MILOSAO

Francë, sa afër dhe larg!/ Një histori e shkurtër pikëtakimesh franko-shqiptare nga Mesjeta në ditët e sotme

11:30 - 13.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Bajram Peçi – Arbërit dhe frankët në Mesjetë Koha kur frankët mbërrijnë në Adriatik Në ndërgjegjen dhe veprimin europian frankët dhe shteti i tyre ka patur rol e ndikim të madh. Historia e përmend Francën si faktor kur në vitin 721, në betejën e Tuluzës ata thyen dhe mundën trupat arabe umaiade të kalifatit. Më tej pason koha e artë e Karlit të Madh i cili sundoi në një territor të gjerë të Europës për mëse 50 vjet, deri në vitin 814. Në këtë periudhë Karli mbret e luftëtar arriti një aleancë me autoritetin papnor, Leon III. Tashmë, Franca-superfuqi dhe Papa, në 800-ën themelojnë Perandorinë e Shenjtë Romake e cila u shemb vetëm pas një mijë vjetësh, kur në vitin 1806 Napoleon Bonaparti shthurri dhe riorganizoi kufijtë politikë europianë.




Me këtë popull të fuqishëm, ndër të parët që formësoi shtetin krahas ndërgjegjes së kombit, kemi qenë sa larg aq dhe afër. U njohëm me ta kur mbërritën në Adriatik. Historiani Alain Ducellier sheh rritjen demografike si shkak për përhapjen e tyre si mercenarë drejt Italisë, ku pushtuan Puljen bizantine. Në Arbëri shfaqet në vitin 1071 Robert Guiskardi me normanët, një popull franko-viking. Në pranverën e vitit 1081 ushtrija e Robert Guiskardit dhe djalit të tij, Boemundi, zbarkuan në bregdetin shqiptar, pushtuan Vlorën, Kaninën, Orikumin, Bylisin e Butrintin dhe rrethuan Durrësin. Qendruan mbi 10 vjet.
Frankët u shfaqën dëndur në trojet tona në periudhën e kryqëzatave, herë kalimthi, herë me ngulime, me princat e tyre në krye të kalorësisë e ushtrisë këmbësore. Kalorësit e famshëm në komandë, Hyg dë Vermandua, vëllai i mbretit të Francës, Tankredi, Rajmondi, kont i Tuluzës, etj., erdhën nga toka përmes Shkodrës dhe prej detit në Durrës, kaluan e qendruan në Arbëri në krye të trupave.

Më tej, mbërrin nga dinastija kapetjane Karli i I Anzhu, i cili, me bekimin e Papës, në vitin 1272 e quante veten “Mbret i Napolit dhe i Arbërisë”. Ishin këta që risollën nga lashtësia përdorimin e emrit të kohës ptolemejane, Albania, Albanaises dhe i lanë Durrësit në emblemë dhe heraldikën e saj tre lulet e zambakut mbretëror francez. Karli I Anzhu, vëlla i mbretit të Francës, Luigjit IX, në vitin 1263 Papa i Romës e kurorëzoi mbret të Siqilisë, të Napolit dhe brigjeve shqiptare të Adriatikut. Anzhuinët u larguan nga Arbëria më 1286, për t’u kthyer përsëri përkohësisht në 1304, pas hipjes në fronin mbretëror të Napolit të Karlit II Anzhu. Është koha kur Muzakajt, Topiajt, Dukagjinët, Shpatat, Zenebishët, janë fuqizuar dhe kanë forcuar pushtetin në territore të gjera arbëre, disa prej tyre edhe falë titujve kontë e baronë që ju dhanë anzhuinët.

