.

Shumë e rëndë kjo që u keni thënë…,si reaguan ata?
Patjetër që ishte e rëndë dhe atyre ju ranë si bombë ato fjalë dhe aq më shumë se ato po ua thosha në sy të gjithë të dënuarave të tjerë dhe nisur nga kjo gjë, në fillim hezituan dhe nuk po flisnin.

Si t’u përgjigjën më pas, çfarë thanë…?
Në fillim hezituan dhe shikonin njeri tjetrin në sy pa ditur ça të thoshin, por heshtjen e theu komisari i Burgut të Burrelit, Kosta Gramo i cili m’u drejtua me një urrejtje të paparë duke më thënë: “Maskara, Partia dhe shoqja Nexhmije nuk kanë nevojë për ditët e tua, se ato do rrojnë sa malet, ndërsa ti do vdesësh këtu si qen dhe nuk do dalësh kurrë që këtej”. Dhe pas kësaj u larguan që aty…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.