OPINION

Ligji 7501 u shpik për të bërë miliarderët tanë

07:20 - 13.01.20 Dr.Hasan B.Luçi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Demokracia e synuar që në dhjetor 1990, një kthim mbrapa në kapitalizëm, jo vetëm në Shqipëri, u bë një diktaturë demokrate e egër dhe vijon ende sot. Ky tranzicion pushteti, nga popullor, në xhungël demokrate, nuk pyeti për parimet e një shteti ligjor (ndarjen e tyre institucionale), por u vendos parimi cinik – shteti jam unë! I njëshit, që nuk ka asnjë hije të demokracisë perëndimore, siç u propagandua në nisje demokracia amerikane apo “e duam Shqipërinë si Europa”, apo betimet e premtimet e tjera të partive e qeverive për të bërë shtet ligjor, që s’do t’ia arrijnë as në majë të veshit.




E ashtuquajtura demokraci shqiptare nisi planin strategjik të hartuar me kohë, megjithëse e fundit nga të tjerët për përmbysjen e komunizmit, sulmin e parë, fashistizimi i ri, u bë kundër LANÇ-it dhe shtetit ligjor socialist, dy arritje madhore që garantuan mbijetesën e shtetit shqiptar të cunguar si komb para një shekulli tragjikisht. U vodh, u trafikua dhe u shkatërrua gjithçka e ndërtuar me djersën e gjakun e popullit, në çdo fushë nga 1945-1990, veç digave të hidrocentraleve. U përdor parulla “çeku i bardhë amerikan” për vjedhjen e shkatërrimet masive të ekonomisë dhe ngritja e piramidave financiare për të vjedhur popullsinë, përfshi për ta detyruar të mërgohej pasi humbi shtëpitë, bagëtitë etj.. Në këtë proces morën pjesë edhe jo pak të huaj mafiozë. Gjithashtu, u lanë të lirë të vendosen në Shqipëri lloj- lloj biznesesh mafioze sidomos nga vendet fqinje, që nisën trafikimet e ndryshme, përfshi prostitucionin e mbjelljen e drogave etj., etj.. Shteti shpërbleu gjoja punonjësit me letrat me vlerë, të cilave populli u tha letrat me vërë, se edhe kjo ishte tallje e sojit tjetër, pemë pa koqe, shpikje e re demokrate.

Sulmi tjetër, po fashistizues, u bë kundër institucioneve të drejtësisë socialiste, që në fillim, duke filluar kurset 3-6 mujore në plepat e Durrësit për gjyqtarë e prokurorë demokratë si militantë a paraushtarakë të PD-ës, që mbushën ish-institucionet ligjore popullore, që u reformuan barbarisht pa parime drejtësie, por vetëm me vetëgjyqësi e hajdutëri, kjo në shkallë kombëtare për të bërë milionerët e miliarderët brenda ditë-natës, shkurt shtetin kapitalist çmendarak të PD-ës etj.

Sulmi tjetër, mëse fashist, u bë me urdhrin për lëvizjen e popullsisë nga zonat malore dhe pushtimin e pronave shtetërore e private, sidomos në jug e ultësirat e vendit, një sulm i paparë kurrë në shekuj që shqiptari të pushtojë pronën e shqiptarit. Për ta lehtësuar këtë pushtim agresiv u nxitën mërgimet masive nga vendi të popullsisë nga sytë këmbët nëpër botë, duke lënë pronën e trashëguar pa zot, një plan i studiuar e zbatuar mirë, veç vënies në trysni për t’u larguar me arsye të ndryshme si arrestimet e komunistëve, ligji 24/1 etj.. Ndërkohë u rehabilituan mbeturinat e bashkëpunëtorëve të fashizmit italian e nazist, përfshi ish-krerë të dënuar apo ish-të arratisur e ish-diversantë, për të krijuar të njëjtat organizata e grupe tradhtare, duke i futur në aleancë PD-ja. Deri sot u janë ngritur monumente, u botohen kujtimet e bëmat e tyre, u falen fajet e krimet, duke korrigjuar faktet e ngjarjet historike para, gjatë dhe pas çlirimit të vendit deri në 1990. E.Rama kulmoi me rehabilitimin e Mit’hat Frashërit, ish-urdhërues ballisto-fashist i terrorit kundër forcave partizane, për të cilin ka dokumente arkivore të Ballit Kombëtar, zogistëve dhe të pushtuesve italianë e gjermanë.

