KULTURË

Dritë e errësirë: Një alegori iluministe në një veshje tradicionale shkodrane

12:10 - 15.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dr. Dorina Arapi  – Artefaktet janë objekte të kulturës materiale që përbëjnë një rëndësi kulturore dhe historike. Ato kanë fuqinë të tregojnë histori të ndryshme, pasi shprehin një qëllim të individit që e ka realizuar, dhe arsyen e tij për t’ia përcjellë nevojave të përdoruesve. Objektet janë një dëshmi e kontakteve e konflikteve kulturore të një populli e kulture. Këto aspekte janë më domethënëse dhe marrin një rëndësi akoma më të madhe kur analizojmë veshjet tradicionale. Po të njëjtën rëndësi kanë dhe pëlhurat me të cilat realizoheshin këto veshje. Për dallim nga pjesa e jashtme e veshjes tradicionale, pra ajo që dukej e që lidhej ngushtësisht me politikat e kohës, me kulturën, ekonominë, traditat lokale dhe me institucione të ndryshme vendore, pëlhura e brendshme e veshjes, astari, mund të zbulojë po aq aspekte thelbësore sa pjesa e jashtme. Një aspekt interesant studimor përbëjnë pëlhurat e stampuara dhe të importuara.




Analizimi i imazheve të stampuara në tekstile mund të zbulojë aspekte të tjera të patrajtuara më parë, si dhe mund të jetë një element kyç në rindërtimin e kohës së prodhimit të veshjes tradicionale apo dhe për çështje në lidhje me ekonominë. Tekstilet e përdorura në astar ofrojnë një vështrim jo vetëm në marrëdhëniet tregtare të kohës, por përmes gjuhës së tyre vizuale, motiveve, alegorive të stampuara apo të qëndisura në të ofrojnë këndvështrime të tjera historike dhe kulturore që shkojnë paralelisht me pjesën e jashtme të veshjes. Duke i vendosur ato në një plan krahasues, pjesa jashtme dhe ajo e brendshme të një veshjeje, tregojnë një histori të ndryshme.

Mallrat e industrisë europiane, si dhe mallrat që vinin nga vende të perandorisë osmane kanë qenë prezent në kulturën e konsumit të qyteteve shqiptare gjatë kohërave. Gjatë shekujve XVII- XVIII nën ndikimin e kulturës osmane të konsumit, nga të dhënat arkivore mund të vërehet se veshjet e kohës qepeshin me pëlhura të ndryshme, si allaxha, këmba, kumash, çatma, hatai etj. Disa prej tyre ende ruhen në kujtesën shoqërore e në fjalorin e bartësve. Në shekullin XVI në qytetin e Vlorës hynin artikuj e tekstile që vinin nga Bursa e Stambolli. Por po ashtu në Shkodër, mallra nga Venediku apo qytete të tjera italiane ishin prezent në jetën konsumatore të qytetarëve. Po ashtu si në mjaft qytete të tjera të perandorisë, qytetarët shkodranë të shtresave të pasura ishin në kontakt me mallra të ndryshëm që vinin nga anë të ndryshme të botës. Në fund të shekullit XIX dokumentohen një larmi tekstile të importuara, të tilla si selimije, damask, politiko (pëlhurë e veçantë nga Kostandinopoja), beze të ndryshme, pëlhura nga Ankaraja, kaliko, etj. Emërtimet e tyre tregojnë jo vetëm për prejardhjen e tyre, nga qytetet ku prodhoheshin, por dhe nëse vinin nga një punishte e caktuar, apo dhe të tilla si pëlhura Selimije që gëzonte emrin e një sulltani. Të dhënat tregojnë marrëdhëniet tregtare të kohës dhe sesi tekstilet janë pjesë e sistemit të komunikimit të politikave ekonomike e kulturore të një vendi. Disa prej këtyre pëlhurave të importuara si perkalina e brenavekëve të veshjes së gruas katolike shkodrane dëshmojnë për importimin e pëlhurave të rralla. Nga ana tjetër, trashëgimia e prodhimit lokal të mëndafshit, siç është dhe setta scuttarina (mëndafsh shkodran), që e kemi hasur në burime arkivore, e cila eksportohej jashtë, dëshmon për vlerat e kulturës lokale dhe traditën e saj të prodhimit.