Ndërthurrje fatale fatesh e ngjarjesh historike
Miqtë i krijon edhe fati, i cili nuk u përkoi arbërve, që Franca të ishte e tillë kur ndodheshin të kërcënuar nga pushtimi e më pas nga robërimi otoman. Nuk është beteja e Kosovës në vitin 1389 dita që vendosi fatet e Ballkanit. As beteja e Savrës në 1384 e koalicionit të feudalëve shqiptarë të udhëhequr nga Balsha. Nëpërkëmbja prej fatit i vjen nga viti 1396, kohë kur u zhvillua beteja fatkeqe e Nikopolit, betejë e cila shënoi hyrjen përfundimtare triumfalisht e si zotër të otomanëve në gadishullin Ilirik.
Beteja bëhej mes një pjese europianësh të bashkuar dhe turqve. Historia e shënon humbjen e kësaj beteje kobzezë për fatin tonë, me pak rreshta: kalorësia franceze me fisnikët e saj nuk pranuan planin e luftës të mbretit hungarez, Sigismundit, i cili ishte kreu i zgjedhur dhe udhëhiqte koalicionin. Trupat franceze, me arrogancën e tyre u futën në betejë, me fodullëkun e parzmoreve dhe armaturave të rënda që u shkëlqenin e ku u shfarosën nga kalorësia e shpejtë dhe e lehtë e Bajazitit I. Trupat e tjera europiane, të shthurrura, u tërhoqën në panik. Kjo ishte dhe hera e fundit që Franca në kohërat e anarkisë feudale bënte aleancë me shtetet e tjera europiane, për të përballur invazionin aziatik. Në këtë betejë europianët kishin shkuar të bindur në fitoren, por nuk nuk ndodhi kështu. Sikur të kish ndodhur…?!
Ka një rast tjetër historik-shkruajnë kronikanët-kur një nga prijësit arbër, Konstantin Araniti, e nxiti në vitin 1494 mbretin francez të ndërmerrte një kryqëzatë kundër otomanëve, me premtimin e sjelljes në betejë të disa mijra stratiotëve, kalorës arbër të famshëm. Stratiotët, mercenarë që i kishin shërbyer më parë Venedikut, ishin vënë në shërbim të mbretit francez. Njiheshin prej tyre me emrin “Cavalerie Albanoise”. Ata ishin luftëtarë që vendosnin fatet e betejave, ishin “luftëtarë të tmerrshëm”, siç historianët e kohës i përshkruajnë. Mbreti i Francës, Henri i II-të, rekrutoi në ushtrinë franceze një numër të madh stratiotësh shqiptarë. Kavalerinë e stratiotëve francezët e quanin “Albanais”. Edhe nën mbretërinë e Luigjit XII ishin 2000 “l’albanoise”. Nga prania dhe betejat e tyre, që luftuan nën flamurin e Francës, na ka ngelur në kryeqytetin e vjetër francez, Orlean, emëri i një rruge, “Passage des Albanais”.
Në nëntor të vitit 1494, Karli VIII bëri të njohur projektin e tij për të zbarkuar në Vlorë, në bregun shqiptar, me synim vendosjen e autoritetit të Perandorinë Bizantine. Është në kontakt të ngushtë edhe me arvanitët e Moresë. Ideja e nisjes së një kryqëzate të re, kësaj herë kundër Turqisë, ndonëse u muarr seriozisht, dështoi prej Republikës së Venedikut, që luajti një politikë të dyfishtë. Kur senjoria e serenisimas u informua se përgatitej kundër turqve bashkimi i arbërve me francezët e Karlit VIII, e sabotuan kryqzatën. Interesi i tyre tregtar ishte mbajtja mirë e marrëdhënjeve me sulltan Bajazitin.

