Media

Plani i qeverisë për integrimin në BE mbetet peng i vullnetit politik

08:59 - 13.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Nensi Bogdani  – Në ditët e para të janarit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prezantoi Planin Kombëtar 2020-2022 për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian; një udhërrëfyes i qeverisë që përcakton “detyrat e shtëpisë” në rrugën drejt integrimit.
Dokumenti përbëhet nga 33 kapituj dhe ka në fokusin e vet përmbushjen e kritereve themelore në forcimin e shtetit ligjor, respektimin e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër korrupsionit.
Në letër, Plani Kombëtar i publikuar tashmë për konsultim publik e vlerëson punën e qeverisë në përmbushjen e objektivave në nivel mesatar ose të moderuar. Por përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë procesin e integrimit në Shqipëri, gjykojnë se hapat kanë qenë të pamjaftueshëm për të realizuar një progres real.




Gjergji Vurmo nga Instituti për Ndërmjetësi dhe Integrim e konsideroi Planin Kombëtar një dokument të mirë teknik, të cilit i mungon vullneti politik për të realizuar një ndryshim të qenësishëm në Shqipëri. Duke iu referuar një studimi të IDM, Vurmo fajësoi elitën politike si penguese të konsolidimit të demokracisë në vend.
“Pas thuajse dy dekadash të procesit të stabilizim asociimit në Shqipëri, mangësitë unë do t’i lidhja më shumë me mungesën e vullnetit politik dhe frikën e elitës politike prej progresit të qenësishëm”, tha Vurmo për BIRN.
“Për të justifikuar mungesën e progresit në fusha themelore të konsolidimit të shtetit të së drejtës, elitat politike “lejojnë” progres të kontrolluar në kapituj të tjerë, të cilët nuk rrezikojnë pushtetin e tyre”, shtoi ai.
Edhe Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “European Movement Albania” mendon se ka një hendek mes asaj që shkruhet në Planin Kombëtar dhe gjendjes reale.
“Projekt-plani për 2020-2022 është një dokument i mirë, sepse tregon detyrat dhe planet që secili institucion ka në vetvete, por për fat të keq vërehet se në këtë dokument ka pak ndryshime nga viti në vit dhe pavarësisht kërkesave të legjislacioneve përkatëse për konsultim, një pjesë e vogël e tyre janë kryer aktualisht”, tha Gjipali.

Rritja e mosbesimit
Në tetor 2019, Shqipëria priste hapjen e bisedime me kushte me Bashkimin Europian, kushte të cilat përfshijnë përfundimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reformën elektorale. Megjithatë, vendi e humbi për herë të tretë shansin, pasi Franca bllokoi nisjen e bisedimeve për të dhe Maqedoninë e Veriut, pa pasur më parë një reformë të brendshme mbi politikat e zgjerimit. Mungesa e një sinjali pozitiv nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e të gjithë procesit të zgjerimit. Dhe sinjalet e para të apatisë kanë nisur të shfaqen tashmë edhe në Shqipëri.
Të dhënat e sondazhit “Besimi Publik në Qeverisje” të IDM-së për vitin 2019 tregojnë një rënie të besimit të shqiptarëve tek integrimi në BE krahasuar me një vit më parë. Sipas Vurmos, pas vendimit për të mos hapur negociatat, kjo apati është në rritje.
“Besimi se reforma në drejtësi do të sjellë rezultate mbetet i konsiderueshëm, por tejzgjatja e saj duket se ka vazhduar të ndikojë te rënia e këtij besimi ndër vite”, thotë Vurmo.
Rritjen e mosbesimit në procesin e integrimit e konfirmon edhe Gledis Gjipali, i cili e lidh atë edhe me mungesën e angazhimit të të gjithë aktorëve të shoqërisë. “Kjo vjen si pasojë se hapat drejt integrimit janë hedhur shumë ngadalë dhe për arsye se procesi po zgjat shumë ka filluar të ketë një mosbesim në këtë rrugë drejt integrimit”, tha Gjipali.

