EKONOMI

Kontrollet në servise, “aksion” edhe gjatë 2020

11:07 - 09.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Serviset, varrezat e makinave, vendeve të depozitimit të ngarkesave, ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave do të jenë edhe për një vit nën kontrollin e Taks-Forcës, e cila është në varësi të Ministres së Transporteve, Belinda Balluku. Vendimi për zgjatjen edhe me 1 vit të afatit të funksionit të Task-Forcës është marrë nga Këshilli i Ministrave. Njësive të autoriparimit, shitblerjes, depozitimit të mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe të pjesëve të tyre, të dala jashtë përdorimit dhe të braktisura, si dhe veprimtaritë që lidhen me to do të jenë nën objektivin e taks-forcës. Kontrollet do të vijojnë deri në fund të vitit. Vendimi është marrë nga qeveria dhe është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka për qëllim zgjatjen e afatit të kontrolleve deri në jetë deri më 31 dhjetor 2020.
Krijimi i Task-Forcës
Task-Forca është krijuar në korrik të vitit 2018 dhe ishte parashikuar që të ushtronte funksionin e saj deri në 31 dhjetor të viti 2019. Por qeveria i zgjati afatin edhe me 1 vit. Krijimin e Task-Forcës, si një strukturë e posaçme e përkohshme, për përmirësimin e nivelit të kontrollit rrugor të mjeteve motorike e rimorkiove të tyre, që shërbejnë për përdorimin ekonomik të tyre, për transport pasagjerësh e mallrash, si dhe kontrollin e njësive të autoriparimit, shitblerjes, depozitimit të mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe veprimtaritë që lidhen me to. Kjo Task-Forcë është në varësi të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ka në përbërje 40 punonjës të specializuar, të cilët kontraktohen sipas dispozitave të Kodit të Punës. Drejtuesi i kësaj strukture duhet të ketë eksperiencë të mëparshme në fushën e menaxhimit dhe të realizimit të shërbimeve në transportin rrugor. Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik në detyrat administrative. Ngarkohet ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë për ngritjen e këtij sekretariati dhe për përcaktimin e përbërjes e të mënyrës së funksionimit të tij. Task-Forca raporton në mënyrë periodike pranë këshillit drejtues të DPSHTRR-së për konstatimet dhe masat e marra në mënyrë periodike. Këshilli drejtues i DPSHTRR-së ka të drejtë të kërkojë informacion dhe të kryejë kontrolle për çdo çështje të vlerësuar të rëndësishme. Fondet e nevojshme për funksionimin, shpenzimet, si dhe për bazën e nevojshme materiale dhe teknike do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas detajimit të shpenzimeve të miratuara nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për zbatimin e këtij vendimi.




Task-Forca ka këto funksione:

Kontrollin në terren, në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë vendim dhe akteve ligjore në fuqi, për zbatimin e ligjshmërisë së aktivitetit të:
a. Njësive të autoriparimit, shitblerjes, depozitimit të mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe të pjesëve të tyre, të dala jashtë përdorimit dhe të braktisura, si dhe veprimtaritë që lidhen me to.
b. Ofiçinave e certifikimit të aparateve të regjistruesit të shpejtësisë dhe të kohës (taho-grafëve);
c. Terminaleve të linjave të rregullta të transportit të udhëtarëve, si dhe në vendqëndrimet e taksive;
e. Vendeve të shoqërive të transportit rrugor të pasagjerëve dhe të mallrave;
d. Vendeve të depozitimit të ngarkesave, ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave;
dh. Veprimtarive të tjera të fushës së transportit rrugor, në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;

Funksionimi

1)Task-Forca për realizimin e objektit të saj ka të drejtë të kryejë kontrollin e mjeteve në vende të veçanta, të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrin e Brendshëm;
2) Hartimin e një plani masash administrative dhe organizative për fuqizimin dhe rritjen e frytshmërisë së strukturave që ofrojnë shërbime për transportin rrugor, si dhe për evidentimin e ndalimin e përdorimit të kundërligjshëm në transportin rrugor të pasagjerëve dhe mallrave, të mjeteve që nuk plotësojnë kriteret tekniko-ligjore;
3) Bashkërendimin e punës me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Policisë Rrugore, Autoritetit Rrugor Shtetëror dhe institucionet e tjera shtetërore, për identifikimin dhe zbatimin e masave në funksion të garantimit të zbatimit të kërkesave tekniko-ligjore prej operatorëve ekonomikë, që kryejnë transport pasagjerësh dhe mallrash;
4) Bashkërendimin e punës me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Policisë Rrugore për ndërhyrjet e nevojshme për zbatimin e masave teknike;
5) Bashkërendimin e punës me strukturat e Policisë Rrugore, sipas qarqeve, për mbështetjen e veprimeve në terren të punonjësve të Task-Forcës, gjatë ndalimit të veprimtarive të kundërligjshme, që konstatohen gjatë ushtrimit të detyrës në terren;
6) Bashkëpunimin me strukturat e Policisë Rrugore për ndjekjen me përparësi të kallëzimeve të depozituara për shkeljet në këtë aktivitet prej operatorëve apo individëve të ndryshëm;
7) Kontrollin e zbatimit të detyrave të lëna për strukturat që ofrojnë shërbime për transportin rrugor dhe institucionet e tjera të ngarkuara në përputhje me këtë vendim.
8) Evidentimin e nevojave emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin e treguesve të veprimtarisë në këtë sektor;
9) Çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë apo këshilli drejtues i DPSHTRR-së.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.