Aleanca franko-otomane
Franca dhe Spanja ishin të vetmet fuqi me peshë të madhe në mesjetën e pas zbulimeve të mëdha gjeografike. Harta e Europës atëbotë përbëhej nga principata dukatesh e despotësh, ku vetëm Venediku mund të merrej e vlerësohej si faktor i rëndësishëm. Habsburgët ishin në ngritje. Pas rënjes së Kostandinopojës në 1453 dhe bashkimit të Lindjes së Mesme nga sulltan Selimi I, Perandoria Habsburg hyn në konflikt të drejtpërdrejtë me osmanët. Para kësaj, ambicjet politike të Francës kishin sjellë një përkeqësim të marrëdhënjeve me Austrinë.
Frankizmi u afirmua si i tillë përballë Azisë nëpërmjet kontakteve me Lindjen. Franca, për të shfaqur superioritetin e saj ndaj botës barbare, kish zënë të eksplorojë rrugët e saj origjinale. Midis osmanëve dhe francezëve pati kontakte në vitet 1483-1489, kohë kur Sulltan Bajaziti II dërgoi një ambasador te Luigji XI. Në vitin 1500 Franca nënshkroi traktatin e parë me Perandorinë Osmane, nën mbretërimin e Luigjit XII dhe Sulltan Bajazit II.
Ndodh në vitin 1536 ajo që në histori njihet si “Aleanca Franko-Otomane”. U bë midis mbretit Francis I të Francës dhe sundimtarit të Perandorisë Osmane, Sulejmani i Madhërishëm. Përmendet si aleanca e parë diplomatike e këtij lloji mes një perandorie të krishterë dhe një perandorie jo të krishterë. Pas kësaj, shpresat për çlirim e arbërve dhe popujve të tjerë të gadishullit Ilirik u zbehën dhe venitën.
Aleanca shkaktoi tronditje në botën e krishterë. Franca e quajti aleancën si strategjike dhe taktike, që zgjati më shumë se dy shekuj e gjysmë, deri në fushatën e gjeneralit Bonapart në Egjipt. Aleanca Franko-Otomane është ngjarja më e rëndësishëme në marrëdhëniet midis Francës dhe Lindjes.
Mbreti i Francës, Francis I, te sulltani Sulejmani i Madhërishëm gjeti një aleat kundër Perandorit të fuqishëm Habsburg. Aleanca vlerësohet nga të dy palët si një mundësi që të dy sovranët të luftojnë kundër Habsburgëve të fuqishëm. Francis I, i ndodhur përballë ngjalljes së një reagimi të fortë, përdor si argument mbrojtjen e të krishterëve në tokave europiane të pushtuara nga osmanët, ku me gjasa përfshiheshin dhe Arbërit. Nuk ndodhi kurrë që gjatë kësaj aleance Franca të mbronte popullsinë e krishterë arbëre. Ndodhi e kundërta. Turqit, me dhunë apo me politika ekonomike, e detyruan në shumicë Arbërinë të ndërronte besimin fetar.
Dy ndodhi të mëdha historike pas aleancës
Janë dy beteja që Europa e bashkuar, por pa Francën, bëri kundër Perandorisë Otomane. Do rridhte ndryshe historia e gadishullit tonë nëse në këto dy beteja do ishte bërë pjesë e koalicionit europian edhe Franca.
E para është beteja e Vjenës, kryeqyteti i Perandorisë Austriake të Habsburgut. Sulltani Sulejman, i Madhërishëmi, gjatë sundimit të tij nga viti 1520 deri në vdekjen e tij në vitin 1566, e bëri Perandorinë Osmane shtetin më të fuqishëm në botë. Pas aleancës me Francën, kundërshtar i tij Shtëpia e Habsburgut. Humbja e hungarezëve në betejën e Mohaks i gjen Perandorinë Osmane dhe Austrinë në afëri gjeografike të drejtpërdrejtë.
Në vitin 1529, Sulejmani, me një ushtri prej më shumë se 100 mijë vetësh, sulmoi Vjenën. Përpjekjet osmane në shtator për të minuar muret u shkatërruan. Në fund të tetorit, Sulejmani urdhëroi një sulm të fundit frontal, që u thye. Nga kohrat e Skënderbeut, nuk kish ndodhur më që ushtritë e sulltanit të mundeshin. Pas kësaj, Sulejmani, me atë pjesë të ushtrisë të shkatërruar, u tërhoq. Thyerja dhe dështimi para Vjenës shënoi fundin e zgjerimit turk në Europë. Provoi edhe njëherë për të marrë Vjenën në 1532 dhe i mundur braktisi planet e pushtimit të Europës.
Tre shekuj pas fillimit të aleancës me Francën, palët e respektuan angazhimin. Francezët në sulmin ndaj Vjenës ishin palë bashkëpunuese me otomanët. Mbretërit e Francës që pasuan Francis I e mbajtën dhe e mbrojtën politikën e tyre pro-Otomane.
E dyta është Beteja e Lepantos. Ajo u zhvillua në 7 tetor 1571 në detin Jon, në ngushticën që ndan gjirin e Patrasit dhe atë të Korinthit. Në këtë hapësirë detare u ndeshën flotat e Perandorisë Osmane, nga njëra anë, dhe koalicioni i Ligës së Shenjtë të të krishterëve, ku merrnin pjesë Republikat e Venedikut dhe Gjenovës, mbretëritë e Spanjës dhe Napolit, dukatet e Savojës, Toskanës e Urbinos, Malta dhe Vatikani. Por jo Franca.
Në historinë e konflikteve të armatosura në det, mbetet beteja më e njohur, e pasuar nga përfolja kontradiktore prej historianëve. Kronikat shënojnë se koalicioni i krishterë e fitoi betejën kundër flotës turke. 274 anijet turke të luftës u mbytën ose u shkatërruan. Ishte kjo betejë që ngjalli shpresa për dëbimin e otomanëve nga Europa dhe gadishulli i Ilirisë. Beteja e Lepantos u vesh me eufori dhe një kuptim të thellë fetar. Papa Pius V e bekoi flamurin e Lidhjes dhe fitoren ia kushtoi ndërhyrjes së “Virgjëreshës Mari”. Nga Gregori XIII dita e fitores u shndërrua në festë të përvitshme. Më pas u kuptua se fitorja nuk vlejti për asgjë, sepse Perandoria Otomane, përpos viktimave dhe flotës së dëmtuar nuk pësoi gjë, nuk ndryshoi as gjendja e popujve në Iliri dhe as dominimi i flotës turke në Mesdhe. Gjithçka, pa Francën, rezultoi një sakrifice e kotë dhe e panevojshme.
Mesjeta mbyllet me kontaktet franko-shqiptare të fillim shekullit XIX. Shqiptarët me Francën janë takuar përmes historive sa ushtarake aq dhe diplomatike të Napoleonit me Ali pashë Tepelenën, me Vilajetin e Janinës, Korfuzin dhe ishujt Jonianë. Gjurmët që lanë ishin kalimtare. Historisë i mbeti përpos se emëri i “Le regiment des Albanias”, që perandori ngriti në Korfuz, ku u rreshtuan 3200 shqiptarë nën armët franceze dhe letërsisë i mbetën kryevepra të A. Dyma.

