KULTURË

Vepra e Dritëro Agollit dhe brezi i viteve 1960

11:15 - 16.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një ndër botimet e reja të Akademisë së Shkencave është ai i Shaban Sinanit “Vepra e Dritëro Agollit dhe brezi i viteve 1960” nën logon e Akademisë Shkencave. Synimi i studimit më të fundit e mjaft interesant të studiuesit tonë të njohur, akad. Shaban Sinanit, është që të rivendosë baraspeshën e trazuar në gjykimin e letërsisë së një shkrimtari të papërjashtueshëm nga historia e letërsisë shqipe, sido dhe kurdo që ajo të shkruhet, si Dritëro Agolli, në një periudhë kalimtare prej apogjeut në refuzim inatçor, prej lavdisë në shpërfillje.




Në këtë botim vëmendja qendrore u kushtohet veprave të ndaluara të shkrimtarit Dritëro Agolli, që nuk janë të pakta. Disa prej veprave të shkrimtarit tonë të madh u zhdukën përgjatë disa dekadave gati pa gjurmë. Disa të tjera për ribotimin e të cilave kërkohej ndërhyrje shfytyruese, vetë autori, i lënduar në shenjtërinë e autorësisë bëri sikur i harroi, i nxori nga mendja, ashtu si e kishin urdhëruar. Ndonjë tjetër u përpoq ta ringjallte përmes transmodelimit gjinor, duke i shndërruar në skenarë filmash etj.

Përveç këtyre veprave, në objektin e këtij studimi është përfshirë edhe krijimtaria e botuar pas vdekjes së autorit, për të cilën në këtë vepër është treguar kujdesi për ta çuar atë sa më denjësisht në duart e lexuesit. Gjithashtu, janë përfshirë edhe ato që mund të quhen “veprat mënjanë të Dritëro Agollit”, kryesisht romane që ose nuk janë përfillur fare nga studimet dhe kritika në kohën e botimit dhe më pas, ose vepra të tjera që janë ndëshkuar qysh në momentin e parë të kontaktit me kritikën dhe më tej janë harruar a kanë dalë jashtë vëmendjes. Thuajse të harruara kanë mbetur edhe librat e publicistikës, ku shfaqet Agolli polemist, me një regjistër krejt tjetër ligjërimi, si dhe shënjime prej leksioneve universitare me të cilat u formuan disa breza gazetarësh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.