EKONOMI

Tërmeti/ Kriteret, gjashtë kategoritë e para që do të trajtohen me shtëpi

13:00 - 15.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar edhe kategoritë prioritare që do të trajtohen me banesa. Kriteret e përparësisë për renditjen e përfituesve janë: a) familjet që kanë humbur familjarët nga fatkeqësia natyrore; b) familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna; c) familjet që kanë në përbërje personat me aftësi të kufizuara; ç) të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit; d) familjet në skemën e ndihmës ekonomike; dh) të rënët në krye të detyrës. Sipas Vendimit që ka hyrë në fuqi dje Struktura përgjegjëse u njofton aplikantëve jofitues edhe arsyet e kësaj vendimmarrjeje, si dhe të vendimit për përfitim nga një program tjetër i procesit të rindërtimit. Aplikantët jofitues mund të paraqesin ankesat e tyre pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, brenda 5 ditëve nga njoftimi. Në fazën e dytë, dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë dokumentacionin që vërteton deklarimet e bëra në fazën e parë. Dokumentacioni i kërkuar sipas këtij vendimi, që mbajnë apo përgatisin organet publike në vend, sigurohet nga vetë struktura përgjegjëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre, vetëm nëse aplikanti depoziton deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të, sipas formatit tip. Nëse aplikanti nuk e dorëzon apo refuzon të firmosë këtë deklaratë, struktura përgjegjëse shkarkohet nga detyrimi i mbledhjes së dokumentacionit dhe ky detyrim i kalon vetë aplikantit. Dokumentacioni i nevojshëm sigurohet me shpenzimet e njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila, nëse është e nevojshme, mund të lidhë marrëveshje me strukturat përkatëse, në funksion të lehtësimit të marrjes së dokumentacionit. Për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga programet e procesit të rindërtimit, në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë vendim dhe listës së objekteve të vëna në dispozicion nga organi përgjegjës shtetëror, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, krijon një komision të posaçëm, i cili vlerëson kërkesat e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit, në bazë të dokumentacionit përkatës dhe parashikimeve të këtij vendimi, si dhe harton listën e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit.
Komisioni
Komisioni informon kryetarin e njësisë së vetëqeverisjes vendore në lidhje me listën e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit, i cili lidh kontratën për kalimin e pronësisë së banesave te përfituesit, pas marrjes së miratimit të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Organet e vetëqeverisjes vendore bëjnë publike, nëpërmjet mjeteve të informimit publik në faqet e tyre të internetit dhe shpalljes në vende të dukshme pranë institucionit të tyre. Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin të gjitha masat e mundshme që informimi publik të jetë i aksesueshëm dhe i kuptueshëm për të gjithë individët.
Të përjashtuarit
Përfituesit nuk mund të përfitojnë në të njëjtën kohë nga më shumë se një program i procesit të rindërtimit, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në aktin normativ që rregullon përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore. Subjektet përfituese nga programet e procesit të rindërtimit trajtohen dhe përfitojnë, si më poshtë vijon: Familjet, që kanë humbur banesat si pasojë e shembjeve të ndërtesave (pallateve), përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i rindërtimit të godinave në të njëjtin truall ose programi i fondit të banesave. Struktura e njësisë së banimit (apartament), që i kalohet në pronësi përfituesve në ndërtesat e reja, llogaritet sipas tabelës A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Strukturë njësie në kuptim të kësaj pike është sipërfaqja e shkelshme e banesës në numër dhomash, kuzhinë, korridor, banjë e ambiente ndihmëse. Familjet në qytet, që kanë humbur shtëpitë individuale si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit ose programi i fondit të banesave. a) Sipërfaqja e banesës që i kalohet në pronësi përfituesve, në ndërtesat e realizuara në kuadër të programit të zhvillimit të zonave të reja ose në banesat e programit të fondit të banesave, llogaritet sipas tabelës A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për truallin e shtëpisë individuale, përveç rastit kur për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit prona truall shpronësohet ose kompensohet sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”. b) Kur zona e re për zhvillim do të realizohet me shtëpi banimi individuale, familjet përfitojnë në pronësi shtëpi individuale banimi me sipërfaqe ndërtimi që llogariten sipas tabelës B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Në këto raste, përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për sipërfaqen e truallit që rezulton si diferencë e truallit të shtëpisë individuale të shembur me truallin e shtëpisë individuale banimi të re që përfitojnë, nëse ka, përveç rastit kur, për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit, kjo sipërfaqe trualli shpronësohet ose kompensohet sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”. Në kontratën përkatëse të kalimit të pronësisë për shtëpinë individuale të re sipas kësaj pike, parashikohet dhe heqja dorë e përfituesit nga e drejta e pronësisë në favor të shtetit prej sipërfaqes së truallit të shtëpisë individuale të shembur, e barabartë me truallin e shtëpisë së re individuale.




Procedurat e aplikimit dhe dokumentet

Aplikimi për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit sipas parashikimeve të këtij vendimi bëhet me dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej këtyre programeve. Përfshirja në programet e rindërtimit bëhet nëpërmjet aplikimit në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku individi/familja ka vendbanimin, sipas modelit dhënë në shtojcën A, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave, dhënë në shtojcën B, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Sipas vendimi aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën/at përgjegjëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rast se ka një të tillë. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin që këto kërkesa të paraqiten pranë njësive administrative ku individët kanë vendbanimin.

Familjet në fshat, ja çfarë përfitojnë

Këshilli i Ministrave a miratuar edhe kontratën për kalimin e banesave apo shtëpive individuale në pronësi të përfituesve duhet të përmbajë të paktën parashikimet e modelit tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Kontrata duhet të shoqërohet me deklaratën noteriale të heqjes dorë nga subjektet përfituese nga çdo pretendim mbi të drejtat e pronësisë për banesën apo shtëpinë individuale të mëparshme, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë vendim ose në aktin normativ nr. 9, datë 16.12.2019. Familjet në fshat, që kanë humbur shtëpitë individuale jashtë ose brenda zonës së urbanizuar të territorit rural, si pasojë e shembjes, do të përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit. Kjo përcaktohet në vendimin e posaçëm për përfituesit nga programi i rindërtimit. Familjet që kanë dëmtime në banesa ose shtëpi individuale nga fatkeqësia natyrore, të cilat nuk kanë nevojë të rindërtohen nga e para, trajtohen me grante rikonstruksioni. Referuar vendimit, shoqëritë tregtare, të vogla e të mesme, vendet e kryerjes së aktivitetit të të cilave janë dëmtuar dhe/ose zhvendosur për shkak të fatkeqësisë natyrore, vërtetuar me dokumente zyrtare, me qëllim rikonstruksionin e shpejtë ose sigurimin e mjediseve të përshtatshme për kryerjen e veprimtarisë nga punëmarrësit përfitojnë mbështetje ekonomike sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.