Franca dhe shqiptarët në shekullin e XX
Me sulmin Austro-Hungarez mbi Beogradin, nëntori i vitit 1916 i gjeti trupat e tyre deri në Pogradec. Kjo situatë e Luftës së Madhe u bë shkas, që trupat franceze të hynin në Selanik. Pikërisht në këtë qytet, së bashku me njësinë franceze, pjesë e Armatës Franceze të Lindjes, të komanduar nga gjenerali Sarrail, u bashkuan pas pak ushtria serbe në arrati, “Qeverija e Përkohëshme” e Venizellosit dhe Esad Toptani, në pritje për të marrë prej tyre copën që ngelte pas coptimit që ishte vendosur në traktatin e fshehtë të Londrës.

Trupat ushtarake franceze hynë në Korçë pa ndeshur në asnjë rezistencë apo kundërshti. Koloneli francez, Descoins, i detyroi grekët pushtues të largoheshin nga qyteti. Nacionalistët shqiptarë me çetat e tyre, duke parë se francezët nuk nxitën vendosjen e kontrollit grek në qytet, iu afruan trupave franceze shërbimin e tyre. Koloneli ndërmori kontakte me ta. Përmes një telegrami urdhërues, që i mbërrinte nga gjenerali Sarrail, Decoins vendosi menjëherë mbikqyrjen ushtarake dhe administrative të krahinës. U firmos më 10 dhjetor një protokoll për regjimin autonom në krahinën që përfshinte Korçën, Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën.
Dëshmia e parë, për erën emacipuese që zotëronte Korça, na vjen nga konsulli francez, August Dozon, i cili, pasi kish vizituar qytetin në çerekun e fundit të shekullit XIX, i vuri cilësimin “…një Paris i vogël në lindje”.