Ekspertët mendojnë se zvarritja e procesit nuk e mbulon përgjegjësinë e qeverisë për të arritur rezultate të prekshme në fushat ende problematike të sundimit të ligjit apo luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe në këtë drejtim, duket se Shqipëria ka mbetur në vendnumëro. “Lufta kundër korrupsionit ka qenë ndër prioritetet kryesore kur e kemi nisur këtë proces dhe është ende në top-listë. Institucionet janë të dobëta, shoqëria nuk e lufton në tërësi korrupsionin dhe e bën këtë një problem kronik, që ngadalëson reforma dhe sjell pengesë në procesin e integrimit në tërësi”, tha Gjipali për BIRN.
Gjergj Vurmo bie dakord, ndërsa shton se progresi i qenësishëm mbahet sërish peng nga mungesa e vullnetit politik. “…A mundet vërtet reforma në drejtësi t’i japë fund kapjes së shtetit dhe pandëshkueshmërisë së korrupsionit të lartë politik nëpërmjet procedurave korruptive të tenderimit dhe koncesioneve të ligjëruara në Kuvend, në kushtet kur Shqipëria prej 4 vitesh nuk ka shënuar progres në Kapitullin 5 (Prokurimet publike)”, pyet ai.
“Përgjigja është ‘jo’, por ‘mëkati’ nuk është i kapaciteteve teknike të specialistëve të administratës. Këtu jemi peng i mungesës së vullnetit politik”, shtoi Vurmo.
Rreziku i ndikimit nga Lindja

Ndërsa procesi i integrimit synon të vështirësohet dhe Bashkimi Europian të bëhet më i largët, ekspertët e intervistuar nga BIRN shohin rreziqe të reja për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

Në fund të dhjetorit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj kontrolli mbi mediat “online”, pavarësisht kritikave dhe kundërshtive të institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave vendëse e atyre të huaja, të cilat e konsideruan atë një rrezik për lirinë e shprehjes dhe atë të medias në vend.
Ndërsa më 1 janar, Policia e Shtetit dëboi përmes procedurave ekstraligjore një 42-vjeçar turk, pjesë e lëvizjes ‘Gylen’, duke ngritur dyshime të forta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe konventave ndërkombëtare nga Shqipëria. Ngjarje të tilla kanë ngritur pikëpyetje mbi kredencialet perëndimore të Shqipërisë. “Liria e shprehjes është një nga fushat e sulmuara sistematikisht nga maxhoranca aktuale dhe miratimi i paketës ‘antishpifje’ është një tregues që tregon qartazi sa larg mund të shkojë një elitë politike, pushteti i së cilës ndihet seriozisht i kërcënuar nga fjala e lirë”, thotë Gjergji Vurmo nga IDM, i cili e konsideroi median “kështjellën e fundit”.

Sipas Vurmos, më shumë sesa nga influencat ruse apo turke, Shqipëria është e rrezikuar nga modeli “erdoganist” i qeverisjes, që sipas tij është tashmë prezent në mënyrë të dukshme.

“I referohem pra qeverisjes autokratike si model, e cila është tejet kërcënuese në kontekstin e sfidave të shtuara në Shqipëri të lidhjeve të politikës me krimin, pandëshkueshmërisë, sulmeve ndaj lirisë së shprehjes, ligjbërjes sipas interesave të një grushti të vogël njerëzish…”, tha ai.
Edhe Gledis Gjipali pohon gjithashtu se më shumë sesa ndikimi ekonomik apo politik i aktorëve si Turqia apo Rusia, Shqipëria është më shumë e rrezikuar tek ajo pjesë e ndikimit që nuk mbështetet te parimet demokratike. “… sidomos përsa i takon asaj pjese të ndikimit që nuk mbështetet te parimet demokratike apo respektimi i të drejtave të njeriut, transparenca, liria e medias dhe e mendimit, të cilat janë edhe thelbi i procesit të integrimit europian dhe i kritereve të Kopenhagenit”, përfundoi Gjipali.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.