Ajo që tërhoqi vëmendjen time gjatë studimeve doktorale dhe që bëhet shkas për këtë artikull, është një pëlhurë pambuku si pjesë astari i brendshëm e një xhybeje të veshjes së gruas katolike shkodrane (shih skicën e realizuar). Kjo xhybe është pjesë e fondit etnografik të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë.
Veshja tradicionale e komunitetit katolik në Shkodër ka qenë ngushtësisht e lidhur me rregullat e normat që kishte shoqëria shkodrane. Veshja duke qenë shenjë e statusit social dhe atij ekonomik ishte dhe subjekt i ndalesave, rregullave të vendosura nga komuniteti katolik, institucionet fetare dhe shteti. Kjo është e dukshme në shekullin XIX. Për këtë arsye, pjesa e jashtme e veshjes ishte ngushtësisht e lidhur me marrëdhënien që bartësi krijonte me statusin shoqëror të tij dhe rregullat komunitare. Ndryshe nga kjo, pjesa e brendshme, rrallë herë është trajtuar si pjesë e rëndësishme e kritereve të vendosura nga shoqëria. Këtë gjë e hasim vetëm një herë në një dokument të vitit 1852, ku astari cilësohet të jetë prej basme pambuku dhe jo cope allaxha.
Xhybja karakteristike e gruas katolike shkodrane, në pjesën e saj të jashtme ka të gjitha karakteristikat që e dallon atë nga xhybe të qyteteve të tjera. Ajo është e punuar me gajtan të zi në cohë të kuqe. Astari i kësaj xhybe është prej një pëlhurë pambuku, që me gjasa mund të jetë një kaliko, një lloj pambuku mjaft i përdorur duke filluar nga shekulli XVII e deri XIX në Europë. Përdorimi dhe konsumimi i kalikos nga shtresa të ndryshme dhe në masë të gjerë, solli dhe që shtete si Anglia e Franca të shpallnin akte ndalese mbi prodhimin e kalikos. Këto pëlhura pambuku stampoheshin nëpërmjet teknikës së stampës me dorë, me matricë druri, si dhe metali, bakri. Kjo teknikë vjen nga baza e teknikave të gravurës të stampës mbi letër, ndryshe e njohur si inçizion. Inçizioni i realizuar në matricë bakri me gërryerje me bazë uji dhe acidi, siç është akuaforti, krijojnë gërvishtjen që lyhen me bojë e më pas stampohen mbi letër. Kjo procedurë ishte dhe baza e dekorimit të pëlhurave të pambukut në këtë periudhë. Kjo i gjë i detyrohet kulturës së stampës, grafikës së shtypit, e cila dominoi gjatë shekujve XVI-XVIII e që ndihmoi e favorizoi përhapjen e shkëmbimin e informacionit e të imazheve. Ksilografia (stampa në dru) dhe Akuaforti (gravurë me acid në pllakë zinku ose bakri) luajtën një rol të rëndësishëm në qarkullimin e imazheve. Këto teknika të dekorimit të pëlhurave favorizuan krijimin dhe përcjelljen e imazheve të reja herë pas here. Kështu për shembull është rasti i pëlhurës mjaft të përhapur të asaj kohe Toile de jouy, ku artistët paraqisnin ngjarjet politike dhe kulturore më domethënëse të kohës, çka përmbushte dhe nevojat e konsumatorit. Të zgjedhura artistikisht në monokrom, këto pëlhura u përdorën si në veshje, ashtu dhe për mobilie e objekte të tjera interieri.

ALEGORIA
Duke u kthyer sërish tek pëlhura, astari i xhybes, në të paraqiten motive floreale rokoko, (një rrymë artistike e shek. XVIII, e cila dallohet për format tepër dekorative dhe ngjyrat pastel), si dhe një imazh i përbërë prej një shandani qirinjsh dhe sistemin diellor. Kjo është një alegori, ku imazhet e vendosura në të janë të organizuara për të përcjellë një mesazh simbolik e politik të shekullit XVIII. Ajo që të të bie në sy është sistemi diellor. Në qendër paraqitet dielli që lëshon rrezet e tij, dhe anash tij qëndrojnë 6 planetë. Kjo është e dhëna fillestare për prodhimin e pëlhurës. Artisti i asaj periudhe ka paraqitur 6 planetë: Tokën, Mërkurin, Venusin, Marsin, Jupiterin e Saturnin. Fakti që paraqiten vetëm këto planetë tregon se planeti i shtatë ende nuk ishte zbuluar në kohën që është stampuar copa. Pra pëlhura është prodhuar para vitit 1781, vit që përkon me zbulimin e planetit Uran. Por ajo që tërheq përveç datimit të kësaj pëlhure, në bazë të analizës vizuale, është alegoria që krijohet me dy imazhet, shandanin e qirinjve dhe sistemin diellor. Kjo alegori, për vetë kohën që është prodhuar pëlhura, por mbi të gjitha për mesazhin që përcjell është një alegori iluministe.