Pas dëbimit të Austro-Hungarezëve nga Pogradeci, regjimi autonom përfshiu edhe këtë trevë të Shqipërisë Lindore, nën cilësimin “Republikë Autonome e Korçës”. Protokolli me nacionalistët dhe çetat e luftëtarëve shqiptarë të Themistokli Gërmenjit, nxorri jashtë loje Esat Pashën i cili mbante të ngritur në Selanik një qeveri të ashtuquajtur “në mërgim”. Me largimin në maj 1917 të kolonelit Descoins dhe në nëntor 1917 të gjeneralit Sarrail, Korçës ja morën statusin e autonomisë dhe u njoh përpos si krahinë nën pushtimin francez. Si bashkëpuntor të Descoins, me akuzën e agjentit, një gjykatë ushtarake dënoi me vdekje udhëheqësin e Korçës në pavarësinë e këtyre trojeve shqiptare, Themistokli Gërmenjin.
Korça politikisht u mbajt peng nga francezët deri në qershorin e vitit 1920. Reparti ushtarak francez i stacionuar në Korçë, pas vendimeve të Konferencës së Paqes në Paris dhe Kongresit të Lushnjës, që njihte integritetin e njësuar të Shtetit shqiptar, mori urdhërin e largimit, por komanda i dha lejen trupave greke ta pushtonin Korçën. Greqia u orvat, por dështoi. Tani kishin ardhur kohëra te tjera. Drejt Korçës ishin nisur për t’u bashkuar me luftëtarët e krahinës, njësi të mobilizuara dhe vullnetarë nga gjithë Shqipëria.
Në Republikën Autonome të Korçës, në lirinë e shkurtër që patën, të parat gjëra që kryen me ndihmën e francezëve ishin emëtimet e pullave të postës dhe kartmonedhave. Ndonëse përdorimi i tyre ishte i kufizuar brënda një krahine, ato mbartin një histori kombëtare, një trashëgimi të çmuar për historinë, për kulturën filatelike e numizmatike.

Nëse në momente të caktuara të historisë së vet çështja shqiptare për Francën nuk ka qenë veçse një grumbull episodesh, gjatë pushtimit u përshkuan nga interesa më të mëdha e më të rëndësishme. Lufta e Parë Botërore është një ngjarje tepër e largët, por për Korçën e rolin që ata luajtën në jetën e krahinës është folur e shkruar shumë. Kjo zonë e Shqipërisë Jugore, që ka qenë gjithmonë pjesë vendimmarrëse në historisë së Shqipërisë, pushtimi dhe qendrimi i trupave e administratës franceze e bëri një moment historik, sa për jetën e qytetit, aq dhe të vendit.
Edhe më ëndërrimtarët nuk do ta përfytyronin dot shndërrimin që pësoi qyteti në aq pak kohë, nën ndikimin e kulturës franceze. Përhapja e saj përfshinte hyrjen e letërsisë franceze, moda e veshjes po praktikohej europiane, u çelën rrobaqepësi e u hapën dyqane mode, u hapën dy kinematë e para, filloi importi i mallrave nga Franca, filloi danci dhe ballot franceze; u ngrit një lice ku jepnin mësim profesorë francezë, etj.
Në Liceun Kombëtar të Korçës, që rëndom njihet me emrin Liceu Francez, u përgatitën ata që më pas, me rolin që luajtën, ndikuan për shndërrimin e Shqipërisë nga një vend thellësisht i prapambetur feudal në një vend që aspironte zhvillimin europian. Nëntë qenë maturantët e parë të liceut që shkuan për të studiuar në Francë, 120 studentë të tjerë, ish liceistë, studiuan dhe u dipllomuan në universitetet franceze. E shkuara kulturore franceze e ndjek ende Korçën nga pas. Te ajo, sado moderne dhe e ndryshuar të jetë pas 100 vjetëve, gjen kurdo diçka nga Franca dhe kultura e saj.
Frankofonia dhe frankofilia e kultivuar në krahinën e Korçës vazhdoi të ushqehej në Shqipëri edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Një pjesë e udhëheqjes komuniste, ku spikaste Enver Hoxha, i përkiste kësaj kulture. Përkthimet nga frengjishtja të letërsisë artistike mbizotëronin edhe mbi autorët rusë. Në vitet ’60 e ’70 të shek. XX, pothuaj se janë botuar të plotë autorët Viktor Hygo, Honore de Balzak, Gi dë Mopasan, Aleksandër Dyma, Gystav Flober, Anatol Frans, Zhyl Vern, Anri Barbys, Margaret Duras, Alber Kamy, etj. Franca asnjëherë nuk ka për ta ditur e mësuar praninë e frankofilëve në Shqipëri, adhurimin e respektin për republikën. Largësinë mes popujsh, mes sistemeve politike, mes kulturash, shqiptarëve kjo letërsi ua sillte pranë, fare pranë. Franca e këtyre librave ende ua zbukuron atë dhe të mjerëve u ngushëllonte shpirtin.

