EKONOMI

Fondi 484 milionë lekë, ATP: Nis aplikimi për 1400 pronarë

12:45 - 07.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Pronarët që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje do të marrin paratë e kompensimit. Fondi i vënë në dispozicion është rreth 484 milionë lekë dhe përfitojnë rreth 1400 pronarë në të gjithë vendin. Agjencia e Trajtimit të Pronave bë të ditur se në 13 janar nis pranimi i dosjeve me gjashtë dokumente që duhet të dorëzojnë përfituesit për të marrë paratë. Qeveria miratoi kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Tirana Rurale 1, Vlorë, Fier dhe zonat e stimuluara. Masa e kompensimit është 45 991,2 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 484 740 576 lekë.




Aplikimi
Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr. 841, datë 24.12.2019. “Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 13.01.2020 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë. ATP fton të gjitha subjektet e interesuara të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga ‘Muhamet Gjollesha’, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumenteve përkatëse”, – thuhet në njoftimin e ATP-së. Për të përfituar kompensimin për pronën e zënë nga ndërtimet pa leje duhet të plotësohen një sërë dokumentesh. Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë ATP-së kërkesën tip, që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë ATP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Subjekti përfitues duhet të paraqesë vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të kërkuesit dhe mandatpagesën. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

Dokumentet

1.Kërkesa për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP.
2.Dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.
3.Prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasurie të paluajtshme).
4.Vërtetim origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar.
5.Fotokopje e dokumentit të identifikimit.
6.Mandat pagesa që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 lekë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.