Ashtu siç dihet, Iluminizmi ishte një lëvizje kulturore e shekullit XVIII, ku intelektualë, shkencëtarë, filozofë udhëhoqën me idetë e tyre drejt një qasjeje të re ndaj mendimit dhe botës. Iluministët në filozofinë e tyre kishin si qëllim, të çliruar nga kufizimet e doktrinës fetare, që me fuqinë e arsyes, dijes e shkencës të reformonin mendimin e shoqërinë. Lëvizja iluministe e ndau shoqërinë nga “periudha e errët e paditurisë” për ta udhëzuar atë drejt dritës së arsyes e shkencës.
Alegoria e paraqitur në pëlhurë nuk është asgjë tjetër përveçse një paraqitje dikotomike, ku periudha e errët e paditurisë simbolizohet nga shandani me qirinj duke u udhëhequr nga arsyeja e shkenca që simbolizohet pikërisht nga diagrama e sistemit diellor (për ikonografinë e Iluminizmit shih: Rolf Reichardt dhe Deborah Louise Cohen, Light against Darkness: The Visual Representations of a Central Enlightenment Concept, 1998).

Duhet të kemi parasysh që shekulli XVIII shënon mjaft zbulime shkencore, dhe sidomos në fushën e fizikës. Isaak Njuton (1642-1727) në librin e tij Principia Mathematica (1687) integroi idetë e Kopernikut, Keplerit dhe Galileut në një sistem të ligjeve matematikore për të shpjeguar mënyrën e rregullt në të cilën planetet rrotulloheshin rreth diellit. Ajo që ishte kryesore në tezën e tij ishte ligji i gravitetit universal. Sipas këtij ligji, në Univers çdo trup tërheq një tjetër në marrëdhënie të sakta matematikore, materia ushtron një forcë, gravitetin, që tërheq të gjithë trupat e tjerë drejt qendrës së saj. Ligji i Njutonit vërtetoi se universi funksiononte nga rregulla që mund të shpjegoheshin përmes fizikës dhe jo më tashmë me një interpretim fetar. Më këtë ligj, Njutoni përforcoi akoma më shumë vlefshmërinë e modelit heliocentrik të sistemit diellor, duke argumentuar se Dielli, dhe jo Toka ishte në qendër të sistemit diellor.
Po të shohim alegorinë, sistemi diellor dominon mbi figurën e shandanit. Dielli është paraqitur si trupi më i madh qiellor, i ushtron gravitet tek planetët. Rrezet e tij dominojnë në skenë duke ndriçuar botën, duke “shuar” kështu “kohën e qirinjve”. Pra kjo alegori nuk është asgjë tjetër përveçse një alegori e ideve iluministe. Rrezet e diellit, metaforikisht, përhapin dritën e arsyes kundrejt errësirës të një bote që tashmë kishe përfunduar. Skena e rrethuar me motive floreale rokoko, si dhe e trajtuar me tone pastel dhe me raporte të së kuqes dhe jeshiles, vërteton akoma më shumë në përcaktimin e një stili specifik artistik, por duke e lidhur me kulturën franceze dhe me shekullin XVIII.

Pas kësaj analize të shkurtër lindin hipoteza mbi prodhimin e veshjes tradicionale. Duke qenë se pëlhura e astarit daton para vitit 1781, atëherë a daton dhe xhybja në këto vite? Studiues kanë treguar se objektet në fondet etnografike të muzeve dhe institucioneve shqiptare, nuk datojnë më herët se gjysma e dytë e shekullit XIX. Duke pasur parasysh se këto pëlhura ishin mjaft në modë, atëherë dhe familjet e pasura shkodrane katolike, arrinin të blinin mallra të kushtueshëm të kohës, por dhe të modës. Mund të jetë dhe ide e pranueshme që pëlhura të jetë blerë më vonë dhe xhybja të jetë realizuar më vonë se 1781. Por kjo gjë duket më pak e pranueshme, për aq sa thamë më sipër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.