Franca, Makron dhe shqiptarët në shekullin XXI
Shtypi shqiptar ka qenë këto kohë plot me opinione dhe analiza mbi jo-në franceze. Në tërsinë e tyre ato i përshkon një pyetje e mundueshme: refuzimi që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së buron nga politika të qendrueshme të shtetit francez apo janë përpos se qendrime e prirje personale të presidentit Makron?
A kemi të drejtë të flasim për një arsye franceze?
Ne shqiptarët “mëkatarë” dhe shteti ynë mbartim plot probleme, nuk jemi të përsosur, kemi një ekonomi që nuk i përafrohet vëndeve të BE-së. Gjithsesi, shumica e vendeve të BE-së nuk ngurruan të na hapin dritën jeshile. Jo-ja e Makron zgjoi nga letargjia e ngriti dyshime, hamendje e supozime për një korpus subjektesh. Para se Makron të korrte e të mbushte hambarin me zbulimet për shqiptarë azilantë dhe emigrantë, shqiptarët, këtej dhe andej kufirit, kanë të fiksuar në ndërgjegjen e tyre bindjen se Serbia është kanakari i tyre; se në çështjet ballkanike qendrimi i Francës ka anuar nga interesat serbe; se sëbashku me Rusinë ishte ajo që në gjashtëshen e Konferencës së Londrës ngulmoi që arbitrarisht krahinat shqiptare të Kosovës dhe Çamërisë t’i jepeshin Serbisë dhe Greqisë. Miq të mitë, njerëz të thjeshtë shqiptarë nga Kosova, pa droje prej kohësh më janë shprehur se trupat franceze ishin ato që enkas zbarkuan në Mitrovicë, mbi Ibër, dhe krijuan atë “kufi”, që tani është shndërruar në kancerin e Republikës së Kosovës, Veriu i saj. Sa i përket faktit që Kosova është izoluar dhe kthyer në geto, pa të drejtë lëvizje të lirë në përputhje me Shengenin europian, dihet se pengesa e ka emrin Francë!
Në një Francë të dyshuar sot e plot hije në marrëdhënje me kombin tonë, jo gjithnjë ka qenë kështu. Po ndaj me lexuesin një rast, që tregon se shpesh gjërat vendosen nga roli i individit. Kështu, pas njohjes nga Franca të Kosovës shtet, Presidenti Sarkozy, ditë më pas, me një hartë të Europës politike nën sqetull, shkoi në një shkollë dhe dha një orë mësimi, ku u tregonte nxënësve se “…tani Europa ka ndryshuar, ka një shtet të ri, Kosovën”, dhe u tregonte e shpjegonte hartën, e cila pasqyronte ndryshimin me Kosovën shtet e kufijtë e saj. Askush veç tij nuk e ka bërë për Kosovën një gjest kaq kuptimplotë e të dobishëm. Faleminderit Sarkozy!

Tashmë, tek shqiptarët nuk bëhet fjalë thjesht për pakënaqesi ndaj Makron, por po kultivohet te besimi i humbur respekti i cënuar ndaj Francës. Pavarësisht sjelljes plot politesë të krerëve të shtetit shqiptar, në popull, duam apo nuk duam, ndjehet një thyerje. Franca s’humbet gjë nga kjo dhe Turqia e Lindja e dinë këtë. Kjo është arsyeja pse u fishkëllye dhe u zhurmua himni francez gjatë takimit ndërkombëtar të futbollit.
Kush nuk do kur mundet-shkruante shkrimtari e filozofi francez, François Rabële-nuk mundet kur do!
Ne patjetër do i bashkohemi një ditë Europës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.