Këto sulme banditësh të ardhur në pushtet, në bashkëpunim PD-PS, si partitë kryesore, bënë pushtimin tragjik të pronës shtetërore, publike e private me forma e metoda nga më mafiozet dhe më të ashprat me dhunë e mashtrime. U përdor mashtrimi se meqë shteti socialist i shtetëzoi pronat, ishte shteti demokrat ai që do të vendoste trajtimin e pronave publike e private, duke mos ia kthyer pronën të zotit, por më të fortit të pushtetit e klikës së tyre. Shteti socialist i shtetëzoi pronat në interes të popullit dhe nuk i zhduku tapitë e hipotekat pronësore private. Por pushtetarët, gjyqtarët, prokurorët, avokatët etj., duke mashtruar e duke iu bindur politikës kapitaliste gjoja demokrate, rritën përfitimet në të holla e ryshfete dhe vjedhje pronash shtetërore e private gjatë farsave gjyqësore ose jo, pasi doli vendimi se pronën qytetari duhej ta provonte me vendim gjyqësor, siç e miratoi edhe BE. Këto gjyqe u bënë tërkuzë, vijuan nga shkalla në shkallë, ngjitu e zbrit dhe pronari ligjor trashëgimtar nuk e gëzon dot pronën e vet, megjithëse ka në dorë dokumentet faktike ligjore që kërkon ligji i shpikur, sipas tyre, para reformës agrare të 1946, por edhe ligjet socialiste me hipoteka deri 1990.

Në këto kushte të gjendjes politike u ligjërua ligji 7501 i korrupsionit masiv të organizuar që përparoi e kulmoi. Ky ligj u bë për të shpronësuar pronarët e ligjshëm, të vërtetët. Ky ligj i dënoi pronarët dhe këtë po e tregon historia e tij prej fillimit deri sot në fushën ekonomike në vend. Qysh në fillim u protestua nga pronarët brenda vendit e në institucionet ndërkombëtare, u krijua edhe shoqata për mbrojtjen e pronarëve, por tallja u zgjerua e kulmoi. Kapitalizmi shqiptar që jetojmë, vërtetoi se nuk ka pasur pronarë të ligjshëm, por vetëm pronarët e politikës, oligarkët e klanet e tyre që pushtuan, vodhën dhe tjetërsuan pronën publike e private.

Jo pak gjyqtarë gjatë procesit gjyqësor të pronarëve ligjorë për të marrë pronën bënë kërdinë mbi pronat, duke bërë gjyqe e dokumente false, duke mos i përfillua, ofenduar e tallur dhe duke mos i njohur si pronarë ligjorë, duke u marrë pronat me forcë, gjoja si shpërblim apo dhurim vullnetar për shpenzimet e avokatëve, gjyqtarëve e prokurorëve, sekserëve etj., një tragjedi e orkestruar më së miri.

Për ta lehtësuar vjedhjen e pronës, të fortët zyrtarë apo mashtruesit e shumtë iu vërsulën hipotekave me titujt e pronësisë, duke e tjetërsuar, po në emër të kapitalizmit liberal dhe ekonomisë së tregut, sipas modelit alla shqiptar tragjiko-komik, pa përfillur aspak pronarin ligjor trashëgimtar.

Nuk u bë asnjë hap për të mbrojtur pronarët ligjorë, qysh në fillim kur u nis dhe pasi u zyrtarizua. Dihej se në shtetet e demokracive popullore lindore u veprua ndryshe dhe SHBA e BE kërkuan që prona t’i kthehej të zotit, por kjo nuk po ndodh ende sot. Kjo është historia e parë më e errët e tragjike në historinë e botës, ku shteti zaptoi hipotekat dhe shpronësoi ish-pronarët ligjorë. Reforma e tokës në Shqipëri u bë si në asnjë vend tjetër ish- socialist. Me ish-pronarët e tokës u bë ndryshe, pa asnjë nga parimet ligjore e njerëzore të mirënjohura për pronën private. Pra, u luajt në mënyrë tragjike me pronat e shtetit e ato private, faqe botës mbarë, pa asnjë ngurrim e frikë për ndëshkim drejtësie.

Reforma 7501 u drejtua nga persona ish-pronarë ose jo të pushtetshëm, që morën revansh sipas planeve të hartuara me kohë nga brenda e jashtë, falë agjenturave, të cilët shpronësuan ish-pronarët e tjerë, me privatizimet e paligjshme e veprime të tjera mafioze abuzive, që nisën qysh në 1990 e sidomos në 1992 me planin e fshehtë të Ramiz Alisë e S.Berishës. Shumë kohë më vonë Berisha gjoja bëri një autokritikë, që e pranoi vendimin e Alisë, por nuk anuloi asgjë, megjithëse qeverisi nga 1992-1997 dhe 2005-2013. Kjo është arma më cinike e përdorur me dhunën e politikës dhe forcën e PD e PS me aleatët e tyre në qeverisje qysh në nisjen e tranzicionit dhe thellohet edhe më tej ende sot me VKM e Edi Ramës dhe KÇK e kujtdo të forti. Kështu, kapitalizmi shqiptar nga 1990 u drejtua nga politika antikombëtare e çdo qeverie alternuese në pushtet dhe nga të huajt armiq si hakmarrje ndaj Shqipërisë socialiste, që turpëroi fuqitë e mëdha me politikën e saj të drejtë dhe sfidoi botën me zhvillimin, përparimin e arritjet në fushën ekonomike, ushtarake, kulturore, shëndetësore, arsimore, shoqërore etj.. Kjo hakmarrje nisi qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër PK shqiptare dhe partizanëve, që së fundi e çliruan vendin me forcat e veta, në krah të aleancës antifashiste botërore.

