Kosova

 ‘Kufoma e parë ishte pa kokë’, rrëfimi shokues i dy infermiereve që ekzaminuan trupat e masakruar në Reçak

10:50 - 16.01.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dje janë bërë 21 vjet nga masakra e Reçakut e kryer nga kriminelët serbë. Ngjarje kjo e cila ka tronditur çdokënd që ka dëgjuar për këtë, e aq më e rëndë e herë-herë dhe e papërballueshme për ta rrëfyer është nga vetë dy infermieret që kanë ekzaminuar secilin trup të masakruar në Reçak




Infermieret Nerxhivane Azizi dhe Vlora Asllani që kanë punuar në Shtabin e Përgjithshëm të Zonës Operative të Nerodimes, kanë rrëfyer mes emocionesh, në studion e hapur në RTK 3 me Trëndelina Ramadanin, siç thanë ato momentet më të rënda që kanë përjetuar në jetë, duke parë dhe ekzaminuar trupat e 45 vikatimave në fshatin Reçak të Shtimes.

Nerxhivanja e cila përveç infermiere ka qenë edhe fotoreportere në shtabin e UÇK-së, ka rrëfyer për ato që ka parë në Reçak, duke u shprehur se e kujton si një dhimbje të madhe e të paharrueshme.

“Edhe pse kanë kaluar 21 vjet, ne e kujtojmë me dhimbje shumë të madhe. Ne ishim shumë të reja, megjithatë shkuam, vizituam dhe ekzaminuam secilin trup të banorëve, bashkë me doktorin Vezir Bajramin (tashmë i ndjerë), Mevlide Zymberin dhe Vlorën”, tha mes emocionesh Azizi.

Ndërsa, Vlora e cila ishte pjesë e këtij ekipi mes dridhjeve të zërit tha se edhe tash pas 21 vitesh e ka shumë rënd të flas derisa i kujton ato pamje, shkruan Gazeta Metro.

“Gjendja atë ditë ka qenë e tmerrshme. Kufoma e parë që kemi parë ka qenë pa kokë, dhe së bashku me Dr. Vezirin e kemi ekzaminuar, ndërsa Nerxhivanja ka bërë fotografi. Edhe tash kur e kujtoj po tmerrohem, ishte me të vërtetë shumë e rëndë”, deklaroi Asllani.

Bartja e kufomave nga vendi ne vend ishte një sfidë ne vete, dhe poashtu e rëndë. Ata trupa të banorëve nëpër rrugë, me gjymtyrë të ndarë ishte tronditëse për Nerxhivanen dhe Vlorën.

“Ditën që ka ndodhë masakra ne i kemi bartur pacientë nga fshati Reçak, dhe i kemi çuar ne fshatin Llanishtë. Momenti më i rëndë ka qenë kur kanë ardhur familjarët t’i identifikojnë kufomat. Është një moment i papërshkrueshëm”, u shpreh Vlora Azizi.

Ndërsa, krahas punës së tyre të palodhshme, ka qenë edhe rrezik të shkosh në Reçak për infemieret dhe mjekun, por tashmë këta të katërt e dini se ç’do të bënin.

“Ka qenë tejet e vështirë të shkosh, t’i ekzaminosh, t’i fotografosh por qëllimi për të ndaluar një ngjarje të tillë ka qenë më i madh se frika”, tha Nerxhivanja./gazetaexpress


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.