Kryesore

Rihapja e doktoraturave, Muka: Ka mungesë të kapaciteteve financiare e njerëzore

12:10 - 09.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Këtë vit do të ripahen studimet e ciklit të tretë, doktoraturë pas disa vitesh pezullim. Por cilat janë problematikat që mund të pengojnë këtë stad studimi? Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, Taulant Muka, kërkues shkencor e ish- zëvendësministër i Arsimit, tregon se në vendin tonë ka mungesë të theksuar të kapaciteteve njerëzore, material e financiare për kërkim shkencor. Sipas tij, këto problematika vijnë si pasojë e korrupsionit në universitete me stafe akademike të udhëhequr nga persona që kanë vjedhur gradat shkencore. Muka bën me dije më tej se në periudhën 2009-2016, janë dhënë më shumë se 2,390 doktoratura dhe si pasojë dëmi ekonomik nga pagesa e profesorit për (mos)supervizimin dhe rritja e pagës nga marrja e gradës shkencore i tejkalon 13 milion euro. Kërkuesi shkencor thotë se krimi me doktoraturat ka “varrosur” dijen në Shqipëri, pasi rritja e numrit të doktoraturave nuk është shoqëruar me rritje të produktit shkencor, por me ulje. Muka sugjeron se verifikimi i plagjiaturave, vetingu akademik në universitete, përzgjedhja në bazë të meritokracisë e drejtuesve të IAL-ve publike, rikthimi i studiuesve shqiptarë në vend, dhe rritja e buxhetit për universitetet do të rrisnin cilësinë e doktoraturave.




Ka hyrë në fuqi vendimi për rihapjen e studimeve doktorale. Si e vlerësoni këtë vendim?
Nuk është lajm hapja e doktoraturave, por fakti që qeveria shqiptare, edhe pse në vitin 2020, vendos kur do hapen dhe do mbyllen doktoraturat dhe jo universitetet. Shkenca nuk bëhet nga qeveria dhe as nga ministria, por nga institucionet universitare. Studiuesit nuk gjenden në qeveri, por në universitete dhe politikat e kërkimit shkencor duhen ndërtuar nga vetë universitetet. Qeveria ka për detyrë të mbështesë universitetet financiarisht por edhe ti udhëzojë universitetet për fushat prioritare që i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe social, dhe të bëjë kontrollin e aktivitetit të tyre.

A disponon sistemi arsimor shqiptar kapacitetet e duhura për studimet në ciklin e tretë?
Kërkimi shkencor kërkon kapacitete njerëzore, materiale dhe financiare. Fatkeqësisht në vendin tonë kemi mungesa të theksuara të këtyre kapaciteteve që vjen si bazojë e korrupsionit 30-vjeçar në universitete. Stafet akademike shqiptare udhëhiqen kryesisht nga “akademikë” të cilët kanë kopjuar punimet e të tjerëve, kanë vjedhur gradën shkencore “Doktor Shkencash” apo titullin akademik “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” dhe nuk kanë publikime në revistat shkencore serioze apo të kenë fituar grante kërkimore. Sipas statistikave, mbi 60% e profesorëve aktualë e kanë marrë titullin “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” në kundërshtim me ligjin. Pra ka një “bandë kriminale” që sot drejton shkencën dhe (ç)edukimin e brezave të rinj. Si munden këta hajdutë intelektualë të bëjnë shkencë dhe për më tepër të frymëzojnë dhe udhëheqin doktorantët e rinj? Përveç mungesës në përgatitje shkencore të stafeve akademike aktuale, kemi dhe mungesa laboratoresh por edhe buxhet shumë të vogël që shkon për kërkim shkencor.

Këtë vit kriteret e pranimit në doktoraturë do të jenë më të forta. Ju si i vlerësoni këto kritere?
Edhe në ligjin 2007, kriteret për doktoraturat ishin të forta, por nuk u zbatuan. Bëmë doktor shkencash falsifikatorë, blerës diplomash, trafikantë etj., duke nënvlerësuar të aftin dhe për pasojë i kthyem nga djep të dijes në diplomore. Shkollat e doktoraturave duhet të plotësojnë disa kushte që lidhen me stafet akademike të përgatitura dhe me kredenciale në shkencë, krijimin e programeve të studimit të cilat ju japin mundësi doktorantëve të mësojnë metodat e punës kërkimore duke i ekspozuar ata me shembujt më të mirë të modelit shkencor që do i ndihmojë më pas në punën e tyre kërkimore. Shkollat e doktoraturës duhet të orientojnë punën kërkimore drejt potencialeve ekonomike të vendit, pra duhet të ketë një vizion aftagjat të zhvillimit të shkencës në vend e cila mund të krijohet vetëm nga ekspertë të fushës.