Faktori ndërkombëtar po bën ende sehir, por për të kaluar radhën, duke këshilluar kohë pas kohe vetëm për ta kthyer pronën tek i zoti, si në BE dhe Komisioni i Venecias etj., por asnjë hap tjetër. Mafia vendëse dhe ajo ndërkombëtare u vërsul dhe zaptoi gjoja me blerje toka, objekte industrialë, bujqësorë, shëndetësorë, kulturorë e banesa, siç dëshmojnë skandalet me Fazlliçin etj.. Funksionarë ndërkombëtarë e përfaqësi të huaja, në radhë të parë të vendeve fqinjë këto 30 vite.

Mashtrimi i madh u bë edhe me gjoja shpërblimet që u jep shteti ish-pronarëve për pronat e zaptuara nga pronarë të rinj agresorë e mafiozë, sa për të ulur disi pakënaqësinë e tyre. Politika e dëmshpërblimit u bë sa për të thënë, se në fakt shteti jep ndonjë thërrime, me vlerësime qesharake, jo me vlerë tregu as të vjetër, as të re. Thjesht një demagogji e vjedhje politike me dhunë. Kundër ish-pronarëve u ndoq edhe politika e përçarjes, pasi një pjese iu dhanë privatizime të paligjshme, ndërsa shteti keqtrajtoi pjesën tjetër të pafuqishëm për të vepruar. Pra, u veprua në një klimë kaosi e anarkie të plotë e të pashembullt.

Jo vetëm kaq, por u përdor edhe hileja absurde, që pronarëve në fshatra e rrethina të qyteteve, nga komisionet e ngritura për pronat sidomos në jug të vendit nuk u dha atyre pronat e veta ligjore, sipas dokumenteve hipotekore e tapive të vjetra, por iu dha prona e tjetrit fqinjë a larg, duke nxitur kështu përçarjen mes banorëve, e cila sa vjen e thellohet dhe ashpërsohet, veç ngjarjeve tragjike tashmë të ndodhura në vite, vrasjeve për arsye prone apo gjyqet pa fund po mes pronarëve ligjorë e përvetësuesve zaptues.

Ligji 7501 që po vepron ende sot, qysh në nisje shkaktoi mërgimin masiv të njerëzve, të cilët e panë veten të shpronësuar forcërisht dhe pa mundësi për mbrojtjen e saj, që ishte në fakt edhe provokimi i paramenduar, me qëllim që pronarët ligjorë të iknin në mërgim, duke mos pasur asnjë mundësi mbrojtjeje të pronës ligjore të trashëguar në breza.

Interesi dhe nevojat kombëtare kërkojnë heqjen e ligjit 7501 dhe të paktën kthimin e pronave të lira tek i zoti dhe ndonjë rregullim të mundshëm në rastet e tjera dhe zhdëmtimi të bëhet me çmimin e tregut.

Klasa politike, klanet e saj, partitë PD e PS, në pushtet apo në opozitë alternuese dhe qeverisjet e tyre me aleatët e tyre kanë përgjegjësi morale dhe materiale para drejtësisë, pasi nuk është marrë, nuk po merret dhe as do të merret besoj asnjë masë ndërtimi të shtetit ligjor dhe për ndëshkimin ligjor të shkelësve e grabitësve të së drejtës ligjore të pronës private e shtetërore. Edhe Rilindja e E.Ramës që prej 2013 po vijon politikën autoritare, biles edhe më të egër, se po përdor pushtetin e politikës e të njëshit, anarkinë në fushën e pronës dhe ekonomisë së vendit, me VKM, PPP etj.. Metoda grabitëse të pronës private, që nuk i kthehet të zotit, siç bëjnë KÇK që thumbon ai, pa i ndëshkuar.

Po bëhen vite që synohet reforma në drejtësi – vetingu. “Por si duken bathët, janë larg Pashkët”, – thotë populli. Politika e kurtheve dhe ngërçet vijojnë prej 30 vitesh për reformën në drejtësi e shtet ligjor, pra shqiptarët po mërgojnë se kanë humbur besimin në qeverisjen e atdheun e vet, se nuk shohin dritë jeshile për integrim, zhvillim ekonomik, kulturor e shoqëror, veçse asimilim nëpër botë. Ka humbur besimi edhe në faktorin ndërkombëtar, i cili vetëm këshillon, por nuk vepron me hapësirat ligjore që kanë konventat ndërkombëtare. As qeverisja e vendit, as ndërkombëtarët nuk po gjejnë prokurorë e gjyqtarë të pastër për të krijuar organet e drejtësisë, pasi si qeveritarë, zyrtarë, prokurorë e gjyqtarë, avokatë etj. janë përlyer kush më pak e kush më shumë në rrjetin e korrupsionit të organizuar tashmë 30-vjeçar.

Me gjithë sa më sipër, të shohim se çfarë do të sjellë vetingu gjatë vitit 2020, që shpresohet të lëvizë diçka, por mendoj jo thelbësore, pasi vetingu do merret me peshqit e vegjël dhe jo me kokat e së keqes 30- vjeçare. Qofsha i gabuar!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.