Sa do të jetë numri i pranimeve dhe a mendoni se përzgjedhja e fituesve do të jetë një proces transparent bazuar në meritokraci?
Duhet të fokusohemi të cilësia dhe jo sasia. Në vitet e fundit kemi dhënë një numër shumë të lartë doktoraturash të cilat kanë qenë në masë kopjime dhe pa asnjë vlerë shkencore, duke shkaktuar për pasojë një dëm të madh ekonomik, por edhe në formimin e brezave të rinj. Më shumë se 2,390 doktoratura janë dhënë nga viti 2009 deri në vitin 2016. Dëmi ekonomik nga pagesa e profesorit për (mos)supervizimin dhe rritja e pagës nga marrja e gradës shkencore i tejkalon 13 milion Euro! Dëmi ekonomik është edhe më i madh po të kemi parasysh se numri real i doktoraturave të dhëna është më i lartë se numri zyrtar, dhe fakti që krimi me doktoraturat ka “varrosur” dijen në Shqipëri. Rritja e numrit të doktoraturave nuk është shoqëruar me rritje të produktit shkencor, përkundrazi në ulje. Në vitin 2019, Kosova dhe Shqipëria janë të fundit në rajon për produktin shkencor, 20 herë më pak se Serbia. Në këto kushte nuk mund të flasim për meritokraci.

Cilat janë masat që duhen ndërmarrë për të rritur cilësinë e doktoraturave?
Ka një hap pozitiv që lidhet me pilotimin e softëare-it antiplagjiaturë të marrë nga Kosova që do ju ofrohet universiteteve. Në këtë mënyrë mund të bëhet kontrolli i njërit aspekt të punës kërkimore që lidhet me respektimin e punës intelektuale të tjetrit dhe nxit krijmtarinë origjinale. Gjithsesi, duhet parë sa do të zbatohet në praktikë dhe nëse kjo platformë do përdoret edhe për të hetuar dhe ndëshkuar personat që mbajnë poste publike në universitete, administratë dhe qeveri, por që kanë një doktoraturë plagjiaturë. Është e nevojshme politika të reflektojë dhe të nxisë një proces “vetingu akademik” në universitete. Duhet vlerësuar puna akademike e drejtuesve të universiteteve, rektorëve dhe dekanëve dhe shefave të departamenteve, të cilët kanë abuzuar me pushtetin që ju kemi dhënë dhe kanë lejuar degradimin e sistemit universitar. Këtë vit janë zgjedhjet për dekanë dhe rektorë në Shqipëri, dhe është e nevojshme vendosja e kritereve të kandidatëve për rektorë/dekanë. Nëse duam arsim cilësor, duhet të ndërtojmë mekanizmat që sigurojnë që drejtuesit e rinj të universiteteve dhe kryetarët e komisioneve të doktoraturave të kenë integritet akademik, të justifikojnë pasurinë dhe të jenë modele të suksesshme të botës universitare. Nuk mund të ketë dekanë dhe rektorë analfabet në shkencë, të kamur falë korrupsionit, dhe anëtarë të partive politike që të drejtojnë shkencën! Ky proces “pastrimi” do ndihmonte të evidonte vlerat intelektuale që ne kemi në vend, por që nuk ju kemi dhënë pozicionin që ju takon në shoqëri duke zhvlerësuar punën dhe sakrificën e tyre. Qeveria duhet, gjithashtu, të ftojë dhe krijojë lehtësira për studiuesit shqiptarë që ndodhen jashtë vendit për t’i tërhequr ata të kthehen në Shqipëri dhe për të krijuar në këtë mënyre një kapital njerëzor dhe intelektual, të cilët do mund të nisin procesin e ndërtimit dhe zhvillimit të shkencës në vend. Gjithashtu, është e nevojshme që të alokohet më shumë para në universitete.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.